Enver CAKAJ/ Mirë se erdhët në Therepel, por…

    675
    Sigal

    Ka një javë që telefonat bien. Andej nga Fieri kërkojnë të dinë, a vete autobusi në Therepel. Të njëjtën gjë bën Lushnja, Berati,Tirana, Durrësi… Enver Naskës i mbeti telefoni në vesh. Ish- partizanët kërkojnë shamitë, Enveri kërkon të dijë, a janë bërë hazërllëqet në Therepel. Kur do të nisemi e si do të nisemi? Është tamam si një dasmë. Mete Braçja, që s’para dëgjon nga veshët, pyet disa herë. Ai nuk i përket Brigadës së 16-të Sulmuese, po qejfi ja ka të vejë, sepse festa të tilla i sjellin ato vite që s’shlyhen kurrë. Mbi supet e tij rëndojnë 92-vjeç, por nuk do të dorëzohet. Orhan Frashëri me Thoma Meçen nga Fieri kërkojnë të vijnë një ditë më parë, por miku i tyre nuk  jeton më. Ndjejnë keqardhje. Sa do të vijnë nga rrethet e sa vendalinj? Përse u bë kjo pyetje? Fshati është shkundur. Ku do të drekojnë ardhësit? Skraparllinjtë nuk e kanë bërë kurrë këtë pyetje,po këtë herë janë zënë ngushtë. Nga Komuna e Therepelit vjen një lajm: Ne mund të mbajmë vetëm 40 vet! Çfarë ka ndodhur në Skrapar? Në traditën e tyre ka qenë vetëm derëhapja. Kishin apo s’kishin, mikun nuk e linin jashtë. Kush e varfëroi kaq shumë këtë popull bujar? Shikoj njerëz kokëulur e të vrarë në shpirt sikur janë nisur në varreza, jo në festë. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë, që t’u thoshin njerëzve: “Mirë se erdhët, por bukë s’para kemi t’u japim!”.  Kjo na kujton atë këngën e hershme: “Hani pini dhe kërceni,/Por nga pak, se s’para kemi. “E rëndë, shumë e rëndë për këta njerëz! Skrapari  ka mbajtur me bukë mijëra partizanë, kur magjet i kishin bosh e fëmijët lebetitnin për ngrënë. Në këtë të ashtuquajtur festë pamë një çudi që nuk e kishim parë. Mbi supet e ish-partizanëve pamë dy lloj shamish,gjysma përmbante mbishkrimet dhe ngjyrën e duhur, gjysma ishin ngjyrë rozë dhe pa asnjë mbishkrim! Kaq i varfër ky shteti ynë, xhanëm? Por duhet thënë,ky nuk ishte fukarallëku i shpirtit bujar të popullit të Skraparit, por mungesë organizimi. Populli i Therepelit, nuk kurseu gjakun e jetën e bijve të tij,jo të turpërohet për një copë bukë. Ata do t’i prisnin në shtëpitë e tyre sipas traditës,por prisnin një fjalë nga komuna, siç pritën 560 partizanët e kësaj Brigade të nderuar.    Sheshi përpara shkollës së Therepelit u mbush si ato ditët e luftës,por ata djem,që i prisnin plumbat në dorë, mungonin. Stafetën e kishin marrë në dorë të pjellët e tyre. Na bëri përshtypje një gjysmë buri, që mbante në gjoks tri dekorata lufte. E quanin Elidon Shehu, nipi i dëshmorit të Brigadës së 16-Sulmuese Hazbi Mustafa Beqiri nga Stamatica e Beratit. Nxjerr nga xhepi një fletore të zhubravitur dhe më zgjat. “Xhaxhai im është dëshmor, por nuk ka vdekur, e kam ruajtur në këto fleta”.  Hazbiu u vra në Çukas të Beratit tok me Liri Geron. Katilët e tmerruar prej tyre e kapën, e vranë dhe e dogjën Lirinë, por nuk dogjën dot idealet e saj dhe të gjithë shqiptarëve. Në atë fletore ishin ruajtur ato çka i përkisnin atij dëshmori,por na tërhoqi vëmendjen ky shënim: “Triska është e vlefshme për të gjithë pjesëtarët e ligjshëm të dëshmorit,si shenjë nderimi! Prefektura e Beratit 17.11.1947” Çfarë ishte kjo triskë? Shteti i atyre viteve,edhe pse i varfër,u dha triska ushqimi pjesëtarëve të familjeve të dëshmorëve. Ngjitur me triskën e shtetit, populli i thuri dhe këto vargje:

                                          Në mal të Çukasit,

                                          Luftë me gjermanë.

