Ëngjëll MUSAI/ 300 ditë dështime apo Rama i papërgatitur ?!

424
Sigal

 Kurrë nuk e kam parë dhe dëgjuar Edi Ramën më keq se sa dje, gjatë konferencës, e cila më shumë se një gosti dasme, i ngjante asaj të mortit. Ai  shquhet  për elokuencën, batutat dhe është padyshim, një njohës i mirë i psikologjisë së grupeve dhe turmës.  Por analiza e djeshme ishte një ogur jo i mirë, kur gjithçka më në fund e vetëpranoi kur deklaroi se më kërkoni llogari pas katër vitesh dhe jo tani që ka kaluar 1 vit. Por Kryeministri harroi të thoshte se pas 6 muajsh nis  fushata lokale, e cila së bashku me problematikat shqiptare të zgjedhjeve në tërësi shkon tre muaj para dhe 3 prapa me problem, të cilat e bllokojnë qeverisjen dhe administratën. Kjo do të thotë se, bashkë me pushimet sot një vit, do të jemi në të njëjtën situatë dhe atëherë Rama do thotë ka dhe dy vjet, megjithëse, kriza sa po vjen dhe po u shtrëngon çdo ditë litarin në fyt shqiptarëve, të cilët janë më të varfrit, por kanë edhe qeverisjen më të korruptuar në Ballkan dhe Europë. Por le të nisim atë çka deklaroi Rama në këtë analizë 350 ditore suksesesh  ose  suk(sex) it. Zoti Kryeministër, foli çfarë i vinte nëpër mend dhe as më shumë dhe as më pak, na kujtoi bisedat e kafeneve shqiptare . Madje, zoti Rama kur foli për bankat nuk harroi të thoshte se, ne si komb dhe si shqiptarë, vdesim për thashetheme dhe logje pazari, duke renditur Berishën si thashethemexhiun e parë. Sigurisht që, mirë bëri dhe ne nuk marrim në mbrojtje Berishën dhe “berishat” e tjerë që  shquhen  për shpifje dhe intriga. Ajo që ne, na intereson është dhe ka të bëjë me faktin që vetë Rama është kryethashethemexhiu i këtij vendi dhe një gjë të tillë ai e ka deklaruar publikisht tek  Zëri i Amerikës, kur kësaj të fundit i tha se VOA  është bërë si kafenetë e Tiranës. Sigurisht, ai e mori përgjigjen, përgjigje, e cila nuk mund të harrohet edhe pse pranë tij mund të rrijë dikush që pretendon sa ka mundësi t’i zbusë raportet me DASH-in, ku Sekretari i këtij institucioni është njëkohësisht edhe kreu i Bordit të VOA-s. U morët me “rrugën e kaltër” dhe mirë bëtë, por harruat se nuk jeni ju, ai, që përcaktoni apo orientoni kroatët se ç’qëndrim apo çfarë burri ishte Tito. Nesër kroatët mund ta kthejnë mbrapsht shuplakën ironizuese ndaj asaj, që ju përmendët për Josif  Broz Titon. Kroatët e duan vendin dhe njerëzit e tyre dhe nuk janë si ne që i nxorëm bojën vetes dhe shitëm tokat dhe ujërat e shqiptarëve, fillimisht nga Ahmet Zogu dhe më vonë nga Sali Berisha.

Por le t’i kthehemi analizës  341- ditore për të qenë ekzakt të qeverisjes së Rilindjes. Çuditërisht, analizat nisin nga koka, por nuk përjashtohet mundësia të fillojnë edhe nga bishti, sigurisht, jo bishti qelbur i peshkut të atij që s’u bë deputet  para disa vitesh në Durrës, as i ujërave të ndotura me të cilën u morët gjatë e gjerë, as me dritat që mungonin se lekët i morën çekët e Fyles as..as….

1- Shëndetësia: U “harruan” spitalet dhe premtimet për kushte të mira, nuk do ketë mungesë ilaçesh, shëndetësi falas etj ..etj.. Përfundimisht, ajo që Kryeministri belbëzoi kishte të bënte me ca shkurre dhe ca pemë të mbjella, a thua se njerëzit venë për të bërë piktura të peizazhit dhe jo të shërohen. Kryeministri pranoi që mjekët të rrjepin, por nuk tha se çdo bëhet me kioskat e klinikave dhe laboratorëve që po vdesin çdo ditë shqiptarët. Ai nuk foli për rastin e fundit, kur Rektori i komanduar e çon pacientin nga spitali shtetëror tek ai privat, ku është i tre punësuar (rektor, kardiokirurgji shtetërore dhe private ).  S’po merremi me tenderat e Beqajt, të cilat janë monopol i miqve të tij nga Shkodra dhe në kundërshtim të plotë me ligjin, një ditë, do të vejë në burg. Kjo është e padiskutueshme. A e dini ju z. Kryeministër që në Dhërmi para dy javësh ditën e shtunë e të diel kishte mbi 100 mijë turistë dhe pushues dhe nuk kishte një autoambulancë me mjekë dhe ndihmën e parë? Sigurisht, nëse të kanë thënë të kundërtën verifikoje se të gënjejnë. Dhe kur dikush që është i besuar të gënjen, ti vetë fatkeqësisht bëhesh qesharak në popull.

