Engjëll Fino/ Dikur quhej qyteti i muzeumeve!

    521
    Sigal

    Në qytetin e Gjirokastrës, nga 13 muzeume, kanë mbetur vetëm 2

    Në vitin 1966, për vlerat arkitekturore e traditat e veçanta që ka trashëguar nga shekujt qyteti i Gjirokastrës, me vendim të posaçëm të qeverisë së kohës, shpallet “Qytet muze”.

    U krijuan kështu, premisa e hapësira të reja për t’u njohur ky ansambël i papërsëritshëm arkitektural edhe përtej kufijve të atdheut. Kalonin vitet e Gjirokastrës i ndryshonte panorama nëpërmjet rikonstruksionit të objekteve të saj muzeale e krijimit të mjediseve të reja me konstruksion guri e kryesisht shtrimit të rrugëve me kalldrëm me gurë dy ngjyrësh. Por fakti që Gjirokastra mori në vite një dimension tjetër e që tërhoqi interesimin edhe të vizitorëve të huaj, ishte ngritja vit pas viti e muzeumeve.

    Hedhim mendimin në vite e kujtojmë se bërthama e këtyre muzeumeve ose më mirë zanafilla e tyre, në vitet 1950, ishte një muze i vogël i çelur në një godinë të thjeshtë në dalje të pazarit karakteristik, gjatë rrugës që të çon në kala, ku në vitet para 1990 ishte dega ushtarake e Prokuroria e rrethit (sot e rrafshuar plotësisht në vitin 1997).

    Më kujtohet sa më pasion punonte në të përgjegjësi e njëkohësisht cicëroni i tij, mësuesi i historisë, Thanas Zhulla.

    Kalonin vitet e qytetit muze i shtoheshin muzeumet. Për t’i dhënë fizionomi shkencore këtyre muzeve, caktohet me detyrën e drejtorit të tyre Profesor Lefter Dilo, njeri i përkushtuar, historian kompetent, atdhetar me vizion shkencorë bashkëkohorë. Me punën e tij plot pasion e ndihmesën e intelektualëve e popullit gjirokastrit, Lefteri u bë protagonist kryesor jo vetëm për ngritjen e muzeumeve të reja në qytetet e në mbarë rrethin, por dhe për pasurimin e tyre. Kështu, u arrit që në vitet 1980, vetëm qyteti i Gjirokastrës të numëronte 13 muzeume që sintetizonin shkencërisht historiografinë e rrethit deri dhe të qarkut e që populli e pagëzoi dhe me emrin: “Qyteti i muzeve”

    Ngritja e muzeumeve bëhej me tematikë të caktuar. Deri në fund të fund të vitit 1991 vetëm qyteti i Gjirokastrës kishte këto muzeume.

    -Muzeu Kombëtar i armëve, vendosur në mjediset e kalasë.

    Burgu muze, po në kala.

    -Muzeu i Sigurimeve të Shtetit në kala.

    -Muzeu i Rilindjes, në shtëpinë e lindjes së Heronjve të Popullit Çerçiz e Bajo Topulli, godina e secilit u ngre e re që nga themelet mbi gërmadhat e godinës së vjetër duke iu përgjigjur konstruksionit para dorëzimit.

    -Muzeu i L.A.N.Çl të ish -qarkut në shtëpinë e Enver Hoxhës dhe kjo e ngritur e re mbi gërmadhat e së vjetrës, djegur më 1913.

    -Muzeu i Kulturës Popullore në shtëpinë e Skëndulit.

    -Muzeu i Shkollës së Parë Shqipe “Liria”, për Gjirokastrën.

    -Muzeu u gruas gjirokastrite.

    -Muzeu i shoqërisë patriotike: “Kandile”, “Kundra Bastijes”, “Motërmatë” (këto 3 muzeumet e fundit vendosur në Kompleksin muzeal të një kodër mbi qafën e pazarit në mes të  cilave është ngritur obelisku i gdhendur në gur kushtuar shkollës e gjuhës shqipe.

    -Muzeu i ndërtimit socialist

    -Muzeu i Brigadës së pestë

    -Muzeu i korpusit të jugut.

