Fadil Kepi: Ja kush përfiton pension gjatë 2017

1958
Sigal

Ja gjashtë kushtet që ndryshojnë për pensionet që përfitohen në vitin
2017

 

            Mbështetur në Ligjin nr. 104/2014,
datë 31.07.2014, botuar në Fletoren zyrtare 137, kushtet që duhen plotësuar për
të përfituar pensione janë këto:

 

PENSIONE TË PLOTË TË PLEQËRISË:

 

1- Femrat që kanë
punuar në punë të kategorisë së parë ose shumë të vështirë si: artistet e
koristet e Teatrit të Operës dhe Baletit, Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe
Valleve Popullore, muzikantët e veglave të frymës në orkestrat dhe bandat shtetërore,
gjimnastet e akrobatet e cirkut do të përfitojnë pension të plotë kur
plotësojnë njëkohësisht këto tre kushte: moshën 57 vjeçe të kenë 35 vjet punë
të siguruara në vendin tonë përfshi dhe vitet e shkollës së lartë ditën dhe nga
këto tre të katërtat e 35 vjetëve baras me 26 vjet e 3 muaj të kenë punuar në
profesionet e mësipërme. Pra, në krahasim me vitin 2016, vetëm mosha e
pensionit shtohet me 6 muaj.

– Meshkujt që kanë
punuar në profesionet e përmendura lart si dhe pilotët e personeli që kanë kryer
fluturime ajrore, ushtarakët që kanë punuar në nëndetëse, polumbarët, disa
profesione që kanë punuar në Kombinatin Metalurgjik, ferro-krom, fonderi etj. (të
përcaktuara me vendime të Qeverisë që më hollësisht do ti gjeni në drejtoritë
rajonale të sigurimeve shoqërore duke paraqitur librezat e punës) do të marrin
pension të plotë në moshën 62 vjeç kur kanë gjithsej 36 vjet punë të siguruara
në vendin tonë përfshi dhe periudhën që kanë qenë ushtar dhe nga këto tre të
katërtat e 36 vjetëve, baras me 27 vjet të kenë punuar të siguruar në
profesionet e mësipërme. Në krahasim me vitin e kaluar,shtohet mosha e
pensionit me 6 muaj dhe periudha e punës e siguruar me 4 muaj.

2- Femrat të cilat
kanë punuar në punë të kategorisë së dytë dhe të tretë si në bujqësi, shëndetësi
arsim, art, kulturë, ushtarakë, shërbime, tregti, transport, median e shkruar
dhe elektronike, administratën shtetërore, biznese, etj, do të përfitojnë
pension të plotë në moshën 60 vjeçe e 6 muaj kur kanë gjithsej 36 vjet punë të
siguruara në vendin tonë. Në krahasim me vitin 2016 mosha e pensionit shtohet
me 2 muaj dhe periudha e punës së siguruar me 4 muaj.

– Meshkujt që kanë
punuar në sektorët e mësipërm do të marrin pension të plotë në moshën 65 vjeç
kur kanë 36 vjet punë të siguruara gjithsej dhe po në këtë moshë do të dalin në
pension deri më 31.12.2032, ndërsa vitet e punës të siguruara për pension të
plotë shtohen çdo vit me 4 muaj deri sa të arrijë 40 vjet punë. Femrat që gjatë
vitit 2017 plotësojnë moshën 60 vjeçe e 6 muaj dhe meshkujt 65 vjeç kur kanë 15
deri 36 vjet punë përfitojnë pension të pjesshëm.

 

PENSIONET E PARAKOHSHME
TË MINATORËVE TË NËNTOKËS

 

Punonjësit e nëntokës
të cilët kanë qenë në marrëdhënie pune më 1 janar 1995 dhe me dëshirën e tyre
kanë dalë në pension të parakohshëm me 60% të pagës, sipas nenit 97 të ligjit
të sigurimeve shoqërore nr. 7703, datë 11.05.1993, gjatë vitit 2017 do të
përfitojnë pension të plotë në moshën 62 vjeç, ose në krahasim me vitin 2016
mosha e pensionit të plotë shtohet me 6 muaj.