                                          Shokët po thërrisnin:

                                          “Para partizanë!”

                                          Por plumbi,Hazbi,

                                          Ty të paska marrë

                                          Përpara,o shokë,

                                          Çlironi vatanë!

    Ulur në një stol, një ish-partizan me emrin Myftar Kalluçi. I ka hedhur  sytë nga Qafa e Shkozës dhe vetëtimthi i zbresin lotët nëpër faqet e rreshkura. Çfarë kishte ky plak? “Jam 98 vjeç dhe i thashë djalit të më shoqëronte për të takuar shokët e mbetur,të çmallem edhe me këta njerëz,që na mbajtën me bukë e municione,se ku dihet a vij dot më. Por…kam ende një dhimbje këtu në shpirt! Atje,tek ajo qafa na u vranë  disa shokë,mes tyre edhe Gani Nivica. Nuk ishte në Brigadën tonë,por ishte trim. Por trimat s’kishin fund në Brigadën tonë. E kam para sysh Sadush Myftarin, më trim se trimat.” Plakun e lamë të përlotur e kështu do ta mbajmë mend, por ai sikur rilindi kur mori vesh se kjo Brigadë u shpall “Brigadë Heroinë”. Në atë heroizëm kishte dhe ai pjesën e tij. Mitingu kishte filluar kur nga një makinë e vogël zbriti një burrë eshtak që kishte mbushur gjoksin me dekorata. Mua m’u dukës sikur ato nuk ishin dekorata, por plumba lufte. Shkoi drejt e në foltore dhe u drejtua nga pjesëmarrësit: “Të më falni se këtu dola me iniciativën time. Më quajnë Mufit Alikaj dhe vij nga fshati Çorraj i Sarandës. Kam ardhur të përshëndes popullin e Therepelit, që na hapi dyert e i mbajti të tilla derisa mbaroi lufta, por dhe këta pjesëmarrës, që nderojnë luftën tonë!” Sa zbriti nga foltorja u ndodh përballë meje”. More mik, kemi patur ca shokë nga Therepeli në luftë, por mbaj mend vetëm Petref Therepelin, që ishte komandant në një Batalion. Për ata kam ardhur…”. Plaku u përlot kur mori vesh se ata nuk jetojnë më! Pastaj e pashë që u përqafua me Stefan Laskën, Neim Kajën, Seit Dervishin, të vetmin partizan, që jeton në Therepel…

    Therepeli ka historinë e vetë, që e ka shkruar me gjakun e djemve të tij. Ato ngjarje e beteja nuk humbën,por gjëmojnë ende nëpër arkivat e shtetit. Ky popull ka qenë gjithmonë në luftë,por ajo nuk e ka lodhur. Në Arkivin Qendror të Shtetit gjetëm këto dokumente:

              Mbretnia Shqiptare                               Berat,25.4.1942

              Prefektura e Beratit

              Nr.501/8

                                   Ministrisë Punëve të brendshme

                                       (Drejtorisë Personelit)

                                                       Tiranë

       Vijon telegrami jonë nr.501,7.3.1942. Informohemi me sigurie se sekretari i komunës së Therepelit, z.Memo Meto, për arsyet e parashtrueme me telin t’onë të sipërm, megjithëse, ka marrë edhe rrogat e disa muajve nga subensioni prej 2000 franga shqip, i lëshuem nga ajo ministri, tash vonë, ende nuk asht kthyem në krye të detyrës dhe  as që ka për të shkue e kështu në Therepel shërben vetëm kryetari i asaj komune. Çështja i referohet asaj ministrie për të disponue ose shkarkimin e tij nga detyra dhe emrimin e një sekretari tjetër…ose ta transferojë në ndonjë komunë tjetër dhe në Therepel të dërgohet një sekretar tjetër mbasi me një kryetar vetëm nuk mund të kryhen veprimet e komunës. Rilutemi një zgjidhje të shpejtë të çështjes.

       (AQSH) , dosja 2,fondi 204           Prefekti Hasan Alizoti

    Por Memo Metua e kishte braktisur atë vend pune sepse kishte dëgjuar krismat e pushkëve nëpër male dhe nuk kishte ndërmend të kthehej më në atë pushtet,që torturonte njerëzit e varfër. Këtë e tregon kjo shkresë, të cilat sa vinin e shtoheshin, sepse laku i pushtetit po mblidhej:

       Mbretnia Shqiptare                                             Tiranë 28.5.1942

       Drejtoria e Përgjithshme e policisë

       Nr.386                       Ministrisë së Punëve të Brendshme

                                                              Tiranë.

