Është koha për Çamërinë

    452
    Sigal

     FORUM/ Flasin Ardian Thana, Enkelejda Arifi dhe Sajmir Braho

     Mbas aneksimit të Çamërisë më 1913 deri më sot popullsia e saj gjatë tërë viteve nën shtetin grek nuk ka gëzuar asnjë të drejtë njerëzore e kombëtare që i takon. Qarqet zyrtare greke mbështetur në konceptin absurd të mohimit të ekzistencës së grupeve etnike në territorin e saj, kanë ndjekur një politikë shoviniste.

     Enkelejda Arifi

     Në këto vende, ku ju ftoheni, gjithmonë do t’i këndoni patjetër dhe këngët për Çamërinë?

    Po. Patjetër për shumë arsye. Por kryesorja është se ne për këto këngë na ftojnë, për këto na hapen dyert e këngës dhe aktiviteteve. S’ka shqiptar sot në botë që të mos e dojë këto këngë pasi Çamëria tashmë pas zgjidhjes së problemit kosovar është pika më delikate e çdo shqiptari. Pra, është një problem evident, ku të gjithë shqiptarët ndjejnë dhimbje dhe kërkojnë zgjidhjen e tij sa më shpejt. Nuk ka aktivitet që ne shkojmë që këngët për Çamërinë të mos këndohen apo kthehen nga tri herë.

     Ju, në të gjitha këto aktivitete shkoni këndoni me kostum popullor tipik çam. Ndikon kjo tek spektatori?

    Ndikon shumë. Janë ndërthurje të elementeve kryesorë apo karakteristikave të veshjeve interesante të Çamërisë. Dihet që gratë çame veshin çitjane, apo tumane (mosha e vjetër) të qëndisura me fije ari. Kostumet çame popullore kanë lënë gjurmë tek populli grek.

     Thuhet dhe pse kanë dalë shumë këngë të reja, kënga juaj e parë mbetet e pa arrirë…

    Për mua çdo këngë për Çamërinë ka të veçantat e saj, ndërsa spektatori ka shijet e tij. Unë e vlerësoj shijen e spektatorit dhe pse vetë mundohem që çdo këngë çame ta mbaj në të njëjtin nivel. Pra, secila këngë ka rëndësinë dhe mesazhin e vet. Ajo duke qenë e para si duket ka më shumë kohë që vret veshin e dëgjuesit dhe është bërë më e afërt. mësohet më shpejt, por ajo i la vend këngës tjetër, po aq të bukur…

    Kur të shoh kështu moj xhane

    Me jelek e me çitjane

    Borzilok e manxurane

    Çame  e kaluar çame.

    Sajmir Braho

    Z. Sajmir, kohët e fundit është bërë problem Çështja Çame, ju si pjesëtar i këtij komuniteti çfarë ndjesie keni kur dëgjoni të flitet për Çamërinë?

     Ndjesia e parë është që ndihem mirë, kur dëgjoj shikoj, që po përmendet diçka që është harruar, është lënë në heshtje për dekada të tëra. Është shumë e rëndësishme për një komunitet që problemi i tyre dhimbja e tyre, del në sipërfaqe, evidentohet, sepse ndjen ndjesinë e identitetit që ishte anashkaluar gjatë gjithë viteve të komunizmit dhe më tej, e nxitur kjo apo e stimuluar nga vetë historia jonë, mbas vitit 1944. Identiteti ynë, në komunizëm ishte paksa jo i drejtpërdrejtë kjo e ushqyer nga politika, paçka e në zemër i gjithë komuniteti ynë se ka hequr asnjëherë, emrin e krahinës, fshatit nga i kanë zbuar me forcë. Ishte një presion i sistemit komunist që çamët të harronin dhe identitetin e tyre. Tashmë, ne krenarinë tonë, prejardhjen tonë e themi me zë të plotë, me krenari, dashuri… Kjo vjen pasi dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë kanë filluar të njohin edhe një pjesë tjetër të panjohur të historisë së tyre. Atë pjesë që pakkush mund ta bënte publike. Çamëria tashmë nuk është pjesë e identitetit të çamëve, por edhe pjesë e identitetit të vetë kombit tonë, të vet Shqipërisë. Është pjesa e harruar e saj, që koha po e nxjerr në dritë. Tashmë është koha për Çamërinë, ashtu siç ishte para disa vjetësh koha për Kosovën. Historia vonon, por nuk harron. Pra, Çamëria për çdo shqiptar kudo në botë është as më pak apo më shumë, por një çështje që kërkon zgjidhje siç ka qenë Kosova para disa vjetëve.

