Enrieta Sina & Enton Zykaj/ Imazhi i thyer….

    430
    Sigal

    Autobusi po gjarpëronte në rrugën për në Butrint. Ne ishim një grup artistësh shqiptarë por dhe të ardhur nga shtetet fqinje. Diskutonim në gjuhë të ndryshme dhe në fytyrat e çelëta të artistëve dukej se pranvera kishte zbritur bashkë me aromën e mimozave. Prej aty, të huajt zgjasnin kokën për të parë atë pamje të qetë të atij qyteti bregdetar. Dikush përpiqej të fiksonte në aparatin fotografik një pamje. Zbritëm para portës së madhe, të hekurt të Butrintit antik. Roja e këtij objekti momentural shekullor, magjepsës dhe që të ngjall emocione të veçanta, doli të ish një i njohuri im. Dikur kisha punuar në një qytezë nga ishte dhe ai. U përshëndetëm dhe secili tregoi për ndryshimet e familjeve tona. Pas 90-ës ata ishin sistemuar familjarisht në atë qytet të bukur ku deti i paanë puth ëndrra dhe jep shpresa. Për ndonjë ishte e para herë që po e vizitonte. Me ne ishte dhe një vajzë bionde, që u ngjit me mua qysh në një takim të rastësishëm në Pallatin e Kulturës në Tiranë. Ajo shikonte herë të pranishmit dhe herë natyrën që dukej se përpiqej të shpërthente zemrën e saj në atë gjelbërim joshës. Sytë e kaltër të vajzës dukeshin të lëngëzuar nga një ndjenjë e brendshme që dëshirohet nga të gjithë por që ajo zbret në shpirtin tënd pa të pyetur si dhe pse, nga dhe ku…Deri para pak ditësh, atëherë kur u njoha me të, zemra dhe shpirti i Ledit dukeshin të zbrazur. Dikush, muaj më parë ia kish lënë një vatër bosh, në ndjenjën që kërkon flakë, kjo vatër mbante hi të ftohtë dhe asaj në momente të veçanta dukej se s’po i pëlqente më të ndizte zjarrin e dashurisë. Por ky udhëtim për secilin prej nesh ish i veçantë, emocionues dhe joshës. Edhe tani mendoj se ai po e bënte ndryshe atë, të reagonte, të kërkonte dhe të shijonte bukuri dhe ndjenjë. Duke zbritur nga autobusi, një djalë trupgjatë, flokë dhe sy të mëdhenj të zinj dhe shprehës, tipare shumë të rregullta, me vështrimin e tij shpues dhe djegës iu afrua dhe iu prezantua.

    “Po, kam lexuar diku vargjet tuaja…Ju shkruani lirika?, pyeti ajo natyrshëm.

    “Jo vetëm..Por kur ndodhem në momente të tilla, si këto të këtij takimi, lirikat mbeten në gishtërinjtë e mi dhe unë si për tu liruar prej tyre, i hedh, i hedh mbi letër për tu dhënë vetveten…Vajza buzëqeshi dhe sytë e kaltër i dhanë më tepër ngrohtësi asaj bisede.

    Aty në Butrint, të ardhurit nga Greqia , aktorë interpretuan një pjesë teatrale..Nuk më kujtohet nëse bëhet fjalë për letërsinë antike greke…Por as ajo vajzë dhe as ai djalë , që qëndronin si ne ulur në shkallët e amfiteatrit,nuk po përqendroheshin aty. Madje dhe unë kisha dëshirë të ndiqja dhe s’di pse, vështrimet e tyre, duke mos qenë shumë e vëmendshme në ndjekjen e interpretimit. Pas kësaj secili lëvizte duke ndjekur me kureshtje ndryshimet e bëra në atë vend muzeal dhe shumë antik.

    “Ledi!, thirri ai ndërsa vajza pothuajse po vraponte për të mbledhur lulet e sapoçelura.

