Europa kurorëzon sot “Mbretin” e ri

570
Sigal

Liga e Kampioneve/ Në Lisbonë do të jenë përballë rekordmenët e Realit kundër “hirushes” Atletiko

Finalja e madhe në “Stadiumin e dritës” të Lisbonës (20:45) do të kurorëzojë sot kampionin e ri të Europës në Ligën e Kampioneve Përballë njëri-tjetrit do të jenë për herë të parë dy ekipe të të njëjtit qytet, Madridit: Reali dhe Atletiko. I pari e ka fituar nëntë herë kompeticionin më të rëndësishëm për klube (1955–56, 1956–57, 1957–58, 1958–59, 1959–60, 1965–66, 1997–98, 1999–2000, 2001–02), ndërsa i dyti nuk e ka fituar asnjëherë (ka humbur finalen e edicionit 1973-1974 me Bajernin e Munihut). Kjo është finalja e 13-të e Realit të Madridit, e fundi ka qenë ajo e vitit 2002 e fituar 2-1 kundër Bajer Leverkuzenit, të vendosur me atë gol të jashtëzakonshëm të Zinedin Zidan, aktualisht zëvendëstrajner i Realit. Bajerni i Munihut është kampioni në fuqi, por gjermanët e dorëzojnë sot trofeun. Ata u eliminuan në gjysmëfinale nga Reali i Madridit. Kjo finale midis dy ekipeve spanjolle do t’i dhurojë Spanjës trofeun e 14-të të Ligës së Kampioneve, pasi më parë atë e ka fituar katër herë dhe Barcelona. Në vend të dytë përsa i përket trofeve janë Italia dhe Anglia, me nga 12 suksese. Kjo është finalja e pestë që diskutohet nga ekipe e një shteti nga 22 finale të Ligës së Kampioneve me formatin aktual (pasi në periudhën 1956-1992 quhej Kupa e Kampioneve). Finalet e tjera nga i njëjti shtet janë: Real Madrid-Valencia (3-0 pas kohës së rregullt në vitin 2000), Milan-Juventus (0-0 pas 120 minutave dhe 3-2 për kuqezinjtë pas goditjes së penalltive në vitin 2003) dhe Mançester Junajtid-Çelsi (1-1 pas 120 minutave dhe 6-5 për Mançesterin pas goditjes së penalltive në 2008-n). Ky është edicioni i 59-të i Ligës së Kampioneve dhe i 22-ti, qysh kur ndryshoi emrin nga Kupa e Kampioneve në Ligën e Kampioneve. Nga kualifikueset e 2 korrikut dhe deri më sot janë luajtur në total 124 ndeshje, ndërkohë që kanë marrë pjesë 76 ekipe nga 52 federata, përfshirë dhe Skënderbeun e Korçës. Janë shënuar në total 357 gola (2,88 gola për ndeshje), ndërkohë që shënuesi më i mirë është Kristiano Ronaldo i Realit me 16 gola. 5 milionë e 651 mijë e 670 shikues kanë ndjekur në total ndeshjet. Në “Estadio do Sport” është luajtur finalja e Kampionatit Europian 2004, Portugali-Greqi (0-1). Kapaciteti i stadiumit është 65 647 vende dhe 156 suita. Aty luan Benfika e Lisbonës. Kostoja e ndërtimit të inauguruar më 25 tetor 2003 është 120 milionë euro. Real Madrid-Atletiko Madrid do të gjykohet nga një gjashtëshe holandeze me kryesor Bjorn Kuipers.

  TRIUMFET E REALIT

Realit është klubi më i shtrenjtë në botë. Vlera e tij është 3,3 miliardë dollarë. Gjatë historisë së tij ai ka fituar 32 kampionate në Spanjë (rekord); 19 Kupa të Mbretit; 9 Superkupa të Spanjës, 1 Kupë Eva Duarte dhe 2 Kupë të Ligës. Në arenën ndërkombëtare ka fituar 9 herë Kupën e Kampioneve/Ligën e Kampioneve; 3 Kupa Interkontinentale; 2 Kupa UEFA dhe 1 Superkupë UEFA.

