Fadil Kepi/ Cilat periudha pune quhen për pension dhe cilat jo

    178

    Përgjigje tre pyetjeve mbi sigurimet shoqërore në emisionin “Koha për t’u zgjuar”

    Pyetja parë, nëna ime në pension, e cila jeton në Durrës, është rreth 90 vjeçe. Kohët e fundit, ajo u paralizua dhe ka nevojë të vazhdueshme për t’i shërbyer një person tjetër dhe për materiale higjenosanitare të cilat ne i blejmë. Ajo pyet, a i përfiton falas kjo kategori invalidësh këto materiale që janë të përditshme dhe me çmim të papërballueshëm për një pensioniste ?

    Përgjigje, “invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë” të cilët e kanë përfituar këtë status me vendim të komisionit mjekësor të caktimit të aftësive për punë (KMCAP), dhe që vlerësohen se kanë humbje të plotë të sensibilitetit dhe të motorikës nga niveli i dëmtimit, poshtë, në të dyja anësitë përfitojnë një pagesë shtesë në masën 16.000 lekë në muaj, për mbulimin e paketës së domosdoshme me materiale të veçanta higjenosanitare”. Për këtë problem, bashkë me librezën e pensionit të nënës, Fletë-daljen nga spitali ku është përcaktuar epikriza e saj duhet të paraqiteni në KMCAP të sigurimeve shoqërore në Durrës dhe nëse nuk bindeni me përgjigjen, mund t’i drejtoheni për sqarime më të hollësishme KMCAP Epror në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë.

    -Ndërsa një tjetër shikues i emisionit të mësipërm trajtoi këtë problem: vitet e fundit pensionin e kam marrë në datën 12 të çdo muaji. Muajin e fundit mu ndryshua kjo datë duke e shtyrë një ditë, pra më është caktuar data 13. Pse bëhen këto ndryshime dhe a duhet të marr pension një ditë më shumë?

    Përgjigje: Instituti i Sigurimeve Shoqërore në bashkëpunim me Drejtorinë e Postave Shqiptare për tu shërbyer sa më mirë pensionistëve në ndarjen e pensioneve ka caktuar për çdo pikë pagesë, një numër të caktuar pensionistësh me qëllim që secili të harxhoj sa më pak kohë në pritje të pagesës. Pensioni për çdo muaj pavarësisht se paguhet më datën 12,13 dhe datat tjera nga 1 deri në fund të muajit merret për gjithë muajin në vazhdim, pensioni i janarit në janar, i shkurtit brenda shkurtit, e kështu me radhë, ndryshe nga pagesat e rrogave, të cilat merren në muajin pasardhës, për shembull rroga e janarit paguhet në shkurt, ajo e shkurtit në mars, etj. Meqenëse numri i pensionistëve vjen duke u shtuar, me qëllim që të gjithë datat të kenë ngarkesë të barabartë pagese bëhet e domosdoshme që në disa raste të bëhen spostime datash. Gjithashtu, për t’u shërbyer sa më mirë pensionistëve, ISSH me kërkesën e pensionistëve pensionin ua dërgon në shtëpi kundrejt pagesës së 50 lekëve në çdo rast, ose mund ta depozitojnë në bankë ku dëshirojnë brenda vendit. Pensionet e pa tërhequra merren me gjithë shtesat që bëhen brenda 3 vjetëve. Uroj të gjithë pensionistët që pensionin ta gëzojnë për një kohë sa më të gjatë.

    -Pyetja e tretë, cilat periudha pune quhen për pension dhe cilat jo?

    Përgjigje, sipas legjislacionit të sigurimeve shoqërore, periudha të punuara e të siguruara në vendin tonë për pensione quhet kur personat, pavarësisht nga gjinia, i kanë të dokumentuara me librezë pune, kur emri dhe mbiemri përputhen me letër njoftimet, certifikatat e lindjes me fotografi, kartën e identitetit ose pasaportën të plotësuara pa korrigjime të firmosura e vulosura e mbi moshën 16 vjeç të përcaktuara në Kodin e Punës kur ka filluar punë.