    Ajo nuk iu përgjigj. Një herë kthehu kokën prapa dhe nxitoi… Më pas nuk e pashë më djalin në grupin e shkrimtarëve. Diku ish larguar dhe me siguri nga ndonjë shteg që të përballej me bjondinkën. Edhe në drekë, në një nga lokalet e rinj, ata u ulën bashkë në një tavolinë. Djali trupgjatë u përkul mbi bjonden dhe nuk e di nëse e puthi në faqe apo u afrua aq tepër si për t’i marrë erë…Por dhe ajo nuk iu shmang djaloshit… Dikush recitoi një poezi dashurie dhe ata të dy po komenton forcën e atyre vargjeve…

    Në mbrëmje të gjithë u sistemuam në një hotel në breg të detit. Unë mora dhomën numër 17 ndërsa vajza ishte në dhomën 22. Dyert e dhomave tona ishin pothuajse përballë. Një nga miqtë kosovarë kërkoi të pinim një kafe bashkë në një lokal diku jashtë, në bregdet dhe pranova me kënaqësi. Jam e dashuruar me detin.. Kështu ka ndodhur përherë me mua. Për detin dhe pas detit harrohem.. Mendja më shkoi sërishmi tek Ledi, poetja e re, që para dy javësh më kish treguar historinë e dashurisë së humbur që e kish munduar shumë. “Do të kalojë, i thash. Çdo moment në jetë i bukur apo i vështirë është kalimtarë. Nëse nuk vlerëson më shumë veten, atëherë humbja do të duket e rëndësishme… Njeriu në jetë riskon.. Largoje nga mendja atë njeri dhe mëso të vlerësosh ndjenjat e tua, jetën tënde. Kur i shikoja të dy bashkë, ndihesha mirë teksa mendoja se në një farë mënyre ajo vajzë po çlirohej nga një ëndërr e keqe..Do ta dëshiroja të ndodhte kjo për të. Në mbrëmje ata sërishmi po qëndronin bashkë. Ai nuk di pse i fliste dhe ajo më tepër pohonte në një përhumbje të herë pas hershme.

    “Libri juaj i fundit fare mirë, nëse do të kishe njohur një regjisor, mund të kthehej në një skenar filmi…Kam ndihmuar në Francë një shkrimtare. E prezantova me një mikun tim regjisor dhe nuk di, por puna mes tyre po shkon mirë.. Libri juaj ka shumë jetë, mesazh, ide të kohës…Nuk ju njihja, por tani po kuptoj që një njeri si ju mund të shkruaj vetëm vepra të bukura…Pastaj kosovari më foli për familjen e tij, djemtë që po rriteshin dhe një shoqe të afërt që i ndodhej pranë në momente të vështira të jetës. Me mendje po mendoja për Ledin. Ndofta dhe poeti nga Tropoja po ia lehtësonte sadopak gjendjen e rënduar shpirtërore… Ajo ish vajzë e përqendruar dhe e matur në veprime.., por kjo s’do të thoshte të çlirohej nga frenimet psikologjike që i bëjnë keq ndjenjës dhe mendjes. Bregut të detit kishin dalë dhe pjesëmarrës të tjerë të atij takimi. Dy prej tyre, një grua e re bjonde dhe një burrë nga Gjakova u ulën në tavolinë tonë. Diskutimet për artin ishin edhe më të gjalla. Na shoqëruar duke kthyer me ne një gotë birrë. Më pëlqente flladi i detit. Errësira i kish marrë kufijtë e tij por unë ndjeja se në një farë mënyre deti i qetë me gjithë përmasat kish hyre tek ne. Qielli xixëllonte nga yjet e shumtë. Shikoja yjet dhe mendoja për shpirtrat e pastër..Prej aty ata sigurisht shikojnë njerëzit më të dashur, ata për të cilët kanë mall. Ndofta diku aty do të ishin dhe shpirtrat e prindërve të shtrenjtë dhe motrës së mirë.

