Faik Islami/ Shoqëria shqiptare, një çerek shekulli jashtë sistemit

    415
    Sigal

    Një vend bujqësor pa bujqësi. Ministria e Panaritit dhe “sadakaja” për fermerët

    Çdo shoqëri njerëzore ka patur dhe ka tiparet e veta natyrore, sociale, ideologjike, teknike, organizative, përgjithësisht njerëzoret. Një analizë e hollësishme e secilit, prej këtyre tipareve, analizë që për shoqërinë shqiptare mungon tërësisht, shpie në përcaktimin e tipit të shoqërisë. Disa prej tyre mbeten thelbësore, për funksionimin e vet shoqërisë, ashtu sikurse ka edhe të tjerë, që nuk janë thelbësore. Nga thelbësoret disa janë specifikë, ndërsa disa të tjerë nuk kanë të njëjtën vlerë. Ecuria e gjithë këtyre tipareve, historikisht, ka ecur në aspektin e formimit të kulturës, nëpërmjet zhvillimeve agrare.

     Toka bujqësore dhe evoluimi i shoqërisë

    Historia e zhvillimit të shoqërisë njerëzore na tregon se kalimet nga njëri sistem ekonomiko-shoqëror në tjetrin, janë karakterizuar, kryesisht, bazuar në pronën private, mbi mjetin themelor të prodhimit, mbi tokë në përgjithësi dhe atë arë në veçanti. Shoqëria skllavopronare bazohej në punën e skllevërve mbi tokën, pronë e skllavopronarëve. Pothuajse, e njëjta gjë edhe për sistemin e bujkrobërisë, gjer tek më i fundit, sistemi kapitalist, i cili, në dallim nga dy të parët, gati e shenjtëroi pronësinë mbi tokën dhe mbi çdo pronë private, të ngritur mbi bazamentin tokë. Engelsi, tek “Origjina e familjes, pronës private dhe shtetit”, hodhi për herë të parë idenë “unilineare të zhvillimit të shoqërisë njerëzore, bazuar mbi pronësinë”. Dhe po aty ai theksoi se skllavopronaria nuk ka qenë elementi thelbësor i prodhimit as në Europën mesjetare e as në Orient, (Orienti pati njohur vetëm “skllavërinë shtëpiake”, përkundër fiseve kelte dhe gjermanike, të cilat kaluan drejtpërsëdrejti nga shoqëritë gjinore e primitive, në “bujkrobërinë feudale”). Që të gjitha këto kalime u bazuan tërësisht mbi pronësinë mbi tokën. Lenini e fshiu sa kishte përcaktuar Engelsi dhe veçoi “shoqërinë skllavopronare”, si njërën fazë, praktikisht universale të zhvillimit. “Përmes kësaj faze, – mendonte ai, – ka kaluar e gjithë Europa, e kulturuar prej punës me çdo kulturë agrare dhe e qytetëruar në vijimësi, po prej saj, në më shumë se 2000 vjet të shkuara. Megjithëkëtë “Skema unilineare” e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, e provuar historikisht dhe shkencërisht, nuk la vend për asnjë filozof, a studiues të mëvonshëm, për ta kundërshtuar, por vetëm kanë pohuar se baza e çdo sistemi ekonomiko-shoqëror, e çdo tipi dhe e zhvillimit të çdo shoqërie, ka qenë dhe mbetet vetëm pronësia, veçanërisht e kryesisht pronësia mbi tokën. Me fjalë të tjera, del se tipari specifik thelbësor i çdo sistemi ekonomiko-shoqëror, mbetet pronësia mbi tokën. Shoqëria feudale u karakterizua nga despotizmi agro-administrues, tipari dallues, i cili përbëri thelbin e shoqërisë mesjetare, që nga Europa e deri në… Japoni… Avancimet historike të punës mbi tokën, mbi bujqësinë, njohja me veçoritë dhe specifikat e saj, përbëjnë njëherësh edhe bazën zhvillimore të çdo kulture, si për Romën Republikane, po ashtu edhe për Greqinë e lashtë. Gradualisht, me zhvillimin e elementëve të panumërt të teknologjisë, të zakoneve, riteve, të artit dhe besimeve fetare, pra, të marrëdhënieve në gjirin e çdo shoqërie, u panë si specifikat thelbësore, mes tyre që përmbushnin funksionin kulturor thelbësor të secilës shoqëri, bazuar kryesisht në punën me tokën. Pra thelbi zhvillimor i secilës shoqëri njerëzore, ka qenë bujqësia.

