ERE i bie shkurt, i drejton qytetarët në gjykata

    370
    Sigal

    Rikthimi i mbifaturimit të energjisë elektrike. Qytetarët ankohen për burokracirat e institucioneve shtetërore

    ERE nuk i përgjigjet ankesave të qytetarëve që kanë ndaj CEZ Shpërndarje, por i drejton në gjykatë. Këtë e tregon rasti i një qytetari nga Elbasani, i mbifaturuar nga CEZ Shpërndarje, që ka paraqitur ankesën e tij në Shoqatën për Mbrojtjen e Konsumatorit.

    Denoncimi i qytetarit te ERE

    Qytetari Qaqo Poçari, banues në L. “Labinot” të qytetit Elbasan, si çdo muaj ka marrë faturën energjetike në prill të 2014-s. Por këtë muaj familja e tij është përballur me një faturë shumë të kripur prej 99.000 lekësh të reja, pra shkurt qytetari duhet t’i paguajë gati 1 milion lekë të vjetra kompanisë CEZ Shpërndarje.  Në faturë, përveç faturimit të kilovatëve mujore, i është shënuar një dëm ekonomik prej 81.000 lekësh të reja. Duke mos kuptuar këtë shënim dhe për të kërkuar më shumë informacion ai është paraqitur pranë CEZ në Elbasan, ku nuk i kanë dhënë asnjë shpjegim pse kjo faturë. Të njëtën gjë ka bërë edhe pranë drejtorisë së CEZ në Tiranë, por dhe aty i kanë thënë që duhet të paguash, pa i dhënë asnjë informacion. Duke qenë se tregu energjetik është një treg i rregulluar në Shqipëri dhe Enti Rregullator i Energjisë ka si mision të tij mbrojtjen e interesave të konsumatorëve, qytetari i drejtohet këtij institucioni për të paraqitur një ankesë. Pasi z. Poçari ka paraqitur ankesën e tij te punonjësit e ERE-s, ata i kanë thënë se “…kjo procedurë mund të zgjasë një vit dhe më shumë, ndaj më mirë është t’i drejtohesh gjykatës…”. atëherë, çdokush, pas kësaj përgjigje, ka të drejtë të pyesë se cili është funksioni i ERE-s? Pse ky ent rregullator në fushën e energjisë nuk përmbush misionet dhe detyrat e veta? Ku duhet të përplasen qytetarët në të tilla raste? “Në gjykata”, i bie shkurt ERE.

    Ankesa në SHKSH

    I gjendur në udhëkryq, qytetari Poçari është paraqitur te Shoqata e Konsumatorit Shqiptar. Ai ka përshkruar të gjitha hapat që ka ndërmarrë (të shprehura më lart) për të paraqitur ankesën e tij. “Ne si familje kemi kohë që jetojmë në Tiranë, sepse kemi djalin këtu që vazhdon universitetin dhe shkojmë 1 herë në javë te shtëpia në Elbasan, sa për ta ajrosur. Ne madje as ato kilovatët e shënuar nuk kemi si i djegim dhe jo më t’i kemi shkaktuar ndonjë dëm kompanisë CEZ Shpërndarje. Edhe matësat e energjisë as i shohim sepse janë një kabinë të përbashkët për të gjithë pallatin. Ndaj si mund të kemi shkaktuar ne ndonjë dëm ekonomik? Për më tepër, me çfarë mund të paguajmë gjithë këtë shumë që na kanë faturuar? Dhe ajo që na shqetëson më shumë është se nuk kemi ku të ankohemi, pasi asnjë institucion shtetëror deri tani nuk na kanë dhënë zgjidhje” shprehet në ankesën e tij qytetari elbasanas.

    Energjetika në kaos. Ja punësimet nepotike të Kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës të OST-së, Pajtim Bello

    Heshtin të gjithë ata që kanë zënë postet drejtuese në administratën shtetërore. Pse nuk flasin sot ata që deri dje mbushnin mediat me skandalet dhe problematikat e shumta, duke dalë në mbrojtje të konsumatorit shqiptar?! (Paskërka qenë një shou mediatik!) I tillë ka qenë edhe z. Pajtim Bello, sot Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Operatorit të Sistemit të Transmetimit të energjisë (OST). Gazeta “Telegraf’ në përmbushje të misionit të saj për mbrojtjen e qytetarit shqiptar nga padrejtësisë, e ka mbështetur dhe i ka dhënë gjithmonë hapësirat e duhura z. Bello që të jepte opinionet e tij si ekspert i fushës për KESH, CEZ, koncesione etj.. Ndërsa sot, edhe pse skandalet vazhdojnë dhe abuzohet me qytetarin shqiptar, ai hesht. Ai hesht se akuzat e tij të djeshme për qeverinë që iku, mund të kthehen në një bumerang për të sotmen e tij. “Që prej 6 muajsh CEZ Shpërndarja është nën sundimin e klaneve politike e familjare të Sali Berishës. Kjo situatë e rëndë është rezultat i një bashkëpunimi kriminal kryeministri- Ministri e Ekonomisë- Bordi i Entit Rregullator të Energjisë dhe stafi i Administrimit Shtetëror të Sait Dollapit”, shprehet në një të përditshme vitin e kaluar z. Bello. Ai, (si shumë të tjerë, pasi ky nuk është rasti i vetëm), sot hesht, sepse ka futur në drejtoritë më të mira në administratën shtetërore, me fis e me farë (“me kuç e me maç”, siç thotë populli), njësoj si paraardhësit që ai akuzonte. Pse çfarë është shteti, monopol i këtyre personazheve?!

    Punësimet nepotike të z.Bello:

    Pajtim Bello – Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të OST-së

    Kushërira – te Ministria e Ekonomisë

    Vajza e kushërirës – te Drejtoria e Tatimeve

    Djali i kushërirës – Drejtor te Ministria e Energjetikës

    Nusja e vëllait të kushërirës – drejtor te CEZ

    Kunata e vëllait të kushërirës – Drejtoreshë

    Tezja e kushërirës – Drejtoreshë te Posta

    Burri i tezes së kushërirës – te Drejtoria e Doganave

    Krushku i vet – te Drejtoria e Transporteve në Ministrinë e Brendshme