Enver Memishaj – Lepenica:Raporti i Havenit, shkoi në tavolinën e Presidentit Uillson

    420
    Sigal

     QAZIM  KOKOSHI (1882 – 1947), Prefekti që u dënua tre herë me vdekje për Shqipërinë dhe që  vdiq në burgun  komunist

    U lind në qytetin e Vlorës në vitin 1882, në një familje të njohur atdhetare.  Mësimet e para i mori në shkollën turke të qytetit, dhe më pas kreu gjimnazin “Zosimeja” në Janinë.  U angazhua në klubin atdhetar “Labëria”, i ndjekur nga turqit u arratis në Korfuz por turqit e dënuan në mungesë me vdekje.  Në vitin 1908, kur Ismail Qemali kanidonte në Vlorë për deputet Qazim Kokoshi u mor me organizimin, pritjen dhe shoqërimin e tij. Gjatë viteve 1911 dhe 1912 është një nga atdhetarët kryesorë për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, si përfaqësues i Vlorës, në Kuvendin e Gërçes dhe atë të Drashovicës. Ai është firmëtar i aktit të Pavarësisë Kombëtare.

    Më 1913, qeveria e Ismail Qemalit e emëroi prefekt në Lushnjë së bashku me kapiten Ahmet Lepenicën si komandat xhandarmërie, të cilët së bashku rritën territorin që administrohej nga qeveria e Ismail Qemalit.

    Në shkurt 1914, u transferua kryesekretar i prefekturës së Vlorës. Qazim Kokoshi është patrioti që jetën ja kushtoi vendit të tij. Kur në përfundim të Luftës së Parë Botërore, 1918, Shqipëria, sipas marrëveshjes së Londrës së 26 prillit 1915, ishte coptuar ndërmjet fqinjëve grabitqar, Qazim Kokoshi u gjend në ballë dhe në udhëheqje të lëvizjeve patriotike për të shpëtuar Shqipërinë.

    Në shtëpinë e tij Konsulli i SHBA në Torino, zoti Jozef Haven

     Në vazhdën e shërbimeve që ai i kishte sjellë vendit të tij, priti dhe mbajti në shtëpinë e tij Konsullin e SHBA në Torino, zotin Jozef Haven, i cili kishte zbritur në Vlorë në vitin 1919, i ngarkuar nga Presidenti i SHBA, Uillson, që ndodhej atë kohë në Konferencën e Paqes në Paris, të bënte një vizitë në Shqipëri, me mandat të Konferencës së Paqes, për t`i raportuar Uillsonit se çfarë duhej bërë me këtë vend të panjohur që quhej Shqipëri?

    Qeveria e Tiranës kishte caktuar për ta shoqëruar, Tefik Mborjen, sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë dhe ish- Ambasador i Shqipërisë në Romë. Mborja, që kishte pasur miqësi edhe më parë me Havenin, kreu një punë të mrekullueshme. Me të mbërritur në Vlorë, Haven hodhi poshtë ftesën e Gjeneral Piaçentinit, komandantit italian të qytetit për të qëndruar tek ai. U vendos në shtëpinë e patriotit Qazim Kokoshi, dhe më pas në shtëpinë e poetit Ali Asllani, që ishte edhe ky dhëndri i Qazimit, kishte për grua vajzën e tij.

    Jozef Haven, ra në kontakt me parinë e qytetit, e cila e bindi se nëse Italia nuk tërhiqej me dëshirë nga Vlora, problemi do të zgjidhej me luftë të armatosur. Haven mbeti i befasuar nga niveli i intelektualeve vlonjatë. Në gjuhët  italisht dhe anglisht, ata i ofruan atij një tablo të panjohur, por mjaft dinjitoze të vendit të tyre. Ai u befasua sidomos kur një delegacion i grave të qytetit e siguroi në italisht, se ato do të luftonin bashkë me burrat nëse bëhej fjalë për të çliruar Vlorën dhe atdheun.

    Raporti i Havenit

    Raporti i Havenit, shkoi në tavolinën e Presidentit Uillson, në Konferencën e Paqes në Paris dhe dihet se zëri i këtij burri të drejtësisë, shpëtoi kombin tonë nga copëtimi ndërmjet fqinjëve siç ishte vendosur në marrëveshjen e fshehtë të Londrës të vitit 1915. Lehtësisht  kuptohet se, Qazim Kokoshi dhe dhëndri tij Ali Asllani, kanë pasur një ndikim të madh, për të mos thënë ndikimin kryesor në hartimin e raportit real të Havenit, që shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi.

