Emini: Ja si do të llogariten pensionet me ligjin e ri

    540
    Sigal

    Ligji për Pensionet/ Flet Ali Emini, zv.drejtor i ISSH-së për pensionet e ushtarakëve, familjare, të nënave me shumë fëmijë, pagesa e raporteve mjekësore dhe lejet e lindjes

     Një shtetas shqiptar që ka 35 vjet punë dhe është siguruar me pagë minimale, me ligjin aktual që është në fuqi deri në 31 dhjetor të këtij viti, merr një pension prej 14 414 lekësh, së bashku me kompensimet. Ndërsa, me ligjin e ri që hyn në fuqi në 1 janar 2015, personi që ka 35 vjet punë dhe i siguruar me një pagë minimale do të marrë pension 14 500 lekë. Pra, diçka më shumë se merr sot një pensionist me të njëjtat kushte. Ky është shembulli që zëvendësdrejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Ali Emini, ka dhënë në një intervistë për gazetën “Telegraf”, duke shprehur, në këtë mënyrë, që reforma nuk i ul, por i rrit pensionet. Ajo çka vihet re në shembullin e z. Emini, përpos ndryshimit të formulës së pensioneve, është dhe ndryshimi i pagës minimale në llogaritjen e pensionit, i cili do të rritet nga 12 264 lekë (mbi të cilën llogariten pensionet aktualisht), në 22 000 lekë (me ligjin e ri). Z. Emini mohon, në këtë intervistë, njësimin e kategorive të punës në ligjin e ri të Sigurimeve Shoqërore, i cili hyn në fuqi në 1 janar 2015. Edhe pse në tabelën shoqëruese të Nenit 43 “Zgjatja graduale e moshës dhe periudhës së sigurimit për pension”, (ku jepen mosha dhe vitet e sigurimit që kërkohet në vite për çdo kategori pune), përcaktohet qartë se deri në vitin 2056 të gjitha kategoritë e punës njësohen, përsa i përket moshës së daljes në pension, 67 vjeç, si dhe vjetërsisë në punë, 40 vjet, për burra dhe gra, z. Emini deklaron se “Ligji i ri nuk parashikon asnjë lloj njehsimi të kategorive të punës dhe, për më tepër, nuk bën fjalë për këtë çështje. Si edhe në ligjin e mëparshëm do të përdoren të njëjtat paga referuese për vjetërsinë e punës, para vitit 1994, ndërsa pas datës 1.1.1994 do të mblidhen dhe rivlerësohen të gjithë kontributet e paguara. Për kategori të veçanta të profesioneve të vështira, qeveria ka parashikuar ligje të veçanta, siç është rasti për minatorët”.

    .

    Z. Emini, ligji i ri parashikon njësimin e kategorive të punës. A është e drejtë kjo për ata qytetarë që punojnë në kushte më të vështira se të tjerët?

    Ligji i ri nuk parashikon asnjë lloj njehsimi të kategorive të punës dhe, për më tepër, nuk bën fjalë për këtë çështje. Si edhe në ligjin e mëparshëm do të përdoren të njëjtat paga referuese për vjetërsinë e punës, para vitit 1994, ndërsa pas datës 1.1.1994 do të mblidhen dhe rivlerësohen të gjithë kontributet e paguara. Për kategori të veçanta të profesioneve të vështira, qeveria ka parashikuar ligje të veçanta, siç është rasti për minatorët.

    Ndërkohë, në ligj janë parashikuar hapësirat ligjore për fillimin e krijimit të fondeve profesionale të pensioneve si vijon: “Neni 5/2 “Fondet Profesionale dhe Fondet e Pensionit Vullnetar”. Krijimi, veprimtaria dhe mbikëqyrja e fondeve profesionale dhe fondeve të pensionit vullnetar bëhet sipas ligjit të veçantë”. Këto fonde do të zgjidhin problematikat e profesioneve të vështira si dhe për të përfituar një masë më të lartë pensioni.

     

    Sa do të jenë pensionet e ushtarakëve, sipas ligjit të ri?

