Ethet e universiteteve, si të plotësoni formularin e aplikimit

723
Të gjithë maturantët me notë mesatare mbi 6 nisin kalvarin e mundimshëm të fitimit të së drejtës për shkollën e lartë
Nis sot aplikimi i maturantëve me notë mesatare mbi 6 në portalin e Maturës Shtetërore matura.qsha.gov.al, për të ndjekur studimet e larta. Procesi do të zgjasë vetëm 8 ditë në këtë fazë. “Janë deri në 10 preferenca, por ata mund të plotësojnë edhe një ose dy, nuk i kushtëzon njeri, por jo më shumë se 10. Nuk ka rëndësi renditja”, është dje për mediat Rezana Vrapi, drejtore e Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Më 28 gusht nis shpallja e fituesve dhe regjistrimi i tyre në universitete, proces i cili duhet të kryhet brenda 48 orëve. “Më datën 28 gusht do të bëhet shpallja e fituesve në faqet e universiteteve, por edhe në Qendrën e Shërbimeve Arsimore dhe në datën 29 gusht do të fillojë menjëherë edhe regjistrimi për në universitet”, thotë Vrapi. Fillimisht të rinjtë e interesuar për të vijuar studimet e larta apo programet 2-vjeçare kanë kryer hapin e parë të aplikimit pagesën prej 2000 lekë në zyrat e Postës Shqiptare apo në bankat e nivelit të dytë. Por ndryshe nga një vit më parë, fituesi mund të çregjistrohet nëse heq dorë nga zgjedhja e tij e parë. “Ata do të kenë mundësinë e çregjistrimit, do të kenë mundësi riaplikimi vetëm në raundin e dytë. Sigurisht që në raundin e dytë duhet të bëjnë llogaritë shumë mirë, si qëndrojnë shanset për të fituar”, bëri të ditur zyrtarja e Ministrisë së Arsimit. Raundi i parë i pranimit të institucionet e arsimit të lartë do të zgjasë 14 ditë dhe ka 7 minifaza 48 orëshe. Nga data 29 gusht deri më 11 shtator, aplikantët të cilët kanë rezultuar fitues duhet të kryejnë procesin e regjistrimit. Gjatë këtyre datave, aplikantët duhet të jenë të vëmendshëm në ndjekjen e procesit. Nëse shpallen fitues në një nga programet e studimit që kanë renditur, ata duhet të regjistrohen brenda 48 orëve. Në të kundërt humbin të drejtën për të vijuar programin studimit. Ndërsa raundi i dytë fillon më 15 shtator kur maturanti mund të riaplikojë, duke zgjedhur edhe programe të tjera të ndryshme nga raundi i parë. Në këtë raund mund të aplikojnë ata që kanë marrë provimet e maturës në vjeshtë, apo ata të cilët kanë mbaruar maturën në një vend jashtë Shqipërisë dhe nga data 1 tetor deri më 14 të gjithë maturantët që janë shpallur fitues mund të regjistrohen. Këtë radhë viza e kuqe e fituesve do të zhvendoset në kohë reale sapo të lirohet vendi bosh. Aplikimi kryhet nëpërmjet portalit Matura Shtetërore në adresën http://matura.akp.gov.al ndërkohë që kandidati për student duket të ketë ID e maturës dhe informacionet e kartës së identitetit ose pasaportës. I gjithë procesi i pranimit në shkollat e larta parashikohet të zgjasë rreth dy muaj, një periudhë e gjatë dhe e vështirë për mijëra maturantë dhe familjet e tyre. Pas plotësimit të 10 preferencave, ata duhet të presin fazat e ndryshme të seleksionimit në kandidatëve, që do të mbyllen vetëm në muajin tetor me regjistrimin final të fituesve në një universitet publik apo privat. 
Gjithçka nis me pagesën
Për të fituar të drejtën e studimit në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik dhe Privat të vendit, çdo maturant/kandidat që kërkon të vazhdojë studimet e larta, duhet të plotësojë Formularin e aplikimit për në IAL, on-line në çdo mjedis ku ka akses interneti. Për plotësimin e tij on-line, secili maturant/kandidat që ka kryer pagesën për aplikimin me formularin për në IAL, në zyrat e Postës Shqiptare apo në secilën bankë të nivelit të dytë, ka dorëzuar në shkollën e tij mandat pagesën përkatëse prej 2 mijë lekësh, mund të aplikojë nga çdo mjedis ku ka akses interneti, shkollë, zyrë, shtëpi, kafe internet, etj.
Rastet 
I – Maturanti/kandidati nuk ka kryer pagesën dhe për rrjedhojë nuk ka të hedhur në sistem notën mesatare sipas VKM Nr. 346, datë 19.04.2017 dhe i paraqitet mesazhi “Ju nuk keni note mesatare”, Maturanti nuk mund të aplikojë për formularin për në IAL sepse në sistemin informatik nuk ka të pasqyruar notën mesatare. Në këto kushte brenda datave të aplikimit për DAR/ZA tuaj duhet të kryeni pagesën sipas procedurave të përshkruara më lart dhe të paraqiteni në shkollë për hedhjen e notës mesatare në sistem. Pas hedhjes së notës mesatare në sistem mund të aplikoni për përzgjedhjen e programeve të studimit.
II – Maturanti/kandidati e ka kryer pagesën dhe ka të hedhur në sistem notën mesatare sipas VKM Nr. 346, datë 19.04.2017. Maturanti mund ta plotësojë formularin pavarësisht nga nota mesatare që ka. Në varësi të notës mesatare dallohen rastet e mëposhtme: a) Nëse nota mesatare e hedhur në sistem është më e madhe ose e barabartë me 6 (gjashtë) atij maturanti do t’i shfaqet lista me të gjitha programet e studimit që IAL –të Publike dhe Private ofrojnë për vitin akademik 2017-2018. b) Nëse nota mesatare e hedhur në sistem është më e vogël se 6 (gjashtë) atij maturanti do t’i shfaqet vetëm lista me programet e studimit dyvjeçare me karakter professional që IAL –të Publike dhe Private ofrojnë për vitin akademik 2017-2018.


Sigal