 TRIUMFET E ATLETIKOS

Atletiko e Madridit e ka fituar 10 herë kampionatin spanjoll, La Liga. Ka fituar 10 herë Kupën e Mbretit; 1 Superkupë të Spanjës dhe 3 Kupa Eva Duarte. Në Europë, Atletiko ka fituar 1 herë Kupën e Kupave; 2 herë Ligën e Europës në vitin 2010 dhe në 2012. Ka fituar 2 herë Superkupën e Europës në vitin 2010 dhe 2012, si dhe ka fituar 1 herë Kupën Interkontinentale në vitin 1974.

 Ançeloti: “Dua të 10-tën”

 Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti, tha se të gjithë presin trofeun e 10-të. Nga 25 qershori 2013, Ançeloti drejton Realin e Madridit, me të cilin deri tani ka fituar 1 herë Kupën e Mbretit. Italiani Ançeloti, 55 vjeç, është një nga emrat më të njohur në futbollin botëror, si lojtar dhe trajner. Si lojtar ka fituar me Romën dhe Milanin tre tituj kampionë, katër Kupa të Italisë, 2 Liga të Kampionëve. Karlo Ançeloti ka luajtur 26 ndeshje me Kombëtaren e Italisë. Si trajner ka fituar 1 titull kampion në Itali (Milan), 1 në Angli (Çelsi), 1 në Francë (PSG), si dhe 2 herë Ligën e Kampioneve (Milan: 2003,2007).

 Simeone: “Fitoj të parin”

Atletiko bëri bujë kur fitoi kampionaton spanjoll, por tani trajneri Diego Simeone kërkon titullin e patë në Ligën e Kampioneve. Si trajner ai ka fituar dy kampionate në Argjentinë (Estudiantes, River Plejt); 1 kampion në Spanjë (2013-2014) 1 Kupë Mbreti, 1 herë Ligën e Europës dhe 1 herë Superkupën UEFA. 44-vjeçari ka luajtur më shumë se 100 ndeshje me Kombëtaren e Argjentinës, duke e përfaqësuar atë në Botërorët e viteve 1994, 1998 dhe 2002. Gjatë karrierës së tij si lojtar midis ekipeve të tjera ka luajtur edhe me Atletikon e Madridit. Si lojtar ka fituar 2 kampionate, 2 kupa, 2 kampionate të Amerikës së Jugut, 1 Kupë UEFA dhe 1 Superkupë UEFA

  Pikante nga Liga e Kampioneve

 31 shtete kanë sjellë ekipet e tyre në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Spanja kryeson me 13 ekipe pjesëmarrëse në Ligën e Kampioneve. Është vendi që ka paraqitur më shumë skuadra në fazën e grupeve, qysh kur kompeticioni ka këtë emër: Atletik Bilbao, Atletiko Madrid, Barcelona, Selta de Vigo, Deportivo La Korunja, Majorka, Real Betis, Real Madrid, Real Sociedad, Sevilja, Valencia, Vijarreal dhe Malaga. Në podium janë dhe Gjermania me 10 skuadra (Bajer Leverkuzeni, Bajern Munih, Borusia Dortmund, Hamburg, Hertha e Berlinit, Kaizerslautern, Shalke, Shutgart, Verder Bremen, Volfsburg) dhe Franca me 9: Osker, Bordo, Lens, Lilë, Lion, Marsejë, Monako, Nantes, Paris Saint-Germain. Nga vendet e tjera, Anglia dhe Italia përfaqësohen me 8 ekipe, Holanda (7).

 Skuadrat e pamundura

 Shumë skuadra ja kanë dalë të fitojnë Ligën e Kampioneve pa pësuar humbje gjatë ecurisë së kompeticionit. Milani, Liverpuli, Ajaksi dhe Mançester Junaitid janë të vetmet ekipe qe kanë fituar trofeun të pamundura në dy edicione. Barcelona (2005-2006) dhe Mançester Junaitid (2007-2008) kanë këtë bilanc: nëntë fitore dhe katër barazime. Marseja fitoi shtatë dhe barazoi katër në edicionin 1992-1993. Interi (1963-1964), Ajaksi (1971-1972) dhe Liverpuli (1983-1984); fituan kompeticionin me 7 fitore dhe 2 barazime. Crvena Zvezda e fitoi titullin me 5 fitore dhe 4 barazime (1990-1991), ndërsa Mançester Junaitid ka një rekord prej pesë fitoresh dhe gjashtë barazimesh (1998-1999).

