Faik ISLAMI/ Bllokimi i lejeve mbi territorin, shprehje e mungesës së zgjidhjeve

    386
    Sigal

    Tatarët, kur pushtuan Rusinë, nuk u mësuan rusëve as ligjësitë algjebrike e as parimet e filozofisë aristoteliane. Kur në vitin 1240, ata i patën dërrmuar sllavët e lindjes, i vunë aq mirë nën kontroll ata, sa asnjë forcë e pavarur ruse nuk u orvat, që të kundërshtonte okupimin. Të parën gjë, që urdhëruan për vasalët e tyre, ishte bllokimi i çdo veprimi mbi territorin. Praktikisht, bllokuan ashtu tërë veprimtarinë zhvillimore ruse. Atë periudhë, Pushkini e përshkroi si “periudhën kulturore negative të Rusisë, sjellë prej pushtimit tatar”. Ajo periudhë nisi me bllokimin zhvillimor të popullsisë ruse, mbi territorin e tyre, që ishte nën okupim. Duam të theksojmë, jo aq sa u ka ndodhur ruseve në historinë e tyre të lashtë e nën pushtime, por sa u ka ndodhur shqiptarëve në historinë e tyre të re, me qeverisje jo despotike, por të quajtura demokratike, prej krimeve mbi territorin, por edhe te mendësisë bllokuese mbi territorin.

    Në fillimet e saj “qeveria Nano 1”, më të parën nismë, që mori ishte një VKM, që bllokonte lejet, për të vepruar mbi territorin. E bëri bllokimin i cili vijoi, për më shumë se një vit, pa u shprehur asnjëherë se ai bllokim ishte hequr.

    Qeverisja “Berisha 1”, të parën masë që mori, sapo erdhi në pushtet, ishte po bllokimi i lejeve, për të vepruar pushteti vendor, mbi zhvillimin e territorit. Të dyja ato qeverisje, masën bllokuese e morën sapo erdhën në pushtet.

    Ndërsa “qeverisja Rama” e theu adetin, sepse e bëri bllokimin… pas një viti.

    Nga dy qeverisjet bllokuese të para, mbi territorin, jo vetëm nuk u pa ndonjë farë hajri, por situata u kthye nga shkatërruese në dramatike dhe në mënyrë përfundimtare e parikthyeshme, katastrofike. Qeverisja Rama, për një periudhë relativisht të gjatë, e shkeli dhe e njohu në detaje situatën shkatërruese, thellësisht dramatike, dukshëm kriminale, të bërë prej qeverisjeve vendore mbi territorin. Duket se harxhoi goxha kohë, për të dalë me një vendim aspak të ri nga forma dhe përmbajtja, sepse në fund të fundit bëri po të njëjtin “adet” si dhe qeverisjet para saj, bllokoi duke përcaktuar edhe limitin kohor të këtij bllokim, gjë që nuk ishte bërë prej qeverisjeve para saj. E nëse, pikërisht, ky afat kohor, gjer në vitin 2015, siç është i shprehur në këtë vendim, do të mund të quhej ndryshim, nuk ka asnjë gjasë më shumë sesa që do të përkundej për më shumë se një vit, një i vdekur në tabut. Një i vdekur?

