Fadil Kepi:Çfarë duhet të bëjmë kur emrat në dokumente janë shkruar gabim

    1169
    Sigal

    Specialisti sigurimeve shoqërore, Fadil Kepi, i përgjigjet shqetësimeve që ngrenë njerëzit në emisionin  “Koha për tu zgjuar” drejtuar nga Bashkim Hoxha

    “Atë që duhet të dimë më shumë e njohim më pak janë ligjet”. Balzak

     Dje në emisionin “Koha për tu zgjuar”, në televizionin “News 24” që drejtohet nga moderatori Bashkim Hoxha, një shikuese nga Durrësi, trajtoi këtë problem: “Mbasi plotësova moshën për pension, tha ajo, plotësova dokumentet përkatëse dhe i dorëzova në sigurimet shoqërore dhe mbas disa ditësh në vend që të merrja librezën e pensionit, më kthyen dokumentet mbasi emri im i shënuar në librezën e punës, ndryshonte me një “germë” me emrin që ishte shënuar në dokumentet e tjera zyrtare, që kisha dorëzuar si fotokopje e kartës së identitetit, certifikata familjare e gjendjes civile, etj. Për të saktësuar këtë mangësi iu drejtova sipas rregullave gjykatës se shkallës së parë, e cila vendosi që isha i njëjti person, pavarësisht se në emrin e shënuar në librezën e punës mungonte një germë. Këtë vendim gjykate e dorëzova në sigurimet shoqërore, por ata përsëri nuk më caktuan pensionin, me pretendimin se vendimin e gjykatës së shkallës së parë me kompetencën që i jep ligji do ta dërgojnë për rigjykim në Gjykatën e Apelit. Ju lutem, më sqaroni pse kjo sorollatje nga punonjësit e sigurimeve shoqërore dhe pse nuk e zbatojnë vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe a është i ligjshëm një veprim i tillë i sigurimeve shoqërore?

    Në parim shqetësimi i të interesuarës është i drejtë, ajo ka plotësuar moshën e pensioni 60 vjeçe dhe për të marrë pension të plotë i duhen 35 vjet punë të siguruara në vendin tonë dhe shpirtërisht ajo është e përgatitur që brenda 60 ditëve të merrte pensionin, edhe për faktin se gabimi në plotësimin e librezës së punës nuk është bërë nga e interesuara, por nga ish-punonjësja apo punonjësi i kuadrit dhe librezat e punës mbaheshin e ruheshin në qendrën e punës. Për t’i paraprirë zbulimit të gabimeve, që nuk janë të pakta, nga punonjësit e sigurimeve shoqërore dhe ndreqjes së tyre konform ligjit, mbështetur në rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, “Për caktimin, administrimin dhe pagesën e pensioneve”, miratuar nga Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në të cilin kryetar është ministri i Financave, personi i interesuar një vit para se t’i lindë e drejta për pension, duhet të paraqesë pranë sigurimeve shoqërore këto dokumente paraprake: librezën e punës, certifikatë lindje me fotografi ose fotokopje e kartës së identitetit, certifikatë e gjendjes familjare, certifikatë martese (për femrat), fotokopje e diplomës së shkollës së lartë e noterizuar, nëse ka vazhduar e përfunduar studimet ditën, ndërsa meshkujt vërtetimin e degës ushtarake për periudhën që kanë qenë ushtar, etj. Në të gjithë dokumentet e mësipërme emri dhe mbiemri duhet të jenë të plotë, dhe i njëjtë me të gjitha germat përkatëse. Sigurimet shoqërore, mbasi e studiojnë me kujdes rregullaritetin e plotësimit të tyre dhe bëjnë verifikimet e duhura me dokumentet e kompjuterizuara që kanë dhe komunikojnë zyrtarisht edhe me drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore, të rretheve të tjera kur është e nevojshme dhe e shikojnë të arsyeshme, maksimalisht brenda 60 ditëve kalendarike i kthejnë të interesuarit përgjigje, cilat janë mangësitë dhe në cilin dokument. Për rastin konkret, mungesa e një germe në librezën e punës në pamjen e parë duket e “vogël”, por shpesh ajo duke mos u përputhur me dokumentet tjera i jep të drejtë sigurimeve shoqërore që pa u korrigjuar nga organet kompetente, që në rastin konkret është gjykata, pensioni nuk caktohet. Ja disa shembuj të tjerë të kësaj natyre:

    1- Në librin e leximit të shkollës fillore është shkruar kjo vjershë:

    “Për një “d” që ti se vë, fjala derë, bëhet “erë”.

    Për një “m” që ti se vë, fjala “mik” bëhet ik, po pse kështu more Besnik,

    a i thuhet mikut “ik”. Mua, kur kam dalë në pension, certifikatën e lindjes zyra e gjendjes civile e plotësoj gabimisht KËPI, ndërsa në dokumentet e tjerat përfshi dhe librezën e punës ishin KEPI, pra vetëm për dy pika sipër germës “e” i kërkova punonjëses së gjendjes civile, të më plotësoj një certifikatë tjetër me mbiemrin KEPI.

