Ermonela Jaho: “Jam krenare për shqiptarinë time”

    622
    Sigal

    “Unë vërtet u largova nga Shqipëria, por Shqipëria nuk u largua kurrë nga unë”

     

    Duke treguar për hapat e parë në fushën e muzikës, Ermonela kujton kushërinjtë e saj nga Skrapari kur këndonin në dasma dhe gostira. Madje, ata merrnin pjesë edhe në grupet folklorike në festivalin e Gjirokastrës. Shpeshherë ajo ka provuar të mbante iso, por, siç thotë, stononte. Edhe tani kur e kujton i vjen zor nga vetja.. Kjo ka qenë njohja e saj e parë me muzikën, pasi ajo prindërit nuk i kishte muzikantë, i kishte, të atin oficer dhe të ëmën mësuese. Hapi tjetër ishte kur dëgjonte këngët në RTSH, sa dëshirë kishte të ishte pjesë e këtyre festivaleve. Ndërsa Parashqevi Simaku, ishte këngëtarja që i pëlqente si shumica e fëmijëve të asaj kohe. Ndërkohë, në moshën 5- vjeçare babai e regjistroi në Pallatin e Pionierëve ku ka qenë dhe një lloj institucioni shumë edukativ për fëmijët. Pasi aty nisnin hapat e para drejt teatrit, drejt skenës. Ishte një kurorëzim i një ëndrre të prindërve të mi. Dhe mami gjithmonë më thoshte nëse një ditë do bëhesh këngëtare duhet të këndosh “Madam Butterfly”. Fati donte që ima at arriti të më shikojë duke kënduar këtë opera që ata shumë e donin në Filadelfia.

    Ermonela dhe Shqipëria

    Megjithëse prindërit, Hetemi dhe Xhuljeta i kanë vdekur të rinj, që është një arsye më tepër për të ndenjur disi larg, përsëri, siç është shprehur shpesh, edhe këto kohët e fundit, ajo jo vetëm që “digjet nga malli” për vendin ku u lind dhe kaloi fëmijërinë dhe adoleshencën, por do të bëjë edh diçka për të. Kushedi sa herë kërkoi në vitet 2000 të debutonte në skenat shqiptare, ose të hapte një shkollë vokale në Tiranë, por kërkesa e saj ra në vesh të shurdhët. Ishte Zhani Ciko ai që pas marrjes së detyrës si drejtor i Teatrit të Operës dhe të Baletit, në prill të 2004 realizoi me të “Eliksiri i Dashurisë”, me një performancë të shkëlqyer, por që mjerisht kaloi pa u vënë re shumë, për shkak të një marketingu të dobët mediatik, megjithëse ishte një rast ideal dhe fat për ta parë Ermonelën live në skenë. Ajo përsëri është treguar e gatshme të vijë dhe të ngjitet përsëri në TKOB, ka pasur edhe projekte dhe oferta, por siç thotë vetë, ato çuditërisht janë anuluar rrugës ose në momentin e fundit. Një dëshirë tjetër e saj, siç thamë më sipër, ka qenë dhe mbetet të hapet në Tiranë një akademi jo vetëm për muzikën, por edhe për skenografinë, kostumografinë, instrumentistët, etj.. “Kur propozova hapjen e shkollës, thotë ajo në një intervistë kohët e fundit, pati disa polemika ku shpreheshin që ne e kemi shkollën shqiptare operistike nuk duam gjë tjetër. Më thoni ju në cilën opera të botës këndohet një opera shqiptare. Kështu që ka studentë që kanë dalë nga dera e Akademisë, por janë perfeksionuar në skenat jashtë Shqipërisë. Figura e një artisti është si guri i një mozaiku që i duhen të gjitha copat për ta bërë mozaikun me vlera të plota”.

