Fadil Kepi/ Skema e re e pensioneve në Shqipëri

    569
    Sigal

    Skema e re e pensioneve/ Kush preken nga reforma dhe në çfarë mase përfitojnë rritje pensioni

    Shumë lexues të gazetës “Telegraf”, brenda e jashtë vendit, janë të interesuar të dinë për ndryshimet e parashikuara që do t’i bëhen ligjit ekzistues në Reformën e Pensioneve. Ashtu si herët tjera duke i falënderuar për letrat e pyetjet që na dërgojnë, ne do të vazhdojmë t’i sqarojmë lexuesit tanë.

    Drafti i miratuar nga grupi i punës, i kryesuar nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në të cilin ka marrë pjesë edhe përfaqësuesja e Bankës Botërore zonja Anita Shvarc, ka 44 faqe. Ai prej disa javësh po diskutohet në publik nëpërmjet medias, nga grupet e interesit, sindikatat, specialistë, deputetë, etj, të cilët kanë shprehur mendimet e tyre. Pritet t’i dërgohet për diskutim Këshillit të Ministrave, e pastaj Kuvendit të Shqipërisë për ta miratuar e kthyer në ligj. Janë parashikuar që Ligjit të Sigurimeve Shoqërore në fuqi, duke filluar nga 1.1.2015, t’i bëhen këto ndryshime kryesore:

    Mosha e pensionit

    Femrave do u rritet mosha e pensionit me 2 muaj në vit deri në vitin 2032, kur mosha e pensionit të femrave do të arrijë në 63 vjeç. Ndërsa meshkujve mosha e pensionit deri në vitin e mësipërm do të mbetet 65 vjeç. Nga viti 2032 mosha e pensionit për femrat do të vazhdojë të rritet përsëri me dy muaj në vit, ndërsa për meshkujt me një muaj në vit, deri sa për të dy gjinitë në vitin 2056 moshat e daljes në pension do të barazohen në 67 vjeç.

    Shkolla e lartë, jo vjetërsi pune për femrat

    Femrave nuk do t’u quhet vjetërsi pune për pension periudha e studimeve ditën në shkollat e larta, siç i është konsideruar në Ligjin aktual nr.7703, datë 11.5.1993, ndërsa meshkujve do të vazhdojë t’u njihet periudhë pune koha e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

    Paga minimale

    Njëjësimi i pagës minimale kontributeve, e cila aktualisht është 19.026 lekë me pagën minimale zyrtare që është 22.000 lekë në muaj. Pra, nga viti i ardhshëm kontributet e sigurimeve shoqërore do të llogariten mbi pagën 22.000 lekë dhe jo mbi pagën 19.026 siç është vepruar me Ligjin ekzistues të Sigurimeve Shoqërore.

    Rritja e masës së pensionit

    Masa e pensioneve, për të gjitha kategoritë, do të rritet vetëm me nivelin e inflacionit.

    Heqja e pensionit maksimal

    Hiqet tavani ose pensioni maksimal, që aktualisht është 24.548 lekë në muaj, përfshi dhe kompensimet, ndërsa pensioni bazë do të zëvendësohet me pensionin social. Shuma e pensionit do të varet nga vitet e punës të siguruara dhe pagat mbi të cilat do të paguhen kontributet, duke stimuluar personat që kanë më shumë vite pune dhe kontribute të paguara.

    Pensionet e nënave me shumë fëmijë

    Përmirësohet mënyra e llogaritjes së pensioneve për nënat me shumë fëmijë  dhe pensionet familjare si dhe do të ketë ndryshime në legjislacionin për pagesën e lejes së lindjes, duke futur elementë të rinj bashkëkohor.

    Rritja e kontributeve për fermerët

    Rritja e normës së kontributeve për zonat rurale, duke barazuar kontributet e fermerëve me ato të zonave urbane, deri në vitin 2017, duke synuar e stimuluar pagesën e kontributeve që për pensionistët që do të dalin në vitet e ardhshëm të mos ketë pensione të ish kooperativave bujqësore, por të marrin pensione shteti.

    Reduktimi i daljes në pension të parakohshëm

    Vendosja e elementeve dekurajuese për daljen në pension të parakohshëm 57 vjeç për femrat dhe 62 vjeç për meshkujt, kur kanë secili 35 vjet punë të siguruara në vendin tonë dhe janë të papunë e të vetëpunësuar, qoftë dhe në bujqësi (siç është aktualisht deri më 31.12.2014) dhe do të inkurajohet dalja më vonë në pension.

    Kush preket nga reforma

    Pensionistët aktualë e ata që do të dalin me ligjin ekzistues deri në fund të këtij viti nuk preken nga Reforma e Pensioneve. Edhe për këta, nga viti 2015, rritja e pensioneve do të jetë sa përqindja e  inflacionit.