Personat që marrin
pensione të plotë, pavarësisht nga gjinia e profesioni që kanë punuar
përfitojnë barnat mjekësore me rimbursim të plotë.

 

PENSIONET E
REDUKTUARA

 

-Femrat që kanë 36
vjet punë të siguruara në vendin tonë me dëshirën e tyre përfitojnë pension të
reduktuar deri 3 vjet para plotësimit të moshës së pensionit të plotë, pra, nga
mosha 57 vjeçe e 6 muaj kur kanë 36 vjet punë të siguruara gjithsej në vendin
tonë, nëse janë pa punë, të pa vetë punësuara dhe s’janë punëdhënëse.

-Meshkujt në pension
të reduktuar dalin në moshën 62 vjeç kur kanë 36 vjet punë gjithsej të
siguruara dhe janë pa punë, të pa vetëpunësuar dhe s’janë punëdhënës. Të vetëpunësuar
për femra dhe meshkuj quhen edhe personat që kanë tokë sipas ligjit. Pensionet
e reduktuara për femra dhe meshkuj ulen me 0,6% për çdo muaj që dalin në
pension të reduktuar para plotësimit të moshës për pension të plotë e barabartë
me 21,6% kur dalin 3 vjet përpara (36 muaj x 0,6%), kur dalin 2 vjet para
pensionit të plotë marrin14,4% më pak dhe 7,2% më pak (12 muaj x 0.6%) se
pensioni i plotë kur dalin një vit përpra pensionit të plotë. Ky lloj pensioni
shtohet sa herë indeksohen ose rriten pensionet e tjera me vendime Qeverie, por
mbetet i reduktuara për gjithë kohën edhe pas plotësimit të moshave për pension
të plotë si për femra ashtu dhe për meshkuj.

 

PENSIONET E PJESSHME

 

-Femrat të cilat
plotësojnë moshën e pensionit 60 vjeçe e 6 muaj dhe kanë 15 deri 36 vjet punë
të siguruara përfitojnë pension të pjesshëm pleqërie.

-Meshkujt të cilët
plotësojnë moshën 65 vjeç dhe kanë 15 deri 36 vjet punë të siguruara përfitojnë
pension të pjesshëm. Femrat dhe meshkujt që plotësojnë moshat e mësipërme të
pensionit dhe kanë më pak se 15 vjet punë të siguruara nuk përfitojnë fare
pension pleqërie. Për të mos ndodhur kjo, rekomandoj që kur ti afrohen moshës
së pensionit të komunikojnë me drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore. të
bëjnë sigurime vullnetare për të plotësuar minimumin e viteve të punës, 15 vjet
sepse pas plotësimit të moshave të pensionit nuk kanë të drejtë të bëjnë
sigurime vullnetare ose si të vetëpunësuar në bujqësi. Personat që marrin
pensione të pjesshme përfitojnë edhe barnat mjekësore me rimbursim të pjesshëm.

 

NUK NDRYSHOJNË KËTO
KUSHTE PËR PENSIONET

 

-Dokumentet që duhen
dorëzuar për pension në agjencitë e sigurimeve shoqërore, afatet dhe procedurat
që ndiqen.

-Procedurat e ankimit
në rastet kur pensionistët nuk binden me masën e pensionit, vitet e punës të
siguruara, pagat që janë marrë në konsideratë për caktimin e pensionit, datën e
fillimit të pagesës, etj.

-Formula e
llogaritjes së pensionit. Pra, shuma e pensionit nuk ka tavan, por varet nga
shuma e viteve të punës të siguruara dhe paga mesatare bruto mujore mbi të
cilat janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për gjithë
vitet e punës, shumëzuar me koeficientet përkatës të caktuara me vendim
Qeverie.

