Eva Golemi:Opera zbut zemrat e trazuara të meshkujve

742
Sigal

INTERVISTA/  Flet këngëtarja lirike, pedagogia Eva Golemi: Toska është një nga rolet më të mira!

Është një këngëtare lirike shumë e veçantë, e brishtë, e dashur, me një zë melodioz që kur flet zëri i saj të mbërthen ta dëgjosh me shumë kureshtje. Dhe pse me dy fëmijë ka një trup perfekt, si rezultat i një diete korrekte, por dhe i lëvizjeve në punë. Ka luajtur 27 role kryesore, por ndër kompozitorët e mëdhenj ajo veçon Puçinin pasi muzika e tij i përshtatet vokalit të saj. Pedagoge dhe këngëtare lirike dy profesione që sipas saj plotësojnë njëri- tjetrin dhe që nuk ka asnjë primar. Në mësimdhënie ajo transmeton tek studentët edhe eksperiencat e jetës së saj artistike. Ndër rolet e fundit ajo veçon Toskën, një vajzë sa koketë dhe e dashuruar, po aq dhe një vajzë që sakrifikon shumë për dashurinë e saj deri në vdekje. Ajo është një femër shumë posesive, që e do në maksimum Marion, e do vetëm për vete. Ajo dashuron pastër, por ethshëm. Është një femër idealiste, që kërkon të finalizojë dashurinë e saj.

 Ju kohët e fundit vendosët si premierë operën “Toska”, çfarë përbën për ju kjo vepër?

 Toska është  një nga rolet më të mira dhe më të dashura për mua. Unë rolin e Toskës e kam luajtur dhe në Itali në Leçe në vitin 2008, me staf italian, ndërsa në Shqipëri e kam pasur premierë absolute. Ishte një ditë e veçantë për mua.

 Kush ishte e vështira në këtë rol?

 Po dua të them se ky rol kishte brenda sa lirizmin, dramatizmin edhe romantizmin. P.sh nis në aktin e parë Toska ishte shumë lirike, në aktin e dytë ajo ishte shumë dramatike dhe në aktin e retë akoma më dramatike. Kështu që përfshin një gamë të gjerë vokale, pra është shumë i vështirë nga ana vokale, po aq sa i vështirë nga ana skenike do një impenjim jashtëzakonisht të madh.  Unë isha pak e parapërgatitur pasi meqë e kisha luajtur në Itali, pavarësisht se, regjia ishte tjetër, por kishte shumë ngjashmëri nga toska e Italisë dhe nga ky që luajta në TOB. Kështu që ishte pak më e thjeshtë për  mua. Dua të them kur ke një rol premierë sidomos në vendin tënd emocionet janë më të mëdha.

 Në raport me shumë rolet e tua premierë ky ka qenë roli më i vështirë?

 Nuk dua të them se ka qenë më i vështiri, por ka qenë më i dashuri për mua. Puçinin e kam ndër autorët më të dashur të mitë, ai që më rri më përshtat nga ana vokale.  Thuajse e kam ezauruar të gjithë gamën e roleve të Puçinit.

 Si është sot opera shqiptare në raport me operat e tjera ballkanike apo ato europiane?

 Opera shqiptare ka një stabilitet.  Unë nuk i njoh gjithë operat Ballkanike, por kam kënduar në Maqedoni. Por kam kënduar më shumë në Europë, si në Itali, Gjermani, Angli apo Francë apo dhe në Holandë. Duke mos e njohur mirë operën ballkanike nuk dua të jap një përkufizim të nxituar, por di të them që këngëtaret tona lirike janë të pëlqyera kudo në Europë, pasi ato me magjinë e zërit të tyre kanë bërë shumë emër. Në bazë të kësaj dua të them që opera shqiptare për çdo ditë bëhet më shumë europiane dhe më shumë e kërkuar.

 Ju keni realizuar deri tani rreth 27 role, kur e keni ndjerë veten më keq në skenë?

Nuk e kam ndjerë veten asnjëherë në skenë. Kudo jam futur e bindur se do t’ja dalë mbanë. Kur marr një rol do ta çoj deri në fund. Nuk kam kthim mbrapa. Ose përndryshe nuk i marr ato role. Por njëkohësisht dua të them se marr role që i përkasin vokalit tim. Nuk bëj përpjekje të kota. Nuk bëj lëvizje të tepruara dhe të dal jashtë vetes. E kontrolloj veten dhe dal përmbi egoizmat e sëmura.

 Ju keni luajtur në shumë skena europiane, ku jeni ndjerë më mirë në këto skena?

Në Itali jam shumë mirë. Aty publiku është shumë i dashur, shumë i edukuar me operën, apo më mirë të themi se ky vend ka një kulturë të jashtëzakonshme operistike. Në Itali ka lindur opera, aty është djepi i këtij lloji të kënduari.  Sidomos në Bolonja jam ndjerë më mirë se kudo.

 Po sot në Shqipëri a ka fituar terren tek publiku opera në krahasim me regjimin komunist?

