Emrat e rinj të pronarëve që do të marrin shtëpitë dhe qiramarrësit që do largohen

    473
    Sigal

    Lista e personave që kanë të drejtë të marrin pronën për qytetet: Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër dhe Berat

    Bëhet publike nga Enti Kombëtar i Banesave, lista e re e pronarëve që kanë të drejtë të marrin pronën dhe të qiramarrësve që duhet të lirojnë banesat për qytetet: Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër dhe Berat. Kështu, në zbatim të Aktit Normativ, i cili ka hyrë në fuqi ligjore nr. 3, datë 01.08.2012, Nr. 82/2012, datë 13.09.2012, “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë të subjekteve të shpronësuara”, gazeta “Telegraf”publikon listën e re me emrat e pronarëve dhe atyre që jetojnë në ish-pronë. Bëhet fjalë për pronarët dhe qiramarrësit e banesës, përkatësisht për këto qytete: Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër dhe Berat.

    Akti normativ

    Po japim një pjesë të përmbajtjes së Aktit Normativ. “Në aktin normativ, bazuar tek neni 1, përcaktohet qartë lirimi dhe dorëzimi i banesës nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara, emrat e të cilëve janë dërguar nga Enti Kombëtar i Banesave në Bankën Kombëtare Tregtare, në vijim referuar BKT-së, për kreditim, në kushtet deri 30 vjet afat, me 0 (zero) për qind interes vjetor, sipas programit social të trajtimit me kredi të lehtësuar nga shteti, në zbatim të udhëzimit nr. 6257, datë 2.9.2008, “Mbi përcaktimin e masës së subvencionit për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti”, të ministrit të Financave dhe ministrit të Punëve, Publike dhe Transportit, të ndryshuar, apo që duhet të aplikonin për këtë projekt strehimi, brenda datës 1 nëntor 2012”,- thuhet në akt.

    Çfarë ndodh kur të pastrehët nuk pranojnë të lirojnë banesën

    Duke u mbështetur në aktin normativ, për lirimin e banesave nga banorët që jetojnë në ish-pronë ka disa akte nënligjore që penalizojnë ata që nuk i binden ligjit. Kur lirimi dhe dorëzimi i banesës sipas nenit 1, të këtij akti normativ, nuk ndodh brenda datës 1 nëntor 2012, pronari i pronës ose një përfaqësues ligjor i ngarkuar prej tij, me autorizim të posaçëm, i dërgon Entit Kombëtar të Banesave njoftimin respektiv. Nga ana tjetër, vetë Enti Kombëtar i Banesave, brenda 2 (dy) ditëve pune nga marrja e njoftimit me shkrim, konfirmon, me shkrim, se qytetari/ët i/e pastrehë është/janë në listën e botuar për trajtim me kredi me 0 (zero) për qind interes në vit, për një afat kohor deri në 30 vjet. Ky konfirmim, në kuptim të këtij akti normativ, përbën titull ekzekutiv sipas nenit 510, shkronja “e”, të Kodit të Procedurës Civile dhe Enti Kombëtar i Banesave, brenda 1 (një) dite pune, regjistron kërkesën për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, në gjykatën ku ndodhet pasuria e paluajtshme, në favor të kreditorit. E gjithë procedura e lëshimit të urdhrit të ekzekutimit, në gjykatë, në emër të kreditorit, kryhet nga punonjës të Entit Kombëtar të Banesave dhe informacioni publikohet në faqen zyrtare të këtij enti. Më pas, Enti Kombëtar i Banesave i dorëzon me procesverbal me shkrim, pronarit të tokës apo përfaqësuesit ligjor të ngarkuar prej tij me autorizim të posaçëm, urdhrin e ekzekutimit. Ndërkohë, nga ana e tij, pronari i pronës ose një përfaqësues i ngarkuar prej tij me autorizim të posaçëm, ka të drejtë t’i drejtohet shërbimit përmbarimor gjyqësor, pas lëshimit të urdhrit të ekzekutimit nga gjykata, që të bëjë lirimin e banesës. Gjykata e Shkallës së Parë nuk mund të kryejë pezullimin e këtij urdhri ekzekutimi.

    listën me emrat e pronarëve do ta gjeni në numrin e sotëm të Gazetës Telegraf