Ermira BABAMUSTA: “Kam shumë pasione në aspektin huaman, që kanë të bëjnë me zhvillimin e shqipëtarëve”

    415
    Sigal

    vijon nga numri i djeshëm

    Si e shihni marrëdhëniet diplomatike mes Kosovës dhe Serbisë?

     Ermira Babamusta: Lavdëroj Kosovën për normalizimin e marrdhënieve midis dy vendeve, për hir të paqes, zhvillimit të vendit dhe rajonit. Një kulturë shumë fisnike që karakterizon popullin shqiptar, që edhe pse kemi vuajtur si popull nëpër lufta dhe masakrime për tokat shqiptare, (pika strategjike për botën), si popull kemi shpirtin e paqes, duam demokracinë, kërkojmë zhvillim dhe jemi popull human. Nuk është e lehtë të pajtosh dhe falësh njeriun që të ka shfarosur familjen dhe pritja urretje nga kosovarët gjatë vizitës time të parë në Kosovë. Përkundrazi ndodhi e kundërta – më la mbresa natyra positive dhe paqësore dhe shpirti i shpresës i çdo kosovari që kam takuar. Kjo veti më ngeli në zemër dhe m’u shtua më shumë dashuria për popullin e Kosovës. Edhe pse kam lindur në Shqipëri, ndjehem shumë afër me Kosovën, sepse paraardhësit e mi të hershëm (ana e mamit) kanë prejardhje nga Canët e Dibrës dhe nga mikpritja madhështore dhe e përzemërt e kosovarëve në misionet e mia.

     Falenderoj Amerikën dhe Anglinë që kanë luajtur rol kryesor në bisedimet shumëpalëshe si dhe punën e përkryer të Ministrit të Jashtëm Hoxha, bashkë më Kreyministrin Thaçi, zv. Kreyeministi i parë z. Behgjet Pacolli, zv. Kryeminister znj. Edita Tahiri, Presidenten Jahjaga dhe liderë të tjerë. Si Kosova dhe Serbia synojnë integrimin në Bashkimin Europian. Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë përsipër platformën eurointegruese, duke u fokusuar në stabilitetin politik, zhvillimin ekononik dhe mbrojten e të drejtave të njeriut. Tani edhe Serbia duhet të tregojë që është një aleate e denjë europiane dhe ka të njëjtin synim paqësor dhe demokratik për proçesin integrues në BE, dhe plotësimin e marrëveshjes së 2013-tës. Është alarmues fakti që Serbia është vendi i dytë në botë me numrin më të madh të armëve zjarri. Edhe në marrëveshjen e 2013-tës, Kosova ka lëshuar shumë të drejta ligjitime për hir të stabilitetit dhe kujdesin për qytetarët dhe minoritet. Angazhimi i të gjithë klasës sociale në zgjedhjet e nëntorit në Kosovë është një hap i rëndësishëm i qytetarëve në fuqizimin e tyre.

    Cili është perceptimi i politikës së lartë Amerikane për demokracinë në Shqipëri dhe Kosovë?

     Ermira Babamusta: Amerika ka zhvilluar marrëdhënie shumë të mira me Shqipërinë dhe Kosovën dhe është aleatja me e fuqishme si politike dhe ekonomike që populli shqiptar ka. Pala shqiptare e respekton dhe vlerëson këtë miqësi dhe e forcon këtë lidhje me punën e përkryer të ambasadave shqiptare/kosovare në Washington DC, konsullatës në New York, disasporës në Amerikë (Vatra, Zëri i Amerikës, biznesmenë shqiptar, etj) si dhe ambasadave amerikane në Tiranë dhe Prishtinë.