-Pensionet e nënave
të cilat kanë lindur 6 e më shumë fëmijë dhe i kanë rritur mbi 8 vjeç do të
vazhdojnë të dalin në pension të plotë me dëshirën e tyre 55 vjeçe kur kanë
gjithsej 30 vjet punë të siguruara në vendin tonë.

-Kushtet për të
përfituar me pagesë lejen e shpërblimin e lindjes dhe pagesën e raporteve
mjekësore për paaftësi të përkohshme në punë.

-Kushtet për të
përfituar pagesën e papunësisë ose të asistencës.

-Kushtet për të
përfituar pensione familjare kur ndërron jetë burri ose gruaja.

-Kushtet e përfitimit
të pensionit të plotë për punonjësit e nëntokës mbeten ato të përcaktuara në
ligjin nr. 150/2014, datë 1.12.2014 botuar në fletoren zyrtare 182 të cilat janë:
mosha 55 vjeç, të kenë punuar 30 vjet gjithsej të siguruar në vendin tonë dhe
nga këto 12,5 vjet në miniera në nëntokë dhe ata që kanë përfituar trajtim të
veçantë financiar sipas ligjit nr. 8685 datë 09.11.2000, përfitojnë pension të
plotë: në moshën 55 vjeç kur kanë gjithsej 30 vjet punë të siguruara përfshi
dhe periudhën e trajtimit të veçantë dhe nga këto 11,5 vjet në miniera në
nëntokë.

-Kushtet për të
përfituar pensione sociale.

-Kushtet për të
përfituar pensione invaliditeti të pjesshme dhe të plota.

-Kushtet për të
përfituar pensione të parakohshme për vjetërsi shërbimi e pension pleqërie të
ushtarakëve femra dhe meshkuj, sipas ligjit nr. 10142, datë 15.5.2009.

-Kushtet për të
përfituar pensione pleqërie e suplementare të personave që kryejnë funksione
kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit.

-Kushtet për të
përfituar pensione suplementare, të pedagogëve me grada shkencore dhe
akademikëve.

-Kushtet e
ripunësimit të pensionistëve në sektor shtetëror dhe privat.

-Kushtet për të
përfituar shtesë pensioni kur punonjësit punojnë mbi moshën e vitet e punës e
vazhdojnë të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

-Kushtet për të bërë
sigurime vullnetare emigrantët e personat e vetëpunësuar në bujqësi që banojnë
në Shqipëri.

-Mënyrat e tërheqjes
së pensioneve në vendin tonë.

 

QUHET PERIUDHË PUNE E
SIGURUAR PËR PENSIONE

 

-Koha e punuar e
siguruar në vendin tonë e dokumentuar në ish kooperativa bujqësore, sektor
shtetëror, privat, e të vëtëpunësuar në bujqësi nga data 1 tetor 1993 e në
vazhdim nga 16 vjeç dhe ajo e sigurimeve vullnetare përfshi dhe emigrantët nga
mosha 18 vjeç për femra e meshkuj.

-Periudha e studimeve
të larta ditën (vetëm për pension pleqërie për femrat) brenda ose jashtë vendit
me ose pa bursë deri më 31.12.2032. Ato që dalin në pension mbas kësaj date nuk
do tu quhet vjetërsi pune periudha e mësipërme.

-Koha e kryerjes së
shërbimit të detyrueshëm ushtarak e dokumentuar

-Periudha e pagesës
së papunësisë (asistencës).

-Grave që kanë
ndërprerë punën për shkak se kanë shoqëruar bashkëshortët në Amasadat e
Republikës së Shqipërisë jashtë vendi deri më 30.09.1993.

-Gratë e ushtarakëve
që kanë ndërprerë punën e kanë shoqëruar bashkëshortët në zonat kufitare dhe
atje kanë qëndruar pa punë.

-Periudhat e lejeve
të zakonshme, raporteve mjekësore të pagueshme, lejeve të lindjes, edhe kur
lejen e ka përfituar babai ose birësuesi i fëmijës kur ka qenë i siguruar
(sipas nenit 13 të ligjit nr. 104/2014, datë 31.07.2014.

