Epopeja shpaloset e gjallë e vjen deri në ditët tona

    570
    Sigal

    Përkujtohet 136- vjetori i betejës së Lëkurësit

    Koha rrjedh pa u lodhur si gurë kilometrazhi qëndrojnë ngjarje e njerëz dëshmitarë të dramave historike të popullit tonë. Mbi trupin e atdheut tonë kanë fryrë vazhdimisht erëra të ftohta që kanë dashur ta rrudhin shpresën e ëndrrën e shqiptarit për liri. Labët e Kurveleshit janë gjendur vazhdimisht në mes të vorbullës, në qendër të sakrificave të panumërta për liri e dinjitet. Po le të klikojmë në kohë, në ngjarje, në portretet e paharruara të luftëtarëve… Historia flet pa ndrojtje… Kanë kaluar 136 vite, e beteja e Lëkurësit vjen në ndërgjegjen e labëve, të zhulatasve me një krenari të ligjshme. Aty kanë zbrazur pa kufi heroizmin popullor të çdo konaku, të çdo luftëtari pas thirrjeve të Idriz Pallevetëtimës. Një lajm ogurzi kishte dalë në Athinë. Koloneli vrasës Tritaqis i dënuar me pushkatim ishte falur dhe ai nën urdhrat e papublikuara ishte gjendur në ishullin e Korfuzit. Qeveria e Harlio Trikapit e harroi marrëveshjen e përbashkët me shqiptarët për të luftuar kundër turqve dhe në fshehtësi e pabesi, përgatitje ekspeditën famëkeqe. Vapori me tri luftanije luftarake ju drejtua brigjeve shqiptare. Në anije 800-900 moraite me artileri e topa ju drejtuan Sarandës së Bregdetit. Kurveleshasit dhe labët ndiqnin me ankth, por edhe me vendosmëri për t’i dalë zot vatanit në ato ditë të alarmuara. Kënga popullore u përhap si rrufe. Një vapor me tri gjemi Përdridhet si gjarpri/ Nëpër det si mal i zi/ Vështron vendin me dylbi/ Ku bie Lëkurësi/ Dhe Palo Piqerasi/ Do t’i djeg e do t’i bëj hi. Kishte nisur kënga e radhës, kënga e lirisë që nuk përmbante brenda saze dasme, por saze pushkësh e për dasmorë koka moraitësh greke. Në ballët e luftës u gjendën zhulatasit me Idriz Alidhimën. Kuçiotë, progonatas, nivicjotë, golemas e picariotë kishin zënë vendin cep me cep Pellgut të Delvinës . Trimëria mori dhenë… Kapedani zhulatas Idriz Alidhima kish lëshuar thirrjen: Kush është djalë në këmbë /të hidhet të zërë vend. Zëri i tij ushtoi në tërë fshatrat e Rrëzomës, në Delvinë gjer thellë në malësinë e Kurveleshit. E dëgjuan çobanëria kudo që ishin. Lanë kërrabat në sy të shtrungës, rrëmbyen martinat, mbushën trastat me fishekë dhe zunë shtigjet. I dëgjoi Rakip Delvina ,u përgjigj Myslim Gjoleka, foli Asim Zhupa e Bejo Gani, lajmëroi gatishmërinë Mhill Qiriaqi. Ditë të ftohta të shkurtit po shumë armë të bashkuara. Sa shumë luftëtarë. Vetëm çeta e Zhulatit numëronte 500 luftëtarë. Idrizi ish- zgalem që i lajmëron furtuna që po përhapej në ballin e secilit e në grykat e pushkëve. Ai kalon nga pozicioni në pozicion nga luftëtari te luftëtari. Hedh sytë në hapësirën e fushës së betejës kthen shikimin nga Zhulati i lashtë e i dëgjuar dhe përqafohet me luftëtarët. Puth grykën e pushkës e i drejtohet më të moshuarit Shain Boci e Feim Carcanit. Ata ju përgjigjën me të njëjtën monedhë, syrin pishë dhe zemrën zjarr.

     Epopeja shpaloset e gjallë e vjen gjer në ditët tona

     Kronikat e këngës e këngët e lindura në ballë të betejës ravijëzojnë djemtë e Kurveleshit e Zhulatit. Janë shumë e shumë, por të rënë në këtë betejë e kaluan numrin 80. Na flet Idrizi Sali Isufi, Musa Peci, Shahin Muhameti, Hasan Saliagari, Feim e Bako Carcani, Elmas Hazhiu, Iliaz Ahmeti, Hamit Carcani, Shain Memo, Sinan Gjurgji, Kasem Gjoni, Celo Celi, Majko Miho, Beshil Nini, Asllan Gjoca, Dervish Xhaferi, Merzan Gjoni, Muhamed Gjoca, Gjino Gjini, Sadush Kondi, Abedin Muho, Tafil Shabani, Hasan Cerepi, Abedin Muho, Maksut Basha, Xhelat Brahimi, Belul Prifti. Çdo gur, çdo ledh e çdo shpat ruan heroizmin e pashoq të zhulatasve. Kur dolëm te shkëmbi në majë, Idrizi me Feim Carcani dukeshin si dy sorkadhe dhe më tej është Elmazi me një këngë burri që lufton në këmbë. Pushka e bariut Elmaz Haxhiut ishte e para që u zbraz mbi maroitë. Çdo luftëtar bëri një epope e vitet nuk i fshehin, por i nxjerrin në dritën e diellit. Me sytë e mendjes sjellim në panteon nderimi Shahin Boçin që kënga e skalit. Shahin Boçi tha një fjalë/ O djem mos i lini të gjallë, se jam plak e s’kam takanë… E më tej Shahin djali, Shahin nuri/ seç u mbështet pas një guri/ Plagën me dorë çe zuri/ Gishtin në martinë e vuri. Ky është Shahin Muhameti që merr përmasa hiperbolike në ato ditë të lara me gjak shqiptari. Shahin Palla nuk u tunde/ E shtrive gunën e murrme/ Luftove e s’u përgjunje/ Shumë gjak u derdh ato derdh ato ditë, shumë këngë u kënduan në ballët e luftës se Idrizi , siç thanë bashkëluftëtarët,-para se të hidhej në sulm zinte nga një valle labe. Lëkurësi u çlirua, ata që deshën të vidhnin lirinë e shqiptarëve, ata moraitë që u shpëtuan plumbave, u mbytën në det, në panik. Pas mbeti lavdia e zhulatasve, pranë asaj të kurveleshasve, përbri kënga krenare: Djemtë e Zhulatit levendë/ Shkuan në luftë e s’u kthenë…