       Kuestura e Beratit me dat. 22 të k.m. na njofton se:Me rastin e fjalimit të federalit Luma për dhuratën e leshit,ndërmjet ndëgjuesve ndodheshin edhe disa qindra katundarë nga Skrapari. Në mbarimin e fjalimit të sipërm  katundatët: Isak dhe Sabri Mulla Baki,që të dy nga Spathara e Skraparit kanë bërtit duam bukë. Agjentat e S.B.karabinierët që ndodheshin aty rreshtuan të sipërmit. Populli  u shpërnda.

                                          Drejtori i P, i Policisë

                                          Theodor Stamati

       (AQSH) dosja 1707,fondi 152.

    Kush e harron atë 7 dhjetor të vitit 1942,kur forcat partizane shkatërruan komunën e Therepelit? Sa dëgjuan krizmat të gjithë therepelasit u bashkuan me partizanët dhe e eleminuan atë vatër krimi,që u kishte ngrënë shpirtin. Kjo ngjarje është pasqyruar nga kjo letër:

       Mbretnia Shqiptare                                             Berat 15.12.1942

       Prefektura Berat

       Nr.159/10

                                   Prefekturës Mbretnore Berat

       Kemi nderin t’u njoftojmë se në datën 7.12.1942 në mesnatë u largue karabinieria e stacionit Komandës së Therepelit mbasi është informuar se qe rrethuar prej çetave rebele. Mirëpo autoritetin e komunës si dhe sekretarin politik, (mësuesin e katundit) nuk i lajmëruam mbasi nuk patëm kohë. Të nesërmen në mëngjes,në mesnatë në komunën e Therepelit dhe në mëngjes, shkuon në stacionin e karabinierisë dhe shkatërruan të gjithë plaçkat që ishin brenda duke djegur të gjitha aktet dhe librat që kishte. Më vonë kërkuan çelësin e komunës dhe me të hyrë brenda pyetën,pse e mbani akoma fotografinë e N.M mbretit Perandor dhe të shkëlqesisë së tij Duçes,të cilat i morën dhe i grisën menjëherë. Në komunë gjë tjetër nuk trazuan.

       Në datën 11.12,1942 arriti fuqia qeveritare,të cilët u takuan me autoritetin e vendit dhe kërkuan çelësin e shkollës dhe të komunës për të fjetur ushtria dhe milicia. Mirëpo ushtria  dhe milicia në kohën kur autoritetet e vendit ishin bashkë me komandantët përpara stacionit  të komunës së karabinierisë,ata kishin hyrë brenda në komunë dhe i kishin thyer dyert me forcë dhe sirtarët e tavolinave dhe i kishin grisun dhe djegun  shumë dosje me akte, që kishin grisun e marrë pullat e monopolit që mbaheshin nga gjendja e arkës për nevojat e popullit. Veç kësaj kishin hyrë në dhomë fjetjen e personelit të komunës dhe të mësuesit të asaj qendre, ku muarën të gjitha rrobat e fjetjes së veshmbathjes dhe gjërat ushqimore që ndodheshin në atë dhomë. Prej ushtarakëve dhe milicisë,që ishin bashkë me ta përpos për sa u parashtruam, janë marrë edhe zhdukun edhe gjithë vulat dhe landë shkresurinat e zyrës së komunës.

                                          Për kryetar i komunës

              (AQSH) dosja 285, fondi 152               Alush Buntrid

       Në Therepel përfundoi festa e 70-vjetorit të krijimit të Brigadës së 16 sulmuese ashtu siç përfundoi, por neglizhenca e ndonjë të pakujdesshmi, nuk mund të zbehë kurrë traditën dhe idealin e këtyre njerëzve patriotë e zemërçelur, që nuk i kanë mbyllur kurrë dyert për djemtë e luftës dhe njerëzit e ndershëm. Ku ta dish, mbase në 85-vjetorin e ardhshëm, nuk do të përmendim më këto që ndodhën dhe mbetën në Therepel. Kur të fton skraparllinjtë zyrtarisht, derën e mban hapur. Dhe ata nuk i kanë mbyllur kurrë dyert e shtëpive pavarësisht se ua mbyllën të tjerët.