EMRI/ Favorizoi ndërtimet pa leje, arrestohet inspektori i policisë në Belsh

495
Sigal

Një inspektor policie është arrestuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, (SHÇBA) në Elbasan për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Në pranga ka përfunduar inspektori i Policisë Idajet Sina, me detyrë Ndihmës Specialist për Policimin në Komunitet (SPZ) në Stacionin e Policisë, Belsh, në Komisariatin e Policisë Cërrik.

Policia bën më dije se arrestimi i tij u bë pas një hetimi disa mujor, pasi dyshohet se ka favorizuar banorë të zonës që ai mbulon në cilësinë e Ndihmës Specialistit për Policimin në Komunitetit të kryejnë ndërtime të paligjshme.

Për punonjësin e policisë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan caktoi masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Në kuadër të hetimit u morën të pandehur shtetasit S.K, D.K, Th.Ç dhe Z.K., banorë të Njësisë Administrative Seferan e Belshit, zonë e cila mbulohej nga Inspektori Sina. Të katërt shtetasit akuzohen për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”. Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë çështje.