Ermira BABAMUSTA: Puna në stafin e Obamës dhe miqësia amerikano-shqiptare

    485
    Sigal

    Ermira Babamusta, Ph.D.: eksperte e punëve të jashtme, humanitare, autore. Ermira ka shërbyer në administratën e Presidentit Barack Obama, synon Shtëpinë e Bardhë dhe dëshiron të jetë diplomate e ShBA-së në të ardhme. Ermira ka lindur në Shqipëri, prindërit Neki dhe Suzana Babamusta. Ajo largohet nga Tirana, në vitin 1998, si një nga studentet më të mira të shkollës së mesme profesionale të Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” (dega anglisht) dhe ndjek studimet nëpërmjet programit “Student Cultural Exchange” në Sh.B.A. Programin studentor Ermira e mbaroi shkëlqyeshëm me mesataren më të lartë të sistemit shkollor amerikan 4.00 GPA dhe ka fituar disa çmime kombëtare në matematikë, spanjisht, etj në konkurset ku ka marrë pjesë në shkallë kombëtare. Ka mbaruar shkëlqyeshëm universitetin e lartë me dy mastera, Shkenca Politike dhe Public Administration si dhe programin e tretë universitar të avancuar ‘Diplomacia e Kombeve të Bashkuara’ në New York. Ermira është kandidate për doktoraturë në Shkenca Politike dhe Mardhënie Ndërkombëtare.

    Në 2007 kreu hulumtimet nëpërmjet UNMIK-ut për metodat diplomatike përdorura gjatë bisedimeve zyrtarëve për statusin dhe pavarësinë e Kosovës. Punimi shkencor i saj publikuar një javë para ngjarjes parashikon shpalljen e pavarësisë si alternativë e vetme e Kosovës. Një vit më pas, në 2008 hapi gazetën Prishtina Press si e para iniciativë e medias shqiptare pas pavarësisë, me botim në Prishtinë (www.prishtinapress.info). Në 2012 Ermira zhvillon hulumtimin e dytë gjatë misiont të saj diplomatik-kulturor në Kosovë ku takohet me zyrtarë të lartë për promovimin e pavarësisë së Kosovës dhe integrimit europian. Ekspertët mund të marrin pjesë në sondazhin e Ermirës për udhëheqjen Kosovare në: www.prishtinapress.info/sondazh .

     Ermira Babamusta ka punuar si drejtoreshë për zgjedhjet presidenciale të fushatës elektorale të Presidentit Obama në 2008 dhe 2012, në Senatin dhe Kongresin Amerikan, si dhe në Departamentin e Paqes të OKB-së në New York. Në 2013 Ermira është pjesë e programit vullnetar për shërbim publik, me mbikqyrje nga zyra e Presidentit, ku shërben si drejtoreshë rajonale për organizata bamirësie, duke përfshirë edhe Kosovën. Ermira krenohet me prejardhjen shqiptare dhe synon ngritjen e vlerave shqiptare dhe demokratike kudo në botë.

    Ermira Babamusta është shpallur “Gruaja Ndërkombëtare e Kurajos” nga Instituti i Paqes Kessel dhe “Gruaja Humanitare Ndërkombëtare” nga Kongresi Amerikan, Kreytari i Mazhorancës në Senat, Senatori Harry Reid.

     Duket se përpjekjet e tua për të forcuar miqësinë midis kombit shqiptar dhe atë amerikan kanë marrë vlerësimet e duhura. Këtë e tregon edhe fakti që, më 4 korrik të këtij viti, ju jeni vlerësuar për të dytën herë për veprimtarinë tuaj demokratike dhe diplomatike midis dy kombeve shqiptaro-amerikane me çmimin “Gruaja Humanitare Ndërkombëtare”. Cilat janë fjalët që mund të përshkruani atë çast dhe si ishte ta ndanit atë emocion me atin tuaj pranë?

     Ermira Babamusta: E vlerësoj këtë nder të lart si moment historik midis dy kombeve tona, sidomos me rastin e pavarësisë amerikane. I jam mirënjohëse dhe falenderoj senatorin Harry Reid, Presidentin Obama, Kongresin dhe Qeverinë amerikane. Falenderoj senatorin e nderuar Tom Harkin, i cili më dha mirënjohje para presidentit për shërbimin tim për sistemin demokratik, proçese politike dhe popullit amerikan (Arshiva Shtetërore, Rekordi i Kongresit Amerikan, 22 korrik 2003).

    Falenderoj gjithashtu dhe Kongresmenin e nderuar Mark Kennedy, i cili na nderoi familjarisht për punën tonë demokratike, paqe dhe diplomaci. Shpreh mirënjohjen për ngritjen e tre flamujve  Amerikan në ndërtesën e Kongresit Amerikan (për mua, babanë dhe gjyshin tim) në 21 maj 2004. Po në këtë ditë u mbajt zi 1 minutë te Kongresi Amerikan për patriotin nacionalist Kastriot Cani (gjyshi im, veteran i luftës çlirimtare, ish-anëtar i Frontit të Rezistencës, nacionalist i dekoruar nga Kongresi Amerikan).