     Si ua kanë përcjellë prindërit, gjyshi apo gjyshja, vendlindjen e tyre dhe fshatin e origjinës tuaj?

     Kjo është një pyetje që më ngacmon, që më shtyn tutje në kohë. Një pyetje që ndihem mirë t’i përgjigjem. Unë s’kam qenë asnjë herë në fshatin e origjinës, në vendlindjen e prindërve të mi. S’kam qenë pasi dua të shkoj si duhet, i qetë, me të drejta si pronar i shtëpisë i tokës sime dhe të mos rri i ndrojtur. Por, unë e di vendin ku është ngritur shtëpia e të parëve të mi, ndërtimin e saj, dhomat, oborrin, arkitekturën, fqinjët, tokat, pronat, si di dhe shtëpinë time këtu në Tiranë. I di sepse janë treguar me shumë dashuri, me shumë imtësi, në mënyrë të detajuar nga të parët e mi, gjyshi, gjyshja, netëve në dimër, çdo ditë sa na ishte bërë si edukatë të dëgjonim për vendin e origjinës. Familja ime është me origjinë nga një rrethinë e Filatit që quhet Spatar. Një fshat i bukur, plot me agrume, rrush, gjelbërim. Është një natyrë e mrekullueshme, zoti është treguar bujar me të. Imagjinata ime për këtë fshat shkon në kufijtë e detajimit. Në mendje kam gjithçka të atij fshati nga unë kam rrënjët.

     Ju keni kënduar një këngë me motive çame, që ju ka bërë me emër jo vetëm në komunitetin çam, por edhe në tërë bashkëkombësit tanë. I erdhi tek Sajmiri kjo këngë?

     Është e vërtetë. Ajo këngë është bërë shumë e njohur dhe unë jam bërë po aq i njohur sa ajo. Dhe shumë thonë se ta marrim Sajmirin në dasma koncerte se ai di shumë këngë çame. Unë nuk di shumë këngë çame. Por di mirë atë këngë që më bëri të njohur që më evidentoi si çam dhe që pritet me shumë dashuri nga publiku. Kënga titullohet “Tuman kuqe, moj belhollë….”. Është një këngë e mrekullueshme. Është një këngë që të mbërthen, të jep forcë dhe gëzim. Kjo këngë është kënduar dhe më parë në krahinën e Çamërisë, por edhe në qytete ku ka çam, por jo në këtë mënyrë dhe në mediume, ku unë e përcolla. Pata shansin, më shumë i nxitur nga im atë (që më thoshte gjithmonë këndo një këngë çame), që të merrja përsipër barrën që të ripunoja këtë këngë. E këndova të ripunuar në Maratonën e Këngës Popullore”. Por të përpunuar, të moderuar, ku u lidh bukur në mënyrë organike kënga popullore me atë të lehtë. Dhe doli ajo këngë që ju më pyesni tani. Ishte një këngë që pati sukses. Unë s’jam muzikat në profesion dhe se fus veten në radhët e profesionistëve të kompozitorëve, por personalitete të muzikës shqiptare, kompozitorë, artistë, këngëtarë të mirënjohur, motivet e këngës çame, ndjeshmërinë, delikatesën e muzikës çame ata e quajnë një fond i veçantë i kulturës folklorike, tradicionale shqiptare. Nuancat e muzikës çame kanë një miksim të veçantë. N.q.s do t’i referohemi Bajronit, lexojmë, burrërinë, ashpërsinë, por dhe delikatesën, elegancën, bukurinë e femrës çame. Në valët e burrave, apo grave, në këngët e tyre, kënga ishte e veçantë saqë Bajroni nuk e kishte kaluar pa e qëndisur me penë. Këto melodi janë falë natyrës çame, atij vendi të bukur, historisë së asaj krahine.