  Fitoret më të thella

 Janë shumë ekipe që kanë fituar thellësisht ndaj kundërshtarëve të tyre, duke shënuar 10 apo më shumë gola. Dinamo e Bukureshtit mundi 11-0 Krusaders nga Irlanda e Veriut në vitin 1973. Fejenordi mundi Rejkavikun e Islandës 12-2 në vitin 1969. Mançester Junaitid mundi 10-0 Anderlehtin në vitin 1956, dhe po më këtë rezultat fitoi Ipsuiç Toun kundër Flirianës (1962), Benfika kundër Djudelanxh (1965), Lids Junaitid kundër Lin, Borusia Mënshengladbahut fitoi 10-0 ndaj Larnakës (1970). Edhe Ajaksi mundi 10-0 Omonian në vitin 1979. Në formatin aktual të Ligës së Kampioneve fitoret më të thella: Dinamo Kiev-Berri Toun 8-0, Koshiçe-Kliftonvil 8-0, Liverpul-Beshiktash 8-0 (në fazën e grupeve, 2007-2008).

 Fituesit, babë e bir

 Anxhelo Morati dhe Masimo Morati, babë e bir, janë presidentët e vetëm që janë fituar kompeticionin gjatë presidencës së tyre me një të njëjtën skuadër, Interin e Milanos. Anxhelo Morati fitoi me zikaltërit në edicionet 1963-1964 dhe 1964-1965, ndërsa Masimo Morati, presidenti aktual i Interit, fitoi në edicionin 2009-2010. Historia e raportit fitues “babë-bir” vazhdon me lojtarët, që kanë fituar me të njëjtin klub. Manuel Sançiz Martinez (1966) dhe Manuel Sançiz Hontijelo (1998 dhe 2000) i fituan titujt me Realin e Madridit. Çezera Maldini (1963) dhe Paolo Maldini (1989, 1990, 1994, 2003 dhe 2007) fituan me Milanin. Karles Buskests (1992) dhe Serxho Buskets (2009) fituan me Barcelonën.

   LOJTAR-TRAJNER

Vetëm tre persona e kanë fituar Ligën e Kampioneve me të njëjtin klub, fillimisht si lojtar e më pas si trajnerë. Miguel Munjoz i Realit të Madridit e bëri këtë si lojtar në edicionet 1955-1956 dhe 1956-1957, përpara se ta fitonte atë si trajner në edicionet 1959-1960 dhe 1965-1966. Karlo Ançeloti e bëri si lojtar i Milanit në edicionet 1988-1989 dhe 1989-1990, përpara se ta fitonte si trajner në sezonet 2002-2003 dhe 2006-2007. Pep Guardiola i Barcelonës e ka fituar si lojtar në sezonin 1991-1992 dhe si trajner në edicionin 2008-2009 dhe 2010-2011. Bob Paisleu është trajneri i vetëm që ka fituar tre Kupa të Kampioneve: 1977, 1978 dhe 1981 (të gjitha me Liverpulin).

 PJESËMARRËSIT

Reali i Madridit mban rekordin e pjesëmarrjeve rresht në Kupën e Kampioneve, me 17 të tilla: nga 1955-1956 deri në 1969-1970. Mançester Junaitid ka rekordin e pjesëmarrjeve rresht në Ligën e Kampioneve, me 18 të tilla nga 1996-1997 deri në 2010-2011.

 RAST I RRALLË

Notingem Forest është klubi i vetëm që e ka fituar Kupën e Kampioneve më shumë herë (dy herë) se sa ka fituar kampionatin vendas (një herë). Forest fitoi kampionatin anglez në vitin 1978, përpara se të fitonte Kupën e Kampioneve në vitin 1979 dhe 1980.

 FINALE “VENDASE”

Vetëm në tri raste finalet e Ligës së Kampioneve kanë përfshirë ekipe të njëjtit vend: Real Madrid-Valencia (Spanjë, 1999-2000, fitoi Reali), Milan-Juventus (Itali, 2002-2003, fitoi Milan) dhe Mançester Junaitid-Çelsi (Angli, 2007-2008, fitoi Mançesteri).

 SUPER-DERBIT

Vetëm katër derbi midis skuadrave të njëjtit qytet janë ndeshur midis tyre: 1958-59, Real Madrid-Atletiko Madrid (gjysmëfinale); 2002-2003, Inter-Milan (gjysmëfinale), 2003-2004, Çelsi-Arsenal (çerekfinale) dhe në edicionin 2004-2005, Inter-Milan (çerekfinale).