Emirjana FILI/“Ngadhënjimi” i përkohshëm i Nolit

1261
Sigal

Përpjekja e Nolit për një politikë ekonomike kombëtare

Më 19 qershor 1924 qeveria e koalicionit, e kryesuar nga Noli, do të shpallte programin e saj, ku do të përfshiheshin reforma të thella sociale dhe politike që kërkonin kthimin e shtetit shqiptar drejt perëndimit, për tu bërë si kombet e qytetëruara. Kjo qeveri shpalli një  program ambicioz të përbërë nga 20 pika, por pavarësisht nga ambicia dhe dëshira e madhe, Noli solli një demokraci të brishtë, ku programi kishte më shumë teori se sa praktikë, në kushtet  që kishte Shqipëria në atë kohë. Edhe pse vizioni i tij  për një Shqipëri demokratike ishte i qartë, mungonte një program konkret për vënien në zbatim të planit të tij. Idetë dhe  çështjet  kombëtare, ai i mbrojti më tepër duke qëndruar jashtë vendit, në Lidhjen e Kombeve e në vende të tjera, duke mos krijuar një lëvizje me rrënjë të thella në vend. Sapo erdhi në pushtet Noli u përball me probleme të mëdha ekonomike dhe politike. Ashtu sic shprehet Joseph Rothscild, regjimit të Nolit, që përbëhej nga reformatorë përparimtarë dhe nga elementë feudalë që  ndanin me Zogun të njëjtat vlera, por që ndjenin veten të pa shpërblyer siç duhet nga shpërndarja konkrete e favoreve të  tij, i mungonte uniteti. Nga ana tjetër Zogu e fitonte edhe më tepër pozitën e tij duke përdorur sa më shumë teknika për të mbajtur sa më pranë fqinjët dhe  për të patur mbështetjen e tyre. Kartë  të cilën Noli nuk  e luajti asnjëherë, duke mos bërë pazare në kurriz të popullit. Ai besonte se faktori ndërkombëtar do ta ndihmonte. Disa nga problemet që u përball qeveria në planin e brendshëm ishin ato të karakterit politik dhe financiar. Së pari qeverisë  i duhej të përballej me një problem me karakter kushtetues.  Asambleja u shpërnda vetvetiu, ndërsa Këshilli i Lartë vazhdoi të funksionojë vetëm formalisht. Kështu qeveria u bë drejtuese  e vendit edhe në aspektin politik, ekonomik dhe shtetëror. Por ajo që do të gërryente thellë qeverinë e Nolit, deri në rrënim ishin financat.

Përpjekja e Nolit

Përpjekja e Nolit për një politikë ekonomike kombëtare duke përjashtuar Fuqitë e Mëdha nga koncesionet e pasurive shqiptare për të cilat ishin mjaft të interesuara, do t’i sillnin probleme në Lidhjen e Kombeve edhe me këto fuqi. Në shtator Lidhja e Kombeve do të mohojë ndihmën financiare qeverisë së Nolit. Përpjekjet për zbatimin e reformës agrare do ta vërë Nolin, edhe kundër  bejlerëve mbështetësve të tij. Përpjekja për vendosjen e marrëdhënieve me BRSS-në, do t’i ndihmonte  kundërshtarët e Nolit ta demaskonin si Bolshevik, dhe kjo do t’u vinte për shtat jo vetëm fqinjëve aspak miqësore, por edhe qarqeve diplomatike të Fuqive të Mëdha. Noli ishte për një marrëdhënie korrekte me fqinjët, idealizmi i tij përbehej nga dëshira për të formuar “ një Konfederatë Ballkanike”. Por kjo ide nuk u prit mirë nga asnjë  vend fqinj, ne ketë rast Athina u rreshtua me Beogradin, me akuza kundër qeverisë shqiptare për “organizim bandash sulmuese, kundër vendeve fqinje” Në fillim disa faktorë ekonomike dhe politikë e shtynë qeverinë e Romës, të mbështeste qeverinë e Nolit, por më pas Italia nuk e përkrahu Nolin, për zgjidhjen e çështjeve të kufijve. Edhe mbështetja nga ministri amerikan ne Tiranë, Grand Smith do të ishte zhgënjyese. Shumë shpejt ministri do t’i raportonte Departamentit të Shtetit amerikan se nuk mund të pritej asgjë nga një qeveri e paqëndrueshme brenda dhe e izoluar në shkallë ndërkombëtare. Izolimin ndërkombëtar Noli kërkonte ta balanconte me mbështetjen nga Lidhja e Kombeve. Fjalimi i Nolit në Shtator të 1924, në Gjeneve, i la të shtangur të gjithë, nga një mungesë e taktit politik që ai përdori aty, duke goditur një institucion siç ishte parlamenti. Ajo çka treguan gjashtë muaj të qeverisjes së Nolit, ishte mungesa e orientimit të tij politik. Më mirë se kushdo tjetër  këtë e ka thënë vetë Noli në një letërkëmbim të tij me historianin anglez J Swirë..“ Duke dashur të realizoj reformën agrare, ngjalla zemërimin e aristokracisë së tokës duke mos arritur ta realizoj atë, humba mbështetjen e masave fshatare” Qeveria e Nolit ra më 24 dhjetor 1924, antizogistet  u mblodhën në Vlorë, bashke me Nolin, ku ky i fundit kishte marrë edhe arkën e shtetit me vete. Rauf Ficoja në kujtimet e  tij, tregon se kur Noli mori vesh se ai  ishte ne Vlorë, i kërkoi takim dhe i tha:- “Rauf Bej, pranoni ju lutem Arkën e Shtetit dhe dorëzojani qeverisë që do të na zëvendësojë”. Raufi pranoi. Kur po ndaheshin, Noli i tha:-“Rauf Bej, kam dy muaj që s’e kam marrë rrogën”. Raufi hapi arkën, i pagoi shumën që meritonte dhe i mori firmën. Dhe ky sigurisht që ishte një veprim dinjitoz i dy figurave kombëtare. Një studiues shqiptar ka thënë: “Të bësh revolucion dhe të qeverisësh një komb janë dy gjëra të ndryshme. Noli ishte mjaft i përshtatshëm për të parën, por jo për të dytën”.

1 . Austin, Robert: Shtegu i pashkelur i Fan Nolit, Tiranë  2000.

 2.  Puto, Arben: Demokracia e rrethuar, Tiranë 1990.

 3.  Rothschild, Joseph:  Evropa Lindore dhe Qendrore midis dy luftërave botërore, Tiranë  2002.

 4.   Silajxhiç, Haris : Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Uashingtonit, Tiranë  1999.

 5.   Swire,  Joseph: Shqipëria ngritja e një mbretërie, Tiranë 2005.