    Po! Për t’u bindur gjithkush se në cilën gjendje është katandisur territori shqiptar, do të mjaftonte një vizitë në buzëkalanë e Prezës. Shikimi i vrojtuesit, sidomos i cilitdo, që e ka parë territorin para këtyre qeverisjeve njëzet e kusur vjeçare, të luginës prej Lumit të Tiranës deri në ata të Matit, do të llahtariset me gjendjen aktuale. Një katastrofë e vërtetë! Një xhungël ngrehinash të tipit “mish- mash”, si konfiguracione, por ama vargan, si të zëna dorë për dore komglomerat vilash, hauresh, ngrehinash gërdalla, kasollesh e kioskash, okupuar tërë territorin, me përjashtim vetëm të territorit, që zë aeroporti civil. Këtë pamje e kemi në të gjithë territorin fushor të vendit, aq sa e gjithë Shqipëria mund të emërtohet pa asnjë gabim “kryeqyteti i ngrehinave mish-mashe”! Dhe në këtë situate dramatike nuk është vetëm territori fushor, por edhe ato territore të cilat natyra dhe sistemi i kaluar na i dorëzuan “të virgjëra”. Mjafton të hedhim sytë mbi faqen e krenarisë tonë historike, mbi Krujë, për të parë se çfarë i kanë punuar qeverisësit vendorë, të periudhës me liri të plotë… për të shkatërruar gjithçka. Këta kriminelë, lehtësisht të dallueshëm, jo vetëm nuk kanë qeverisur, por nga grykësia kanë vrarë bazën zhvillimore, tokën prodhuese, pamjen natyrore të tërë Atdheut. Kanë shpejtuar shëmtinë e tij, katandisjen e faqeve belvedere të dikurshme, në humnera që i kallin “datën” çdo të huaji që vjen për të soditur vendin e “Shqipeve “, katandisur në një palo vend, të cilin dhe sorrat nuk e kanë më zili, pa le më shqiponjat! Vendalinjve vendimemarrës, qeverisësve vendorë e atyre që ishin edhe më lart, kjo situatë, prej makutërisë, u është dukur normale e shkuar normales!

    E, se mos vetëm Kruja është në këtë katandi. Është i gjithë territori. Udhëtari që arrin të dali në “Qafë Muzinë”, sytë i përplasen mbi kodrinën e Volloderit, shpatullën ku mbështetet Saranda. Dikur ishte një pllajë me shkurre të pakta, por gjithë lule e gjelbërim pranverave dhe vjeshtës së vonë. Një kullotë natyrore, që, vjeshtave dhe dimrave gjer në pranverë, mbante mijëra krerë dele dhe dy thundrakë. Sot aty është krijuar një kafshim gjigand, një humnerë gjigande prej veprimtarisë gërryese për materiale inerte, lëshuar si licencë thellësisht korruptive, e gjitha kriminale, prej strukturave po kriminale, të Ministrisë së Energjetikës. Saranda, shpesh, mbulohet prej resë së pluhurit, dalë prej kësaj gurore vdekjendjellëse. E gjithë veprimtaria gërryese e shkatërruese nuk u shoqërua kurrë me një projekt rikthyes në situatën e mëparshme. Situatë që është prezente jo vetëm këtu, por kudo, ku kanë shirë licencat e lëshuara për shkatërrimin, “licenca shtetërore dhe vendore” për masakrim të atij territori dhe kudo. Flitet për zhvillim të turizmit në bregdetin e jugut, që duan të thonë, se është ende disi natyrore situata. Por asnjë qeverisës i djeshëm, apo dhe i këtyre “njëvjeçarëve” të sotëm, nuk ka hipur në një varkë të thjeshtë, për të parë çfarë i është punuar territorit buzë ujit në “Limjon”, po të Sarandës. Një situatë dramatike e nisur edhe si luftë “frontale” e njerëzve të thjeshtë, e banorëve të Limjonit, me sistemin e korruptuar të drejtësisë dhe strukturat politike e shtetërore, të implikuara në një aferë kriminale të tillë sa do të mjaftonte (jo më një vit, sa është paraparë bllokimi), por vetëm një rishikim një javor i tërë dokumentacionit ekzistues, sa fiktiv aq edhe korruptiv i tërë situatës, për t`i dërguar para ligjit kriminelët vendor dhe shtetërorë, për masakrimin e këtij territori, të kthyer sot në humnerë tmerruese. Kush udhëtar kalon nëpër Otranto, asgjë nuk do ta bënte të drithërohej, ose si i thonë, për t’u tmerruar, sa do t`i mjaftonte vetëm të hidhte shikimin mbi bregdetin tonë… mbi atë pjesë bregdeti, mbi atë pjesë Limjoni dhe aq do ishte mjaftueshëm për të mos i shkelur këmba kurrë në Sarandë dhe bregdetin e saj!

