Epidemia e gripit/ 18 mijë të prekur në mbarë vendin, Artan Mesi: Situata alarmante, po shpërndahet vaksina

646
Sigal

Vendi ynë është përfshirë nga epidemia e gripit
tanimë, pasi në një javë rezultojnë mbi 18 mijë të prekur në mbarë vendin. Të
paktën kjo është shifra e pacientëve të regjistruar, por numri mund të jetë
edhe më i madh, pasi shumë qytetarë nuk paraqiten për të kërkuar ndihmën e
mjekut.

Shefi i Epidemiologjisë në Drejtorinë e Shëndetit
Publik në Shkodër, Artan Mesi, thotë se situata gripale është në rritje, edhe
për shkak të përhapjes së virusit, por edhe nga temperaturat e ulëta.

“Situata gripale është në rritje. Kurba e të
prekurve nga virozat gripale është shumë e lartë. Në Shkodër regjistrohen 700
raste në javë. Vetëm sot është raportuar për 100 raste në një qendër
shëndetësore. Në Shqipëri mbi 18 000 raste. Ka ardhur vaksina, dhe tashmë po
shpërndahen”, tha Artan Mesi, shefi i Epidemiologjisë në Drejtorinë e Shëndetit
Publik në Shkodër.

Virusi AH3N2 nuk është më agresiv nga virusi AH1N1
që qarkulloi në vendin tonë. Virusi ka prekur çdo moshë, por format më të rënda
i kalojnë fëmijët e vegjël, të cilët kanë tejmbushur shërbimin e urgjencës në
pediatri. Por, specialistët i kërkojnë të bëjnë kujdes të moshuarve dhe atyre
që kanë sëmundje.

Vaksina mund të bëhet në çdo kohë dhe mbron
popullatën nga format e rënda të gripit, pasi edhe pse ende nuk ka asnjë rast
humbje jete të konfirmuar në rrugë laboratorike deri më tani, gripi mund të
shkaktojë edhe vdekje. Nga ana tjetër, Instituti i Shëndetit Publik bën thirrje
për të shmangur ambientet e mbyllura dhe kujdes të veçantë ndaj higjienës, si
mos hedhja e facoletave vend e pavend apo larja e herëpashershme e duarve.

Sakaq, në masat e mara nga Ministria e Shëndetësisë
parashikohet që çerdhet, kopshtet e shkollat të qendrojnë mbyllur deri më 9
janar. Edhe Kryeministria njoftoi se deri të hënën do të ishin pushim edhe
punonjësit e administratës që kanë fëmijë të vegjël.