Enver CAKAJ/ Këndoni çupa, këndoni!

764
Sigal

Ato kanë kënduar përpara këtyre vajzave,por shumë herë me zë të ulët. Kështu ishin zakonet, ashtu do të bënin dhe ato. Këndonte Alije Qafoku, por brenda shpirtit të saj. Këndonte Konxhja, Kadeja, Sanija, Nurija, Bajamja, Dekua…, por vetëm brenda mureve, nëpër dasma. Vetë këndonin e vetë dëgjonin. Edhe kënga e atyre viteve kishte një kufi për gratë. S’kishte as radio as televizor, kënga e tyre ishte i vetmi argëtim. Po përse e kishin mbyllur të vetmin argëtim? Askush nuk ankohej. Liria e këngës erdhi vetvetiu. Nisi që nga shkollat e çau rrethimin. Nazime Gjineci i kaloi kufijtë e fshatit dhe rrethit. Pas saj vërshuan të gjitha. Ato nëna që këndonin heshturazi tani kanë vënë veshin e dëgjojnë këngën hazat të vajzave të tyre. Ne do të ndalemi në dy prej këngëtareve, Drita Qafoku nga Vërzhezha dhe Diana Ymeri Nga Munushtiri.

Drita Qafoku nuk ka kryer asnjë shkollë kulture, por ka një shpirt të kulturuar. Nuk i njeh parfumet, që llangosen gratë, por i mjafton ai pluhuri i tokës e pahu i rrushit për t’ja marrë këngës tel më tel. E ka pasion e s’mund të rrijë pa kënduar. Mos kujtoni se këndon nëpër ara e dasma për hesap të saj. Pasioni atë e ka ngjitur nëpër skenat e festivaleve kombëtare. Ndonjëherë ka kaluar edhe kufijtë e shtetit për të shpënë këngën e saj. Ajo është bijë nga Vërzhezha e Skraparit dhe martuar në Verzhezhë. Kënga e donte atë, po dhe ajo e donte këngën. Zakonisht vajzat bëjnë një pauzë kur martohen. Drita nuk ndenji gjatë pa kënduar. E kishte filluar këngën që në shkollën fillore. Atëherë mësuesit i studionin prirjet e nxënësve dhe diktuan,se Drita kishte zë për këngëtare. Ajo nuk mundi të vazhdonte dot shkollën,por këngës nuk iu nda. Atje,në Rosoveq, ku punonte ja merrte këngës pa menduar se një ditë do të ngjitej skenave të festivaleve. Hidh një kazmë e nis një këngë, korr një postaf grurë e ngjishe me këngë,ajo u bë këngëtarja më e pëlqyer në zonë. Nuk i njihte notat muzikore,por njihte dëshirën për t’u bërë interpretja e këngës popullore skraparase.

                           Diana Ymeri dhe Drita Qafoku

Ulej në Dypjak e Rripas duke kënduar, niste punën me këngë e kthehej në shtëpi me këngë. E  dëgjonin nënat e Vërzhezhës, kënaqeshin dhe e kurajonin: “Këndoni moj çupa, këndoni, se u ka lezet!” Në zonë u bë festivali i këngës. Drita mbante flamurin me atë zë aq melodioz. Bëhej festivali i rrethit, Drita ndrinte më shumë se të tjerat. Do të bëhej përzgjedhja për në festivale e takime kombëtare, Drita mbretëronte në këngë. Nuk i kishte shkuar mendja për vlerësime morale e materiale,por donte të kapte majat në rrethet e këngëtareve. Ajo kërkonte shoqe,që të kishin një zë,po dhe shoqet kërkonin Dritën,se këndonte si zogjtë gjithfarësh të pyjeve. Pas saj u radhitën Djana Ymeri, Afërdita Ibro, Zerdeli Qafoku, Edra Sulçe, Agimarta Mëno, Natasha Çeço… Skrapari u mbush me këngëtarë. Drita hipi për herë të parë në skenën e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës. Nga Kalaja e Gjirokastrës gjëmoj kënga e saj, “Moj nuse leshëra kurorë”.  Drita e ndoqi këngën pil më pil. Në Berat, në Sofrën Dibrane, në Deçan të Kosovës e në Turqi. Në Lushnje, ku u organizua Festivali i Valleve Kombëtare, Drita u ndje e befasuar. Çfarë kishte ndodhur? Ajo nuk ishte mësuar me vlerësime dhe u çudit kur i dhanë çmimin e parë si valltarja më e mirë. Tani Drita i ka hedhur sytë nga Gjirokastra. Po përgatitet për të marrë pjesë në Festivalin e ardhshëm. Këndo, moj Drita këndo!