     

    Shqipëria, shtet amorf

    Nëse sot do të kishim nëpër duar një studim të hollësishëm të socio-historianëve shqiptarë, nga pikëpamja e këndvështrimit të funksionimit të sistemit të demokracisë liberale, të sistemit kapitalist, që politika është lodhur të bindë këtë shoqëri se kemi hyrë, krahasuar me katandisjen e tij, në këtë çerek shekulli, pa as më të voglin dyshim, ai studim do të kishte efektin e dinamitit, për këtë biçim sistemi kapitalist shqiptar. Dhe meqë ky studim mungon, duket se qeverisjet në vijimësi gjer tek qeverisja e Edi Ramës, e cila me dinamit kërkon të ndreqë pasoja pjesore të sistemit çyryk shqiptar, jo se nuk kanë qenë të afta të kuptojnë se është i gjithë sistemi, që nuk funksionon dhe jo apendikse të tij, është vetë shteti, që nuk vjen erë për shtet, por u ka interesuar kjo katandisje. Katandisur në këtë farë feje, në shoqëri kapitalistë në formë, në emër dhe hibride në përmbajtje, pra, në një shoqëri jashtë sistemit… Shteti vetë është kthyer në një shtet amorf.

    S’ka kapitalizëm pa pronë

    Duhet ta kërkojmë këtu arsyen dhe jo gjetkë, të telendisjes serbe, për mungesën e shtetit. Nuk mundet të funksionojnë institucionet, pa bazën juridike të pronësisë. Kjo është arsyeja e vërtetë pse ato janë tash e 24 vite vetëm formale dhe të pabesueshme në asnjë dokumentim lëshuar prej tyre. Vetëm bazuar në juridiksionin e plotë pronësor, mundet dhe duhet të funksionojë sistemi kapitalist, mbi dymijë e ca vjeçar i provuar. Dhe jo se edhe ashtu sistemi, shoqëria shqiptare nuk do të përballej me problemin, pse jo dhe me plagë të rënda, që sistemi vetë i ka të tijat, por me mungesën e pronësisë juridike, ky sistemi nuk është kapitalizmi. S’mund të konceptohet kapitalizmi pa pronën, apo me pronën e gjithkujt dhe të askujt, me mijëra pronarë në kërkim të pronës si dhelpra… pas atyre të dashit, në ëndërrim për ta patur të tyren, atë që ka qenë e tyrja. Një anormalitet i kthyer në normë të shoqërisë. Jetohet shoqëria anormale, ku i paligjshmi qeveriset seriozisht, të ligjërohet dhe i ligjshmi pengohet me gjithfarë mënyrash. Plot shqiptarë mbyllën sytë me dosjet e pronësive nën jastëk. Pra, kemi një sistem tipik shqiptar, që sa i përket natyrave të pronësive na jep një amalgamë të pronësisë natyrore, të papërcaktuar, pronësisë marrë me vetëligjësi, pronësisë sipas një ligji “të mykur” nga koha e gjatë dhe e pazbatueshmërisë në tërë qarqet e katundet njësoj dhe pronësi të gjithë shoqërisë ose të shtetit. Kemi një shtet që ka marrë për zbatim gjithë ligësitë e mundshme mbi pronësitë dhe vetë tokën.

    Pronësi ndërgjyqëse në një sistem ndërgjyqës

    Problemi i pronësisë mbi tokën është sot problemi më i ngatërruar qëllimisht, problemi më i komplikuar, për zgjidhje afatshkurtër, në sajë të falsifikimeve dokumentare, të vendimeve të dyzuara pronësore, të qëllimshme e korruptive dhe praktikisht më i lëni krejt jashtë vëmendjeve, kur merret vesh se është problemi më kyç, për funksionimin e sistemit. Shoqëria shqiptare nuk është një shoqëri e mirëfilltë kapitaliste, përderisa tipari dallues bazë, kapitali themelor, toka, pronësia mbi të dhe çdo pronësi tjetër, që në themel ka medoemos tokën, nuk ka gjetur vend, nuk është pronësuar ligjërisht. Dhe zgjatja për një çerek shekulli, pa zgjidhje të këtij problemi të rangut të parë, për nga dallimi i sistemit në të cilin kjo shoqëri është futur, provon më së miri se shoqëria shqiptare funksionon jashtë sistemit… dhe jo në pak kohë, por plot një çerek shekulli. Kur sistemi që solli diktaturën, brenda më pak se dhjetë vjet, e tjetërsoi, duke e shoqëruar me ligj tërë pronën individuale. Lind pyetja si funksionokërka kjo shoqëri, krejt ndryshe prej të gjitha praktikave të botës? Si duron kjo shoqëri këtë gjendje kaq të stërzgjatur?