    Pensioni social

    Të gjithë individët mbi 70 vjeç, të cilët kanë qenë rezident në Shqipëri gjatë 5 viteve të fundit, që nuk plotësojnë kushtet e nevojshme për të marrë pension pleqërie të pjesshëm, do të përfitojnë një pension social. Masa e këtij pensioni do të jetë jo më e madhe se sa masa e pensionit të pjesshëm që arrihet nga skema kontributive sikur të ketë 15 vjet punë të siguruara. Ky pension do të jepet, duke patur si kusht verifikimin e të ardhurave dhe do të financohet nga buxheti i shtetit. Përfituesit e mundshëm të pensionit social do të jenë individët e kthyer nga emigracioni që nuk kanë vitet e mjaftueshme të punës së siguruar në vendin tonë për të përfituar pension, që aktualisht janë 15 vjet punë; individë me burime të pakta të ardhurash, kryesisht banorë të zonave rurale që kanë qenë të vetëpunësuar në bujqësi, por që zotërojnë sipërfaqe të kufizuar toke e që nuk mund ta shfrytëzojnë në moshën e pleqërisë; persona që nuk kanë punuar kur kanë qenë në moshë pune e për rrjedhojë nuk plotësojnë kushtet për të marrë pension dhe në pleqëri për arsye të ndryshme kanë pësuar një përkeqësim të gjendjes ekonomike; gra të cilat janë angazhuar në veprimtari familjare dhe s’kanë punuar të siguruara, etj.. Aktualisht, personat dhe familjet e kësaj natyre që s’marrin pensione e s’kanë të ardhura të mjaftueshme për të jetuar përfitojnë ndihmë ekonomike, e cila jepet nga fondet buxhetore nëpërmjet komunave dhe bashkive. Termi “Pension Social” futet për herë të parë në legjislacionin e sigurimeve shoqërore, mbasi në Ligjin e Sigurimeve Shoqërore në fuqi, personat që plotësojnë moshën e pensionit, për të marrë pension të pjesshëm, duhet të kenë punuar të siguruar në Shqipëri  të paktën15 vjet, sepse në kuptimin juridik fjala “Pension”, është kthim kontributesh. Dhënia e “Pensionit Social” pa punuar, në një farë mase do të “stimulojë” personat që nga mosha 56 vjeç e lart, që nuk kanë punuar fare, të mos punojnë të siguruar apo të mos bëjnë sigurime vullnetare kur e dinë që në moshën 70 nuk arrijnë të kenë 15 vjet punë të siguruar dhe e kanë të “sigurt” që  do të marrin pension social!

    Pensionet suplementare

    Pensionet suplementare për funksionet politike, profesorët, ushtarakët, etj. do të rishikohen me synim lidhjen më mirë mes kontributit dhe përfitimit dhe uljen e subvencioneve nga shteti. Reforma do të synojë rritjen e moshës së daljes në pension suplementar (funksionarët politikë aktualisht e kanë 55 vjeç). Në Reformën e Pensioneve, moshat e përfitimit të pensioneve suplementare shtetërore do të rriten me 5 vjet, dhe kontributet suplementare për të gjithë funksionet e larta shtetërore duke arritur në 5% të pagës referuese nga 2 deri 4% që është aktualisht si dhe do të ndryshojë formula e përfitimeve suplementare.

    -Për personat e lartë shtetërorë, përfitimet do të rriten jo më shumë se rritja e indeksit të çmimeve siç do të veprohet për të gjithë pensionet e tjera.

    -Njëjësimi i normës së kontributeve për personat me tituj shkencorë që punojnë në universitete publike dhe private duke arritur në 5% të pagës referuese nga 3,5% që është aktualisht për universitetet publike dhe 7% për universitetet private.

    -Llogaritja e përfitimeve suplementare do të bëhet mbi pagën neto dhe jo bruto.

    Punonjësit e minierave të nëntokës

    Punonjësit të cilët kanë punuar në miniera nën tokë që aktualisht sipas Ligjit nr.10165, datë 15.10.2009, përfitojnë pension të plotë në moshën 60 vjeç, kur kanë 30 vjet punë gjithsej të siguruara në vendin tonë e nga këto 15 vjet nën tokë, në Reformën e Pensioneve do të dalin në pension të plotë 5 vjet më përpara (në moshën 55 vjeç). Vitet gjithsej të punës së siguruar dhe sa nga këto të ketë punuar nëntokë do të përcaktohen me ligj nga Kuvendi.

    Profesionet e vështira

    Skemat për profesionet e vështira do të kthehen në detyrim ligjor dhe do të përfshijë disa kategori si punonjësit e industrisë minerare, industrive të tjera si nafta, metalurgjia, punonjësit e artit, kulturës, etj.. Këto skema do të kenë si synim garantimin e të ardhurave për individët që dalin në pension më herët se sa mosha zyrtare e daljes në pension mbi bazën e marrëveshjeve kolektive. Mbikëqyrja e këtyre skemave do të bëhet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

    Kolona e sigurimeve private

    Fondet private të pensioneve do të vazhdojnë të bazohen në vullnetin e lirë të shtetasve shqiptarë për të kontribuar në to. Gjithsesi, do të merren disa masa për përmirësimin e performancës së këtyre fondeve.

