Enver Hoxha dhe Ahmet Zogu po ndajnë PD-në nga LSI-ja

567
Sigal

BERAT/ Flet veterani Skënder Mustafaraj: “Të paktën Enveri nuk shiti troje, nuk vodhi floririn dhe nuk tradhtoi vendin”

Që në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, grupe veteranësh u grumbulluan në ish-Shtëpinë e Ushtarakëve në Berat. Shumica e tyre mbante të vendosur mbi pallto dekoratat e marra gjatë luftës. Ashtu siç ishin të gjithë së bashku kanë marr rrugën për në Varrezat e Dëshmorëve të Luftës Nacional Çlirimtare për të përkujtuar 29 Nëntorin, Ditën e Çlirimit të vendit nga nazistët gjermanë. Si asnjëherë tjetër veteranët janë bashkuar dhe me spektrin e majtë, në këtë rast bëhet fjalë për Partinë Socialiste dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Të dyja forcat politike me përfaqësuesit e tyre kanë vendosur kurora me lule tek Varrezat e Dëshmorëve në shenjë kujtimi për ata që dhanë jetën e tyre për çlirimin e vendit. Ajo që ra në sy tek të gjithë ishte bashkimi më i fortë se herët e tjera midis përfaqësuesve të PS dhe LSI, të cilët në këtë festë vlerësuan datën 29 Nëntor për domethënien e saj. Ata shtrënguan duart duke treguar se janë për një vijë politike dhe së bashku vlerësojnë datat historike. Dihet që Partia Socialiste e ka vlerësuar gjithmonë këtë datë, por kohët e fundit edhe liderët e LSI-së kanë mbajtur së bashku me ta këtë qëndrim. Si përfaqësues i LSI-së ka qenë deputeti Nasip Naço. Në këtë përkujtimore nuk kanë marr pjesë përfaqësuesit e Partisë Demokratike, e cila si gjithmonë mban qëndrimin e vetë lidhur me 29 Nëntorin. Të pranishmit vendosën kurora me lule tek lapidari dhe Varrezat e Dëshmorëve. Kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi në fjalën e tij vlerësoi këtë datë si ditën e Çlirimit të vendit. Ai u shpreh: “Ne përulemi përpara këtyre djemve dhe vajzave që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë. Ata me gjakun e tyre ngjyrosën flamurin kombëtar”.

Veteranët

Kurora me lule vendosi edhe organizata e veteranëve dhe organizata e gruas si ajo e LSI-së dhe gruaja socialiste. Në këtë takim veteranët dhe përfaqësuesit e PS-së dhe të LSI-së kërkuan që të vlerësohet edhe figura e komandantit të luftës, Enver Hoxha. Ai sipas veteranit Skënder Mustafaraj  ka qenë një nga drejtuesit më të mirë në luftë si komandantë i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë. Hoxha ka meritat e veta si në luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare ashtu dhe në ndërtimin e shtetit shqiptarë. Ai drejtoi një shtet prej 50 vjetësh, ku ndërtoi hidrocentrale dhe zhduki malarien. Kjo qeveri sipas Mustafarajt në 20 vjet demokraci nuk ka ndërtuar asnjë hidrocentral, por ka shterur edhe përrenjtë. “Ne kundërshtojmë me forcë mohimin e punës së bërë në kohën e Enver Hoxhës, të cilit i hidhet baltë për atë që ka arritur”, tha veterani Skënder Mustafaraj.

Kërkesa

Organizata e veteranëve, përfaqësuesit e PS, të LSI si dhe politikanët e tjerë të Qarkut të Beratit kërkojmë që të vlerësohet figura e Enver Hoxhës ashtu siç është vlerësuar figura e Ahmet Zogut. Sipas tyre, nuk ka merita më të mëdha Zogu nga Enveri. “Të paktën Enveri nuk shiti troje, nuk vodhi floririn dhe nuk tradhtoj vendin. Ne nuk merremi me këto se kjo i takon historianëve, por ne nuk do të lejojmë që historia të politizohet në këtë mënyrë”, tha Mustafaraj për “Telegraf”.