    Mbi të gjitha vlerësoj sistemin demokratik dhe të drejtësisë të qeverisë amerikane dhe mikpritjen e jashtëzakonshme të popullit amerikan, që më ka trajtuar si vajzën e tyre gjatë këtyre 15 vite në mërgim.

     Fillimet e miqësisë dhe marrëdhënieve shqiptaro-amerikane me familjen time dhe fisin “Babamusta” (nga ana e babit) dhe fisi “Cani” (nga ana e mamit) janë afro 100 vjet, që me hapjen e shkollës së parë amerikane në 1920 në Kavajë. Që në fëmijëri babai më ka ngulitur në mendje dhe zemër vlerat për drejtësi, demokraci, paqe, humanizëm, edukatë dhe të drejta njerëzore. Madje kur isha e vogël, teksa në shtëpinë tonë zhvilloheshin takime dhe vizita me zyrtarë të lartë dhe diplomatë, babai gjithmonë më konsideronte si të barabartën e tij dhe më angazhonte të diskutoja në çështjet në bisedë, gjë që ma ka zhvilluar intelektin dhe arsyetimin para kohe. Kur nuk kuptoja babai me qetësi më shpjegonte dhe më pyeste mendimin tim dhe pastaj më tregonte mendim e tij. Këto janë kujtimet më ëmbla për mua të fëmijërisë time. Kam qenë vetëm 10 vjeç përkrah babait në demonstratat e para për sjelljen e demokracisë në Shqipëri. Butësia, mençuria, drejtësia dhe humanizmi i tij sot janë veti që admiroj te njeriu – falë dashurisë, edukatës, kulturës dhe përkujdesit nga të dy prindërit e mi të mrekullueshëm.

     Si populli shqiptar dhe ai amerikan janë tradicionalisht dashamirës, fisnik, të paqes dhe lirisë. Shpreh mirënjohjen time të thellë për të dy kombet e mia. Nga Shqipëria mësova vlerat më të larta familjare dhe njerëzore dhe nga Amerika mësova vlerat më të larta demokratike dhe politike.

      Në vitin  2008 dhe 2012 ju keni punuar për administratën e Presidentit Obama si drejtoreshë, gjatë zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, duke pasur përsipër shtete kyçe gjatë fushatës si Florida, Ohio, Pennsylvania, Colorado, etj.. Si ishte rruga për të shkuar deri aty dhe cili është feedback-u që keni marrë prej kësaj eksperience?

     Ermira Babamusta: Në fillim të vitit 2008 u zgjodha (nga mijëra që aplikuan dhe u intervistuan) për specializmin për udhëheqje dhe organizim, zhvilluar nga Programi ‘Obama për Amerikën’ (Obama for America). Pas 2 muajsh trajnim më punësuan si organizatore e fushatës në Florida. Ka qenë një punë e jashtëzakonshme, zakonisht nga ora 7 e mëngjesit që bëja planet me kryesinë për organizim të popullatës e deri ora 2-3 e natës që hidhja shifrat e të regjistruarve për votim te sistemet e partisë demokratike. Kolegët e tjerë mbaronin zakonisht ora 10-11 të darkës, por unë kam një etiketë të mirë të punës dhe sakrifikoj gjumin për të kryer detyrën (edhe sot). Më pas më zgjodhën si drejtuese e ekipit (team leader) ku zgjodha 5 punjonës të mi për të organizuar Kuvendin Nacional të Partisë Demokratike. Këtu senatori Barack Obama pranoi nominimin në emër të Partisë Demokratike. Kuvendi u mbajt në gusht 2008 në Denver, Kolorado dhe pati 75,000 pjesëmarrës, një natë e paharruar për mua. Pas kësaj, më thirrën sërish në Florida, si drejtoreshë (GOTV director) të programit të votimit për organizatën ‘Obama për Amerikën”, ku punova deri ditën e zgjedhjeve në nëntor 2008. Pata përsipër 4-5 qytete duke mbikqyrur proçeset e votimit. Më vjen mirë që ekipi im siguroi fitoren e Presidentit Obama në zonat që kishim përsipër.

    Në zgjedhjet e 2012 isha e zënë me programin e doktoraturës por më thirrën sërish të marr pjesë në grupin “Trupi i Votimit”, për organizatën që tani quhet “Organizim për Amerikën” (Organizing for America), për fushatën elektorale të President Obamës. Këtu më zgjodhën si drejtoreshë për trajnimin dhe rekrutimin e vullnetarëve. Jetova në qytetin e Demokracisë, Philadelphia, Pennsylvania dhe kisha përsipër 2 zona. Para se të shkoja në Philadelphia, isha angazhuar në Ohio dhe W. Virgnia nëpërmjet organizatës dhe partisë demokratike.  Edhe në zonat e mija që kisha përsipër në Philadelphia, Presidenti fitoi shumicën e votave, falë punës së palodhur të ekipit tim.

