Sigal

ISHP ka konfirmuar se nuk ka asnjë rast të virusit të Etheve të Nilit Perendimor në vendin tonë. Përmes një njoftimi zyrtar në facebook, shkruan se në çdo rast, nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe institucionëve përgjegjëse në varësi të saj, janë marrë të gjitha masat për monitorimin dhe ndjekjen e çdo rasti të dyshuar të këtij virusi, i cili është përhapur aktualisht edhe në Europë.

Njoftimi i plotë

Instituti i Shëndetit Publik rikonfirmon se nuk ka raste të virusit të Ethes së Nilit Perendimor në Shqipëri
Specialistët e shëndetit publik: Ja masat për parandalimin e përhapjes së virusit të Nilit Perëndimor
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nëpërmjet Institutit të Shëndetit Publik ka forcuar masat për parandalimin e përhapjes së virusit të Ethes së Nilit Perëndimor.
Me qëllim vlerësimin e situatës aktuale, si dhe për një koordinim të masave për monitorimin dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive, në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u zhvillua një takim, për situatën epidemiologjike të sëmundshmërisë në këtë periudhë, me fokus në sëmundjet e shkaktuara nga infeksioni i virusit të Nilit Perëndimor.
Në këtë takim ishin të pranishëm specialistë të Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, mjekë të laboratorit të Virologjisë, përfaqësues të drejtorive rajonale të shëndetit publik, mjekë të shërbimit Infektiv në QSUT, etj.
Ndër masat e marra nga Instituti i Shëndetit Publik për parandalimin e përhapjes së virusit të Nilit në vendin tonë – sipas udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale – është zbatimi dhe ndjekja me rigorozitet e procedurës së dezinsektimit.
Gjithashtu, ISHP, në vazhdim të masave ka rritur survejancën në vend, duke mbajtur komunikim të vazhdueshëm me Qendrën Europiane të Kontrollit të Sëmundjeve (ECDC).
Është vendosur një sistem komunikimi dhe raportimi në kohë reale për çdo rast të dyshuar, me Drejtoritë e Shëndetit Publik në rrethe, sistemin shëndetësor parësor dhe atë spitalor.
ISHP vazhdon fushatën e sensibilizimit nëpërmjet specialistëve të sektorit të vektorëve, duke informuar qytetarët “derë me derë”, për masat që duhen marrë për t’u mbrojtur nga mushkonjat, si transmetuese të infeksionit të virusit të Nilit Perëndimor, shenjat e sëmundjes, etj.
Por, Instituti i Shëndetit Publik, rikonfirmon se aktualisht në Shqipëri nuk ka asnjë rast të shfaqjes së virusit të Ethes së Nilit Perëndimor.
Në çdo rast, nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe institucionëve përgjegjëse në varësi të saj, janë marrë të gjitha masat për monitorimin dhe ndjekjen e çdo rasti të dyshuar të këtij virusi, i cili është përhapur aktualisht edhe në Europë.