    Mbështetur në shërbimet e shquara që patrioti Qazim Kokoshi i kishte sjellë vendit të tij, veçanërisht në bashkëpunimin me Havenin, në janar të vitit 1920, Vlora e zgjodhi delegat në Kongresin e Lushnjës.

    Më 29 maj 1920, në Kuvendin e Barçallasë u zgjodh anëtar i Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare”, për organizimin dhe drejtimin e Luftës së Vlorës kundër Italisë.  Qazim Kokoshi u emërua prefekt më 15 qershor 1920, në Drashovicë, prej Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare”  dhe vazhdoi në këtë detyrë deri në fillim të vitit 1921, kur u zgjodh kryetar bashkie. Pushtuesi italian i dogji shtëpitë dhe e dënoi me vdekje në mungesë. Më datën 1.12.1920, prefekti Qazim Kokoshi ishte anëtar i delegacionit shqiptar që shkoi në Itali për të biseduar për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve. Atë e  zëvendësoi Xhafer Ypi deri më datën 10 dhjetor 1920, kur u kthye dhe priti në skelën e Vlorës Fan Nolin, i cili u prit nga populli me entuziazëm të madh. Në fillim të vitit 1921 u zgjodh kryetar i Bashkisë së Vlorës. Në zgjedhjet e 5 prillit 1921 u zgjodh deputet në Parlamentin e parë shqiptar.

    “Qazim Kokoshi ka vepruar gjatë Luftës së Vlorës 1920, si prefekt i Vlorës me qendër në Drashovicë. Këtë e di mirë  se prefektura e Gjirokastrës, ku unë isha sekretar i Përgjithshëm, kishte letërshkëmbim zyrtar”.

    Pas përfundimit të Luftës së Vlorës më 1920, Qazim Kokoshi nxori dhe drejtoi me shpenzimet e veta, në Vlorë gazetën atdhetare “Mbrojtja Kombëtare”[1]

    Në vitin 1922 deri në vitin 1924, ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës dhe në udhëheqje të Revolucionit të Qershorit 1924, në krah të Fan Nolit dhe Luigj Gurakuqit. Më pas emigroi jashtë shtetit dhe u kthye në Shqipëri i falur në vitin 1928.

    Në vitin 1932, së bashku me Seit Qemalin, Hysni Lepenicën, Murat Tërbaçin, Skënder Muçon, Myqerem Hamzarajin, etj., ishte organizator i lëvizjes së Fshehtë të Vlorës, kundër Ahmet Zogut

    dhe u dënua për herë të tretë me vdekje, që më vonë ju kthye me 101 dhe doli nga burgu në shtator të vitit 1938. Në prill të vitit 1939, Konsulli italian në Vlorë, Salvo Salvone i vajti në shtëpi me një shumë të madhe parash për ta bindur që të pranonte pushtimin italian.  Qazim Kokoshi i mori paratë dhe i kërkoi Kryetarit të Bashkisë Ali Asllani, që ta takonte me kundërshtarin e tij, Mbretin Ahmet Zogu. Shkoi në Tiranë i dorëzoi parat Mbretit dhe i tha që Italia do ta pushtoje Shqipërinë. Sipas kërkesës së Mbretit shkoi dhe e denoncoi përgatitjen për pushtim në disa ambasada të huaja në Tiranë dhe u arratis në Jugosllavi për t`i shpëtuar atentatit nga agjentura italiane. Nga Jugosllavia, pas kapitullimit të Italisë fashiste ai shkoi në Itali dhe në vitin 1946 u kthye në Shqipëri. Kishte luftuar dhe përfaqësuar Vlorën në çastet më të vështira të historisë së Shqipërisë për 40 vjet rresht, ishte dënuar tre herë me vdekje dhe u kishte shpëtuar turqve, grekëve, italianëve dhe serbëve, por komunistët e Vlorës e arrestuan dhe e dënuan me burg. Ai vdiq në burgun e Vlorës në tetor të vitit 1947. E gjitha familja dhe fisi tij atdhetar u persekutuan egërsisht prej komunistëve vlonjatë.