    Rasti Londrës, unikal, i papërsëritshëm…

    Ka ndodhur në janar 2008, kur Ermonela këndoi në vend të Ana Neptrekes ne operën e Londrës. Ana ishte e sëmurë dhe Ermonela brenda ditës erdhi nga Amerika për ta zëvendësuar. Ka qenë një moment shumë i bukur, kujton ajo. Aty ku është vështirësia më e madhe, aty është dhe oportuniteti më i madh. Në atë kohë isha në Nju Jork dhe isha duke studiuar opera tjetër për “Traviatën” në këtë rast. Një natë përpara më merr menaxheri dhe më thotë që Ermonela kështu është puna, por duhet të kesh shumë kurajë për të bërë një hap të tillë. Ishte hera e parë që do të këndoja në operën e Londrës, ndaj duhej të bëja një audicion për të kënduar atje. Në atë kohë nuk kisha vizën, dhe ata më morën duke shkelur ligjet. Pasi arrij në aeroport hap celularin të shikoj nëse do të më njoftonin për provat, por asgjë. Sapo shkoj në hotel të hap valixhen më bie telefoni dhe më njoftojnë që duhej të ikja, pasi kisha vetëm katër orë para premierës. Nuk u prezantova si një dive, por si një zëvendësuese, dhe kjo dalje ishte si një thikë me dy presa. Në fillim nisëm provat para se të hyja në skenë, por për një orë vetëm mësova kush ishte dera që do të hyja dhe cila ishte dera që dal, asgjë tjetër. Para se të fillonte shfaqja del drejtori i teatrit dhe thotë se për arsye shëndetësore sonte nuk do të dëgjoni Ana Neptreken, por Ermonela Jahon. Në këtë çast publiku reagoi dhe nisën zhurmat. Këtë herë thashë fati dhe shansi janë në anën e publikut. Isha e panjohur për teatrin dhe drejtuesit e saj, çdo gjë në atë moment ia lash fatit. Fillimi ishte i vështirë, por aktin e fundit të operës e mbylla me lot në sy dhe me sukses. Pas kësaj ngjarjeje kam takuar Ismail Kadarenë që më përgëzoi me shpirt për rastin.

    Zëri i Ermonela Jahos shpërndan nëpër botë aromat e luleve të Tomorrit, një takim me skraparllinjtë

    Në prill të vitit 2004, Ermonela Jaho, sopranoja e famshme, me origjinë nga Skrapari, kumboi pas shumë vitesh nëpër botë, edhe në Tiranë, në operën “Eliksiri i Dashurisë”. Me këmbënguljen e akademikut Xhevahir Spahiu në atë kohë vendosëm që të shkonim të organizuar ta ndiqnim këngëtaren në opera. U bëmë gati 100 e ca veta skraparllinj, por edhe miq të tjerë të shoqatës “Tomorri” dhe zumë vend në sallën e shfaqjeve të Teatrit të Operës dhe të Baletit. Sa u hap skena, shpërthyen duartrokitjet, të cilat vazhduan gjatë. Pas daljes në skenë të Ermonelës përsëri duartrokitje që e detyruan këngëtaren të ndërpresë interpretimin dhe të falënderojë pjesëmarrësit. Natyrisht, u përlot ajo, por edhe ne. Shfaqja mbaroi me sukses. Siç edhe e kishim lënë me Ermonelën dhe me Zhanin (Ciko) pritëm sa Ermonela hoqi rrobat e skenës dhe u nisëm të gjithë drejt një bujtine, që besojmë se e mbajnë mend të gjithë, mbrapa “Gropës së Hadin Sejdisë”, përballë 9-katsheve, me emri “Selita”, që ne i thoshim “Kashta”. Një lokal rruge, popullor, ku shpesh herë gjeje edhe pijanecë rruge, por ne e kishim mik pronarin e saj dhe sa herë që kishin nevojë na e vinte lokalin në dispozicion. Kështu bëmë edhe kësaj here. Një veprimtari të tillë nën kujdesin e Xhevahirit, që ishte i vëmendshëm për këto gjëra, kishim bërë për Ermonelën, por pa praninë e saj edhe një vit më parë, në 2003-in, ku me rastin e promovimit të gazetës “Dielli i Tomorit”, shfaqëm edhe një dokumentar të saj. Të vijmë te veprimtaria e 2004-s, të “Selita” e famshme. Sa hyri brenda Ermonela u  befasua me  prezencën e të atit, të vëllait dhe njerëzve të afërt të saj, që ishin lajmëruar që më parë për veprimtarinë, por që ishte lënë si një surprizë. Mbrëmja filloi e ngrohtë. Ermonela takohet me të gjithë. Pastaj fillon kënga. Më poshtë po japim kronikën e asaj kohe të pasqyruar në gazetën “Dielli i Tomorrit”