    U ktheva në dhomë rreth orës njëmbëdhjetë. Përballë vura re se dera e dhomës së Ledit ishte ende e hapur, por nuk mendova të shkoja dhe ta përshëndesja atë. Në atë orë? Sapo kisha fikur dritën kur dëgjojë një kërcitje të lehtë të portës përballë. Mendja më shkoi tek djali që e kish shoqëruar pothuajse gjatë gjithë ditës..”Mesa duket do ta kalojnë këtë natë bashkë, mendova. Dhe më erdhi mirë për Ledin, ndërsa kujtoja rrëfenjën e saj mes lotësh për dashurinë e humbur. Hapa derën e ballkonit dhe aroma e detit më puthi fytyrën dhe ëndrrat. Gjumi më zuri shumë shpejt. Të nesërmen në mëngjes dëgjova një të qeshur të shpenguar. Hap derën dhe shikoj Ledin me një vajzë pothuajse moshatare, brune dhe mjaft simpatike. Kureshtja bëri të sajën. Pyeta dhe mësova se ajo ishte shoqja e fakultetit të Ledit, Besjana.

    “Kemi kaluar gjithë natën duke kujtuar gjithë ato marrina, tha ajo.

    “Jeni nga Tropoja?, pyeta. “Po, po jetojmë këtu, në Sarandë. Mora vesh për Ledin dhe kaluam një natë të paharruar… Ledi më foli dhe për ju… Është fat të kesh miq të mirë në jetë. Në hollin e restorantit në një nga tavolinat vura re djalin simpatik, që po shikonte nga dera. Ai i ftoi vajzat të uleshin në tavolinë. “Eja në tavolinën tonë, më tha Ledi. Të katërt filluam të diskutonim për takimin e këndshëm të atyre tre ditëve. U njohëm me njëri-tjetrin dhe kjo nuk ishte pak. Ledi dukej më e shpërfillur nga ajo peshë zhgënjimi dhe unë e vura re këtë në fytyrën e purpurt, të hapur si një trëndafil në shpërthim. Rrezatonte nga një gaz i ri shpirti. Veshur me një bluzë të hollë me dekolte nga ku dukej gjoksi i saj i formuar dhe i kërcyer bukur, pantallona të bardha, tregonte një joshje para së cilës asnjë mashkull nuk do të qëndronte indiferent. Pse mos të thoja se Ledi ishte e bukur?! Djaloshi nga Tropoja duke biseduar me ne i kapi dorën dhe ia mbajti për pak çaste. Por dhe ajo nuk ia largoi. Vetëm buzëqeshte..O Zot! Sa shumë shkëlqim mbanin sytë e kaltër të asaj vajze. Për një natë më parë me fantazinë time kisha shkuar shumë larg. Nuk e mësova deri në fund se çfarë ndodhi mes tyre. Ishte vetëm njohje apo puhiza e detit u kish falur puthjet magjike..Dhe as nuk u bëra kureshtare të dija më tepër. Ajo që më pëlqeu ishte se pashë në sytë e Ledit një imazh të thyer të një tjetër kohe. Kur dolëm në bulevard, shumë pranë nesh frenoi një makinë. Prej aty doli një djalë që u takua me ne. Ishte i fejuari i Besjanës. Merrej me ndërtime dhe na ftoi të gjithëve për të kaluar drekën në një nga lokalet e rinj… Unë u shkëputa duke vazhduar bisedën e lënë përgjysmë me shkrimtarin nga Kosova, por dhe më pëlqente të qëndroja në shoqërinë e një poeteje greke. Në mesditë të gjithë u mblodhëm në stacionin e caktuar për kthim. Hapësira e atyre ditëve pranverore kishte sjellë pragje të reja plot çaste të bukura, qofshin dhe me grimca lumturie, por që kujtdo i bënin mirë. Kur po ktheheshim për pak minuta Ledi u ul në sediljen time. Më tregoi dy poezitë që kish shkruar një natë më parë dhe gjeta tek to një magji të re shpirti. /Deti hyri me yje pashuar/ Unë i mblodha dhe ia dhashë zemrës/ Ti solle qiellin e jetës tënde/

    Pelerinë e endur në ëndrrat e mia…/ Nuk po kujtonte asgjë nga biseda e bërë para dy javëve. Ajo ngjarje kishte shekuj që kish kaluar derisa shpirti dhe ndjenja po përjetoni një ëndërr të re.