Engjëll Sh. Zerdelia/ Miqve botërorë që na ndihmuan për lirinë ua kemi borxh nderimin

    469
    Sigal

    Kongresi Kombëtar i Lushnjës  dhe intelektualët botërorë që e ndihmuan atë

    “Kongresi Kombëtar i Lushnjës” nuk do të ishte i plotë pa  përmendur edhe ndihmesën e çmuar që i kanë  dhënë çështjes shqiptare disa përfaqësues të huaj,  veçanërisht ata anglezë e amerikanë,  në periudhën  para, gjatë dhe pas Kongresit të Lushnjës. Materiale të Prof. Skënder Luarasit për disa ngjarje të panjohura si duhet, na japin   një prurje të  re shkencore duke iu kushtuar vëmendja e duhur  mesazheve me vlera aktuale  të  librave të albanologëve Morton F. Eden e George F. Williams. Gjithashtu, jepen të dhëna të reja mbi jetën dhe veprën e  çiftit Kenedi si  misionarë të parë protestantë amerikanë në Shqipëri, të pasuar nga T. Erikson apo dhe  miqve të tjerë të nderuar me veprimtari të shquar në këtë periudhë si:  Aubrey Herbert,  Merry E. Durham e  gjeneral G. D. Phillips, të cilët përgjithësisht  nuk njihen sa e si  duhet ndër shqiptarët e sotëm. Nëpërmjet tyre   synohet të vlerësohen e nderohen  edhe të gjithë ata që kontribuuan për të realizuar dëshirën  shumëshekullore të popullit shqiptar për pavarësi dhe për  ideimin, themelimin,  ndërtimin dhe forcimin e shtetit sovran shqiptar. Kombi ynë këtyre miqve të paharruar  ua  ka më të madhin borxh, jo vetëm për  t’i përmendur, por  dhe për  t’i vlerësuar siç e meritojnë. Me këtë kontribut modest  kemi  rastin të shprehim me  fisnikëri, mirënjohjen dhe   nderimin tonë   kundrejt miqve   të shquar të huaj, të cilët me përkushtimin e tyre na  ndihmuan  të rilindim si komb, edhe   duke na i  shpallur vlerat tona të gjithanshme.

    Morton Frederick Eden (16.06.1865 – 02.01 1948) ishte djalë i vetëm  i  familjes fisnike britanike të   Charles Calvert Eden dhe Cecile Freiin von Sinner. Ai ndoqi traditën familjare duke iu përkushtuar   karierës në fushën e shërbimit ushtarak dhe  informativ. Në vitet 1916-1919 veproi në Korçë dhe më pas  në stafin e Gjen. George Fraser Phillips  (14.05. 1863-02.12.1921)  komandant i  trupave angleze në përbërje të forcave aleate me qendër në Shkodër, i cili shquhej  për tendencën e tij filoshqiptare, aq sa shprehej se  edhe Kosova duhej të përfshihej si pjesë e Shqipërisë. Kjo pasqyrohej  gjithnjë e më qartë edhe në  veprimet dhe informacionet që dërgonte   sekretari i tij Morton Frederick Eden  që  po ngjallte dyshim e pakënaqësi tek  partnerët  e tjerë të forcave  aleate. Sikurse shkruante një zyrtar britanik: “Gjeneral Phillipsi duket se mendon që Shqipëria është qendra e universit  dhe aksioni i tij i pavarur, në kundërshtim me porositë, shkon kund politikës zyrtare britanike…duke u bërë një promotor i fortë i nacionalizmit shqiptar”[1] .

