Erja Ago: Dashuria të lë pa gjumë, por dhe të jep dritën e jetës

698
Sigal

Intervista/Flet super modelja shqiptare & përfaqësuesja e Shqipërisë në “Miss Tourism Quin” 2013, Erja Ago

…Fillimisht ka qenë e njohur si balerinë, më pas si modele në shume sfilata mode, gjithashtu dhe figurante nëpër klipe të ndryshme muzikore. Po flasim, pikërisht, për 18 vjeçaren Erja Ago, e cila së fundmi u përzgjodh për të përfaqësuar Shqipërinë në eventin prestigjoz të bukurisë, “Miss Tourism Quin 2013”. Ajo është një ndër femrat më të bukura për t’u marrë shembull në edukatë, stil dhe veshje. Në një intervistë ekskluzive për “Telegraf”, bukuroshja super seksi Erja, rrëfen me detaje fillimet e saj në botën e modelingut, ambiciet, vështirësitë  në TV, sfidat profesionale, si dhe jetën private. Për më tepër ju ftojmë të lexoni intervistën e mëposhtme.

-Përshëndetje Erja, së fundmi keni përfaqësuar Shqipërinë në eventin prestigjoz “Miss Tourism Quin”. Ç’mund të na rrëfeni mbi këtë eksperiencë?

Po, e vërtetë, në fakt ka pak ditë që sapo kam ardhur në Shqipëri pasi isha pjesëmarrëse në Kinë për këtë event bukurie, ku përfaqësova vendin tim. Jam ndjerë mjaft krenare që u përzgjodha pikërisht unë për të qenë në mes të më të bukurave të gjithë botës, kjo gjë falë edhe eksperiencave të mia të mëparshme.

-A ka industri mode në Shqipëri, ç’mund të na thoni?

Në fakt e kam dëgjuar shpesh dhe më vjen keq, sepse e thonë pikërisht ata që ndërkohë merren me këtë gjë. Është mëse normale që s`mund të flasim për industri si vendet e botës, por gjithsesi edhe këtu ka shumë përpjekje për të arritur. Stilistë, modelë, fotografë, janë në gamën e modës, ku secili përpiqet në një mënyrë apo tjetër të sjellë diçka të re. Ndoshta, fakti është se shumë herë duke mos pasur dhe një edukatë mode shumë gjëra nuk perceptohen. Është më e thjeshtë të flasësh kundër, sesa të ecësh me hapin e kohës.

-Çfarë e bën një modele të jetë e suksesshme ?

Në radhë të parë e bën vetëm këmbëngulja dhe ambicia për të arritur aty ku ajo dëshiron. Është shumë e thjeshtë të bëhesh modele sot, por e vështirë të arrish suksesin dhe famën. Unë personalisht kam tre parime në jetë, të synoj më të mirën, të punoj me shpirt për ta arritur dhe më pas të shijoj atë çka kam arritur. Nuk duhet kurrë të kënaqesh me pak, gjithmonë duhet të kërkosh atë që meriton, edhe pse pak e vështirë në ditët e sotme.

Ndërkaq, le të kalojmë tek Martesat Gay, jeni pro apo kundër ?

Totalisht pro. Është viti 2013! Tashmë në jetë, në demokraci nuk ka pse të ketë tabu. Jeta shfaqet me të gjitha ngjyrat e ylberit.

-Përkufizo termin Dashuri ..

Dashuria … Dashuria çon botën përpara. Dashuria të lë pa gjumë, por dhe të jep dritën e jetës. Dashuria nuk duhet të mungojë kurrë në jetën tonë. Dashuria për familjen, për punën, për gjysmën tënde, për gjithçka !

-Pro apo kundër kirurgjisë plastike ?

Patjetër që pro, kjo gjë është në dëshirën e personit.

-Jeni për martesë apo bashkëjetesë ?

Sigurisht të dyja, duke ruajtur sensin e kohës.

-Jeta private, si po shkon?

Shkon shumë mirë ! Jam mëse e kënaqur. Po të jesh e kujdesshme, jeta ecën mirë.

-Pjata juaj e preferuar?

Supa me perime dhe rizotot e ndryshme.

-Projekti juaj më i afërt, me çfarë po merreni konkretisht?

Të jeni të sigurt që projektet e mia do jenë në nivele akoma më të larta, kam mësuar shumë deri tani dhe do t’i vë në zbatim. Jam korrekte me gjërat që dëshiroj t’i shtoj jetës sime. Më pëlqejnë shumë ngjyrat dhe do doja të eksploroja shumë në projektet e mia, që do të jenë gjithnjë pjesë e kulturës dhe artit.

-Stilisti & Fotografi shqiptar me i mirë, sipas jush ?

Janë të shumtë, por do të veçoj këtu Anila Konomin dhe fotografen e mirënjohur Fjoralba Maliqi.