    Me artisten e shquar në lokal “Selita”

    E prisnim Ermonelën tonë. Dhe ajo erdhi midis nesh. Kishin kaluar dhjetë vjet. Shkallët e suksesit i ngjiti e sigurt me besim në vetvete. Talenti ishte aleati i saj i përhershëm. Vajza me origjinë nga Vërzhezha e Skraparit shkëlqen në skenat e tre kontinenteve. Në qindra skena u duartrokit nxehtësisht; soprano gjithë lirizëm, dritë, mirësi, dashuri, dinjitoze dhe si kurdoherë krenare për shqiptarinë e saj. Qindra bashkëvendës të saj skraparllinj ndoqën shfaqen e asaj në Teatrin e Operës dhe të Baletit “Eliksiri i Dashurisë” të Donixetit, të luajtur për herë të parë në Shqipëri. Më në fund u plotësua dëshira jonë, u plotësua edhe vetë dëshira e Ermonelës: të mos i mungojë skenës shqiptare, ku mori hov fluturimi i saj nëpër botë. Pas shfaqjes, në lokalin “Selita”, një lokal popullor përballë 9-katsheve, pak më lart TOB-it, u mblodhën mbi 100 artdashës skraparllinj. I bënë nderet e merituara vajzës së tyre që nderon Shqipërinë. Një koktej me raki Skrapari e dërguar enkas nga Malo Çuni nga Sevrani, fotografi e shëndete për Ermonelën, për miqtë e ftuar aty. Pastaj krisi kënga e Skraparit, e ngrohtë, e vetvetishme, ku bënte iso edhe Ermonela. Shoqata “Tomorri” tregoi vëmendjen e saj, midis të ftuarve edhe drejtori i TOB, Zhani Ciko, kompozitori nga Prishtina Rauf Dhomi, poeti shquar Pano Taçi, përfaqësues të degës së Shoqatës në Durrës etj. Poeti ynë i njohur, Xhevahir Spahiu i jep Ermonelës dokumentin si Anëtare Nderi i Shoqatës “Tomorri”, ndërsa Ermonela i dhuron shoqatës libretin e operës “Eliksiri i Dashurisë”. “Zëri i Ermonelës tonë, tha Xhevahir Spahiu me këtë rast, shpërndan nëpër botë aromat e luleve të Tomorrit. Ermonela e qeshur, babai i saj këtu. Dy herë për t’u përlotur”, vazhdon me gotë në dorë Xhevahir Spahiu. “Unë vërtet u largova nga Shqipëria, por Shqipëria nuk u largua kurrë nga unë“, thotë ajo me lot në sy. Dhe vazhdon:  “Ju dua shumë”!…Edhe ne të duam shumë, Ermonela, se solle një mal me mall dhe more një mal me dashuri!…