    Përplasja me Kushtetutën

    Fakti që, sipas Kushtetutës, anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese dalin në pension përkatësisht 65 dhe 70 vjeç, femra e meshkuj, Profesorët konform ligjit të “Arsimit të Lartë” 68 vjeç dhe Akademikët  sipas ligjit “Për Akademinë e Shkencave” 75 vjeç, pavarësisht nga gjinia, e bën të domosdoshme ndryshimin e Kushtetutës e ligjeve të mësipërme që kushtet e daljes në pension të përcaktohen vetëm në ligjin “Për Reformën e Pensioneve”.

    Sugjerime

    -Pavarësisht nga ndryshimet që do ti bëhen ligjit ekzistues të pensioneve me “Reformën e Pensioneve” që do të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë, meqenëse informaliteti është i lartë, u sugjeroj të punësuarve të njihen me përmbajtjen e ligjit të pensioneve, të bëjnë më shumë kujdes e të jenë më kërkues ndaj punëdhënësve për pajisjen e tyre me libreza pune, për pagën që sigurohen, të kenë libreza shëndetësore dhe të njihen më mirë me të drejtat që u jep Kodi i Punës.

    -Emigrantëve do t’i kujtoja se legjislacioni shqiptar i pensioneve në fuqi dhe ai që do të miratohet i merr në mbrojtje. Prandaj, i sugjeroj, se pavarësisht se punojnë të siguruar në vendet ku jetojnë, të sigurohen në vendin tonë me kuota shumë të leverdisshme të gjitha ata që janë mbi 18 vjeç dhe kanë nënshtetësi shqiptare ose dy nënshtetësi. Kur të plotësojnë moshat e pensionit përfitojnë pension  pleqërie në Shqipëri me 15 vjet e lart të siguruara dhe pensione invaliditeti e familjar kur plotësojnë kushtet, pavarësisht nga pensioni që mund të marrin sipas legjislacionit të vendeve të tjera.

    -Të vetëpunësuarit në bujqësi të bëjnë kujdes më shumë që të sigurohet çdo pjesëtar i familjeve të tyre që plotëson moshën 16 vjeç, edhe kur vazhdojnë shkollën, sepse në këtë mënyrë përfitojnë shërbimin shëndetësor falas, barnat mjekësore të rimbursueshme në raste sëmundjesh, pensione invaliditeti, pleqërie, familjare e femrat lejen e shpërblimin e lindjes. Është shqetësues fakti që një pjesë jo e vogël e nënave që lindin nuk përfitojnë lejen e shpërblimin e lindjes, sepse nuk kanë një vit punë të siguruar!

    – E për të gjitha këto të kujtojmë Balzakun i cili ka thënë: “Ato që duhet të dimë më shumë e njohim më pak janë ligjet”.

    -Meqenëse problemi më i rëndësishëm që e bën të domosdoshme reformimin e legjislacionit të pensioneve është deficiti i lartë në arkëtimin e kontributeve, kryesisht nga sektori privat që arrin rreth 40 miliardë lekë në vit, nga mossigurimi i punonjësve të punësuar, sigurimi me pagë minimale, është e domosdoshme që të forcohet më shumë kontrolli në të gjitha hallkat nga Drejtoria e Tatimeve, Inspektorati Shtetëror i Punës, Sindikatat, auditet e brendshme deri në Kontrollin e Lartë të Shtetit, duke marrë masa më të rrepta ndaj atyre që abuzojnë me sigurimin e punonjësve.

     Çfarë nuk ka prekur reforma

    Në platformën e Reformës së Pensioneve nuk preken kushtet e sigurimeve vullnetare për shtetasit shqiptarë brenda e jashtë vendit, pensioneve të posaçme për personat që kanë arritur rezultate të dallueshme në punë të përcaktuara në Nenin 5 të Ligjit në fuqi të Pensioneve dhe vendimeve përkatëse të Këshillit të Ministrave, periudhat që quhen të siguruara për ish të dënuarit dhe të përndjekurve politikë, sipas Ligjit nr. 7514, datë 30.9.1991, “Me heqje të lirisë, internimeve dhe dëbimeve politike”, dokumentacioni që duhet plotësuar për pensione të ndryshme, afatet e dorëzimit të sigurimet shoqërore dhe të caktimit të pensioneve nga organet e sigurimeve shoqërore, mënyrat e tërheqjes së pensioneve brenda e jashtë vendit, të drejtat e pensionistëve për t’u informuar nga sigurimet shoqërore, transferimin nga një rreth në një tjetër apo nga një pikë pagese në një tjetër, mënyrat e ankimit, për problemet të ndryshme që lidhen me masën e pensionit, datën e fillimit të pagesës, etj.

    Gazeta “Telegraf”, mbështetur në kërkesat e lexuesve, në vazhdimësi do të informojë e sqarojë lexuesit e saj për ndryshimet e ligjit të pensioneve.