    Personaliteti i Morton F.Eden  dhe   përkushtimi i tij ndaj çështjes kombëtare shqiptare shpalosen edhe në fondin  e Edit Durhamit në Institutin Antropologjik Mbretëror, Londër (Royal Anthropological Institute, 50 Fitzroy Street, London W1T 5BT, United Kingdom, Durham, Mary Edith “collection” MS 57). Atje gjendet edhe letra  që Morton F.Eden i dërgon në gusht 1920  kryeministrit Lloyd George mbi invazionin e trupave serbe në Shqipëri. Morton F.Eden ka kryer një veprimtari madhore për organizimin, mbrojtjen dhe informacionet  e çmuara që ka dërguar mbi Kongresin e Lushnjës që provohet edhe  më shumë nga kundërshtarët, të cilët theksojnë se  ai vepronte me ndërgjegje e jo pse ia kërkonte pozita e misioni si zyrtar britanik.  Në kontakt me popullin dhe  realitetin tragjik, shfaqi dhembshurinë e humanizmin  prej  miku  të  përkushtuar për shpalljen dhe mbrojtjen e të drejtave thelbësore të kombit shqiptar edhe si  anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Shoqërisë Anglo-Shqiptare, me kryetar Sir Aubrey Herbertin dhe sekretare Ms. Mery Edith Durham. Morton F.Eden  ka dhënë edhe një tjetër kontribut të çmuar, si albanolog,   me veprën   “Shqipëria: Pakënaqësitë e saj dhe origjina e tyre” (“Albania: its discontents and their origin”, 1920) Ky  libërth i përmendur në shtypin atdhetar të kohës dhe literaturën e huaj albanologjike për origjinalitetin dhe objektivitetin e mesazheve tepër domethënëse për vlerat dhe historinë e kombit shqiptar, përbën një  “xhevahir” i cili   ndriçon me nuancat e tij jetësore, vizionin, misionin, strategjinë, mendimin historik, politik dhe  diplomatik të kombit shqiptar. Ai i ndriçon popullit të thjeshtë dhe përfaqësuesve elitarë të tij shumë të fshehta dhe enigmën  e  madhe:  Shqipëria si ka qenë dhe si duhet të jetë, sipas këndvështrimit të  qarqeve  mike  dhe armike. Në veprën e  M.F.Edenit përshkruhet prejardhja  e shqiptarëve dhe europianizmi i tyre i natyrshëm, kontributi i tyre historik e kulturor në Europë, prapaskenat politike në vorbullat e luftës së parë botërore, ngjarjet madhore dhe personazhet kryesore  historikë, interesat që  mbajnë peng kombin shqiptar, ballafaqimi i platformës së Rilindjes Kombetare me politikat shoviniste antishqiptare, tendencat  e kombit shqiptar në rivalitetin midis Perëndimit dhe Lindjes, etj. Në vepër mbizotëron  mendimi  “…gjendja e pakënaqshme  në Shqipërinë e sotme, është  krijuar nga  fakti që nuk u është dhënë konsiderata e duhur aspiratave të popullit shqiptar për shkak të interesave të fuqishme që synojnë  prishjen e Shqipërisë.” Ndër shqiptarët qe ushqyer ndjenja që liria mund të fitohet vetëm me anën e forcës së brendshme dhe që ata të cilët mbështeten vetëm në mbrojtjen e huaj janë të humbur e të pavlefshëm. Kjo ndjenjë tani gjeti shprehjen në Konferencën e Lushnjës…Shqiptarët të ishin të gatshëm dhe me vendosmëri të bënin çdo kurban për të mbrojtur atdhenë.

    George Fred Williams (10.07.1852–11.07.1932) është një tjetër mik i shquar i shqiptarëve, i cili shkroi veprën  “Shqiptarët”, (“The Skypetars”) të botuar thuajse  në të njëjtën kohë dhe me të njëjtin qëllim dashamirës sikurse M.F.Eden. George Fred Williams njihet përgjithësisht si ambasadori amerikan që dënoi  masakrat ndaj shqiptarëve në Shqipërinë e Jugut dhe organizoi dërgimin e ndihmave për  muhaxhirët  në Vlorë. Por aktiviteti i tij shqiptarëve është shumë më i gjerë duke bashkëpunuar me organizatën “Vatra” dhe atdhetarët shqiptarë si Fan Noli, Faik Konica, Kristo Dako etj. Pasi qeveria greke e largoi  si ambasador nga Athina,  George F.Williams  organizoi në Amerikë, mitingje për të mbrojtur çështjen shqiptare.  Në një miting në  Boston, në nëntor të vitit 1915, ku morën pjesë  mbi 2000 veta ai tha: “Nuk vij të flas si mik i njerëzisë, por vij si mik dhe adhuronjës i racës shqiptare. Dashuroj Shqipërinë, dashuroj burrat e Shqipërisë, siç dashuroj Amerikën. Shqipëria do të jetë e lirë…Unë jam gati për çdo shërbim për lirinë dhe shpëtimin e Shqipërisë, edhe me jetën time…” G. F. Williams i ka cilësuar shqiptarët “Një popull fisnik”  dhe ka përshkruar veti të rëndësishme të racës shqiptare duke shprehur  detyrimin që ka Evropa dhe Shtetet e Bashkuara ndaj saj.   “Shqiptarët nuk kanë vetëm të drejtë t’i kërkojnë Europës drejtësi, por t’i kërkojnë asaj edhe dëmshpërblim. Europa e krishterë është e përgjegjshme për robërinë dhe varfërinë e popullit shqiptar. Unë mund të dëshmoj që me gjithë protestat e mija, Europa e krishterë është shkaku i eksodit të dhimbshëm të 100.000 fshatarëve që duhet t’i linin vatrat dhe pasurinë e tyre dhe të vinin si refugjatë në Vlorë ku ata do të vdisnin nga uria dhe sëmundjet, pa numëruar ata që janë pa ndihmë dhe mbështetje