    Vlen të theksohet se përveç këtyre muzeumeve që ndodheshin në pika të ndryshme të zonave muzeale të qytetit, në të gjitha krahinat e rrethit u ngritën muzeume të pasur me vizion historiko-shkencor, ku pasqyroheshin në mënyrë kronologjike traditat patriotike të popullit të këtij rrethi.

    Ishin sintetizim i traditave patriotike:

    -Muzeu i plagës së rëndë të kurbetit në fshatin Goronx.

    -Muzeu i krahinës së Dropullit të Poshtëm në fshatin Frashtan.

    -Muzeu historik i qytetit të Libohovës.

    -Muzeu kushtuar “Heroit të Popullit” Avni Rustemi ngritur në shtëpinë e tij të lindjes në Libohovë.

    -Muzeu i “Heroit të Popullit” Frashëri Mastara në fshatin Çatisti të krahinës së Pogonit, në shtëpinë e tij të lindjes.

    -Muzeu i krahinës së Zagollit në fshatin Nivan në shtëpinë e vëllezërve Kondi.

    -Muzeu i “Heronjve të Popullit” Misto Mame e Mihal Duri ngritur në ish- shtëpinë e lindjes së Misto Mames në fshatin Erind.

    -Muzeumet shumë të pasur të fshatrave Picar, Mashkullorë “Asim Zenelin”, Labovë e Madhe, Fushëbardhë, Dhoksatry.

    Gati në të gjitha fshatrat e rrethit kishte bërthama muzeale.

    Me tematikë interesante e shkencore ishin dhe muzeumet e gjimnazit “Asim Zeneli” shkollës së mesme Pedagogjike “Pandeli Sotiri”, universitetit “Eqrem Çabej” si dhe shumë kënde muzeale të kategorive të ndryshme të shkollave të rrethit. Duke paraqitur këtë panoramë që përbënte krenarinë e popullit gjirokastrit fituar me patriotizmin e tij në shekuj, sot fatkeqësisht, ndeshemi me antipatin e saj, me një dukuri të trishtueshme e të paimagjinueshme, pra me shkatërrimin e këtyre vatrave të zjarrta të edukimit atdhetar të brezave.

    Kjo mori muzeumesh, përbënte një histori të tërë shumëshekullore të patriotizmit të popullit të kësaj treve e më gjerë nëpërmjet mijëra e mijëra dokumentesh, reliktesh, eksponatesh e objektesh të pazëvendësueshme.

    E, ato i kishte dorëzuar me dëshirë atdhetare një popull i tërë me besimin e se atje do të ishin të sigurta e të përjetshme.

    Po ja, papritur e pakujtuar erdhi një ditë e kobshme që kjo vepër madhore e vitalitetit e identitetit të popullit tonë heroik të përballohej me një goditje fatale të paprecedentë të pakuptimtë e të paimagjinueshme antikombëtare.

    Pra mbi të e pamëshirshme sëpata e dardharit, dora ogurzezë e antikombëtarëve me parullën absurde “luftë kundër komunizmit”.

    Komunizmin luftoje atje ku duhet, po jo t’i bësh gropën patriotizmit të historisë së lavdishme të popullit tënd duke zhdukur heroizmin popullor në shekuj.

    Në qytetin e Gjirokastrës, nga ai shkatërrim barbar nga 13 muzeumet, kanë mbetur vetëm 2, ai i armëve (shumë i reduktuar) dhe ai etnografik.

    Ky i fundit, është vendosur në mjediset e e ish-muzeut të L.A.N.Çl të ish -qarkut, pasi një muze i tillë i epopesë më të lavdishme të historisë së luftërave që ka bërë populli ynë për liri e pavarësi në shekuj nuk ekziston më.

    Shkatërrimi i këtyre dhjetëra muzeumeve, nuk u mjaftua vetëm me mbylljen përfundimtare të tyre por u ndesh me djegie plotësisht të tyre (si muzeu historik i Libohovës) me vjedhje, grabitje e shitje të objekteve, hedhjen poshtë e lartë të shumë dokumenteve të rëndësishme e me vlera të papërsëritshme historike, vjedhje galoponte të kostumeve popullore, një barbarizëm i paprecedentë.