    Ligji i ri ka përcaktuar periudhën e sigurimit dhe rregullat e llogaritjes së pensioneve publike që janë si pasojë e zbatimit të skemës së sigurimit shoqëror të detyrueshëm. Sipas ligjit, pensionet varen nga shuma e kontributeve dhe në këtë kuptim nuk ka rëndësi nëse kontributi është derdhur nga një punëtor, zyrtar, deputet, ushtarak apo arsimtar. Bazë për madhësinë e pensionit është shuma mesatare e kontributeve të paguara.

    Kur vdes bashkëshorti, gruaja aktualisht përfiton pension familjar në moshën 50 vjeçe, gjithashtu, edhe nënat me shumë fëmijë me 30 vjet pune, dalin 50 vjeç në pension me ligjin aktual. Po me ligjin e ri në cilën moshë dalin?

    Nenit 24 i ligjit të ri për “Pensionet Familjare” thotë se “Pension familjar përfitojnë:

    a) E veja, kur provohet se ajo është: mbajtëse e një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç; e paaftë për punë; ose ka mbushur moshën 55 vjeç”.

    Ndërsa Neni 44 “Për nënat me shumë fëmijë” thotë se “Nënat që kanë lindur 6 ose më shumë fëmijë, të cilët janë rritur më shumë se 8 vjeç, marrin pensionin e pleqërisë kur kanë plotësuar moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet punë të siguruara”.

    Pagesa e raporteve mjekësore dhe lejet e lindjes do ulen, apo do rriten?

    Shuma mujore e përfitimeve për rastet e raporteve të lindjes bazohet nga paga e personave që u lind e drejta. Ligji i ri, nëpërmjet ndryshimit të periudhës bazë, ku përcaktohej paga për efekt të shumës ditore të përfitimit nga raport lindja; lidh më drejtpërdrejtë përfitimet që do të llogariten me pagat e periudhës përpara përfitimit të raportit, pra lidh drejtpërdrejtë përfitimin nga raporti me përfitimet nga puna në periudhën e fundit. Ligji i mëparshëm, duke ju referuar pagës mesatare të vitit të fundit kalendarik shpesh penalizonte nënat e reja të cilat kishin filluar punë për herë të parë, i realizonin 12 muaj sigurim, por në vitin e fundit kalendarik mund të kishin punuar për pak muaj. Gjithashtu, ligji i ri jep të drejtën e kujdesit të fëmijës edhe për bashkëshortin, një e drejtë kjo e cila nuk jepej nga ligji që është në fuqi, megjithëse edhe bashkëshortët paguanin kontribut në masën 1.4 % të pagës.

    Masa e pensionit social është 6640 lekë (?). Por, ju pyes, a mund të jetojë një pensionist me 200 lekë në ditë, ndërkohë që çmimi i energjisë elektrike do rritet, gjithashtu dhe taksa të tjera? A ju duket e drejtë kjo?

    1. Pensioni social që vendoset për herë të parë, do të mbështesë me te ardhura ata persona që janë mbi 70 vjeç. Është parashikuar që masa e tij çdo vit do të përcaktohet nga KM i cili natyrisht do të ketë parasysh nivelin real të tij. Masa nuk është përcaktuar, por unë mendoj se do të jetë më e lartë se 6640 lekë, pasi do të merret parasysh edhe indeksi i çmimeve të vitit 2014 ashtu si edhe për rritjen e pensioneve. Kjo është një çështje që përcaktohet me VKM.

    2. Lidhur me pyetjen, a jetohet me 200 lekë në ditë, unë përgjigjem se shuma është mjaft e vogël dhe ju bëj thirrje të gjithëve, që nga punonjësit e subjekteve e deri tek gazetarët që të sigurohen, të paguajnë kontribute bazuar në pagat reale, të blejnë me sigurim vullnetar periudhat e sigurimit të humbura, kështu secili do të garantojë të ardhmen e tij dhe ndërkohë të kontribuojë në një gjendje më të shëndoshë të fondit të pensioneve i cili në vazhdim do të sjellë pensione më të larta.

    3. Sa i përket rritjes së çmimeve të energjisë dhe rimbursimit të shpenzimeve, ato janë politika të cilat merren nga Qeveria dhe nuk kanë lidhje me pensionin i cili varet nga kontributet.