    -Ditët e punës të kryera në çdo vit në ish kooperativat bujqësore. Para vitit 1972 vit i plotë pune quhet kur femra apo mashkulli ka realizuar mesataren e ditëve të punës të ish kooperativës bujqësore. Nga 1 janari i vitit 1972 deri në shpërbërjen e kooperativave bujqësore vit i plotë pune quhet kur femra ka realizuar 230 ditë pune në një vit kalendarik dhe mashkulli 280 ditë pune, nëse në një vit kanë realizuar përkatësisht femra 115 ditë pune dhe mashkulli 140 ditë pune quhet 6 muaj punë për pension. Në rast se në një vit  femra ka bërë mbi 230 ditë pune dhe mashkulli mbi 280 ditë pune quhet një vit i plotë dhe ditët e punuara tepër nuk merren parasysh.

    -Periudha e studimeve të larta ditën për femra brenda ose jashtë vendit, me ose pa bursë deri në 6 vjet e dokumentuar me fotokopjen e diplomës së noterizuar sipas nenit 91 të ligjit të sigurimeve shoqërore, duke njësuar një vit shkolle e lartë, e cila ka zgjatur rreth 10 muaj me një vit pune për pension, vetëm për një fakultet. Kjo periudhë quhet punë vetëm për pension pleqërie, dhe jo për leje lindje e pensione të tjera si invaliditeti apo familjar.

    -Periudha e stazhit me rrogë njëvjeçare që kanë kryer studentët mbas mbarimit të shkollës së lartë pa i dhënë provimet përfundimtare e pa u diplomuar.

    -Periudhat e zboreve ushtarake që bënin femrat e meshkujt mbas fillimit të punës.

    -Lejet e zakonshme dhe shtesat kur martohesh, e në raste fatkeqësish.

    -Periudhat e paguara me leje lindje për nënat, dhe atyre që kanë birësuar fëmijë me vendim gjykate sipas nenit 27 të ligjit të sigurimeve shoqërore.

    -Periudhat e specializimeve të paguara brenda e jashtë vendit.

    -Koha e sigurimeve vullnetare në vendin tonë nga mosha 18 vjeç e shtetasve shqiptarë femra dhe meshkuj pavarësisht se ku jetojnë e punojnë të siguruar kur kanë edhe dynënshtetësi. Në këtë mënyrë në vendin tonë marrin pension kur plotësojnë moshën e pensionit femrat 60 vjeçe dhe meshkujt 65 vjeç, dhe kanë 15 deri 35 vjet punë të siguruara, ndërsa në shtetet ku punojnë të siguruar përfitojnë pension sipas ligjit përkatës të secilit shtet.

    -Periudhat e vetësiguruara në bujqësi kur kanë marrë tokë sipas ligjit nga mosha 16 vjeç femra dhe meshkuj, duke filluar nga data 1.10.1993.

    -Periudhat që gratë kanë ndërprerë marrëdhëniet e punës në vendin tonë dhe kanë shoqëruar bashkëshortët e emëruar me punë në Ambasadat e Organizmat Ndërkombëtare jashtë vendit deri më 30.9.1993, sipas vërtetimit që marrin në Ministrinë e Punëve të Jashtme në vendin tonë, dhe koha që gratë kanë ndërprerë marrëdhëniet e punës për të shoqëruar burrat e tyre ushtarakë të caktuar me punë në zonat kufitare dhe atje qëndronin pa punë, sipas vërtetimeve përkatëse nga organet e kufirit.

    -Koha e paguar me asistencë ose pagesë papunësie të vërtetuara me librezat e punës ku shënohet e vuloset data e fillimit dhe ajo e mbarimit.

