Ëngjëll Musai: Kur gjyqet popullore zëvendësojnë shtetin e së drejtës

540
Nuk ka asnjë mëdyshje, se Reforma në Drejtësi në Shqipëri ka dështuar. Faktorët dhe shkaqet tashmë dihen, pasi kjo reformë nuk ka si qëllim drejtësinë e vërtetë, por kapjen e kësaj drejtësie nga pushtetarët dhe qeveritarët që duan të emërojnë mbrojtësit e zullumeve të tyre dhe jo të interesave qytetare dhe kombëtare. Reforma në Drejtësi që po aplikohet në vendin tonë është një eksperiment dhe formatimi i këtij eksperimenti në llojin e vet në një vend të vogël si Shqipëria që ende ka të freskëta; drejtësinë e diktaturës dhe gjyqet e saj popullore, ku ende liria dhe gëzimi i saj nuk ka sjellë efektet e veta, mundet të sjellë ndryshime, por në mënyrë absolute nuk sjell përparim, sa kohë që në thelb këtu ende vota dhe zgjedhjet politike janë totalisht të korruptuara, dhe liria është e barasvlershme me paranë, trafikun dhe shteti mban nën mbrojtje apo fsheh ministrat që kanabizuan vendin dhe kanë lejuar për interesa të tyre trafikun e kokainës që arrinte në përmasa dhe shifra marramendëse. Aktualisht gjyqësori është në kolaps total, jo për arsye ligjore, por për shkaqe të vlerësuesve, kurse qeveria dhe kreu i saj është në kulmin e luksit për të bërë jashtë vëmendjes atë çfarë do dhe kërkon në kundërshtim të hapur me kushtetutën dhe ligjet ekzistuese. Sot nostalgjikët e diktaturës komuniste do të shohin shown e radhës, pikërisht në “Pallatin e Kongreseve” ku qytetarë, intelektualë dhe të pashkollë, të ndershëm dhe kriminelë do të grumbullohen, do dëgjojnë dhe do gjykojnë një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, njëlloj si dikur diktatura komuniste bënte në kinematë e qytetit apo sallat e ndërmarrjeve të klasës punëtore. Por shumë shpejt do të shikojmë se gjykata e Strasburgut do e penalizojë rëndë këtë gjueti shtrigash dhe kusuret do i paguajnë shqiptarët, pasi që të gjithë do të dëmshpërblehen deri në qindarkën e fundit dhe shumë shpejt do të rikthehen në vendet e tyre. Ndoshta, në këto salla dhe sipas atij modeli të diktaturës duhej dhe duhet të japin llogari qeveria, kryeministri, drejtorët, kryebashkiakët, pedagogët e korruptuar të universiteteve, policët e inkriminuar, koncesionarët, tenderaxhinjtë dhe të gjithë banditët që qëndrojnë pranë shtetarëve të inkriminuar. Ndaj sot “vetingu shqiptar“ , ky model nga më të veçantët, më i shëmtuari dhe unikali në botë, “pjellë e fondacioneve ogurzinj”, rihap sallat e gjyqeve popullore, ndërkohë që Shqipëria dhe bota e qytetëruar pret krijimin dhe vendosjen e Shtetit të së Drejtës. 
Sigal