Fadil Kepi/ Përfitimi i pensionit për emigrantët, mësuesit, biznesmenët dhe akademikët

    389
    Sigal

    Specialisti i Sigurimeve Shoqërore, z. Fadil Kepi sqaron lexuesit e “Telegraf”: Si veprohet dhe si ndikon në shumën e pensionit kur auditet e ISSH ju nxjerrin si debitorë

    Pensioni për mësuesit

    Sipas legjislacionit të sigurimeve shoqërore në fuqi ju do të dilni në pension të plotë në moshën 65 vjeç sepse keni mbi 35 vjet punë të siguruara. Moshat e pensionit të mësuesve këto 20 vjetët e fundit kanë ardhur duke u rritur nga viti në vit me 6 muaj për femra dhe meshkuj. Kështu për shembull, në vitin 1993 mësueset femra kanë dalë në pension të plotë në moshën 50 vjeçe kur kishin punuar gjithsej 20 vjet dhe nga këto 15 vjet mësuese dhe meshkujt në moshën 55 vjeç, kur kishin punuar gjithsej 25 vjet dhe nga këto 18 vjet e 9 muaj mësues. Nga 1.7.2013 e në vazhdim mësueset femra dalin në pension të plotë 60 vjeçe ose 10 vjet më shumë dhe meshkujt 65 vjeç prapë 10 vjet më shumë dhe vitet e punës për femra nga 20 vjet u bënë 35 vjet dhe për meshkuj nga 25 vjet 35 vjet.

    Pensioni për biznesmenët

    Për periudhën që keni marrë licencën dhe zhvilloni aktivitetin në biznes, nuk keni të drejtë të bëni sigurime si i vetëpunësuar në bujqësi. Mbasi do të dilni në pension, për periudhën që ju do të vazhdoni të punoni si biznesmen, përfitoni pensionin bashkë me shtesat që bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe të ardhurat nga biznesi, por jeni i detyruar të vazhdoni të paguani kontributet e sigurimeve shoqërore në biznes pavarësisht se keni dalë në pension, dhe kur ta rileni punë si biznesmen, nuk përfitoni pension shtesë. Vetëm fermerët të cilët dalin në pension dhe merren me bujqësi, blegtori apo pemëtari, mbasi dalin në pension përfitojnë pensionin, shtesat dhe të ardhurat nga punë e tyre dhe nuk paguajnë më kontribute të sigurimeve shoqërore.