Fadil Kepi: Ja ndryshimet që i bëhen Ligjit të Sigurimeve Shoqërore

    372
    Sigal

    Specialisti i Sigurimeve Shoqërore z.Fadil Kepi sqaron lexuesit e “Telegraf” për kushtet e daljes në pension sipas ligjit të ri për të gjitha kategoritë

    Pensionet suplementare

    Pensionet suplementare do të ekzistojnë edhe me ligjin e ri të pensioneve. Për këtë, në Nenin 4 thuhet: “Sigurimi shoqëror suplementar mbron me të ardhura:

    a)Personat që ushtrojnë funksione ose detyra të veçanta kushtetuese dhe personat me tituj shkencorë.

    b)Punonjësit e shtetit, ushtarakët që shërbejnë në strukturat e Forcave të Armatosura, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, punonjësit e Shërbimit për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme”.

    Pension shtesë për ata që punojnë mbi moshën e pensionit

    Konform Nenit 33 të Ligjit të ri të Sigurimeve Shoqërore: “I siguruari, i cili ka kushtet për pension pleqërie, sipas Nenit 92, merr shtesë në masën 0,5% të pensionit për çdo muaj që shtyn datën e daljes në pension dhe vazhdon të paguajë kontribute. Përfituesi i pensionit të pleqërisë, që ndërpret pensionin, vazhdon të punojë dhe paguan kontribute, merr shtesë mbi pension në masën 0,5% për çdo muaj ndërprerje. Kjo shtesë llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerjes”.

    Pensioni social dhe kushtet e përfitimit

    Pensioni Social është një term i ri që hyn për herë të parë në legjislacionin e sigurimeve shoqërore. Pensioni Social, sipas Nenit 4 të Ligjit, do të përfitohet nga çdo shtetas shqiptar i cili ka mbushur moshën 70 vjeç, është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri, të paktën 5 vitet e fundit dhe nuk plotëson kushtet për asnjë lloj pensioni dhe nuk ka të ardhura, ose të ardhurat që përfiton nga çdo burim tjetër, janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social. Masa e këtij pensioni është e barabartë me të ardhurat minimale që sigurohen nga pensioni i pjesshëm i pleqërisë me 15 vite të siguruara me pagë minimale, i llogaritur më datë 31.12.2014. Masa e pensionit social për personat që kanë të ardhura nga burime të tjera do të jeta sa diferenca e pensionit social me të ardhurat e tjera që ka përfituesi.