    Aubrey Nigel Henry Molyneux Herbert (1880–26.09.1923) deputet ne Parlamentin Agleze dhe kolonel ne Luften e Pare Boterore, cilësohet “Miku më i madh anglez  i Shqipërisë”. Me influencën e tij mundësoi që Shqipëria  të bëhej anëtare e Lidhjes  së Kombeve më 17 Dhjetor 1920. Kush nga brezi i intelektualëve të viteve ‘30  nuk e mban mend  ish-bibliotekën e Institutit Herbert (me emrin zyrtar Biblioteka për Djelmërinë, apo Biblioteka Carnarvon).  Më 1939 iu dha goditja e parë nga fashizmi  italian: u plaçkit, një pjesë tjetër ia dogjën. Nën pushtimin gjerman biblioteka mbeti e braktisur. Goditja më e madhe  iu dha prej regjimit totalitar shqiptar kur  u shndërruan në Kinema “Ali Demi”, për t’ia shuar gjurmët përgjithnjë kontributit madhor  të miqve bamirës A.Herbert, familjes Karnavon dhe modelit kulturor anglosakson. Në kujtime A.Herbert  dëshmon: “U nisëm për në Durrës.  Atje ne u takuam me Zotin dhe Zonjën Kenedi që sapo ishin kthyer nga Dibra e Poshtme dhe ku serbët kishin djegur  shtatëmbëdhjetë fshatra,  ndërsa banorët e   tyre  po vuanin për bukën e gojës. Ata kishin patur një Konferencë  në  shtëpinë e Ahmet Bej Zogut, komandanti  i Matit, një djalë tetëmbëdhjetë vjeç. I  kishin sugjeruar  që të lexonte Shekspirin dhe të bëhej një ushtarak i zoti…”. Gazeta “Dielli” shkruante: “Në sesionin e mëngjesit të Këshillës, u leçitnë dhe letrat e miqve Inglizë, të Kolonelit Aubrey Herbert dhe Zojushës Edith Durham, të cilët interesoheshin për punët e Shqipërisë aqë sa dhe çdo Shqipëtar i mirë, dhe këtë e patnë provuar me punë kurdoherë që ish nevoja për çështjen shqiptare. [2] Mjafton të kujtojmë rolin e tij të jashtëzakonshëm në ndryshimin e kursit politik britanik ndaj shqiptaëve apo  si kryetar i Shoqërisë  Anglo Shqiptare.

     Phineas Barbour Kennedy (1868-1963) dhe Violet Bond-Kennedy (1869-1952), të mirënjohur në historinë e Shqipërisë  si  çifti Kenedi, apo Reverend dhe zonja Phineas Kennedy e Korçës, “janë misionarët e parë të huaj Ungjillorë, që u shpërngulën në Korçë me ndihmën e Misionit Turk-  Evropian”[3]  Ata mbërritën në Korçë më 26 mars 1908. Studjuesi   Iljaz Gogaj thekson rolin e tyre edhe në arsim:”Arsimi dhe pedagogjia amerikane e kanë zanafillën e tyre në Shqipëri që në vitin 1908, atëherë kur erdhi në Korçë çifti amerikan Violeta e Fines Kenedi”.[4]    Për periudhën dhe  rëndësinë e aktivitetit të tyre 30-vjeçar në Shqipëri, Violet e Fines Kenedi përfaqësojnë misionarët amerikanë më të devotshëm dhe më të suksesshëm me  rol të rëndësishëm edhe  në përkrahje të Kongresit të Lushnjës..