Ermal Meta triumfon në “Sanremo”, kantautori shqiptar fiton vendin e tretë

613
Ermal Meta fitoi çmimin e tretë në Festivalin italian të këngës, “Sanremo”. Në treshen finaliste ishte një ndër zërat më të mirë të muzikës italiane. Vendi i parë u fitua nga Francesco Gabbani me këngën, “Occidentali’s Karma”, vendi i dytë nga Fiorella Mannoia dhe i treti nga këngëtari shqiptar Ermal Meta.
Kënga e tij “E Vietato Morire” ishte konsideruar që në fillim të këtij festivali si një ndër pretendentët për fitore. Artisti shqiptar nga Fieri, i cili me punë dhe pasion mbërriti deri në skenën e madhe të “Ariston”-it, solli një këngë kundër dhunës në familje.

35-vjeçari Ermal Meta fitoi këtë vit edhe çmimin e parë për interpretimin e këngëve të vjetra italiane. Ai interpretoi këngën “Amara terra mia” të Domeniko Modunjos.
Ermal Meta ka nisur karrierën e tij me grupin Ameba e më pas me La Fame di Camilla, me të cilin qe paraqitur në Sanremo në kategorinë e të rinjve në vitin 2006, e më pas në 2010.
Prej disa vitesh ai po paraqitet si solist, por është shumë i vlerësuar për kompozimet. Ka shkruar disa prej këngëve më të njohura të Patty Pravos, Marco Mengonit e Giusy Ferrerit. Nuk kanë munguar edhe këngët në shqip që kanë zënë vend në albumet e tij.
Sigal