Emigrantëve u mohohet Social Card, çohen në gjyq Posta, INPS dhe Ministritë

    79

    ITALI/  Emigrantët kanë të drejtën e kartës sociale  e mbushur nga shteti me 80 euro për të blerë ushqime

     Një shtetase marokene, ASGI, Cgil dhe kooperativa Ruah hapin gjyq kundër diskriminimit në Gjykatën e Bergamos. Përveç njohjes së ndihmës ekonomike të parashikuar nga ligji, kërkojnë edhe një fushatë “për informimin e të huajve” dhe “për kufizimin e dëmeve të shkaktuara deri tani”

    – Çdo ditë që kalon padrejtësia bëhet edhe më e rëndë. Një ligj italian thotë që edhe Emigrantët kanë të drejtën e kartës sociale (e njohur si ‘Social Card’ apo karta e blerjeve), kartë e mbushur nga shteti me 80 euro çdo dy muaj që mund të shpenzohen për të blerë ushqime, për të paguar barnat dhe faturat e dritave e të gazit, që u jepet të moshuarve mbi 65 vjeç ose fëmijëve nën 3 vjeç, e në këtë rast titullar është një nga prindërit, që kanë të ardhura familjare të ulëta. Por entet publike që duhet ta lëshojnë bëjnë sikur ky ligj nuk ekziston, keqinformojnë dhe nuk u lejojnë imigrantëve as të paraqesin kërkesë.

    Është një histori që Shqiptari i italisë.com ndjek prej kohësh, të cilës tani i shtohet një tjetër kapitull i rëndësishëm. Disa ditë më parë, një marokene bashkë me Asgi-n, Cgli-en dhe kooperativën Ruah, kanë ngritur në gjykatën e Bergamos një çështje civile kundër diskriminimit, për njohjen e të drejtës së kastës asaj dhe të gjithë imigrantëve të tjerë.

    Rachida T. ka leje qëndrimi BE për qëndruesit afatgjatë, katër bij të mitur dhe të ardhura nën kufijtë e parashikuar për të mund të kërkuar kartën sociale. Por, kur ka shkuar të paraqesë kërkesën në zyrën postare të Albano Sant’Alessandro, fshati në provincën e Bergamos ku jeton, as nuk ia kanë pranuar. Në fakt, programi informatik i Postës për shtetësinë pranon vetëm kodet I, IT, ITA, dhe nëpunësi në sportel i ka shpjeguar: “Mund të paraqesin kërkesë vetëm shtetasit italianë”.

    Përralla e “vetëm për italianë” tregohet edhe në faqet internet shoqërisë Poste Italiane, të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, të Ministrisë së Punës dhe politikave sociale dhe në ato të INPS-it. Në të vërtetë, në sitin e INPS-it ekziston edhe një faqe e përditësuar, ku flitet për shtrirjen me ligj të të drejtës së kartës sociale edhe qytetarëve të huaj, por në të thuhet edhe se gjithçka është pezull në pritje të një dekreti (fantazmë) zbatues. Rachida nuk është dorëzuar dhe me ndihmën e tri shoqatave i është drejtuar gjykatës. Në padinë e saj, të ngritur me ndihmën e avokatëve Alberto Guariso dhe Marta Lavan të ASGI-t, ngre zërin jo vetëm kundër diskriminimit të pësuar personalisht (nuk ka mundur të paraqesë kërkesë sepse është e huaj), por kundër diskriminimit kolektiv që godet të gjithë imigrantët që përmbushin kriteret për të kërkuar kartën sociale. Atyre që tashmë u është mohuar e drejta e kësaj ndihme ekonomike, u shtohen edhe ata që nuk e kërkojnë fare, sepse u japin të drejtë informacioneve të gabuara të dhëna nga INPS, Posta dhe Ministritë. E meqë e drejta e shumës nis nga çasti i paraqitjes së kërkesës, të gjithë po humbasin padrejtësisht paratë që shteti, në bazë të një ligji të tij, duhet t’u ngarkonte në kartat e tyre sociale që nga janari 2014. Prandaj në padi kërkohet t’i lëshohet social card Rachidës. Por edhe të verifikohet karakteri diskriminues i qëndrimit të deritanishëm të Inps-it, ministrive të punës dhe të Ekonomisë e Financës dhe i shoqërisë Poste Italiane, duke e detyruar këtë të fundit të përditësojë programin e saj informatik në mënyrë që të pranojë edhe kërkesat e të huajve, duke detyruar të gjitha entet e sipërpërmendura të përditësojnë faqet e tyre internet dhe të ndërmarrin një fushatë për “informimin e të huajve” dhe të kufizojnë dëmet e shkaktuara për informacionet e gabuara të dhëna deri më sot”. Fatkeqësisht duhet pritur për të parë si do të vejë. Seanca e parë e gjyqit është caktuar për në 28 maj. Posta, Inps dhe ministritë do të arrijnë të respektojnë ligjin para se t’ua urdhërojë një gjykatës?

