Erkand Qerimaj: Të shtunën hyj në garë, synimet nuk i kam ndryshuar

591
Nga Agron KAJA
PESHËNGRITJE-BOTËRORI/ Nga Anaheim i SHBA-ve, flet për “Telegraf” pretendenti për medalje, sot fillojnë garat për shqiptarët
Ka disa ditë që delegacioni shqiptar është nisur për në Anaheim, qyteti ku do të zhvillohen garat e Kampionatit Botëror të Peshëngritjes, meshkuj e femra. Për gazetën “Telegraf”, korrespondenca është mbajtur në rrjetet sociale me trajnerin e Erkand Qerimajt, Zef Kovaçin, njëherësh edhe me vetë peshëngritësin, të cilët dje kanë dhënë vetëm “OK”-in për gjendjen e tyre në kampingun ku janë sistemuar të gjithë delegacionet. “Atmosfera këtu është e mirë, ne po përgatitemi për garën. Sportivisht këtu ka stërvitje dhe regjim, ndërsa për synimet e mia këtu, unë ja u kam deklaruar në gazetën tuaj ditë më parë. Presidenti Gjoza ka qenë dje (të martën) në Kongres, foli edhe për Danielin (Godellin)”, kështu deklaroi dje Erkand Qerimaj për gazetën “Telegraf”, duke shtuar se të gjithë peshëngritësit e trajnerët shqiptarë janë të fokusuar më shumë në anë psikologjike të tyre. Më parë se të nisej në këtë Botëror, Shqipëria ka pasur një polemikë të madhe me Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë, e cila i refuzoi vizën Daniel Godellit, një nga pretendentët për medalje në këtë event. Për këtë refuzim, dje Presidenti i FSHP-së, Elex Gjoza, ka akuzuar organizatorët, duke e quajtur mungesën e Godellit, si të një pretendenti. “Vendit tonë do t’i mungojë në këtë botëror sportisti më i mirë, i cili është dhe një pretendent për titullin Kampion Bote. Ai është Daniel Godelli, të cilit iu refuzua viza amerikane. Kemi bërë të gjitha përpjekjet tona për të plotësuar dokumentacionin dy herë radhazi, madje patëm edhe garancinë nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve për kthimin e tij mbas pjesëmarrjes, atij përsëri iu mohua viza”, ka deklaruar Gjoza në diskutimin e tij 20 minutësh në Kongresin e IWF (Federata Botërore e Peshëngritjes), i cili u zhvillua një ditë para startit të garave. Dhe më e veçanta “alla-shqiptarçe” në këtë Kongres, ka qenë propozimi i Gjozës, i cili kërkon një garë ekstra në Shqipëri për Godellin, të njësuar me Botërorin. “Për këtë mospjesëmarrje të këtij sportisti, unë do të fajësoja Komitetin Organizator si dhe IWF-në. Ne i kërkojmë këtij institucioni që sportisti Daniel Godelli të bëjë një garë në Shqipëri, e cila t’i njihet duke e krahasuar me atë të Anaheimit”. Gjithsesi, nga korrespondenca me Erkand Qerimajn e trajnerin Zef Kovaçi, mësojmë se peshëngritësit tanë janë të fokusuar te stërvitja para garave, ku sot Evangjeli Veli në peshën 58 kg, është peshëngritësja e parë shqiptare që hyn në pedanë, në baterinë A. Nesër garon peshëngritësi Briken Calja, në baterinë A, pesha 69 kg, ndërkohë që tre peshëngritësit e tjerë garojnë në datë 2 dhjetor: Për femra, Romela Begaj në baterinë A, pesha 69 kg; për meshkuj Erkand Qerimaj në baterinë A, pesha 77 kg, dhe Krenar Shoraj në baterinë B, pesha 85 kg.
Për këtë mospjesëmarrje të këtij sportisti, unë do të fajësoja Komitetin Organizator si dhe IWF-në. Ne i kërkojmë këtij institucioni që sportisti Daniel Godelli të bëjë një garë në Shqipëri, e cila t’i njihet, duke e krahasuar me këtë të Anaheimit
Sigal