     Në bisedime me diplomatë të tjerë europiane, jozyrtarisht ato kanë shprehur mosbesim tek demokracia shqipare dhe nuk mbajtë të njejtin perceptim të lartë si aleatët amerikanë, sidomos për hyrjen në BE.  Arsyeja tjetër është se pavarësia e Kosovës i frikëson për hapje problemesh etnike në shtetin e tyre. Për të ndryshuar këto perceptime duhet rritur më shumë niveli i standartit të jetesës si në Shqipëri dhe në Kosovë, të ketë më shume zhvillim ekonomik (kjo është parësore), dhe të ketë më shumë programe kulturore-edukative me Europën ku ato të mësojnë më shumë për historinë e lashtë shqiptare dhe kulturën tone dhe të ndërrojnë paragjykimet.

     Shqipëria dhe Kosova historikisht ka qenë interes për botën sepse ka tre burimet më kryesore nga ana strategjike, ushtarake dhe ekonomike: ujin, lokacionin dhe burimet natyrale. Luftërat historikisht kanë treguar që kush kontrollon ujin (detin) është  mbret. Mund të shfrytëzohet edhe më shumë për prodhimin e energjisë. Kështu për rajonin dhe lidhjet ndërkombëtare të dyja vendet, Kosova dhe Shqipëria janë të dëshirueshme për fuqitë e mëdha në interes për të krijuar aleanca. Këto pika kyçe Kosova dhe Shqipëria duhet t’i shfrytëzojë gjatë këtyre marrëdhënieve (dhe jo t’ia shesi detin fqinjëve!). Nëse shqiptarët dëshirojnë të rrisin rolin e tyre në arenën ndërkombëtare duhet të ndërtohen si fuqi ekonomike.

     Gjatë fjalimit të inagurimit Presidenti Obama tha, “kur kohët ndryshojnë, edhe ne duhet të ndryshojmë me kohën”. Amerika ka arritur të jetë sukses duke patur në funksion një sistem shumë të drejtë ligjor, demokratik, ku që nga qytetari i thjeshtë edhe deri tek më i larti ligji respektohet në mënyrë të barabartë dhe secili zbaton detyrën e tij. Për ato persona që shkelin të drejtat, atëherë ligji siguron ndëshkimin e tyre, pavarësisht nga pozita që mbajnë. Ky lloj sistemi drejtësie le shumë për të dëshiruar në sistemin shqiptar, që akoma bazohet në sistemin e ‘njohjes dhe miqësisë’. Edhe shqiptarët duhet të mësojnë të ecin dhe zhvillohen me kohën për të mirën e tyre, kombit dhe rajonit. Kjo duhet të jetë ndërgjegja kolektive e jona – të përdorim demokracinë për të mirën e të gjithëve, ku lideri i udhëhequr nga etika dhe idealet demokratike i shërben popullit (jo vetes). Filozofi gjerman Nietzche e interpreton rolin e sistemit social ku personi vetë merr përsipër përgjigjësi.

     Një shembull i suksesshëm ndryshimi është Turqia – ku për 50 vjet ka arritur të zhvillojë sistemin demokratik si dhe të kombinojë shoqërinë tradicionale të saj me atë moderne.

     Për Kosovën zhvillimi ekonomik duhet të jetë më kryesorja sepse zhvillimi i brendshëm bazor ekonomik mungon. Si të arrish të jesh para të tjerëve në aspektin ekononik? Ekonomia ka tre faza: (1) prodhimi, (2) shërbimi industrial dhe (3) zhvillimi i teknologjisë së avancuar. Nuk besoj se ekonomia në Kosovë ka kaluar/cekur fazën e parë. Gjatë vizitës time në Kosovë të vetmet prodhime që pashë ishin uji, birra dhe gurëthyesit. Edhe produktet e freskëta vendore që Kosova ka pas furnizuar tërë ish-Jugosllavinë janë ndaluar. Po vijnë prodhime dhe çmim të lartë nga shtetet fqinjë.

     Si arriti Amerika të jetë superfuqi në aspektin ekonomik? Amerika e kaloi fazën e prodhimit në Azi, për të ulur koston e prodhimi dhe rritur përfitimin e kompanive amerikane. Më pas shërbimet e industrive i kaloi në shtetet perëndimore. Tani është në fazën e tretë, ku po avancon teknologjinë për të mirë të ekonomisë dhe fushave të tjera.

