Eqerem CANAJ/ Nga takimet me shkrimtarin Shevqet Musaraj

    429
    Sigal

    Në këtë veprimtari përzgjedhëse të Akademisë së Shkencave, kushtuar shkrimtarit Shevqet Musaraj, në 100-vjetorin e lindjes, unë duke përfaqësuar vendlindjen e tij Matogjinin e Smokthinën, fshatra të krahinës malore të Vlorës, por edhe atë brez të rinjsh të cilët luftonin të shprehnin talentin në një prej fushave të artit, orvatem, shkurt, të sjell këtu kujtime e mbresa nga takimet e mia me të, çka mund të evidentohet, ca më mirë, jo vetëm veprimtaria e tij letrare, me kontribut e vlera të veçanta në lëmin letrar, por të zbulohet virtyti, si pjesë e dukshmërisë në shërbim të letrave shqipe.

    Përveç njohjes librore, përgjatë shkollimit tim, si dhe të thëna kujtimesh prej prindërve të mi, njohja  e përballtë me të ka qenë viti 1977, muaji qershor, në Vlorë. Nuk di në ç`mënyrë u vura në dijeni, por një mbasdite u takova në hollin e hotel “Adriatikut”. Personi që e shoqëronte ishte z. Sazan Xhelo. Të dy ishin të emocionuar dhe më shikonin me admirim, ndërsa qëndroja i befasuar përpara tyre. Në kafe, shkrimtari hapi çantën dhe nxori prej andej një libër: Revista “Nëntori” nr. 6, ma zgjati, duke më thënë: “Në këtë revistë, organ i L.Sh.A., juve u është botuar një vjershë me të cilën kini tërhequr vëmendjen e personaliteteve të letrave në Tiranë” … Ishte vjersha “Labi i vogël”, kushtuar Halim Xhelos.

    Ajo çfarë kuptoja, atëherë dhe më pas, nga takimet me shkrimtarin e shquar Shevqet Musaraj ishte: interesimi i vazhdueshëm për talentet në fushën e letërsisë. Ishte nga më të konceptuarit në këtë drejtim, krenohej e fliste me simpati për Xh. Spahiun … Sjell në kujtesë një problematikë ngatërrimtare të shkrimtarit H. Sinani. Shevqeti, në bisedë, shprehej se: është i ri i talentuar, ca i rrëmbyeshëm e kokëfortë …, por është i ri e duhet mbajtur afër, për të mos u rrëzuar.

    Një ndër herët, kur vija në Tiranë, e takova në kafen e hotel “Dajtit”, së bashku me një të huaj, sigurisht, s`e njihja. Më prezantoi përpara tij, sikur unë të isha një talent i rrallë i Letrave Shqipe, duke i folur me pasion për romanin tim të parë “Njeriu me nofulla të hekurta” Për më tej, i huaji  qenkësh shkrimtari turk Azis Nesin, i cili përdori drejtim meje një ligjëratë stimuluese. Aq më tepër, kur  unë i thash se isha mësues letërsie në një fshat dhe se në leximet letrare të klasave VI zhvillohej tregimi “Plaku prej bore” e se pëlqehej shumë. Unë nuk kuptoja, tamam, se kush ndodhej më i emocionuar në ato çaste. Vetëm një gjë arrija të nënvizoja: Shevqet Musaraj më trajtonte mua si të barabartë.

    Shevqet Musaraj e vizitonte shpesh vendlindjen dhe, vazhdimisht, sillte në ato skërka, ku sundonin malet e larta të Tartarit e Çipinit, poetë e shkrimtarë të zëshëm të cilët i njihte me atë natyrë të ashpër, me ata njerëz bujarë e gojë mjaltë, të këngës, gazit, po edhe të ironisë e sarkazmit popullor. Domosdo, krenohej dhe thoshte se vendlindja e tij ishte e pasur sa në tradita, po aq në humorin e hollë, gjë që, ai vetë i trajtonte si tipa e karaktere në veprat e veta letrare, në të cilat sot e kësaj dite ruhen figura të gjalla e plot freski, pse janë skalitur prej dore mjeshtri. Në shtypin lokal të viteve të fundit, duke spikatur mbi jetën e veprën e Shevqet Musarajit, shkruhet për vizitat e tij në Smokthinë – Matogjin: vizita me shkrimtarin Petro Marko, me Dritëro Agollin, me Fatos Arapin, ku ka folur për veprën “Dikush më buzëqeshte” të F. Arapit, për heroinën Qeriba Derri.