                            Diana Ymeri dhe Agimarta Mëno

Përballë Vërzhezhës ndodhet Munushtiri. Kënga e Dritës dëgjohej deri atje. Por dhe Diana Ymeri,ajo vajzë e Vëndreshës, që ishte martuar në Munushtir, nuk qëndronte poshtë Dritës. Kënga e saj dëgjohej deri në Vërzhezhë. Ajo këngë i bashkoi nëpër festivale,ajo nuk i lëshoi nga veprimtaritë kulturore. Por as ato nuk e lëshuan këngën skraparase. Edhe Diana e nisi këngën që në shkollën e Vëndreshës. Këngë pas kënge, mori pjesë në festivalet kombëtare të fëmijëve në Fier. E vogël në trup, por vullnetmadhe në këngë. A e keni dëgjuar këngën “Të keqen moj baltë e kuqe?” Edhe malet drithëronin kur e këndonte Diana Ymeri me Edra Sulçen, e cila u vlerësua si kënga më e mirë. Sa herë kishte veprimtari kulturore në Vëndreshë,vinin i thoshin: “Bjeru përpara, o Diana!” Në të gjitha konkurrimet që përballej Vëndresha, do të ktheheshin me flamur. Në vitin 1988 Diana provoi të ngjitej në skenën e Festivalit të Gjirokastrës. Tok me Afërdita Ibron, një femër fisnike, kënduan këngën e famshme: “Të thashë e të porosita”. Kjo këngë u vlerësua me çmim të dytë. Por ajo që rrëqethi terë pjesëtarët e festivalit ishte kënga e kurbetit,që e këndoi me Zerdeli Qafokun. Dhe Diana nuk mungoi në asnjë festival kombëtar.

Ku ishte kënga ndodhej Diana Ymeri, ku ishte Diana ishte kënga. Pas këngës,që nuk pushonte kurrë, mblidheshin të gjitha, Eli Kaloçi, Klementina Demko, Natasha Çeço. Edhe këto ishin martuar,po nga kënga nuk u ndanë.Diana u bë kryezonjë e këngës. Mori pjesë në të gjitha festivalet kombëtare. Po a mund të priste ajo pesë vjet sa të vinte festivali tjetër? Këngën po e le të la. Mbase brenda rrethit kishte veprimtari të pakta, ku nuk mungonte, ajo e kërkonte vendin e këngës. Në Vëndreshë  u organizua një veprimtari kulturore e pagëzuar me emrin “Sofra vëndreshase”.E kishte pritur heshturazi këtë lajm. Vëndresha ishte vendlindja e saj dhe do të kujtonte ato rrugica, hije e panorama të bukura të fshatit të saj, ku u formua si këngëtare e si njeri. Pastaj i erdhi një ftesë nga “Oda dibrane” e Peshkopisë. Ishte dimër i rëndë,por kënga i shkrin dimërat. Vajti e këndoi në atë odë tradicionale. Dhe kënga e Dianës bredhëroi deri në Roshnik të Beratit e Turqi. Kënga humoristike aq e pëlqyeshme “Ik,o djalë, se s’të dua unë”, mbante flamurin në të gjitha këngët e saj,me të cilën u vlerësuan me Çmimin e Tretë.

                            Diana Ymeri dhe Afërdita Ibro

Festivali i radhës në Gjirokastër po troket në çdo derë këngëtari. Diana me Dritën e shoqe të tjera skraparase, kanë nisur përgatitjet. Ato janë të ndërgjegjshme,se diku e kanë cenuar këngën tradicionale të Skraparit. Këtë herë Diana do të bëjë një korrigjim. Në festivalin e ardhshëm ajo po përgatitet të këndojë këngën e Hysnie Agos, që ishte puro skraparase. E paçit jetën këngë, moj vajzat e Skraparit!