Evdal NURI/ Gjumi, çfarë është?!

    796
    Sigal

    Njeriu jeton më shumë pa ushqim se sa pa gjumë

    Kohëzgjatja e gjumit: Përderisa, flini rregullisht çdo ditë, ju e konsideroni gjumin një të vërtetë  të pashmangshme. Gati 1/3 e jetës së njeriut kalon në gjumë, afërsisht 25 vjet. I sapolinduri zakonisht fle mbi 16 orë në ditë. Në moshën 2-5 vjeç fëmijët flenë 11 orë, duke përfshirë edhe  1-2 orë mbasdite. Nga mosha 6-16 vjeç shkon nga 11-8 orë gjumë.  Kjo e fundit 8 (orësh) mbetet për kohën më të gjatë  të moshës së rritur. Tek njerëzit e plakur koha e gjumit pakësohet, por shtohen shumë dremitjet gjatë ditës. Dremitja e mbasditës, mund të jenë zgjidhje e shkurtër e gjumit, por kjo nuk mund të zëvendësojë gjumin e mirë të natës. Një dremitje 20-30 minuta të bënë mirë, kur je në një udhëtim të gjatë. Kjo nuk i rekomandohet, atyre që kanë probleme me gjumin, mbasi do t’ia vështirësojnë më shumë gjumin e natës. Ata zgjohen më shpesh natën dhe e bëjnë më pak cilësor gjumin. Gjumi kalon në disa etapa e gjithë organet riaftësohen. Rritmi i zëmrës ngadalësohet, tensioni i gjakut rritet, frymëmarrja bëhet më e rregullt dhe në kohë ndodh gërhitja.

    -ÇRREGULLIMET E GJUMIT

    Arsyet janë nga më të ndryshmet si: ankthet, streset, depresionet, droga, sëmundjet. Nga vëzhgimet rezultojë se: 6% e burrave dhe 14 % e grave, vuajnë nga paaftësia për të fjetur. Por ka dhe raste, kur i zë gjumi lehtë, pastaj i ndalet frymëmarrja e ngrihen duke gulçuar në ajër. Në këto kushte ata zgjohen dhjetëra herë gjatë natës. Rreth 10% e burrave mbi 40 vjeç, kanë forma  të çrregullimit të gjumit. Faktorët, që njeriu ka çrregullime në gjumë, janë nga më të ndryshmet  si: trazirat e jashtme, stili i jetesës jo i shëndoshë, ushqimi i tepërt në mbrëmje e i kafesë. Dritat, zhurmat, dhimbjet e ndryshme, shqetësimet nervore gjatë ditës, përdorimi i mbidozave për gjumë. Nëse pagjumësia vazhdon me tepër se tre javë kalon në një pagjumësi kronike me pasoja më të rënda. Sa mund të rezistojë njeriu pa gjumë? Më pak se sa pa ushqim. Pas 3-4 ditëve pagjumësi njeriut i shfaqen problem serioze me shëndetin si: luajtje tensioni, konfuzione, dridhje duarsh, lind fenomeni i harresës, turbullimi i pamjes e tjerë.

    Duhet theksuar se dhe gjumi i tepërt nuk është gjithmonë i dobishëm. Ai rrit riskun e sëmundjeve si: diabeti, sëmundjet e zëmrës, ankthet, depresionet, obeziteti. Është interesant që, njerëzit që flenë 6-7 orë, në krahasim me ata që flenë mbi 9 orë janë më energjikë e të freskët, kurse të dytët  i shohim më të zhytur në mendime, më të shqetësuar e më të përgjumur. Pra dhe në gjumë duhet zbatuar thënia popullore: “Gjella me kripë, kripa me karar” .

    Kush janë të mira e gjumit? Pastron trurin, rrit aftësinë motorike dhe reaksionin. Përqendrimi  është më i madh, lëkura më e bukur, qelizat rigjenerohen, oreksi më i mirë, jeta seksuale më  stimuluese, memoria më e freskët. Marrja e vendimeve më të pjekura dhe me një kthjelltësi mendore.

    -TË FOLURIT, TË ECURIT NË GJUMË

    Të folurit në gjumë janë mese të zakonshme. S’janë të rrezikshme, shqetësuese dhe jo interesante  për mjekësinë. Këto mund të shkaktohen nga ëndrrat apo ngjarjet interesante që mund të kenë ndodhur gjatë ditës. Në gjumë mund të flasësh e të këndosh. Ja një rast nga familja ime. Babai  shpesh fliste natën, por një ditë motra e madhe Semihaja, e dëgjon babin që po këndonte këngën e tij të preferuar: “Pashë një të bukur shumë”.  Motra, që nuk e kishte zënë gjumi, filloi ta shoqëronte, deri në fund ….

    Ka shumë raste që gjatë gjumit shqiptohen emra që për ty mund të jenë të dashur. Kjo e fundit  ka të keq se krijon problem ndonjëherë edhe me partnerin, duke u bërë shkak mbase për xhelozi. Statistikat tregojnë se 5% e të rriturve flasin në gjumë. Një fenomen i tillë ndodh gjatë orës së parë ose të dytë të gjumit. Kjo kohë rastis me kohën kur trupi hynë në gjendje të thellë gjumi, por nuk janë ende në tonus për të prodhuar tinguj, ose lëvizjet që shoqërojnë ëndrrat.

    Mund të ndodh që gjatë natës të largoheni nga shtëpia pa vetëdije. Gjatë ecjes në gjumë, ju zgjoheni vetëm për të lëvizur trupin, por nuk mund të kuptoni momentin e ecjes. Njerëzit mund të ecin në dhomë ose të dalin nga banesa duke ecur qetësisht gjatë rrugës. Rrallë ndodh që personi të bëjë ndonjë aktivitet si, gatim, lëvizje mobilesh e tjerë. Nëse jetoni me njerëzit që ecin në gjumë rrini gati të parandaloni ndonjë aksident të mundshëm.

    Pse njerëzit ecin në gjumë? Kjo e keqe fillon që në fëmijëri. Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet si, ato familjare, gjenetike, lodhje, mungesë gjumi, përdorimi i narkotikëve, e të tjerë. Këta njerëz nuk duhen shqetësuar dhe as t’i zgjosh, mbasi ata janë të irrituar e bëhen nervozë, por vetëm përkohësisht. Pjesë përbërëse e gjumit janë dhe ëndrrat. Në kuptimin e drejtpërdrejtë, ëndrrat janë mendime dhe imazhe, tinguj, zëra dhe ndjenja subjektive që përjetohen kur jemi në gjumë. Tema është mjaft e gjerë e ndoshta për to do të flasim në një shkrim tjetër…

    -Disa këshilla për gjumin

    -Nuk duhet të shtriheni, nëse nuk keni gjumë.

    -Nuk duhet të shtriheni me stomakun plot.

    -Kur shtriheni për gjumë nuk duhet të mendoni asgjë tjetër vetëm qetësisë.

    -Muskujt tuaj duhet të jenë të lirshëm, sidomos ato të fytyrës.

    -Gjithashtu këshillohet që, gjatë ditës, mbas dreke, një pushim prej 20 minutash dhe jo më shumë, pasi kështu rifreskoni gjithë trupin.

    -Mos pini kafe ose pije alkoolike 5 orë para se të flini.