Eqerem Kaja/ Agim Alibali, atdhetari që luftoi dhe mbrojti vendin e tij

    401
    Sigal

    Rridhte nga një familje patriote e Shkodrës, luftoi me armë në dorë për lirinë e vendit, por u ndëshkua padrejtësisht

    Sa më shpejtë që ikin vitet dhe njeriu rritet në moshë, aq më tepër e merr malli për shokët e miqtë, bashkëpunëtorët me të cilët lidhen kujtimet e mendjes dhe zemrës. Ka dëshirë t’i  kujtojë, t’i respektojë t’i nderojë, mandej të shkruajë për ta. Dhe unë po shkruaj sot për shokun e mikun tim Agim Alibalin, i cili mbushi 9 vjet që është ndarë nga jeta. Me të më lidhin shumë kujtime dhe ideale, më lidhte puna e bukur e ushtarakut, më lidh miqësia familjare, njeriu i mirë mbetet në kujtesën e atyre që e duan me gjithë zemër. Po shkruaj këtë portret, nuk e di bëj mirë apo keq, mjafton që të shkruaj ashtu si e njoh unë, si e njohin shokët në shoqërinë ushtarake e në jetën civile. Ashtu siç ishte në të vërtetë, të shkruaj për disa cilësi të karakterit te tij, për thjeshtësinë, shoqërinë, për përkushtimin ndaj kryerjes së detyrës që karakterizonte ndërgjegjen e tij të pastër. Në karakterin e Agimit dallojnë tre tipare kryesore: dashuria për familjen, për detyrën karshi atdheut, për shoqërinë. Këto cilësi e kanë bërë Agimin më të dashur, më të afrueshëm kudo, ku ai ka shërbyer. Agimin, e njoha në shtatorin e vitit 1957, kur ishte emëruar në repartin 1105 Tiranë, aty shërbente në organet e prapavijës, ndërsa unë në atë të tankeve, nuk e di çfarë e shtyu atë të më afronte me takimin e parë, por ajo që më afroi më tepër ishte sepse ne jetonim ballë për ballë në apartamentet e Moskatit Tiranë. Agimi rridhte nga një familje patriotike shkodrane me prejardhje ushtarake, babai i tij Sail Alibai, i shkolluar në shkollën e oficerëve Austro-Hungareze, shërbeu në ushtrinë mbretërore të Ahmet Zogut në disa qytete të Shqipërisë; në Shkodër, Pukë, Gjirokastër, Elbasan, Durrës, Përmet, por asnjëherë ai nuk u pajtua me politikën feudaliste të Ahmet Zogut.

    VUAJTJE PA FAJ

    Agimi, që në moshë të re mori pjesë në aktivitetet e grupeve ilegaliste komuniste në Shkodër dhe Tiranë, e më pas u rreshtua në formacionet partizane deri në çlirimin e Shqipërisë. Pas çlirimit përfundoi shkollën e oficerëve dhe shërbeu me devotshmëri në repartet e garnizonit të Tiranës, Durrësit, Burrelit dhe atë të Shkodrës, deri sa doli në lirim të parakohshëm. Por, jeta e tij nuk kaloi pa problem për shkak të dënimit të vëllezërve të tij, pësoi edhe ai goditjen e rëndë të pa drejtë, ai u lirua nga ushtria me një gjysmë pensioni që nuk i përballonte dot nevojat familjare, por edhe u survejua, u izolua nga miqtë, shoqëria ushtarake që e donte me gjithë shpirt. Ziliqarët, karrieristët, karagjozët, njerëzit e hurit dhe të litarit, e shikonin tani Agimin e familjen e tij si një familje tradhtare, gjë që nuk ishte e vërtetë, sepse familja e tij patriotike kishte dhënë shumë e më shumë kontribut për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit e huaj.

    PËRKUSHTIM NË USHTRI

    Agimi kudo që u caktua me detyra nuk e kundërshtoi urdhrin e largimin nga Tirana, por punoi me përkushtim në sektorët e teknikës luftarake, ai krijoi një shoqëri ushtarake shumë të ngushtë që ia kishin zili të gjithë. Agimi ishte njeri masovik, ishte larg arrogancës e prepotencës ushtarake, vartësit e tij pse jo dhe eprorët ushqenin dashuri dhe respekt për të, sepse ishte njeri i thjeshtë i çiltër, të mirën dhe të keqen ta thoshte në sy. Ndihmonte vartësit në punën e tyre, por siç e theksuam edhe më lart, servilët ia nxinë jetën e tij dhe të familjes. Po ashtu lirimi i tij nga ushtria ishte i padrejtë, pa një motiv, pa një argument, organet eprore të ushtrisë nuk e gjykuan me objektivitet, ai as ishte kundra parimeve e vijës të partisë në pushtet. Por segmente të veçanta të ushtrisë, partisë e pushtetit në fuqi nxisnin elemente mediokër që familjet e mëdha patriotike, atdhetare, intelektuale t’i godisnin e t’i largonin  nga postet e idealet e tyre për të cilin kish kontribuar.

    KUJTIMET PËR AGIMIN

    Shpesh herë e takonim kur ai doli në lirim, ishte shumë i dëshpëruar, i vrarë në ndërgjegje. Dënimin, thoshte Agimi, më tepër e kam nga shpifjet e shokëve që unë i kam ndihmuar me forcën e shpirtit tim.

    Megjithë dënimin që mori ai dhe familja nga regjimi i kaluar, me ndryshimet demokratike ai mbajti një qëndrim atdhetar e burrëror, nuk u pajtua me halabakët. As me dënimet (burgosjet) që bëri Saliu me figurat udhëheqëse të LANCL. Ai u bashkua, e punoi me shoqatën e ushtarakëve në lirim e pension deri në fund të jetës së tij. Për kontributin e tij gjatë LANÇ dhe mbas çlirimit, Kuvendi Popullor e ka nderuar me disa dekorata e medalje të ndryshme. Tani Agimi, ai veterani aq i nderuar dhe tregimtar i talentuar nuk jeton më midis nesh. Dhe ne e ndjejmë shumë mungesën e tij.

    MIRËNJOHJE

    Filozofi i madh, Sokrati ka thënë: “Njeriu nuk vdes kur mbulohet me dhe, por kur harrohet”. Por Agimi nuk ka sesi të harrohet as nga familja as nga shoqëria, e as eprorët me të cilët ka punuar, sepse ka lënë portretin e një njeriu atdhetar, patriot dhe i respektuar nga të gjithë. Ai iku nga kjo jetë, siç ikën kometa dhe lë pas gjurmë e dritë. Agimi do të ngelet si një emblemë e familjes, shoqërisë dhe popullit të Shkodrës. Ai ndërroi jetë më 19 qershor 2005 në moshën 75- vjeçare duke lënë në pikëllim bashkëshorten, djalin, nipat e mbesat, ai u përcoll me nderime nga shumë miq e shokë si dhe nga qytetarë të Shkodrës.