 Me sa shoh unë sallën nga një shfaqje në një tjetër mund të them me plot gojën se opera ka fituar terren. Madje, nga muaji në muaj po shtohen dashamirësit e kësaj gjinie të vështirë të të kënduarit. Dhe më parë nuk them që nuk kemi pas publik, por tashmë kur kemi dhe bashkëpunime me këngëtarë lirikë të huaj, kur kemi shkëmbime eksperiencash po shoh që është rritur numri i dashamirësve për shumë arsye. Sidomos flas për Tiranën, pasi teatër opere kemi vetëm në kryeqytet. Pra, njerëzit duke dëgjuar njëri- tjetrin, duke parë reklamat e shumta, duke parë shkallët e TOB në raste shfaqjesh, kanë nisur të gjejnë tek vetvetja edhe këtë thirrje për këtë gjini këngë tepër të veçantë. Madje, mund të them që sot publiku vjen në opera më i kuruar, pra me veshje shumë interesante të bukur. Tek ne në drejtim të publikut është bërë revolucion me premierat e reja absolute, që kanë lënë gjurmë.  Kjo edhe për arsye se në operën tonë ka këngëtarë nga të gjitha moshat, pra një trashëgim bresash që jep shtysën e vetë tek publiku i gjerë.  Sallat në të gjitha shfaqjet ka qenë plot gjë, e cila përbën një risi në operën shqiptare.

 Pra, këto suksese do të thonë se shkolla shqiptare operistike është e niveleve të larta?

 Nga Opera jonë kanë dalë shumë këngëtarë të njohur lirikë që po konkurrojnë kudo në botë. Për çdo vit dalin të tillë, pra jemi në ngjitje, kështu që e themi me plot gojën jemi krenarë për shkollën që kemi.

 Ju  jeni pedagoge dhe këngëtare lirike, ku ndiheni më mirë?

  Unë ndihem më mirë në të dyja. Skena më jep eksperienca të reja, të bukura, pra vendos në praktikë dijet e shkollës kështu që unë kam mundësi që të orientoj më mirë studentët, pasi lidh në mënyrë direkte teorinë me praktikën. Unë si ndaj të dyja pasi secila ka bukuritë dhe vështirësitë e veta, por që të dyja më plotësojnë si këngëtare dhe mësimdhënëse. Pra në skenë nis kam pas defekte me kalimin e kohës i kam riparuar dhe studentëve ua përçoj të gjallë këto eksperienca. Përderisa një këngëtar është gjithmonë në skenë ai ka ç’tu japë studentëve për çdo ditë. Të qenit pedagoge ka pozicionet e saj, por kryesorja është se duhet të jesh e kujdesshme me studentët.

 Po nëse do të lejohej të zgjidhnit vetëm një profesion, cilin do të zgjidhnit?

Këngëtare lirike, pa diskutim. Kënga është jeta ime dhe është një profesion që me kalimin e kohës edhe mund të zbehet zëri, por ngelet si profesion që u sjell kënaqësi mijëra e mijëra vetëve në gjithë kohën.

 Duke qenë në këto pozicione, a mendoni se ndihet e vlerësuar femra shqiptare?

 Mendoj që disi. Jo plotësisht. Duhet të ketë një vlerësim më të madh për femrën. Unë si person  ndihem e vlerësuar, por jo të gjitha femrat janë në këto pozicione.

 Cilat janë problemet më të mëdha të femrës shqiptare sot?

Po janë papunësia, dhuna  që ushtrohet në raste të veçanta, hapësirat e pakta në politikë. Duke qenë nëna femrat do zbusin dhe politikën që është shumë e egër. Ka dhe të tjera, por unë që jam e plotësuar me veten mendoj se kështu janë të gjitha femrat. Por jo këto probleme qëndrojnë. Pra me një fjalë shoqëria shqiptare është një shoqëri maskiliste.

 A është e vështirë për ju si nënë që të mbani një performancë elegante?

Ah. Për mua luku duhet sepse jam edhe pedagoge edhe këngëtare lirike. Unë kam dy fëmijë një vajzë dhe një djalë si yje, por jam munduar që të ruaj linjat si domosdoshmëri të profesioneve. Një ndihmë të madhe në të gjitha aspektet më jep dhe bashkëshorti. Kjo ndihmë mi ka lehtësuar shumë problemet që të merrem dhe me veten. Por dua të them që mbaj dhe dietë.

 Keni ndonjë peng?

 Edhe nëse kam, përsëri e kam kohën që t’i realizoj.

 Kur ndihesh më mirë?

Kur eci rrugës dhe shumë njërës më ndalojnë, më përshëndeti apo më thonë lavde si na ke kënaqur mbrëmë, na ke hequr hallet, etj…

  Cilët janë këngëtarët operistikë më të pëlqyer nga ju?

Janë shumë. Por do të veçoj Maria Kalas, Anxhela Georgiu, etj..

Toskën sërish me një tenori italian, si ndjetë?

Komode. Ishte përgjegjësi, por me Leonardo Gramenjën  mund të punosh shumë mirë, pasi ai të ofron në rol si tenor tepër special, që të bën të ndihesh e sigurt në skenë qoftë vokalisht qoftë skenikisht.