    Së pari, sepse tërë politikës dhe vet shoqërisë kjo situatë dramatike, iu bë e zakonshme, si të themi, u ambientua me të keqen e vet. Është hall i madh kur shoqëritë ambientohen me të keqen, sepse për traditën shqiptare këto lloj efektesh zgjasin nga pesëdhjetë gjer në njëqind vjet!

    Së dyti, duke qenë se toka është pasuria më e madhe mbi dhe, politika për qëllimet e saj pasurore, e futi qëllimisht gjithë shoqërinë në labirinthin e ndërgjyqësisë së stërzgjatur. I hapi frontin e madh për korruptim sistemit të arbitrimeve, duke e kthyer atë në makinën përpunuese të pronësisë ndërgjyqëse. Pra, ne kemi sot tipin e pronësisë ndërgjyqëse dhe të shoqërisë ndërgjyqëse, të varur prej një sistemi mafioz ndërgjyqës. Ka mijëra dosje ndërgjyqësish, që ndjekin trajektoret ndërgjyqëse: Shkallë e Parë – Apel – Gjykatë e Lartë e rikthim, “për ca lloje shkeljesh proceduriale”! Mund të pohohet pa asnjë gabim se sistemi shqiptar i arbitrimeve të pronësisë, është më perfekti në botë, për të nxjerrë tërë një shoqëri jashtë trajektoreve të çdo sistemi. Nuk është më thjesht dhe vetëm korruptiv, por organizator dhe tekniku perfekt, për ta shpërbërë edhe psikologjikisht një shoqëri. Sepse prej mungesës së pronësisë dhe të drejtës së munguar prej ndërgjyqësisë, është në apogje natyra e krimeve në gjirin e kësaj shoqërie, njëherësh të varfër në të gjitha drejtimet e gjer në shpirt. Shoqëria jonë psikologjikisht është e shkatërruar dhe sa tregojnë bathët e ecurisë së kthimit të pronave, duket se procesi do të jetë me pasoja shumë afatgjata.

    Ministria e Bujqësisë dhe “sadakaja” për fermerët

    Me këtë amalgamë natyrash të pronësisve mbi tokat, veçanërisht për atë arë, kemi një dikaster bujqësie, i cili ngaqë nuk di ku ka objektin, në cilën gjendje, sa ka mbetur, e kujt është, cilat janë problemet dhe mbi këtë studim të munguar, cilat do të ishin masat emergjente, cilat ligje mungojnë dhe cilat kërkojnë emergjencë, bën sikur merret me ca punë, që i fryn me propagandë boshe. Ndan ca sadakara, që i quan ndikime direkte mbi kostot, shtysa për prodhimin në hapësirat “Lushnjë-Fier”, hap ca pika grumbullimi produktesh për ca fermerë, kur janë mbi 500 mijë ngastra e pretendentë të pronësisë së tyre. I ka pjellë mëndja dikujt, apo i janë kujtuar idetë “brilante të tufëzave… të arëzave” dhe praktikisht u bën thirrjen mavrifermerëve: “shpini ju prodhimet në pikat që kemi ngritur neve, se i shesin këta dhe ne shteti… u japim ca para… për sadaka …”! Në një kohë që miletit i ka rënë pika mu në shesh të kokës, nga streset pafund e anë, e për pasojë e streseve të natyrave nga më të ndryshmet nuk di ku ka kokën, e jo të mësojë pikat e Ministrisë së Bujqësisë. Do të duhej me emergjencë reforma e plotë ligjore, që duhet të nisë me juridiksionin e pronës, e pasi të saktësohet përfundimisht juridikisht prona, të nxisë sipërmarrjen, për kooperim të mijëra ngastrave, në sipërfaqe të mëdha. Mirëpo, kjo kërkon parapërgatitje të lartë organizative e shkencore në mënyrë që bujqësia të zërë vendin që meriton dhe vëmendjen që kërkohet prej qeverisjes. Për çfarë vëmendje nga qeverisjet mund të bëhet fjalë në këtë shoqëri, kur dikasteret e bujqësisë janë vulëhumbura, të harruara?

     Kush e di, ku është Drejtoria e Bujqësië?