    Gradualisht, disa profesione si mësuesit apo shoferët, për shembull, meshkuj dhe femra do shkojnë në pension 67 vjeç, kur Gjermania i nxjerr në pension 63 vjeç, Italia moshat maksimale të daljes në pension i ka 66 vjeç, kur jetëgjatësia në Itali është 83 vjeç e 3 muaj dhe në Gjermani është më e lartë. Si shpjegohet që ne ta kemi moshën e daljes në pension më të lartë se këto vende?

    Sipas ligjit të miratuar, burrat do të vazhdojnë të mbeten me moshë pensionimi 65 vjeç, deri në vitin 2032, më mbrapa mosha do të indeksohet në proporcion me rritjen e jetëgjatësisë. Ndërsa për gratë, mosha e pensionit rritet me 2 muaj në vit deri në barazimin me burrat.

    A do përfitojnë kompensimet që marrin aktualisht pensionistët me ligjin e ri, si: kompensimi për bukën, energjinë etj? Le të kujtojmë sërish që baza për llogaritjen e pensionit ulet, ndërsa energjia do të rritet në janar 2015 së bashku me disa taksa të tjera.

    Lutem shikoni shembullin. Pensionet barazohen bazuar në kontributet. Pas datës 01.01.2015 kompensimet gjenden të bashkuara në pension duke shmangur padrejtësinë aktuale, ku disa persona i përfitonin disa jo. Ndërsa sa i përket kompensimit të energjisë elektrike për 640 lekë në muaj, i cili përfitohet nga pensionistet e vetëm ose kur janë dy pensionistë që jetojnë të vetëm ai do të vazhdojë si edhe aktualisht.

     SHEMBULL/ Masa e pensionit me 35 vjet punë me pagë minimale në 1 janar 2015, krahasuar me masën e pensionit me ligjin aktual

     Për ta bërë më të kuptueshme çështjen dhe në përgjigje të pyetjes suaj sqarojmë:

    Deri në 31.12.2014

    Pensioni minimal me 35 vite pune është si më poshtë:

    Shuma bazë e përfitimit nga data 1.7.2014 e në vazhdim, të jetë 12 264 lekë

    Kompensimet për të ardhurat, çmimin e energjisë dhe të bukës janë: 1 150 + 350 + 150 + 500 = 2 150 lekë

    Shuma e pensionit rezulton 14 414 lekë (12 264 + 2 150)

    Në vitin 2015

    Pensioni llogaritet në bazë të Nenit 32 dhe 59, ku përcaktohet

    Masa e pensionit

    “1. Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë.

    2. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi me periudhën e sigurimit të kërkuar sipas Nenit 92, shumëzuar me pensionin social.

    3. Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, e llogaritur sipas nenit 59 të këtij ligji.

    4. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social”.

    -Shuma bazë e pensionit do të përcaktohet me VKM, por bazuar në dokumentin e politikave si dhe në diskutimet e bëra nga drejtuesit e lartë të MMSR shuma bazë përllogaritet të jetë 6 750 lekë në muaj.

    -Shtesa mbi këtë pension bazë, supozuar se ka punuar 35 vite, do të jetë e barabartë me 35 % të pagës mesatare, mbi të cilën janë paguar kontributet. Nëse kjo pagë ka qenë minimale, në vitin 2015 paga minimale e përcaktuar është 22 000 lekë. Mbi këto tregues shtesa mbi pension përllogaritet: 22 000 x 35/100 = 7 700 lekë.

    Shuma e pensionit rezulton: 6 750 + 7 700 = 14 500 lekë, pra, pak më e madhe se pensioni minimal aktual.

    Megjithatë, theksoj se ky është një shembull mbi tregues të supozuar. Politikat e pensioneve të miratuara në KM kanë përcaktuar se nuk do të ketë ulje të të ardhurave minimale në kushte të krahasueshme. Formula e re e pensioneve forcon parimin kontributiv ( më shumë kontribute sigurojnë pensione më të larta), heq kufizimet në madhësinë e pensionit dhe dekurajon ato kufizime ligjore që nxisin mos raportimin e pagave të larta apo siguronin përfitime të padrejta.

    Ledjana Saliu