     Qyteti i Philadelphia më ka lënë mbresat më të mëdha. Nuk e pritja të shikoja varfëri aq të madhe dhe të dukshme midis shtresave popullore. Si koncept, varfëria të duket se egziston jashtë Amerikës, por kjo eksperiencë më bëri të kuptoj rrethanat sociale dhe familjare të shumë minoriteteve amerikane, sidomos popullata zezake. Ishin këto minoritete, që edhe pse nuk kishin bukë për të ngrënë, ishin personat më përkrahës dhe më të flaktë për President Obamën dhe e shikonin atë si shpresa e tyre. Mësova nga këto familje thjeshtësinë, shpresën dhe mirësinë.

    A mund të na tregoni ndonjë episod të këndshëm gjatë fushatës me presidentin Obama dhe sa korrespondencë keni ju sot me Presidentin? Po me stafin Presidencial të Shtëpisë së Bardhë, që keni punuar gjatë fushatës, a i ruani lidhjet?

     Ermira Babamusta: Nuk më harrohet talefonata e parë që mora nga presidenti Obama për të më falenderuar ekipin tim dhe punën tonë në Florida në verën e vitit 2008. Kjo na dha dhe më shumë kurajo për punën tonë. Më gëzoi jashtë mase telefonata tjetër në 12 shkurt 2013, e cila ishte telefonata e parë që presidenti bëri pasi mbaroi fjalimin “State of the Union Address” gjatë rrugës për në Shtëpinë e Bardhë. Ishte nder të isha pjesë e kësaj telefonate, midis stafit të Presidentit, të Shtëpisë së Bardhë dhe zyrtarë të tjerë.

     Me administratën e Presidentit Obama dhe bashkëpunëtorët e mi ruaj lidhje shumë të mira dhe të forta. Në janar 2013 u ftova si mike nderi nga Shtëpia e Bardhë për Inagurimin e Presidenit Obama në Washington DC. Më la mbresa shumë të mira kur pashë flamurin shqiptar prezent te ceremonia e paqes e flamujve botëror, tek darka e organizuar “Global Peace Inaugural Ball”, ku isha ftuar, organizuar për zyrtarët e lartë dhe stafin e Presidentit për nder të festimit të fitores Obama-Biden.

     Sot jam aktive në organizatën joqeveritare që tani është riquajtur “Organizmi për Aksion” (Organizing for Action) që ka përsipër agjendën e Presidentit Obama dhe mobilizimin e popullatës amerikane. Në një video-konferencë në 24 korrik 2013 Presideni na falenderoi për punën tonë dhe foli për principet e shtet-ndërtimit amerikan dhe u shpreh “nëse punon shumë ecën përpara”. Më pas presidenti foli për platformën e tij politike dhe ekonomike. Dy herë në muaj kemi përmbledhje politike zyrtare (official policy briefing) ku bisedojmë dhe vendosmin prioritet për përmbushjen e agjendës së Presidenit.

     Ju jeni angazhuar që në fillim të viteve ‘90-të për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës, nëpërmjet lobimit të kësaj çështjeje edhe në Kongresin Amerikan në vitin 2004 me ish-sekretarin e shtetit, Colin Powel. Si e kujtoni atë ditë dhe cilat janë misionet dhe hulumtimet e tua sot, të cilat kontribuojnë në afirmimin e kombit të Kosovës?

     Ermira Babamusta: Në 2004 marr pjesë në seancën legjislative të Shtëpisë së Bardhë te Kongresi Amerikan në Washington DC, ku dha fjalimin Sekretari i Shtetit gjatë presidencës së Bushit, Colin Powell (Address to the U.S. Cogress, 2004). Në këtë kohë unë punoja për kongresmenin Kennedy, në funksionin legjislativ për punë të jashtme. Në fund të seancës ku pati kohë për komente dhe pyetje, iu drejtova z. Powell duke e falenderuar në emër të babait dhe Shqipërisë për ndihmën e Amerikës për kontributin që dha ai për çlirimin e Kosovës. Z. Powell u prek në zemër nga guximi dhe përzemërsia ime. Më ftoi t’i afrohem, më përqafoi dhe më puthi në ballë para senatorëve. Ky gjest u prit me duartrokitje dhe brohoritje nga salla. Z. Powell shprehu vazhdimin e përkrahjes nga ana amerikane për shqiptarët dhe Kosovën.

     Si e shihni marrëdhëniet diplomatike mes Kosovës dhe Serbisë?

     Ermira Babamusta: Lavdëroj Kosovën për normalizimin e marrdhënieve midis dy vendeve, për hir të paqes, zhvillimit të vendit dhe rajonit. Një kulturë shumë fisnike që karakterizon popullin shqiptar, që edhe pse kemi vuajtur si popull nëpër lufta dhe masakrime për tokat shqiptare, (pika strategjike për botën), si popull kemi shpirtin e paqes, duam demokracinë, kërkojmë zhvillim dhe jemi popull human.

    vijon nesër