      Shkrim i botuar në Gazetën “Dielli i Tomorrit”, Nr. 10, prill 2004

    Kush është Ermonela Jaho

    Ermonela Jaho u largua në vitin 1993 nga Shqipëria për në Itali me një bursë studimi dhe më pas iu desh ta realizojë ëndrrën e ngjitjes në skena, përkrah artistëve të huaj. Ajo u lind në Shqipëri dhe filloi mësimet e saj të të kënduarit kur ishte vetëm gjashtë vjeç. Pas përfundimit të studimeve në shkollën artistike “Jordan Misja” në Tiranë ajo fitoi konkursin e parë dhe shkoi në Itali për të përfunduar studimet e saj në Akademinë e “Santa Cecilia” në Romë. Pas përfundimit të studimeve të saj për këndim dhe piano, ajo fitoi disa konkurse të rëndësishme, të tilla si: Giacomo Puçini në Milano, Itali 1997, Spontini International Ancona, Itali 1998, në Rovereto Zandonai, Itali 1999, këngëtarja më e mirë e Festivalit Vvexford 2000. Ajo ka performuar në shumë opera të botës, duke përfshirë Royal Opera në Londër, Metropolitan Opera në Nju Jork, Berliner Statsoper, ParisChamps Elysees-Teatro San Carlo di Napoli, Opera Kompania e Filadelfias, Opera de Marsejë, Arena di Verona, Teatro Verdi di Trieste, Teatro La Fenice,Teatri Capitoul de Toulouse, etj. Aktiviteti i saj i parë ka qenë koncerti në Mantova. Më pas kanë qenë një sërë koncertesh, në akademinë “S. Cecilia”, konkurset, opera e parë “Cenerentola”, nga Rossini, “L’amico Fritz” nga Mascagni, e shumë personazhe si Zhuljeta, Suzana, Kontesha, Adina, Mimi, Armida etj. Ka interpretuar në teatrot “Aligheri”, Ravena, “Piçolo”, Scala-Milano dhe në shumë skena të tjera botërore. Bashkëpunimet kanë qenë edhe me televizionin italian RAI, Mondovisione, BBC etj.. Tashmë biografisë së saj i janë shtuar vetëm role divash, si ajo e Maria Stuart, në operën. “Maria Stuart” roli i Manon, në operën “Manon”, roli i Magdës tek “La Rondine”, roli i Semiramidës, tek opera “Semiramida”…të Mimit, tek “Anna Bolen”, Thais, Luisa Miller, Lucia di Lamermoor, Zaira,Giulietta, Madama Butterfly, Margerita (Faust) etj….Tiranë, Berlin, Londer, Milano, Trieste, Paris, Lyon, Ney York janë skenat ku buçet zëri i sopranos shqiptare. Me këtë pasuri e shkëlqim marramendës sopranoja Ermonela Jaho bëhet një këngëtare tërheqëse dhe e lakmuar në ngjarjet më të rëndësishme të jetës muzikore italiane, austriake, irlandeze, gjermane e më tej. Çdo artist është qytetar i botës. Ndaj arti muzikor klasik është mëshirim i të shprehurit solemn, me një ndjenjë sublime, që i shërben çdo mendje, çdo shpirti. Muzika ka një gjuhë të vetme universale, emocionin. Në këtë cak synon të arrijë artistja jonë. Dublimet e shumta me role të gjithfarshme nga repertori operistik, ashtu dhe çmimet e para të fituara në disa konkurse ndërkombëtare rrjedhojë e një pune të përditshme, të qëndrueshme e nxorën në pistën e këngëtarëve më të preferuar në të gjitha skenat e muzikës klasike. Ermonela renditet si soprano lirike, me regjistër e shtrirje të plotë vokale. Për nga karakteri preferon personazhet liriko – dramatike dhe ato virtuoze përsa i përket anës vokale. Preferon operat “Verdiste” si, Violeta tek “Traviata” dhe Luiza tek “ Luiza Miller” të Verdit, për të shkuar më tej me “ Normën” e Belinit; Kontesha në “Dasma e Figaros” Fiordilxhi tek “ Cosi fann’ tutte” të Moxart- it, “ Anna Bolena” të Donizett – it etj.