    Le të marrim për krahasim dy institucione të shtetit, për të gjykuar mbi mentalitetin organizativo-administrues qeverisës të tranzicionit shqiptar dhe mbi këtë bazë edhe për funksionimin e sistemit, me inspirim demokracinë liberale. Dy prej institucioneve të Qarkut të Tiranës, sepse duke qenë kryeqendra, sigurisht shpreh dhe modelin në tërësi: Drejtorinë e Policisë dhe Drejtorinë e Bujqësisë. E para është e vendosur në një ndërtesë shik, të bardhë si bora në male, tre dhe katër katëshe. Ngjan me aneksin e administratës të Shtëpisë së Bardhë në Amerikë. Kur qytetari hedh sytë mbi këtë ndërtesë, stepet për nga forma, paraqitja dhe arkitektura tepër e thjeshtë, që përbën edhe bukurinë e saj. E si e sodit mirë, pyet vetveten: Përse vallë kaq e madhe kjo ndërtesë, në qendër të Tiranës? Tek kjo ndërtesë, gjithë ditën shihen të lëvrijnë njerëz, me drejtim tek oficeri i shërbimit të pritjes së popullit, sikur të ishte një institucion punësimi a diçka tjetër. Kur të gjithë e dinë se aty venë hallexhinj, që ata vetë, a bij e njerëz të afërt të tyre, janë përballë një shkeljeje të ligjit, apo më keq akoma të një krimi të kryer. Më normalja do të ishte vajtja aty në kërkim të një dokumenti administrativ identifikues. Sigurisht, të kësaj kategorie janë pakica. Që dridhen se mundet të përfundojnë prej këtu diku, në ambiente goxha të freskëta… tek Stacioni i Trenit.

    Po për institucionin tjetër, Drejtorinë e Bujqësisë Qarkut, që morëm për krahasim i ka shkuar kujt mëndja, ku gjendet? Kurrë! Përse t’i duhej? Për këtë drejtori do të duhen nja 50 postierë nga të paqarkulluarit, për të mësuar vrimën ku atë e kanë rrasur. Në 50 tiranas të zakonshëm të pyetur, asnjëri për be, nuk e dinte se kishte një institucion të tillë, pa le më ku mund të ishte. Më së fundi, dikush besonte se mund të ishte diku… andej nga kryqëzimi i “21 Dhjetorit”, një farë zyre. E, mirë e kanë njerëzit… Përse do t’u duhet ta dinë ku gjendet ky institucion pa asnjë funksion real?! Kush do marroset të mësojë ku është Drejtoria e Bujqësisë e një vendi agrar si ky yni, pa bujqësi si institucion kulture prodhimi, bazë zhvillimore? Pse vallë kjo situatë anormale, në një vend me traditë krejt tjetër? Sepse mentaliteti i krijuar e ka të fundit, apo hiç fare në mendje, gjënë më të parë, që i lipset vendit. Po, a do kishte efektivitet një drejtori e tillë e fuqizuar me tërë specialistët e fushave? Sigurisht që po. Mjafton të kujtojmë se përse Komuniteti Europian financoi projektin e “Lungo Mares” në Vlorë. Mos vallë se e di se në Vlorë u ngrit për herë të parë flamuri kuq e zi? Mos vallë se aty është Rama deputet? Apo mos vallë se aty… Selam Musa Salaria vërviti italianët ne det? Për asnjërën prej këtyre arsyeve. U dhanë, se ishte i vetmi projekt serioz i paraqitur. Pra, që të merren pare, për projekte gjigande agro-prodhues, u dashkan projekte të cilat nuk i bën dot kurrë stafi i Ministrisë së Bujqësisë, mbushur me të paaftë, por ta zëmë, mundet edhe një Drejtori Bujqësie, ja, si kjo e Tiranës, fuqizuar me të gjitha ç`i duhen për projekte agro-prodhues, që të tërhiqen fonde nga Europa. Nga i pret qeverisja projektet, mos nga katundarët, që nuk blejnë dot as farërat? Duhet mendje dhe jo propagandë e llafe para kamerave. U dashkan mendje, për ligje, për reforma dhe për kthim të pronës sa më shpejt që të jetë e mundur, për ta vënë në jetë të funksionojë sistemi, i bazuar mbi pronësinë mbi tokën. Deri sot po shohim ministrin e Bujqësisë të dalë si “fanti spathi” e të broçkullisë, pa bereqet, se po bën më të mirat… e të bërave, por nuk po shohim daljen e bujqësisë, në plan të parë. Shoqërinë shqiptare brenda sistemit. Gjendemi tërë këto kohë, jashtë tij.