Ëngjëll FINO/ Të ruajmë, mirëmbajmë e kthejmë në identitet , vlerat muzeale të qytetit të Gjirokastrës.

    488
    Sigal

    Në qytetin muze të Gjirokastrës ka objekte me vlera muzeale që janë tjetërsuar e që kërkohet të njihen sit ë tillë, e të mirëmbahen sepse ishin objekte reale të ndërtuara nga dora e mjeshtrave duarartë gjirokastritë që I jepnin bukuri të veçantë qytetit tonë muze, por që pas viteve 90’ u tjetërsuan, duke I hequr qytetit një vlerë historike . E tillë ishte kubeja e xhamisë, që mbi këtë ngrihej Minareja e Xhamisë së Pazarit. Ky objekt ishte në formë tuneli 30 metra i gjatë, e që brezat e parë mburreshin me të se e quanin  si “Metro të qytetit” . Për ata që nuk e kanë parë , po u bëj me dije , se para çlirimit të qytetit shërbente si pikë tregtimi e ushtrimi të disa profesioneve zejtarëve të vegjël gjirokastritë. Ajo përbëhej nga gjashtë kubëzatë vogla nga tre në çdo anë të murit ku shiten perime dhe erëza të ndryshme nga qytetarë e fshatarë , si dhe kishin punishte të vogla këpucarët Fuat Lazo, Miço Qato , Gjergji Muho, Dane Mehmeti, Gale Gushi, Jorgo Bezati, etj. Njëkohësisht shërbente edhe si shëtitore e shkurtër për në lagje Teqe e Dunavat.Në vitet 1970 me iniciativën e protagonistit të muzeve profesor Lefter Dilo, u kthye në një pikë interesante muzeale . Të gjashtë kubet e vogla u kthyen si vitrina ku vendoseshin objekte relike të punuara nga mjeshtrat gjirokastritë , dhe u be  një qëndër e  vizitueshme për qytetarët, dhe vizitohej nga qindra turistë të huaj. Nga vitet 1980 , për ta bërë më të frekuentueshme , ndërrmarja tregtare e qytetit ekspozoi artikuj të ndryshëm që prodhonte qyteti dhe hapi një klub – kafe për të krijuar kushte për vizitorët dhe qofte nga mjeshtri Jorgo Muka, I biri I zanatçiut më të njohur gjirokastrit Vasil (Cile) Muka I njohur në tërë jugun për përgatitjet e qofteve karakteristike  dhe kukurecit, e kështu u bë një pikë e vizitueshme turistike. Por ç’ndodhi pas viteve 1990? Ajo u shkatërrua dhe pësoi fatin si 11 muzetë e tjera të qytetit që u grabitën nga persona të pamëshirshëm e anti-historikë  dhe  një ditë të bukur u mbyll nga të dy anët dhe për ironi të fatit u kthye në pijetore e kafene private. Me ç’të drejtë e përvetësuan këtë vlerë muzeale për qytetin me karakteristika të veçanta. Më vonë u mbyll fare dhe u kthye në magazinë . Në këtë rast kërkoj të sensibilizoj opinion  public dhe  pushtetin  vendor se me ç’të drejtë , kjo hapësirë shumë interesante e pazarit karakteristik të trajtohet  ne kete menyre ashtu sic u veprua me urat e mëdha të  kalase ku kalonte ujësjellësi  I ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena, e që gjatë regjimit të Zogut , me gurët e tyre u ndërtua burgu famëkeq brenda kalasë.  Ky është fatalitet pasi goditen vlerat muzeale të qytetit . Vitet e fundit në zonën muzeale ka nisur rikonstruksioni I disa banesave karakteristike gjirokastrite nën kujdesin e UNESCO-s.Si qytetar  autoktonë gjirokastritë  më vjen keq që kubeja e qytetit , nuk është parashikuar që të kthehet në identitet.  Prandaj apeloj që Dega e Monumenteve të kulturës në Gjirokastër , dhe pushteti vendor , mos ta lënë në harresë këtë objekt interesant që pasqyron një të veçantë të këtij qyteti e që brezat që do të vinë të mos përdorin si ne togëfjalëshin “Tek kubeja, mbi kube e mbi xhami…”  apo te veprohet  si me pallatin e Kulturës që u prish për të vendosur bustin e Enver Hoxhës sikur nuk gjendej vend tjetër. Ky pallat ishtë ndërtuar me gurë të skalitur. Të njëjtin fat pësoi edhe ish-qendra kulturore e ushtarakëve që u prish nga qeveria e Berishës dhe të gjitha orenditë e saj u çuan në Shkodër, ku ndër to ishte dora e zanatçinjve gjirokastritë , ndërsa godina në vend që të kthehet në Pallat Kulture për qytetin , po mendohet që në këtë vend të ndërtohet pallat shumëkatësh. Kështu ka ndodhur edhe me shumë objekte kryesore të këtij qyteti si ish-fabrika e këpucëve , ish-ndërrmarja e prodhimit të veshjeve “Bule Naipi” , ish- ndërrmarja e përpunimit të drurit , SMT e ish dega e P. të brendshme që mbeten plagë të hapura anë e mbanë qytetit muzeal. Një objekt tjetër muzeal është ora e qytetit që nuk punon. Kur ishim të vegjël e dilnim shëtitje shikonim me habi e kureshtje bedenin madhështor e të bukur të kalasë nga ana lindore andej nga ka zanafillën kjo kala. Prindërit na tregonin se mbi këtë bedenë deri në vitin 1913 ka qënë ora e qytetit dhe tringëllima e saj dëgjohej deri në Lunxhëri , por që e prishën  andartet grekë, kullën e rrëzuan , qyteti mbeti pa orë, deri në vitin 1966 që në këtë vit mbi bazamentin e gurtë të bedenës , u rivendos një orë që I dha qytetit një hijeshi të madhe deri në vitet 1970. Në kuadrin e përgatitjeve të festivalit të dytë të folkut kombëtar mbi këtë bazament u ndërtua kulla e bukur me gurë të zinjë të skalitur dhe u rivendos ora që I dha një hijeshi tërë hapësirës. Por pas viteve ’90 kjo orë nuk punon më dhe akrepat e saj qëndrojnë në vend. Vizitorët e ndryshëm vendas e të huaj që vijnë në këtë qytet shprehen “ More, ky qytet karakteristik me këtë kala gjigande dhe kullë madhështore me sahatin në mes, nuk ecën me kohën? I ka mbetur ora në vend dhe themi që nuk ka një teknik bashkia për të vënë në funksion orën karakteristike të qytetit.