Erisa Shehu përfaqëson Shqipërinë në Bruksel në aktivitetin “Your Europe Your Say”

750
Më 15 dhe 16 Mars është mbajtur një aktivitet në Bruksel i quajtur “Your Europe Your Say” (YEYS). Për këtë aktivitet u zgjodh një shkollë nga çdo shtet evropian për të përfaqësuar vendin e vet. Tre nxënës nga Tirana ishin pjesëmarrës midis tyre edhe Erisa Shehu në klasën X, e cila në një intervistë për Gazetën “Telegraf” na tregon më shumë rreth këtij aktiviteti. Ajo tregon se thelbi i këtij aktiviteti ishte, të dëgjohej zëri i rinisë evropiane dhe të tregonin se kanë ide të freskëta prej të cilave Evropa mund të përfitojë shumë.

Ju keni qenë pjesëmarrëse në një aktivitet të organizuar në kuadrin e Evropës së bashkuar. Cila ishte agjenda e këtij eventi dhe në cilin vend u organizua? 
Aktiviteti quhej “Your Europe Your Say” (YEYS) dhe ishte i organizuar në Bruksel, Brlgjikë. Këtë vit u trajtua tema “UNITED IN DIVERSITY: A YOUNGER FUTURE FOR EUROPEAN CULTURE – Can European Youth take European Culture to Heart?” Pra ishte në lidhje me kulturën dhe identitetin tonë si një shtet por edhe si një Evropë e Bashkuar. Ditën e parë u mblodhëm të gjithë nxënësit dhe u takuam fillimisht me njëri- tjetrin. Aty unë dhe miqtë e mi patëm mundësinë për të takuar njerëz nga shtete te ndryshme, me kulturë dhe tradita të ndryshme nga ato tonat. Ditën e dytë u mblodhëm përsëri dhe aty patëm mundësinë të punonim së bashku. Mbas një fjalimi nga Georges Dassis, presidenti i EESC, na u shtrua një çështje: “Unë dua që Evropa të jetë…” Secili prej nesh shkroi përgjigjen me vizionin e tij për evropën në një fletë dhe e mbajti të ngritur që ta shihnin të gjithë. Ky lloj demonstrimi u bë për të na ndarë në dhjetë grupe. Gjithë të rinjtë që kishin ide te përbashkëta u vendosën së bashku. Detyra jonë ishte të krijonim, të jepnim një propozim, i cili do ta lëvizte Evropën drejt asaj që neve na dukej ideale. Gjatë gjithë ditës ne punuam së bashku, duke u përpjekur të gjenim një propozim, i cili do të pëlqehej nga pjesëtarët e tjerë. Na u desh të konsideronim shumë faktorë. A është i mundshëm plani ynë? Nëse po, sa efektiv do të jetë? Mbas një dite të lodhshme, por produktive, u ulën me grupet tona në parlamentin e EESC dhe dëgjuam dhjetë propozimet me radhë. Në fund na u dha e drejta për të votuar për tre propozimet tona të parapëlqyera. Thelbi i këtij aktiviteti ishte të dëgjohej zëri i rinisë evropiane dhe të tregonim, se ne kemi ide të freskëta prej të cilave Evropa mund të përfitojë shumë.

Sa pjesëmarrës përfaqësonin Shqipërinë?
Tre pjesëmarrës përfaqësonin Shqipërinë. Unë Erisa Shehu (Klasa X), Joel Hallkaj (Klasa X) dhe Diana Pasholli (Klasa XI).

Sa ditë zgjati aktiviteti?
Aktiviteti zgjati dy ditë. Ne u nisëm për në Bruksel mëngjesin e datës 15 Mars dhe në darkë patëm aktivitetin e parë së bashku. Në datën 16 u krye aktiviteti kryesor, pra ai në të cilin në dhamë idetë dhe opinionet tona, dhe në datën 17 u kthyem në Shqipëri.

Si u gjende ti në këtë aktivitet? 
Në dhjetor shkolla shpërndau disa letra, të cilat njoftonin në lidhje me këtë aktivitet. Në letër shkruhej se çfarë do të bënim dhe kushtet të cilat duhet të plotësonim. Disa nga këto kërkesa ishin; mosha mbi gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe anglishtja e rrjedhshme. E vetmja gjë që duhet të bëje ishte të shkruaje një paragraf duke shpjeguar se, pse ti ishte i aftë për të marrë pjesë në këtë event dhe se çfarë do të mësoje prej tij. Unë e dorëzova paragrafin tim një ditë mbasi kishim marrë letrën dhe pas disa ditësh më erdhi konfirmimi për pranim. Në shkurt ne patëm një vizitor nga EESC, i cili bëri një prezantim në lidhje me kulturën dhe Bashkimin Evropian para nxënësve të shkollës sonë. Unë dhe dy shokët e mi gjithashtu morëm pjesë në prezantim dhe patëm mundësinë të mësonim shumë gjëra të reja.

Si u ndje familja për pjesëmarrjen tuaj në një aktivitet kaq të rëndësishëm?
Familja ime u tregua shumë mbështetëse gjatë gjithë kohës dhe u ofruan të më ndihmonin me çdo gjë. Muaj përpara se të niseshim, kalova shumë kohë duke mësuar në lidhje me Bashkimin Evropian dhe historikun e tij. Kisha pak frikë në lidhje me aktivitetin, pasi nuk kam marrë kurrë pjesë në një organizim të tillë. Ishte familja ime ajo që më bindi, se gjithçka do të shkonte më së miri dhe ata ndiheshin shumë krenarë për mua. Mësova shumë gjatë këtij aktiviteti. U njoha me kultura të reja dhe me njerëz nga vende, të cilat nuk i kam vizituar më parë. Ishte e pabesueshme se si u mblodhëm 99 studentë, të gjithë për të njëjtën arsye. Për mua ishte një përvojë e pakrahasueshme dhe jam shumë mirënjohëse që pata mundësinë të marr pjesë.

Intervistoi: Esmeralda Pirra


Sigal