Emrat fitues për Shkollën e Magjistraturës dhe ndryshimet për vitin akademik

    565
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Drejtoresha e Shkollës së Magjistraturës, Prof. Mariana Semini, për shpalljen e fituesve

    Shkolla e Magjistraturës, ka përmbyllur fazën e zgjedhjes së fituesve për vitin e ri që pritet të fillojë së shpejti. Këtë vit janë shpallur fitues vetëm 8 emra dhe këto do të jenë vetëm për gjyqtarë. Në një intervistë të dhënë për “Telegraf”, drejtoresha e Shkollës së Magjistraturës, Prof. Mariana Semini, ka bërë të ditur se pas dy fazave të konkursit janë përzgjedhur 8 emrat që do të ndjekin shkollën. Sipas saj, këtë vit në ndryshim me vitet e kaluara përzgjedhja është bërë më lehtë për arsye të instalimit të mjeteve të reja teknologjike që bënë të mundur skualifikimin që në fazën e parë të një numri konkurrentësh.

    -Zonja Mariana, janë shpallur emrat fitues që do të ndjekin studimet në shkollën e Magjistraturës për këtë vit. Kur do të fillojnë regjistrimet?

    -Procedura që parashikon rregullorja e konkursit është e tillë, që pasi shpallen fituesit, pritet tre ditë që ata të bëjnë ankesa në lidhje me rezultatin që ata kanë marrë në fazën e konkursit. Sot në orën 12 do të mbyllet afati për pranimin e ankesave nga ana e konkurrentëve që ishin të pranishëm në konkurs. Pasi mbaron afati i pranimit të ankesave unë i përcjell komisionit të vlerësimit numrin e ankesave. Pastaj mblidhet komisioni dhe bëhet shqyrtimi i ankesave që kanë ardhur. Janë dy mundësi kur mund të jetë bërë gabim. Njëra është kur ka gabime materiale që kanë të bëjnë më mbledhje, ose zbritje pikësh. Mundësia e dytë kur mund të bëhen gabime është rasti kur mund të bëhen shkelje të karakterit procedural. Zakonisht ata vijnë dhe mendojnë që ajo që ata e kanë të saktë mund ta ketë bërë komisioni gabim. Sivjet kemi një ankesë dhe ajo do të shqyrtohet. Pas kësaj do të mblidhet bordi, i cili ka të drejtën e shpalljes së fituesve. Pas shpalljes së fituesve nga ana e bordit, pastaj do të kemi dhe njoftimin për të bërë regjistrimet.

    -Sa ishte numri i kërkesave për shkollën e Magjistraturës?

    -Sivjet pati rreth 75 kërkesa, pati një ulje në krahasim me vitet e tjera. Vjet patëm 284 kërkesa dhe ai ishte numri më i lartë që ka ardhur ndonjëherë në shkollë. Por sivjet ne patëm disa përmirësime të procedurës. Patëm futjen e fazës eliminuese që u korrigjua me futjen e një sistemi elektronik, kjo u bë më mbështetjen e disa organizmave. Ky proces që ishte si parakusht për futjen në fazën e parë të konkursit ndoshta ka ndihmuar në përzgjedhjen e konkurrentëve. Këtu u bë një përzgjedhje, ku u skualifikuan nga ajo fazë 15 persona dhe në fazën e parë dhe pjesa tjetër shkoi në konkurs, ku më pas dolën 59 persona dhe nga kjo fazë pastaj dolën 8 personat fitues.

    -Mund të na thoni diçka në lidhje me pagesën që duhet të bëjnë fituesit për të vazhduar shkollën për Magjistraturë?

    -Po. Unë duhet të sqaroj që këtu nuk ka tarifë për kandidatët që janë zgjedhur për këtë shkollë. Këto janë persona që i paguan shteti. Dhe vitin e parë dhe të dytë të shkollës ato marrin gjysmën e pagës së një gjyqtari të shkallës së parë. Ndërsa vitin e tretë ata marrin pagën e plotë, pra ato jo vetëm që nuk paguajnë për shkollimin, por ato edhe paguhen. Pra shteti i paguan gjatë kohës që janë në shkollë për tu bërë gjyqtarë dhe prokurorë të ardhshëm.