    2-Ndodh shpesh që femrave e meshkujve i thërrasim me emrin e tyre të plotë, por edhe shkurt, për shembull, Lilianës, i themi Lili, Muharremit i thërrasim Rremë, etj., për rrjedhojë edhe dokumentet zyrtare gabimisht, disa plotësohen me emrin e plotë e disa me emrin e shkurtuar. Edhe ky fakt sjell probleme në jetë dhe kur del në pension. Kështu artisti i mirënjohur i Estradës së Durrësit, njëkohësisht miku dhe simpatizanti im, Muharrem Hoxha, ka një skeç me titull: “ju a k’noft Rrema”. Sa herë e shikoj në televizor qesh me vete dhe them: k’no o Rremë deri sa të dalësh në pension, se po të jetë shënuar në librezën e punës Rremë e jo Muharrem siç e ke në kartën e identitetit, do të k’nojnë sigurimet shoqërore me ty, sepse kur ke shkuar në shtete të tjera, emrin në pasaportën biometrike e ke Muharrem dhe jo Rremë. Provoje po deshe prite biletën me emrin ‘Rremë’ e të mos lenë të hipësh në avion apo traget?

    3- Ka raste që personat, të cilët dorëzojnë dokumentet për pension, kanë të njëjtin emër dhe mbiemër, atëherë lind domosdoshmëria që të verifikohen e saktësohen nga punonjësit e sigurimeve shoqërore, me datëlindjet e tyre emrat e prindërve, etj. Në dramën “Cuca e Maleve” të shkruar nga Loni Papa, “kaçakët” që nuk donin që cuca të shkonte në shkollë i “prenë” flokët artistes Roza Anagnosti, dhe Artisti i Popullit Sandër Prosi, i cili gjykonte çështjen, tha: kemi të dhëna që ai që i preu flokët cucës quhet Dodë, por cili ‘dodë’ është konkretisht se në Mirditë ka shumë me këtë emër! Në Kinë për shembull ka mbi 70 mijë persona që kanë të njëjtin emër e mbiemër Chang Cheng. Një ndër emrat më të përhapur për femra në Shqipëri është edhe Monika, mbasi rreth viteve ‘60 në Shqipëri ka qenë për vizitë Princi i Kamboxhias Samde Norodom Sihanuk bashkë me bashkëshorten e tij bukuroshen Monika Sihanuk. Për rrjedhojë nënat që lindën vajza në atë periudhë ia vunë emrin Monika. Lexoni ju lutem, listat e afishuara të votimeve të 23 qershorit ose në librin telefonik sa veta do të gjeni me të njëjtin emër e mbiemër? Është fakt se për të dalë në pension duhen më shumë dokumente se sa kur martohesh dhe zgjidhesh deputete apo deputet!

    4-Për arsye të ndryshme ndodh që librezat e punës në sigurimet shoqërore dorëzohen “dublikatë” sepse librezat origjinale kanë humbur, por nuk përjashtohet rasti që mund ta ketë gjetur edhe një keqbërës librezën origjinale dhe sigurimeve shoqërore u duhet të bëjnë verifikimet e duhura.

    5-Në vendin tonë në të shumtën e rasteve, vajzat që kanë punuar para martesës, kanë të shënuar në librezën e punës dhe diplomën e shkollës së lartë emrin e mbiemrin e prindërve të saj, ndërsa kur dalin në pension borderotë e pagave, pasaportën, kartën e identitetit dhe dokumentet tjera, kanë mbiemrin e bashkëshortit, kur sipas Kodit të Familjes edhe mbas martesës me dëshirë mund të mbajnë mbiemrin e tyre. Në këtë rast për të mos i çuar të gjithë femrat në gjyq për të vërtetuar se është e njëjta femër me dy mbiemra, në dokumentet e pensionit dorëzohet edhe certifikata e martesës, e cila dokumenton e vërteton dy mbiemrat e saj.

    Si përfundim zonja e nderuar, dhe ju të dashur lexues, sipas legjislacionit shqiptar për sigurimet shoqërore dhe çdo institucion tjetër, vendimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është detyrimisht i zbatueshëm, prandaj, sigurimet shoqërore kanë të drejtë të kërkojnë që problemi juaj i saktësimit të emrit të gjykohet në Gjykatën e Apelit, vendimi i së cilës për sigurimet shoqërore në Durrës, e çdo instancë në Republikë, është detyrimisht i zbatueshëm, pavarësisht se sigurimet shoqërore kanë të drejtë ti drejtohen për saktësim edhe Gjykatës së Lartë duke shfrytëzuar në këtë rast të gjitha shkallët e gjykimit. Përsa më sipër duke shpresuar nga përvoja që kam, se edhe gjykata e Apelit do të vendosë ashtu si gjykata e shkallës së parë, ju sugjeroj që të shpejtoni procedurat e gjykimit në bashkëpunim me sigurimet shoqërore dhe nga dita që gjykata e Apelit vendos në favorin tuaj, pensionin sipas nenit 62 të ligjit të sigurimeve shoqërore nr.7703, datë 11.5.1993 do ta përfitoni bashkë me shtesat që mund t’i jenë bërë pensioneve, edhe për periudhën e kaluar nëse gjyqi përfundon brenda 365 ditëve kalendarike nga dita që ju ka lindur e drejta për pension. Sqaroj se nuk është e nevojshme t’i drejtoheni Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Balzaku ka shkruar: “Atë që duhet të dimë më shumë e njohim më pak janë ligjet”.

    Duke shpresuar se ju kam sqaruar, uroj që pensionin ta gëzoni për shumë vite e me shëndet të mirë.