-Periudhat e paguara
me pension të plotë ose të pjesshëm të invaliditetit sipas nenit 58 të ligjit
të sigurimeve shoqërore nr. 7703, datë 11.05.1993.

-Koha e kryerjes së
dënimeve politike me heqie të lirisë sipas ligjit nr. 7514, datë
30.09.1991,“Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve e
përndjekurve politikë duke njësuar një vit burg me 2 vjet punë, të internuarve
e dëbuarve mbi moshën 15 vjeç, u quhet një vit dënim me një vit punë”.

-Periudhat e punuara
dhe të siguruara të punonjësve në institucionet fetare.

-Periudhat e
qëndrimit pa punë por të paguara me asistencë sociale në zbatim të vendimeve të
Qeverisë nr. 420, datë 15 gusht 1994, “Për ristrukturimin e mbylljen e disa
ndërmarrjeve, ristrukturimin e Telekomit sipas vendimit nr. 495, datë
14.08.2000, ristrukturimin e Albtransportit sipas vendimit nr. 18, datë
21.01.2002, Albkromit me vendimin nr. 309, datë 15.05.2003 etj.

-Koha e vuajtjes së
dënimeve për motive ordinere sipas ligjit nr. 8328, datë 16.04.1998, “Për të
drejtat e trajtimin e të dënuarve me burgim”, kur kanë punuar e janë paguar
kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore nga data e hyrjes në fuqi të
ligjit të mësipërm.

-Periudha e
kujdestareve që u shërbejnë invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjike sipas
vendimeve të Qeverisë nr. 326 dhe 328, datë 12.03.2009.

-Koha e trajtimit të
veçantë financiar që kanë përfituar punonjësit e nëntokës sipas ligjit nr. 8685,
datë 9 nëntor 2000.

-Periudha e pagesës
kalimtare e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të ushtarakëve sipas
ligjeve nr. 8087, datë 13.03.1996 e 10142, datë 15.05.2009.

-Periudha e trajtimit
me pagesë kalimtare e pension të parakohshëm të personave që kryejnë funksione
kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit sipas ligjit nr.8097, datë 21.03.1996.

-Koha e paguar me
rrogë e studentëve të punësuar para e pas stazhit kur u janë paguar kontributet
e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

-Periudhat e pushimit
nga puna padrejtësisht dhe punonjësit kanë përfituar rrogat e tyre me vendim
gjykate dhe u janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga
ish qendrat e punës.

-Periudhat që mbas
fillimit të punës punonjësit kanë bërë zbore ushtarake.

 

NUK QUHET PERIUDHA
PUNË PËR PENSION

 

-Periudhat e paguara
me ndihmë ekonomike.

-Periudhat e punuara
në vendin tonë kur nuk janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore e
shëndetësore pavarësisht se mund të jenë shënuar në librezat e punës apo
librezat e kontributeve.

-Periudhat e punuara
qoftë dhe të siguruara në Greqi, Itali, etj.

-Koha që nxënësit e
studentet kanë kryer praktikat mësimore në qendrat e punës, stërvitjet
ushtarake, zboret apo kanë kryer praktikat mësimore para, apo kanë punuar në
aksionet e rinisë.

-Periudhat që
personat kanë përfituar pension familjar.

-Koha që pensionistët
janë punësuar e vetëpunësuar në sektorë private dhe kanë përfituar njëkohësisht
pensionin dhe rrogën në qendrën e punës, pavarësisht se kanë paguar kontributet
e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

-Periudha që djemtë
për të mos shkuar ushtar kanë paguar detyrimet financiare sipas ligjeve që kanë
qenë në fuqi.

Sqarime më të
hollësishme mund të merrni në internet, fletoret zyrtare, agjencitë e
drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore dhe në Institutin e Sigurimeve
Shoqërore Tiranë.