    -Stafi i Shkollës së Magjistraturës dhe ambientet a kanë nevojë për shtime?

    -Stafi është deri diku i plotësuar, ne operojmë me 5 pedagogë të brendshëm dhe 40 të jashtëm në trajnimin fillestar dhe trajnimi vazhdues i referohet gjyqtarëve që janë në detyrë. Por ky është një staf shumë i vogël në krahasim me punën që ne bëjmë, sepse krahas trajnimit fillestar ne bëjmë edhe trajnimin vazhdues. Trajnimi vazhdues do të thotë që gjithë gjyqtarët dhe Prokurorët që janë në proces që janë mbi 650 duhet të vijnë në shkollë 12-20 ditë në vit. Ky është një numër i konsiderueshëm ditësh. Shkolla realizon 90 seminare në vit nga 2 ditë i bie 180 ditë dhe me 23 vetë është e pamundur. Nevojat për shtim të stafin janë të mëdha, mirëpo në kushtet që jemi edhe buxheti nuk lejon shtesa të mëdha, ne na janë bërë shtesa por janë shtesa të vogla. Ambientet siç e shihni nuk janë të plotësuara. Më minimale nuk ka ku të shkojë. Administrata po punon disa veta në një zyrë, kemi vetëm një sallë të trajnimit fillestar dhe vetëm një sallë të trajnimit vazhdues. Por nëse do të bënim llogari që janë 180 ditë pune në vit, dhe qëllojnë që përplasen dy seminare. Ose marrim ambiente jashtë shkollës por që janë me kosto, por na i mbulojnë donatorët,.

    -A keni bërë kërkesë për shtim të ambienteve dhe çfarë përgjigje keni marrë?

    -Po shpresojmë që do të bëhemi pjesë e pallatit të ri të Drejtësisë, sepse kështu është folur. Shtimi i ambienteve është bërë njëherë, ndërkohë që Fakulteti i Gjeologji-Minierave punon me sistemin e tij dhe nuk është e lehtë që të merren ambiente në këtë godinë që jemi. Zgjidhja do të ishte që të kishim një ambient të veçantë për shkollën. Në kuadrin e projektit iPA të Bashkimit Europian që ka marrë përsipër ngritjen e Pallatit të Drejtësisë, brenda institucioneve që do të jenë në atë kampus, aty do të jetë edhe ambienti për Shkollën e Magjistraturës. Por kjo do të zgjasë për 4-5 vjet.

    _____________________________________________________________________________________

    PROCEDURAT POST KONKURSIT TË SHKOLLËS SË MAGJISTRATURËS

    Çdo pjesëmarrës i konkursit të pranimit për në Shkollën e Magjistraturës, sipas Aplikimit të Rregullit iV të Rregullores së provimit (Faza e dytë e provimit), ka të drejtë që nga dita e hënë, datë 24.09.2012, ora 11.00 deri ditën e enjte më datë 27.09.2012 ora 12.00:

    Të paraqesë një kërkesë me shkrim e të nënshkruar prej aplikuesit/es, të cilën duhet ta depozitojë në sekretarinë e Shkollës për të parë fletat dhe zarfet me përgjigjet:

    -Fletët e provimit mund të shikohen nga kandidati, vetëm në sallën e vënë në dispozicion nga Shkolla, në prani të një personi të caktuar nga administratori dhe nuk lejohet fotokopjimi ose marrja e fletëve të provimit.

    -Kur konstaton pasaktësi matematikore ose të ndonjë lloji tjetër me karakter procedural, kandidati paraqet vërejtjet me shkrim brenda tre ditëve nga shpallja e rezultateve.

    Nuk ka seancë ballafaqimi direkte me jurinë e vlerësimit.

    -Drejtoria e Shkollës, pasi grumbullon të gjitha ankesat/kërkesat, thërret në një mbledhje komisionin e vlerësimit, i cili i shqyrton një nga një dhe i jep përgjigje.

    Në mbledhjen e Këshillit Drejtues për miratimin e listës së kandidatëve, Drejtoria bën me dije edhe ankesat shoqëruar me përgjigjet e komisionit rast pas rasti.