     E. Pasca

     

     

    ITALI/ Nga viti 2009, falë famëkeqes paketë sigurie, paraqitja e kërkesës së shtetësisë kushton 200 euro

     Shtetësia italiane. Gjykatësit: “Vonesat të pajustifikueshme, 2 vjet duhet të mjaftojnë”

     109 të huaj në pritje të shtetësisë italiane (kryesisht shqiptarë), bashkë me sindikatat INCA, CGIL, dhe Federconsumatori, fitojnë class action kundër ministrisë së Brendshme mbi kohën e shqyrtimit të kërkesave. Piçinini (INCA): “300 mijë persona në pritje, imigrantë të përjetshëm apo qytetarë të rinj?”

    – Ligji i jep ministrisë së Brendshme plot dy vjet kohë, apo 730 ditë, për të përfunduar procedurën e dhënies së shtetësisë italiane nga çasti kur i huaji paraqet kërkesën. Është një kohë mjaft e gjatë sa “të mos justifikojë asnjë vonesë” në përmbylljen e procedurës.

    Deri tani një gjë të tillë mund ta pohonte kushdo me pak gjykim të shëndoshë, ndërsa tani, e urojmë të ketë më shumë vlerë, e thotë edhe Gjykata Administrative (TAR) e Lazios.

    Gjykatësit kanë pranuar class action (padi e përbashkët) kundër vonesave të paraqitur dy vjet më parë nga 109 persona që kishin kërkuar shtetësinë italiane së bashku me CGIL, INCA dhe Federconsumatori. Në një sentencë të depozituar në fund të shkurtit

    Kanë dënuar ministrinë e Brendshme “t’i japë zgjidhje një situate të tillë” brenda një viti, edhe pse – klauzolë e pashmangshme për aksionet kolektive kundër administratës publike, – “brenda kufijve të burimeve instrumental, financiare dhe humane” që ka në dispozicion.

    Është fjala për një class action me të cilin mund të bashkoheshin pjesa më e madhe e të huajve që duan të bëhen italianë. Sepse pakkush (për të mos thënë askush) merr shtetësinë në 730 ditë, në pjesën dërrmuese të rasteve përgjigjja arrin pas tre, katër apo pesë vjetësh. E ndërkaq, padisin 109 personat e class action-it, zyrat kërkojnë “dokumente të panevojshme” ose “versionin e përditësuar të dokumenteve të paraqitura njëherë” që ndërkohë kanë skaduar pikërisht për shkak të vonesave.

    Si të mos mjaftonin vonesat, nga viti 2009, falë famëkeqes paketë sigurie, paraqitja e kërkesës së shtetësisë kushton 200 euro. Një taksë që sipas vetë ligjit duhet të shërbejë edhe “për mbulimin e kostove të lidhura me aktivitetin e shqyrtimit të praktikës”. Teorikisht: paguaj shtrenjtë për të pasur një shërbim më të mirë. Praktikisht: paguaj shtrenjtë, por shërbimi është si s’ka ku të shkojë më keq. “Ku shkojnë në të vërtetë këto para?” ngre pyetjen Claudio Piçinini, koordinator i zyrave të imigracionit të INCA-s. Padia e ngritur kishte edhe një pjesë “konstruktive”, në të cilën CGIL, INCA dhe Federconsumatori i kërkonin gjykatësit të urdhërojë ministrinë e Brendshme të monitorojë procedurat, kohën dhe përdorimin e burimeve dhe të ndërmarrë një sërë ndërhyrjesh për të përmirësuar situatën. Por gjykatësit nuk kanë pranuar këtë pjesë  sepse do të kishte qenë një pushtim fushe, kapërcim kompetencash: pavarësisht asaj që thotë ligji, nuk mund “t’i mësojnë zanatin” ministrisë së Brendshme.

    Propozimet e paditësve mbeten sidoqoftë të vlefshme. Për shembull: të kalohet në trajtimin në paralel të praktikave, të informatizohen komunikimet mes administratave, të mos kërkohen dokumente të panevojshme apo përditësime dokumentacioni të skaduar për shkak të vonesave, të përdoren paratë e paguara nga kërkuesit e shtetësisë për të reduktuar praktikat e prapambetura, të zhvendoset personel nga zyrat me më pak fluks pune në ato që shqyrtojnë praktikat  shtetësisë.  “Edhe pa një reformë të ligjit në fuqi, për të cilën jemi sidoqoftë në favor, me një përdorim të drejtë të burimeve në dispozicion dhe një gatishmëri të ministrisë për të rishqyrtuar procedurat, mund dhe duhet të reduktohet koha e pritjes për dhënien e shtetësisë. Është një hap i domosdoshëm, nëse nuk duam t’i konsiderojmë përjetësisht imigrantë ata që në të vërtetë janë qytetarë të rinj italianë. Ka rreth 300 mijë vetë në pritje, nuk mund të vazhdojnë të shkelin me të dyja këmbët të drejtat e tyre”, thotë Piçinini për Stranieriinitalia.it. Këtë radhë këta “imigrantë të përjetshëm”, të gjithë bashkë, ia dolën mbanë të detyrojnë ministrinë e Brendshme të respektojë të drejtat e tyre që janë të parashikuara në ligj. Natyrisht Piçinini është i kënaqur: “U konfirmua, edhe pse nuk e prisnim, vlera që mund të ketë një class action kundër administratës publike”, por beteja vazhdon: “Tani duhet të shkurtojë vërtet kohën e përpunimit të praktikave. Nga ana jonë jemi të gatshëm të ballafaqohemi me ministrinë e Brendshme për të përmirësuar situatën”. Elvio Pasca