      Lavdia rivjen në vendlindje

    Janë ditë shkurti përsëri, por jo me dridhërimën e mbishekullit që shënoi epopenë. Kanë vendosur të vijnë përsëri zhulatasit e luftës së madhe, por në nderimin që kultivoi Shoqata Atdhetare AK “Labëria”, në vendlindjen e tyre. Zbresin ata në sheshin e fshatit, pranë shtatores së Idriz Sulit, i cili me shikimin e tij tejpamës pushton malet përreth. Po aq krenare komandant e luftëtarë me në krye Idrizin. Shumë nipër e stërnipër me krenarinë, për të parët e tyre që vijnë e trokasin në vetëdije e krenarinë e ngjallur . Mblidhen zhulatasit e larguar nga fshati, veprimtarë të Shoqatës “Labëria” nga zonat përreth. Mes tyre edhe drejtues të degës me kryetarin Ylli Muho, djalin e përkushtuar e të afirmuar pranë ngjarjeve e personave të Labërisë që vazhdimisht kanë bërë epokë. Lule e kurora në memorialin e luftëtarëve, por edhe atë të Idrizit të “sharteve” të Kanunit. Ata tashmë përbëjnë në sheshin e fshatit një ansambël që plotësohet vazhdimisht. Historia sa vjen e ulet këmbëkryq tek labët, tek njerëzit. Nën tingujt e “himnit të flamurit” parakalojnë Idrizin me çetat e mëdha me lavdinë e madhe. Të pranishmit mbajnë frymën, ndjekin apelin të dalin si dikur në Lëkurës. Njerëzit e tyre, fisi i tyre. Gjithkush e ndjen lavdinë e djeshme e kanë në zemër, e përcjellin në gjak. Dhe ata ashtu hijerëndë zbresin në këtë ditë, në këtë fshat të kalasë së lashtë, në këtë istikam të historisë. E përkujtimi merr përmasa më të mëdha kur djemtë intelektualë të fshatit Petrit Puli e Arben Shabani shpalosin faqet e historisë me një thjeshtësi domethënëse, me një mesazh kuptimplotë: “Ti përkujtojmë e të ruajmë amanetin e tyre. Kënga e grupit të të rinjve shpërndanë emocionet e polifonisë labe me bosht trimërinë e zhulatasve. Kësaj here lavdia e bijve mori trajektoren Lëkurës-Zhulat, atje ku u lindën e ku u rritën këta “Sorkadhe të pavdekshëm”. Mesazhi që marrin aty në Zhulatin e moçëm e të ri, merr rrugë për në Golem e Picar, Valare, Asim Zenel e Gjirokastër, atje, ku në muajin e luleve do të zbresë bujshëm Kuvendi i Pestë i Labërisë.

    Beteja e Lëkursit, 27 shkurt 1878

    Lufta turko-ruse përfundoi me Traktatin e Shën Stefanit (3 Mars 1878) dhe kjo gjë pati ndikim negativ mbi lëvizjen. Në 12 mars, përfaqësuesit e lëvizjes u takuan dhe shpallën bashkimin e Epirit me Greqinë. Menjëherë, arriti një trupë turke, e cila vuri nën kontroll gjithë Epirin. Duke parë që ishte e kotë, këto banda u tërhoqën në Greqi. Ndërkohë që, lëvizja në Radovizë  ende nuk ishte shuar, në 27 shkurt 1878, një bandë prej 150 vetësh zbarkoi në Sarandë. Këtyre iu bashkëngjitën edhe 700 vullnetarë të tjerë nga Korfuzi (përgjithësisht emigrantë shqiptarë), që komandoheshin nga kolonelët Llapa e Stefani (Jorgj Stefani ishte nga Qeparoi).  Siç thotë kënga:

    Të xhumanë që me natë,

    në Korfus, një koshullatë,

    shkruan e dërgon një kartë:

    Kush është djalë, më këmbë,

    të hidhet të zërë vëndë,

     se del greku në Sarandë!

    Të gjithë luftëtarët e krahinave jugore zbritën në fushën e luftës për të “mirëseardhur” komshiun e paftuar. Qëllimi kryesor dhe i vetëm ishte zmbrapsja e pushtuesit dhe mos lejimi i pushtimit të Sarandës dhe veçanërisht mbajtja e Kalasë së Lëkurësit.

      Skënder Korkuti, Gjirokastër