    -Periudhat e vuajtjes së dënimeve për motive politike sipas ligjit nr.7514, datë 30.9.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, ku një vit dënim quhet 2 vjet punë e kategorisë së parë për pension, ndërsa periudha e internimit dhe dëbimit quhet vjetërsi pune, 1 vit internim ose dëbim me 1 vit punë për pension duke filluar nga mosha 15 vjeç, e vërtetuar me dokumentet përkatëse.

    -Periudha e burgimeve me motive të tjera sipas ligjit nr.8328, datë 16.4.1998 kur është punuar me shpërblim dhe sigurimeve shoqërore i janë paguar kontributet.

    -Koha e pushuar padrejtësisht nga puna dhe me vendim gjykate personi është paguar dhe i janë mbajtur nga rroga kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore.

    -Periudha e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak për meshkuj

     e vërtetuar me librezën ushtarake ku shënohet dita e mobilizimit dhe ajo e lirimit nga ushtria.

    -Periudhat e paguara me raporte mjekësore për sëmundje të përgjithshme, profesionale e aksidente në punë.

    -Koha e përfitimit të pensionit të plotë ose të pjesshëm të invaliditetit sipas nenit 58 të ligjit të sigurimeve shoqërore.

    -Periudhat e paguara sipas vendimeve të qeverisë nr.420, datë 15.8.1994 “Për ristrukturimin e mbylljen e ndërmarrjeve”, vendimit nr.495 datë 14.8.2001, “Për ristrukturimin e Telekomit”, vendimit 18 datë 21.1.2002, për “Albtransportin”, nr.309, datë 15.5.2003, “Për Albkromin”, nr.465, datë 3.7.2003, “Për Agjencinë Nacionale të Trafikut Ajror”, etj.

    -Koha që kujdestarët u shërbejnë invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr.326, datë 12.3.2009.

    -Periudhat e paguara me pagesë kalimtare sipas ligjit 8097, datë 21.3.1996, të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit, periudha me trajtim të veçantë financiar të punonjësve të nëntokës sipas ligjit 8685, datë 9.11.2000, të ushtarakëve, të cilët marrin pagesë kalimtare dhe pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi sipas ligjit 10142 datë 15.5.2009.

    -Periudhat e punuara jashtë vendit të dërguara nga shteti shqiptar si në ambasadat, konsullatat, apo organizmat ndërkombëtare në vende të ndryshme, përfshi dhe pjesëtarët e forcave tona të Armatosura që marrin pjesë në misionet paqeruajtëse në shtetet e tjera.

    -Koha e dërguar me shërbime nga qendrat e punës brenda e jashtë vendit.

    -Periudhat e punuara e të siguruara në komunitetet fetare para vitit 1967 (kur u mbyllen komunitetet fetare) si dhe mbas vitit 1990 kur ato u rihapën.

    NUK QUHEN VJETËRSI PUNE PËR PENSION

    -Periudhat e paguara me pension familjar për fëmijët deri në moshën 25 vjeç, kur vazhdojnë shkollat ditën dhe për kohën që gruaja përfiton pension familjar kur ndërron jetë burri, si edhe kur burri merr pension familjar sepse vdes gruaja para tij.

    -Koha e zboreve ushtarake dhe e punës prodhuese që bënin studentët gjatë periudhës që vazhdonin shkollat e larta.

    -Koha e paguar në komuna e bashki nga fondet e Shërbimit Social për fëmijët e lindur ose të bërë të paaftë pa filluar punë dhe jo për shkak të punës.

    -Periudhat që kujdestarët paguhen nga komunat e bashkitë me pagesë paaftësie për t’u shërbyer fëmijëve të mësipërm.

    -Koha e paguar me ndihmë ekonomike.

    -Periudhat e punuara të siguruara ose të pasiguruara jashtë vendit.

    -Në pagën për llogaritjen e pensioneve nuk përfshihen shpërblimet e dhëna gjatë ose në fund të vitit dhe paga e 13 që kanë marrë në fund të vitit disa punonjës si mësuesit, sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave, i cili është shfuqizuar, mbasi për to nuk janë paguar kontribute të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.