    Kjo ishte një humbje e papërsëritshme e vlerave të kombit.

    Mirë muzetë u mbyllën se s’i mbante dot shteti, po materialet e dokumentet ç’u bënë? Kush i mori? Ku janë? Kush përgjigjet për këtë shkatërrim monstruoz.

    Thuhet se janë në ruajtje, të mbyllura në arka, pa ajrim e ndofta dhe në bodrume. Po të jetë kjo, është gjysma e së keqes, por ka zëra se pasuria kryesore është zhdukur.

    Po të jetë se dokumenti e objekti me vlerë janë në ruajtje, por nuk nxirren në sipërfaqe të plotësohet muzeu i armëve në kala që quhet edhe muze historik.

    Populli do të dijë ku është vlera historike që ai ka pasuruar në vite këto muzeume. Kush është përgjegjës për të? Ato ishin mall pa zot. Kishin drejtues që punonin në to.

    Si u zhduk tërë ajo pasuri? Pse s’u dorëzua me inventar të rregullave me përgjegjësi ligjore?

    Ne gazetarët që shkonim në këtë muzeum e përgatisnim shkrime, kronika, montazhe, telereportazhe e telekroniak, ndesheshim me punën plotë pasion të personelit të tyre e veçanërisht të Profesor Lefter Dilos, këtij protagonisti e historiani kompetent, drejtorit të Muzeut Kombëtar të Armëve Kristo Dhima, drejtorit të viteve të fundit të ekzistencës së muzeumeve Sedat Kate si dhe të ciceronëve simpatikë, fjalëmbla e të përgatitura: Vasilika Gushi, Saide Kallfa, Zana Mevlani e Teuta Kallajxhi (kjo është sot drejtoreshë e muzeumeve të qytetit) së bashku me të punon dhe spikeri Besnik Shehu.

    Krahas tyre punonin me ndërgjegje të lartë për mirëmbajtjen e sistemimin e muzeumeve, Liri Fiqri Kore, Dhespika Kote, Mejmenet Kale, Hulusi Kaso.

    Pranë drejtorisë së muzeumeve funksiononte Këshilli i Muzeve në përbërje të të cilit ishin intelektualë të spikatur si pedagogë e mësues historie, arkeologë, piktorë e skulptorë, shkrimtarë, mjekë, ushtarakë e qytetarë të moshave të kaluara. Gjithashtu, drejtoria e muzeumeve, periodikisht botonte broshura, fletë palosje, albume të vogla e gazeta ku trajtoheshin tema e ngjarje të ndryshme historike.

    Përveç sa më sipër pranë Drejtorisë e Këshillit të muzeumeve mobilizoheshin dhe punonjës e intelektualë të profesioneve të ndryshme.

    Një organizim ky i përsosur që sot as që bëhet fjalë për të.

    Sot kur bisedon me ato spikere e punonjëse të përkushtuara e ata bashkëpunëtorë, të flasin me keqardhje të madhe për atë barbarizëm të madh që iu bë muzeumeve. Këtë fat patën dhe të gjitha muzeumet e tjera të rrethit skandal i vërtetë.

    Më 18 shtator të këtij viti në kuadrin e 68- vjetorit të Çlirimit të qytetit, në një nga mjediset e kalasë së qytetit u çel një muze i ri “Kronikë në gur” ku në të me një vizion bashkëkohor do të pasqyrohet historiografia e Gjirokastrës. Për këtë nismë gjirokastritët përgëzojnë Kryetarin e Bashkisë Flamur Bime, historianin Sad Petrela e specialistë të tjerë nismëtarë. Nuk kam patur rastin ta vizitoj, por me sa kam biseduar me intelektualë që e kanë parë ka boshllëqe që duhen plotësuar. Gjirokastra është një ekzemplar i veçantë traditash. Një ndëshkim të tillë nuk e meritonte Gjirokastra e punës, e pushkës, e mendjes e këngës. Në maj të vitit 1977, kur u përurua Kompleksi Muzeal Kulturor, populli i Gjirokastrës këndoi:

    …Krenohu moj Gjirokastër

    Muze plot me muzeume

    Se brezat do ndritësh në shekuj

    Moj kala, histori shumë…!