      Si e shihni të ardhmen e vendeve ku jetojnë shqiptarët ( Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi).

     Ermira Babamusta: Më kujtohet një shprehje nga babai im i dytë në New York, Z. Shaqir Gashi, i cili ka qenë personi kryesor në forcimin e lidhjeve diplomatike/miqësore ShBA-Kosovë, “kur të bashkojmë kokat do bashkojmë tokat!”. Jam dakort me këtë qëndrim. Në këto momente përçarja midis shqiptarëve nuk lejon realizimin e këtij interesi kombëtar si dhe faktori ndërkombëtar. Kjo arrihet nëse shqiptarët fuqizohen ekonomikisht, rrisin rolin e tyre dhe bëhen kryesorë në arenën ndërkombëtare, atëherë mund t’i dalin zot bashkimit. Bashkimi është e realizueshme, me kalimin e kohës edhe perceptimi dhe interesat e botës ndryshojnë. Sot bota ka plot shembuj suksesi si federate, ShBA-ja duke qenë një nga federatat më të vjetra të botës. India me mbi 1.2 bilion popullatë funksionon si demokraci federale. Nëse arrijmë hyrjen e Kosovës në BE, atëherë një votë më shumë për shqiptarët për të zgjedhur çështjet dhe në trojat e tjera shqiptare, për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, dhe Çamëri.

     Çfarë nënkupton për ju termi ‘human’ dhe cilat janë disa nga punët e tua të rëndësishme humanitare që do t’i përmendnit këtu për lexuesit shqiptarë?

     Ermira Babamusta: Për mua suksesi, fama, paraja nuk kanë dhe aq shumë vlera. Nëse njeriu punon shumë (të paktën në Sh.B.A.), këto të treja janë rezultat i frutit të punës së personit. Por unë asnjëherë nuk nisem nga këto tre principe për të kryer diçka. Jam largpamëse dhe mendoj se si ideali i punës mund të kontribojë më gjerë në shoqëri ose sistem. Këto më interesojnë më shumë. Kam shumë pasione në aspektin human, që kanë të bëjnë me zhvillimin e shqiptarëve dhe vlerave kulturore/diplomatike/shoqërore në botë. Kam një plan me 10 pika/synime në këtë drejtim, të cilën do e realizoj gjatë karrierës dhe jetës time.

     Angazhimi im humanitar ka filluar që në Shqipëri, para se të vija në Amerikë nëpërmjet ambasadës amerikane dhe me trupat ushtarake amerikane “US Navy Seal” në shpërndarjen e ndihmave humanitare ndërkombëtare në jug dhe veri të Shqipërisë (1998). Mbaj mend për herë të para kur fluturova me helikopter në zonat malore të Shqipërisë ku ishte e pamundur shpërndarja e ndihmave me makina ‘jeep’. Në 1997-98 jam angazhuar me komisionin e refugjatëve të OKBsë (UNHRC) për stabilizimin e refugjatëve të  Kosovës në Shqipëri. Nga 1995-96 shpërndanim ndihma humanitare nga fondacioni Soros, në bashkëpunim me mission amerikan-austrian ‘Jeta e Re’.

     Librin që po përgadis për publikim për Kosovën, një pjesë e përfitimit do t’i dhurohet për mision bamirësie në Kosovë. Nga 2008-09 kam punuar për Programin e Shërbimit Komunal “AmeriCorps”, ku u punësova si vullnetare në Kryqin e Kuq në New York në bashkëpunim me Departamentin e Mbrojtjes dhe Policinë e New Yorkut, fuksion vullnetar ky për një vit. Gjithashtu kam ngritur fonde për realizimin e programeve arsimore – shkolla shqip në diasporë, programe kulturore dhe për të përkrahur artistët shqiptar dhe kosovar me projektet e tyre.