    Masa që mori kjo qeverisje është një masë absolutisht e drejtë, sa i përket ndaljes së mëtejshme të veprimtarisë kriminale mbi territorin, nga vendorët përnjëmend kriminelë dhe shkaktarët e këtij krimi gjigand e të pariparueshëm. Por, me si janë “fortifikuara” ata nga të ardhurat prej kësaj veprimtarie në vite, nuk ka ç`u bën jo më bllokimi, por as kundërtanket mbi fortesat e tyre! Të majmur në pakufi, me katandira milionëshe, me fëmijë, për studimet jashtë vendit, me pasuri të pallogaritshme, (nga një copë rrogë…!), ardhur vetëm prej krimit mbi territorin, krijohet bindja se si masë nuk do të duhej të ishte bllokimi i dhënies së mëtejshme të lejeve, por hetimi dhe dokumentimi i krimit të kryer mbi territor dhe mandej hetimi i pasurive të vëna prej tyre në mënyrë kriminale mbi tokën, mbi territorin. Sepse me bllokimin, që mund të supozohet lehtë si i paanalizuar në detaje, pasojat e tij, pasi ata që e pësojnë realisht janë jo më vendorët, por bizneset dhe njerëzit e thjeshtë, zgjidhjet do të jenë të përmasave të dy bllokimeve të mëparshme. Një pesë me hiç! Pse vallë? Sepse, duke bllokuar veprimtarinë shkresore të vendorëve për lëshime lejesh, nuk bllokohet e keqja e realizuar, por bllokohet puna e mijëra njerëzve të thjeshtë. Bllokohet importuesi i materialeve të ndërtimit, i hekurit, i duraleve, i inerteve, i gjithë veprimtarisë jetësore të një sektori, që punësonte dikur, tek gati 60 % të fuqisë punëtore. Të gjithë këta njerëz mbeten pa punë dhe në pritje të ardhjes së vitit 2015! Lind pyetja, si e ka menduar qeveria dhe nga i doli hesapi tamam, se u dashka plot një vit e kusur kohë pritjeje e shprese (të vdekur), për më mirë, nga mileti? Një vit e kusur, për të bërë zap disa dhjetëra kriminelë vendor të batërdisë mbi territorin? Një qeveri pune e bën natën ditë për ta ndryshuar gjendjen që gjeti. Një qeveri qejfi, punën e sotme e shtyn për nesër ose edhe për muaj e vite, më vonë. Nga të punës nuk kemi parë. Nga të qejfeve jemi të stërngopur! Një qeverie pune do t`i mjaftonin vetëm disa ditë, ose e shumta një muaj, për ta studiuar me autoritete të shkencës tërë situatën, me autoritetet të ligjit, për të gjetur shkeljet dhe në bashkëpunim më ata të institucionit të akuzës, për t`i vënë para përgjegjësisë shkelësit, për këtë krim të përmasave të mëdha, për t`i penalizuar gjithë gjynahemëdhenjtë, mbi territorin. Bllokimi nuk sjell kështu rilindjen për territorin, por në rastin më të paktë, do të jetë një gur i ngritur lart prej qeverisësit, saqë me të arritur viti, që parashikon si kohë fundi ky bllokim, do t`i bjere mbi këmbë vete qeverisjes, prej pakënaqësive që sjell mbi të thjeshtët, mbi votuesit e shumtë. Njerëzve u ka arritur thika në palcë, ndaj dhe heshtin në habi, prej vendimit, si masë e pushtetmbajtësve, që kanë vepruar si despotë dhe aspak zgjidhës të halleve të tyre dhe sidomos aspak mbrojtës të territorit. Janë dhe të hutuar nga ky “adet qeverisës” i përsëritur , që u zunë veshët. Janë të stërlodhur prej bllokimeve pafund, që realisht është shprehje e mungesës së zgjidhjeve dhe jo e ndëshkimit të së keqes, kurimit dhe mundësive për ringjalljen e mundshme të territorit të vdekur, ndaj kjo masë duhet riparë me urgjencë!