     Ardian Tana

    Si është vepruar ndaj çamëve ortodoksë në Greqi?

     Ka patur përpjekje të vazhdueshme duke ushtruar dhunë mbi shqiptarët ortodoksë që jetojnë ende sot në Çamëri për të zhdukur tek ata çdo gjurmë të identitetit të tyre shqiptar, duke u ndaluar të drejtën e përdorimit e të mësimit të gjuhës, të zakoneve të tyre, duke realizuar kështu asimilimin me dhunë të kësaj popullsie, e cila e pambrojtur nuk mund t’i bënte ballë këtij invazioni. Në vijimësi shteti grek ka ndjekur një politikë kolonizuese për krahinën e Çamërisë duke ndryshuar hartën demografike të krahinës. Në tokat e çamëve të shpërngulur me forcë u vendosën popullsi greke etj.. Pronat e shqiptarëve të dëbuar iu dhanë vendasve të rinj nga qeveria greke pa të drejta ligjore pronësie.

    Kjo politikë vazhdon me çamët edhe sot përderisa qeveria e tanishme greke nuk i lejon të vizitojnë shtëpitë e tyre. Mirëfilli ndaj tyre ndiqet një politikë diskriminuese përderisa çdo shqiptar i Çamërisë që në pasaportë shënon vendlindjen: Paramithi, Filat, Gumenicë etj., nuk lejohet të kalojë kufirin.

    Duket qartë se, qeveria e shteti grek gjatë gjithë kësaj kohe është përpjekur të ligjërojë gjenocidin e kryer mbi çamët. Ajo mban ende në fuqi de jure Ligjin e Luftës me Shqipërinë.

     Aktualisht, çfarë po kërkon qeveria greke?

     Qeveria greke kërkon të shmangë kthimin e popullsisë çame në shtëpitë e veta dhe gëzimit të së drejtës së pronës që nuk ka asesi si të ndodhë, sepse kështu Greqia do të ishte shembulli më i keq i mosrespektimit të Konventave Ndërkombëtare në të cilat ajo ka aderuar prej kohësh.

    Ajo nuk ratifikon edhe pse ka nënshkruar marrëveshje, akte apo traktate ku flitet për të drejtat e minoriteteve për t’ju shmangur kështu detyrimit të zbatimit të tyre. Duke shtyrë apo shmangur ratifikimin e tyre grekët kërkojnë t’u shmangen detyrimeve që rrjedhin nga Traktatet Ndërkombëtare.

    Greqia shfaq kështu qëndrim me dy standarde: Një për të kërkuar ajo vetë respektim nga vendet e tjera përfshi këtu edhe Shqipërinë standardet kur i kërkon respektimin e të drejtave të pakicës greke në Shqipëri dhe një standard tjetër kur përballet me zgjidhjen e Çështjes Çame, të cilën kërkon ta mohojë, madje duke bërë presonin politik se rruga e Shqipërisë për në Evropë kalon nga Greqia. Frika me sa duket vjen nga reagimi politik brenda Greqisë, ku krahë të ndryshëm konservatorë,  mbeten në pozita të palëkundura përsa i përket mosrespektimit të të drejtave të njeriut, të drejtës së shtetësisë, të drejtës së pronës etj..

    Në tubimet paqësore  në pikën kufitare të Qafë-Botës, ku mijëra çamë mblidhen çdo vit për të treguar vitalitetin e tyre,  bëhet  thirrje që qeveria e shteti grek të fillojnë realisht të punojnë në bashkëpunim me shtetin shqiptar në drejtim të zgjidhjes së kësaj çështjeje, e cila do të mund të çlironte nga ngërçi marrëdhëniet midis dy vendeve dhe do të bënte që midis tyre të ketë një urë të vërtetë bashkëpunimi me dy kalime, pra respektim të të drejtave të çamëve ashtu si të pakicës greke në Shqipëri.