Fadil Kepi: Femrat në fokusin e ligjit të sigurimeve shoqërore

    455
    Sigal

    Specialisti i Sigurimeve Shoqërore, z.Fadil Kepi sqaron lexuesit: A përfitojnë pension suplementar kryetarët e komunave dhe cila është baza ligjore?

    Raportet për shtatzënat

    Femrave shtatzënë, të cilat janë në marrëdhënie pune të siguruara, kur mjekja gjinekologe i rekomandon regjim shtrati kanë të drejtë të marrin raporte mjekësore të pagueshme deri në 6 muaj, 14 ditët e para i jep mjekja e familjes ose e qendrës shëndetësore dhe paguhen nga fondet e qendrës së punës dhe nga dita e 15 deri në fund të 6 muajve jepen nga komisioni mjekësor dhe paguhen me fondet e sigurimeve shoqërore. Kur e interesuara ka deri 10 vjet punë të siguruara në vendin tonë, raportet paguhen me 70% të pagës mesatare ditore të vitit të fundit kalendarik

    Ditët e lejes së paralindjes

    Nuk quhen vjetërsi pune për efekte të pagesave të raporteve mjekësore të lejes së lindjes: koha e studimeve të larta ditën, periudhat e punuara e të siguruara jashtë vendit, asistencës, sigurimeve vullnetare e ndihmës ekonomike. Ditët e lejes së paralindjes dhe 150 ditë pas lindje paguhen me 80% të pagës mesatare mujore bruto mbi të cilat janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore vitin e kaluar dhe nga dita e 151 deri në përfundim të lejes së lindjes me 50% të pagës së mësipërme. Sipas Kodit të Punës leja e detyrueshme është ajo e paralindjes dhe 42 pas lindje. Në rastet kur ditët e paralindjes nuk konsumohen të gjitha nuk i shtohen lejes së paslindjes.

    Pensioni suplementar për komunarët

    Me propozime të dikastereve të ndryshme, Këshilli i Ministrave ka shtuar emërtime të reja të administratës shtetërore si në vitet 2001,2003, 2005, 2008, 2009, etj., për të përfituar pensione suplementare, por në asnjë vendim qeverie nuk është shtuar emërtimi “Kryetar Komune” për të marrë pension suplementar. Kjo është arsyeja që kryetarët e Komunave varësisht se kur janë zgjedhur e sa vite kanë kryer detyrën e mësipërme nuk kanë përfituar asnjëherë dhe as marrin pension suplementar. Nëse në të ardhmen Qeveria do ta shtojë emërtimin “Kryetar Komune” për të marrë pension suplementar, kryetarët e komunave do të fillojnë të paguajnë kontribute suplementare të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore