Emil Asdurian: Ka ardhur koha për rithemelimin e Republikës

781
Mik i dashur, Prof. Kalo. Të falënderoj edhe një herë për guximin dhe për vërtetësinë e atyre që keni shkruar, ku hedh dritë mbi problemin më jetik në politikën e sotme pothuajse në të gjitha vendet, të zhvilluara e të pazhvilluara, demokratike dhe jo demokratike, ngjitur gjeografikisht dhe fare larg. Atë të rolit të popullit në politikën e një vendi. Arsyeja që po e them këtë, e të lutem besomë jo si kompetent, se e di mirë që s’jam, por si bashkëfajtor qytetar, jo aq në pjesëmarrjen në shkatërrim, se sa në atë, që duke ditur të gjitha këto të vërteta, që ju i shkruat, s’bëra asgjë, fola, ika në revoltë dhe aq. Do të mundohem të hedh disa ide për t’iu përgjigjur pyetjes: pse ndodhi kështu, a mund të bëhej ndryshe, me qëllim që dikur të nisim vërtet të bëjmë diçka. Dhe e gjitha është mbështetur në diskutimin tuaj dhe nuk polemizon me të.

Histori-Gjeografia

Po e filloj me të tjerët, ata që si ne, ishin nën një diktaturë e në një farë mënyre, u ndodhën në një udhëkryq si ne kur ranë muret, si Hungaria, Çekia e Sllovenia, Jugosllavia, Rumania, Bullgaria dhe më së fundi vendet e Lindjes së Mesme apo të Afrikës Veriore, si Egjypti, Siria, Libani etj. Një shkatërrim e një zhgënjim i paparë dhe më pas një kthim mbrapa në diktatura apo kalifate super të mëdha të udhëhequra jo nga ideologji por nga besime fetare, kjo më shumë për vendet e përfshira në Pranverën Islamike, ndërsa për ish-vendet socialiste në një korrupsion të paparë, me një shkatërrim të paparë industrish dhe bujqësish dhe një tendencë për t’u bashkuar në aleanca me ish miqtë e Bashkimit Sovjetik, dhe ne, si gjithmonë në mes as atje e as këtu, por si mbijetues që jemi, zgjodhëm a na zgjodhën Perëndimin, e jo Lindjen edhe pse ka akoma shumë mall si për baba Sulltanin dhe për baba Stalinin (Hoxhën). Shqipëria është dhe do të mbetet si në kohën e ilirëve e rrethuar me male, por vendi që ruan portën e Europës, të asaj të vjetër dhe asaj të re. Kjo që përmenda është një fare arritje, dhe një bazë për një të ardhme të denjë për një vend të vogël, këtë e tregoi roli kaq aktiv i SHBA dhe i Europës në reformën ligjore dhe besoj së shpejti dhe në drejtime të tjera, si droga, kontrabanda, krimi i organizuar etj. Ne s’mund të krijojmë një demokraci “sui generis” siç bëmë dhe me komunizmin, se do të kthehemi në një mbretëri despotike, siç na e ka mësuar fatkeqësisht historia, por duhet dhe na takon të vëmë në jetë eksperiencën e atyre që e kanë pësuar më parë, e jo ta pësojmë edhe njëherë e të humbasim kohë në shkatërrim pa ndërtuar gjë. Legjenda e Kalasë së Rozafës s’ka dhe s’duhet të përsëritet. Të parët na e shkruan në legjendë pikërisht për këtë. Duhet të ndërtojmë diçka pa prishur, por duhet të fillojmë.

Qeverisja 

Kur u rrëzua Muri i Berlinit, (më kujtohet një artikull tek “Zeri i Popullit” nga prof. Ylli Popa, që duhet të ndërtonim ura, të lidheshim me botën, se mjaft ngelëm të vetërrethuar a vetëngujuar), Shqipëria pati dy mundësi: o si Kina me tanke e kthim në kapitalizëm nga partia, pra fuqia politike të mbetej e njëjtë, po ashtu edhe pronësia, ndërsa forma ekonomike të ishte ajo kapitaliste, (gjë që Mao dhe Andropovi e kishin kuptuar me kohë, forma socialiste kish vdekur që në vitet 60); o si Perëndimi një rrugë kapitaliste gjithandej në çdo fushë ku prona private dhe liria e individit janë zotër absolutë të shoqërisë. Ne, kot them ne, Ramizi u detyrua të zgjedhë këtë të fundit, jo se mendoi për të ardhmen e Shqipërisë, edhe pse e shiti si të tillë (zakon i vjetër), por nga Çauseshku dhe Gorbaçovi, plani i ndërrimit të fasadës, që ndërtonte ura por muret rrethuese ngeleshin të njëjta. Qeverisja nuk u ndryshua, ndërroi xhaketën, u bënë partitë e reja, populli e bleu, të burgosurit edhe pse s’deshën ca me hir e ca me pahir u bashkuan me të duke i dhënë një vulë legjimiteti dhe pushteti politik nuk ndryshoi dhe ata që s’kishin brekë në bythë, morën tani pushtetin ekonomik, jo se s’e kishin, por tani me pasuri të tundshme e të patundshme, në emër të “çekut të bardhë” shkatërruan për të vjedhur, e popullit dhe atyre të lidhur me ta i hodhën nga një kockë, inteligjencia mori kockën që i takonte, pjesa tjetër gishtin….Korrupsioni është një shfaqje e pushtetit absolut politik. Partitë duhet të rinovohen, me falni kjo ishte shaka, parti të reja duhet të krijohen, me njerëz të rinj, me intelektualë të rinj, mjaft më me fantazma e bij baballarësh nga nomenklatura. Reforma në drejtësi duhet të pasohet nga hapja e dosjeve. Për këtë s’kemi pse të shpikim rrotën, por modeli gjerman si pas Luftës së Dytë Botërore dhe pas rënies së Murit të Berlinit mjafton. Këtu është koha të hiqet bashkëfajësia, të çlirohen njerëzit nga makthi, por mbi të gjitha politika shqiptare. Ne s’mund të bëjmë ndryshe. Mjaft humbëm kohë.

Tradita

Historikisht dhe fatkeqësisht edhe sot në dheun tonë që Olimpi e ka bekuar, e që s’u prish as nga internacionalizmi proletar, shoqëria ka për bazë, FISIN. Ky koncept qëndron në bazë të gjithçkaje, është piramida jonë e Keopsit, është kjo që po të shihet me kujdes sjell nepotizëm, padrejtësi, por është ajo që shihet në qeveri, parti, pothuajse kudo, që në kohë të Enverit, ishte në kohën e Saliut, e jam i sigurtë që vazhdon dhe me “çunat e Tironës”. Kjo gjithmonë ka sjellë një farë ombrelle dhe sigurie për shtetasit e tyre të vegjël. Kjo ka sjellë atë që individët, që përbëjnë popullin i përkasin më parë fisit dhe pas fisit bajrakut, e pas bajrakut deputetit, e pas deputetit ministrit e kështu me radhë. Kjo sjell mbytjen e individit në pellgun e farefisnisë, nuk e le të marri frymë e jo më të votojë, kjo është një nga ato gjëra që shkolla, rinia dhe intelektualët të jenë të parët që duhet të luftojnë. Mos votohet më për partitë, por për programet dhe mbi të gjitha individin, e jo vetëm kaq por t’i kërkohet atij, të zgjedhurit, llogari për realizimin e atyre që ka premtuar, për ato për të cilat u zgjodh të bëjë. Kjo s’mjafton, e përsëris të gjithë kanë nevojë për punë e punët i ka shteti, kjo s’ka për t’u arritur. Demokracia e vërtetë bazohet në mundësinë që çdokush të ketë mundësi të punësohet nga vetja a dikush në basë të ligjeve të njëllojta. Puna nuk duhet të jetë monopol i shtetit, pa thyer këtë mit, do të presim gjithmonë nga të tjerët, siç kemi pritur për 600 vjet, me pak bukë e kripë një pushkë, e krenari mbi re, kur të tjerët ndërtonin hekurudha e mbretëri, sigurisht dhe republika. Mjaft pritëm nga të tjerë, ndihmë, ndihma e çeqe të bardha. Gomarin e nxjerr i zoti nga balta, e ajo ka arritur deri në sy. Nuk dua të ndalem këtu për vjedhjen, dymendjen e dyfytyrësinë, se janë karakteristika që s’i kemi vetëm ne si popull por shumë e shumë të tjerë, kudo, këtë na e ka imponuar më shumë varfëria, izolimi, pushtimet e gjata pa fund, dhe më kryesorja mungesa e vazhdueshme e një shteti të drejtë, me ligje të njëllojtë për të gjithë për të kërkuar lumturinë e tyre, por jo në kurriz të të tjerëve. Ne, të gjithë ne, kemi shumë për të bërë, aq shumë sa do ish sikur të pinim një det me ujë të kripur, e pamundur? Jo! Nëse duhet pirë, duhet pirë. Atëherë le ta fillojmë ta pimë, mos humbasim më kohë, (deri kur), jemi më shumë se 4 milionë, Kosova është ne “emigrantët” e të “syrgjynosurit”, jemi ne, e të gjithë duke pirë nga një pikë mund të thajmë Mesdheun, atij që dikur i dhamë Perëndite e gjakun që ka sot, por kjo tani më s’mjafton. Të bëjmë një hap përpara, se mjaft u zbythëm.
Sigal