2- Monstra. U harrua pedofili i Sarandës dhe ai që kishte dalë garant në emërimin e tij, deputeti Kokëdhima. Z.Rama deklaroi se e përjashtuam nga partia, po si ka mundësi që të gjithë të përzgjedhurit e deputetit në fjalë, kanë të njëjtat vese? Po ai Vlorës u harrua? Ne do merremi me kujdes gjatë këtyre muajve deri ditën kur shqiptarët me votë në dorë sikurse thoshte Rama në Opozitë të shkojnë tek kutia e votimit. Por për të qenë transparent filozofi grek Aristoteli thoshte : “E kam mik Platonin, por më shumë dua të vërtetën”. Dhe e vërteta është që Rama e dinte se si mund të degradonte pushteti ndaj ua preu rrugën deputetëve me emërime, çemërime dhe çnderime. Ndoshta, presioni dhe pakënaqësitë që nxitën vetë deputetët në bazë e detyruan Ramën të tregohet pak tolerante. Por kjo tolerancë është më e rrezikshme se sa pakënaqësitë e qafirëve të vendosur në listat e deputetëve.

3- Banka. Fullani është personazhi që ka mbushur dhe vazhdon të mbushë edicionet dhe faqet e gazetave në Shqipëri dhe në botë. Të thuash pushtet i pavarur nga qeveria dhe Parlamenti  për bankën dhe anëtarët  politikë të bordit është e papranueshme. Të krahasosh Bankën Qendrore me  institucionin e Presidentit dhe Gjyqësorin është e palogjikshme dhe këto nuk kanë lidhje me njëri -tjetrin. Hetimi do jetë më i suksesshëm për bankën nëse këta zotërinjtë të Bordit dhe  Kryeefendiu largohen me ndërgjegje për grabitjen, shpërdorimin e detyrës dhe paaftësinë për të mbrojtur pasurinë e shqiptarëve. Aty ka edhe polici shteti edhe private të licencuar nga shteti. Mbase kjo dorëheqje do nxirrte ndonjë të re në lidhje me atë “çunin e tironës” që s’po merret vesh kush e vrau tek dera e punës dhe pronës së tij. Se po filluam me ekspertë të huaj, me ngjyrë e pangjyrë do ndodhe si puna e atij që denoncoi Gërdecin në kohën e Saliut.

4- Raporti Presidencë-Kryeministër. Pasi e njollosët mirë e mirë njëri –tjetrin, filluat t’i hidhnit ato kovat me akull, gjoja për t’u pastruar, por që në të vërtetë do ngrini më shumë njëri- tjetrin. Presidentit dhe Kryeministrit nuk ja ka lënë me tapi as babai dhe as nëna postin. Atë e kanë votuar shqiptarët për të mbajtur drejtësi dhe rregulluar punët e komunitetit. Ndërkohë, ne pamë tallje, sharje, hipokrizi, tërheqje, pra, me pak fjalë shou dhe papërgjegjshmëri politike dhe institucionale. Më 2 maj 2014, drejtori për Çështjet e Europës Jug-Qendrore, Jonathan Moore deklaroi  nga zëri i Amerikës se, “Mosmarrëveshjet President –Qeveri  të zgjidhen në mënyrë ligjore  dhe jo politike”.  E vërteta është se të dy palët i bëjnë karshillëk njëri –tjetrit, kur fare mirë ato duhet të zgjidhen  me të drejtën që të jep  kartoni i votës popullore.

5-Drejtësia. Dy  kushtet e para nga 5, që BE i ka vënë Shqipërisë për  futjen e vendit në Europë janë: Drejtësia dhe Lufta kundër Krimit dhe Korrupsionit. Ju zoti Rama në analizën tuaj, treguat se ky sistem ka nevojë për reformim. Është e vërtetë që këto institucione kërkojnë njerëz të ndershëm, profesionalist dhe të pavarur politikisht. Madje, Ju thatë që ju kishte ardhur zor kur Kancelaria Angela Merkel ju kishte pyetur se, a mund të hyni në Europë me këtë drejtësi. Ju thatë “më erdhi zor të thosha përnjëherë Jo”, sepse kjo ishte e vërteta. Është i vetmi rast që ju në mënyrë të padjallëzuar keni thënë të vërtetën. Dhe zonja Merkel që ka  informacione dhe burime të gjithanshme  pasi është  “lokomotiva” e Europës nuk ju ka pyetur kot. Ajo di për ne, për mikun tuaj Erdogan etj..  Ajo ka pasur hallin se, nëse këta gjyqtarë dhe njerëz të drejtësisë largohen, me kë do të zëvendësohen. Se fjala bie po hoqe “Lenën dhe vure Prenën” nuk ke bërë gjë. Ja, për këtë do ketë pasur merak zonja Merkel, sepse të tjerat ajo i di dhe i di mirë. Ajo di që dikur kishte drejtues gjykate që nuk pranonin paditë kundër jush, si Kryetar Bashkie… ka emra për këto. Kishte prokurorë që nuk regjistronin procedimin ndaj jush dhe bashkisë… ka edhe për këta emra. Një pjesë e këtyre denigruan drejtësinë dhe e kthyen bashkë me të tjerë në ankand, por këta u bënë deputetët e ardhshëm të Rilindjes,  ministra dhe u angazhuan në drejtori dhe strukturat më të larta të Partisë Socialiste. Ja kjo e shqetësonte dhe e shqetëson më shumë zonjën Merkel  dhe Departamentin Amerikan të Shtetit.

Sigurisht, ne e dimë që analiza bëhet në vitin e parë dhe që të dalësh para shqiptarëve dhe të japësh llogari duhen edhe tre vjet. Por kritika e shëndoshë është më e mirë se servilizmi i atyre, që për të ruajtur qetësinë sa herë i pyet, të thonë se jemi mirë dhe nuk ka problem. Probleme ka dhe do të ketë edhe këtu, edhe në Gjermani, edhe në Amerikë. Por këta njerëz nuk duan të prishin rehatinë ndaj dhe vegjetojnë në administratë zoti Kryeministër, pa pyetur se çfarë pasojash sjellin për 1 milion shqiptarët, që të besuan votën dhe të ardhmen e tyre.