Ëndrra e Mirelës

    453
    Sigal

    Tregim

    Mesi i Shtatorit erdhi me shira të shumta, të papritura, të paparashikuara e   të pamenduara. Dhe si të tilla të gjithë banorët i gjeti të papërgatitur. Askujt nuk i shkonte mendja se moti do ndryshonte papritur pas asaj vape tmerruese e sfiliste që nisi në muajt e pranverës së hershme dhe solli shirat në mesin e vjeshtës së parë. Litarët e shiut lëshoheshin rrëmbyeshëm mbi tokën e zhuritur nga qielli i murrëtyer duke krijuar pellgje të mëdha ngado. Xhamat e lokaleve visheshin nga pika të mëdha që shkisnin poshtë duke formuar lot të mëdhenj e duke krijuar një ambient melankolik përreth. Vera e nxehtë s’kishte sjellë asgjë. Njerëz të paktë, që më shumë prisnin e pastronin barërat e mbira e që kishin mbuluar oborret e shtëpive dhe pluhurat në parvaze e orendi nga koha e gjatë e mungesës së njeriut, sesa mund të krijonin një nxehje të klimës ekonomike në jetën e atij fshati të braktisur deri në harresë. Këto shira e zunë ne fshat edhe Mirelën e ardhur nga larg, shumë larg. Aq larg sa nuk thuhet, sa edhe i dashuri i shkruante: Me gjithë dëshirën, me not s’vij dot tek ty,/ Na ndan një oqean e s’është det,/ Një zemër po rri në mërzi,/ Një tjetër këtej bregut po pret. Dhe ajo erdhi. Erdhi për atë. Vetëm për atë. Me gjithë këtë rrënim dhe braktisje të fshatit, prapë Mirelës i dukej i bukur. I bukur shumë deri në pakrahasim. Mbase dashuria kështu i zbukuron gjërat..Kot nuk thonë që të verbon e të lë pa sy. Dhe kjo ndjesi i vinte jo se kish kaluar një pjesë të jetës së sajë mes dashurisë së pakrahasueshme, të pazëvendësueshme, të paimagjinueshme e të pa aprovueshme në shtëpinë e gjyshërve, larg prindërve, por edhe sepse aty rrinte ai. Ai qe i pari i zgjoi ëndrrat vajzërore. Ai. Po, ai që i pari zgjoi ëndrrat vajzërore, që e bëri të ndjente shpërthimet dhe të merrte jetë udha e instiktive femërore. O Zot. Një dashuri e gjatë. Ai vështrim sysh si teleks i ndjenjave të përbashkëta. Puthje, përqafime të zjarrta. U ndje për herë të parë e dashuruar dhe jeta e sajë mori tjetër kuptim. Ato çaste hapën pragun e një kështjelle që do ta mbretëronte vetëm ai, vetëm ai. Sa i bukur është ledhatimi i syrit! Më i ëmbël se gjithçka! Më joshës dhe më i vërtetë se vjen nga thellësia e shpirtit…Papritur  ajo iku larg…Larg shumë. Nuk u panë më për vite të tëra. Po pse u zgjat dhe kaq shumë, dreqi e mori, dashuria e tyre. Hë sot, hë nesër. Dhe ajo iku atje sa nuk e shikonte dot më. Dhe ja tek vinte përsëri. Vinte tek ai. Dhe pyeste veten: Pse erdha në këtë kohë me shi? Pse vallë, a s’mund të vija më shpejt? Por largësinë dhe shiun unë do t’i mund. Do t’i kthej si atë gjethen e zverdhur të pemës në vjeshtë që bie për tokë, por pema e mban tek rrënja deri në kalbëzim e pastaj e kthen ushqim që të çelin gjethet e reja në pranvere më të freskëta e më të bukura… Ah vitet e vajzërisë mbuluar me ëndrra e ditë të trëndafilta brenda vellos së bardhë të nusërisë. Vite! Ikin! Po, ikin e nuk kthehen më! Mbeten vetëm ëndërrime e kujtime…Po të bukura ama deri në nostalgji sfilitëse si maja e mprehtë e një thike ngulur në kockë. Po sfilitje e ëmbël shpeshherë deri në pendim. Pendim, përse? Mbase për diçka që ke menduar se ke kohë dhe papritur koha ka ikur për mos t’u kthyer. Ah kujtimet…Le të jenë gërryese e gjumëprishëse, janë të bukura,të bukura! Mirela, pa e kuptuar kishte thirrur me zë të lartë. Ktheu kokën dhe pa klientët që e shihnin indiferentë e të çuditur duke pëshpëritur. U buzëqeshi me buzët e trëndafilta në pafajësinë e sajë femërore dhe dalldinë dashurore. Zemra! Si rreh tik-tak. Rreh afër dhe larg. Ikën e rikthehet në falje e pendim por krenare. Krijon portrete. Vetëm zemra e ka aftësinë, vetëm ajo, o Perëndi. Po kjo kohë me shi…Vallë a do të vijë ai? Do të vijë vallë? Kam shumë mall! Dhe ky mall dhe kjo pritje e gjatë më thonë se ai do të vijë. Po! Do të vijë vetëm një çast! Sa të kryqëzojmë vështrimin e syve tanë dhe deti i kujtimeve dhe dashurisë së zemrës do të kthehet në oqean. Dhe unë do të jem një zog i lirë që do të fluturoj nëpër degët e pemës së zemrës së tij. Sa bukur më fliste dhe më thoshte:Mi- Re-La.Tri nota muzikore që mbushin me tinguj të gëzueshëm skëterrat e kësaj bote dhe jo më zemrën time që e copëtojnë. Po edhe atë ditë binte shi. Atë ditë kur më puthi për herë të parë. I gjithë qielli u mbush me mjegull dhe ai më pyeti: Çfarë të jetë kjo mjegull kaq e bardhë, përzier me pupla e pambuk?Dhe unë i thashë:Ëndrra ime për vellon e bardhë, ëndrra e pamunguar e zemrës së çdo vajze. Ja,shikoi edhe engjëjt tek hedhin valle rreth saj. U ngjajnë kujtimeve dhe ëndrrave të parealizuara e të munguara. Janë e çfarë nuk janë! Edhe sytë e atij që më do, dhe nuse do të më shohin vallë. Edhe në qoftë se…ditën e dasmës do ta kem pranë, të paktën të më shoh e të më urojë. O brenga ime që ke hedhur rrënjë në zemrën e një femre. Ja e sheh se si rrotull asaj bardhësie fluturojnë zogj? Ata janë brengat e viteve që më shoqërojnë e tronditin.

    …Papritmas qielli u nxi, por reja e bardhe qëndronte aty. Filloi të rigonte shi. Na lagu të dyve. Po qe shi i kripur. Çudi! Shi i kripur? Hahaha, qesha unë. Çudi apo mrekulli .Ai më fshiu sytë me dorën e butë që buronte mirësi dhe dashuri dhe më tha: Janë lotët e mi të derdhur për ty në pritjen time të gjatë. Atëherë unë fillova të lëpija pikat e lotit, edhe pikat e shiut në sytë dhe faqet e tij dhe sepse mu dukën të ëmbla. O Zot! Sa mrekullia je në gjendje të bësh, siç je në gjendje të bësh edhe tragjedi…Kishte thirrur! U zgjua…Jashtë vërtet binte shi, po atje larg, shumë larg, jo në fshatin ku ishte Ai. Më tej djali po luante…Mirela treti vështrimin tej dritares, tutje…