    Nga sa kuptoja nga marrëdhëniet miqësore me shkrimtarin patriot të atyre viteve d.m.th. pas v. 70, Sh. Musaraj ishte një militant i vendosur, por edhe një demokrat i heshtur, kur binte fjala për njerëz e vepra autorësh. Një herë bie në bisedë për poemën “Hanko Hallën” e A. Asllanit: I them, si është e mundur që ju të rimerni për trajtim një temë të A. Asllanit? Ai më shpjegoi qetë dhe bindshëm, duke vlerësuar veprën e A. Asllanit, thotë se vetëm kam zgjeruar – thelluar një pamje të veçantë të jetës aristokrate të shoqërisë së kohës, shtresat shoqërore antagoniste të përfaqësuara nga “Bujku i hankohallës” dhe më citoi vargje pasues. Po aty, më foli gjatë për personazhet tipike në veprën time: se “Njeriu me nofulla të hekurta”, si personazh tipik, përfaqësonte luftëtarin e lirisë, në atë luftë popullore. Po kështu, për mësuesin H., Laben e tj.

    Ç`tu shpjegoj? Para meje shkrimtari virtuoz ishte një mësues letërsie, i cili më mësonte se si mund të bëhej e si mund të pasurohej letërsia kombëtare edhe nga pena të reja, pavarësisht eksperienca, mjaft, ta njihje jetën: traditat, kulturën, historitë e vendit tënd, të shfrytëzoje traditën letrare të kohës, si pasuri, ndërsa teknika e të shkruarit, gjer në mjeshtri  artistike, do të arrihej në punë e sipër.

    Mbaj mend, dikur kishte në dorë veprën “Belxhiku që këndonte vençe”, mori shkrimet e mia, nisi redaktimin në disa faqe, duke më shpjeguar se çfarë mund të hiqej e çfarë mund të mbetej nga tërësia shkrimore që vepra të mbetej e qartë nga përmbajtja, e thjeshtë dhe interesante nga forma.

    Unë sot jam në një moshë, sa ç`ishte mosha e idhullit (Sh. M.), kur linte punët e tij të ngutshme e më kushtonte kohë, për tu bërë edhe unë, ndoherë si ay. Ishte ky akt shprehje dhuntie e njerëzve të rrallë. Kanë kaluar shumë vite, koha ka pasur të papriturat e saj, mjegullnajat motore kanë bërë të vetën. Po një gjë, një akt, ka mbetur i pandryshuar. Atje në jug, në qytetin bregdetar të Vlorës, para bibliotekës publike të qytetit, busti i bardhë i shkrimtarit virtuoz, Shevqet Musaraj, bën dritë. Gishti i dorës së majtë, vendosur mbi parientale, flet shumëçka: për të kaluarën, të tanishmen, ardhmërinë.

    Aktualisht, punoj e jetoj në qytetin e Vlorës, drejtoj Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, e cila është një grupim interesant shkrimtarësh, poetë e historianë. Veprimtaria krijuese e individit aty gjykohet në planin: sa dhe si vihet në shërbim të komunitetit. Dhe, kësisoj, punohet për gjallërimin e lëvizjes kulturore – artistike në komunitet. Prof. Dr. Bardhosh Gaçe ka qenë dhe mbetet një rregullator i punëve të mira, duke ndikuar në sensin cilësor të krijimtarisë letrare.

    Sjell në këtë konferencë përshëndetjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shoqatës “Petro Marko” dhe falënderojmë Akademinë e Shkencave për këtë angazhim serioz për veprën e Shevqet Musarajt, në 100 – vjetorin e tij.