     Gjatë punës time në Kosovë kam mbështetur të drejtat e gruas, zhvillimin social dhe ekononik të tyre, si dhe zhvillimin demokratik/ekononmik të Kosovës në përgjithësi. Nëpërmjet gazetës time Prishtina Press kam nisur disa iniciativa në përkrahjte të shkrimtarëve dhe artistëve shqiptar kudo në botë.

     Momentalisht, shërbej në programin e shërbimit publik, nën mbikqyrje nga zyra e Presidentit, ku jam drejtoreshë rajonale për organizatën joqeveritare ‘Borgen Project’. Projekti Borgen e pati nismën pasi themeluesi i saj amerikan ndihmoi dhe përkahi refugjatët në Kosovë në 1999. Funksioni im vullnetar, pa pagesë në këtë punë është të zhduki varfërinë globale dhe të influencojë liderët amerikan për ngritjen e asistencës financiare dhe politke në punët e jatshme.

     Besoj njeriu duhet të jetë i sinqertë, i drejtë, të ketë zemër të pastër dhe gjithmonë mundohem të ve të tjerët para vetes – këto janë vlerat që karakterizojnë termin ‘human’. Si humanitare e shikoj veten në shërbim të njerëzimit, dhe i dedikohem të mirës së shoqërisë me angazhimet e mia. Shpresoj të sjell ndryshime dhe zhvillime sado të vogla të jenë në të mirë të humanizmit dhe paqes.

      Gjatë karrierës tuaj akademike dhe politike ju jeni hasur me emra të mëdhenj të politikës botërore. Cilët janë personat që ju kanë lënë më së shumti mbresa apo kanë ndryshuar kursin e idealeve të tua?

     Ermira Babamusta: Nga personat që kam takuar: Kofi Annan – për misionin e tij humanitar dhe paqësor; Caroline Kennedy (vajza e Presidentit John Kennedy)  – për diplomacinë dhe zgjuarsinë e saj; Senatori Joe Biden – për mbrojten e të drejtave të njeriut; Ibrahim Babamusta (nipi i gjyshit, mori titullin Medaljen e Artë të Perandorit Franc Ferdinandit të Austrisë, i cili më rriti në Tiranë në familjen e tij) – për themelimin e shkencave egzakte për kombin shqiptar dhe babai im, Neki Babamusta, e konsideroj si heroin tim që ka rrezikuar jetën e tij pavarësisht pasojat për të mbrojtur drejtësinë dhe lirinë.

     Kush është idhulli juaj në fushën e politikës, që do donit të binit në hapat e tij/saj?

     Për mua fuqia dhe pozita vjen dhe ikën, po ashtu edhe politikani – por ajo që mbetet pas është historia, kombi, trashëgimia që politikani le pas, këto janë të përjetshme. Prandaj nëse lideri shërben me zemër dhe mendje për interes të publikut dhe kombit ai do mbeten figurë e përjteshme e historisë. Për këtë arsye e shikoj rolin e liderit në përputhje me interesin e kombit – ai është funksioni i vetëm i tij. Kam takuar dhe punuar për shumë zyrtarë të lartë, dhe nuk më bën përshtypje kjo as nuk krenohem sepse e di këto zyrtarë qëndrojnë për vlera më të larta se veten e tyre – janë njerëz të thjeshtë me mission të lartë. Respektoj njerëz që kanë parime të larta për njerëzimin si zonja e parë Michelle Obama e cila ka zhvilluar me suksese dy iniciative për shëndetin e të rinjve dhe ka përkrahur familjet e veteranëve. Respektoj Presidentin Mandella, që tregoi se ndryshimi në botë mund të sillet edhe me verprimet e një personi të vetëm.

     Çfarë është familja për Ermirën ?

     Ermira Babamusta: Familja është baza e edukimit për të ardhmen e njerëzimit – në kujdesin e familjes që në rini individi influencohet të bëhet në të ardhme i dobishëm ose shkatërrues për shoqërinë.

     Prindërit e mi janë më të mirët në botë, edhe pse kanë hequr shumë dhimbje gjatë jetës së tyre, janë njerëzit më dashamirës dhe zemërmirë.