Emigrantët e Greqisë të harruar nga PS-ja

    435
    Sigal

    Në zgjedhjet e fundit emigrantët e Greqisë i dhanë PS-së 110 mijë vota

    Në TOB, në GA, në port janë vendosur emigrantë miq të Ramës dhe jo të PS-së

     Ardian Topi

     Pas vitit 1997, gjithmonë faktori emigrant ka qenë përcaktues në zgjedhjet në Shqipëri. Kjo pasi ata përbëjnë një të tretën e moshës votuese, por edhe për faktin se janë më të ndërgjegjësuar se përse dhe ku duhet ta hedhin votën. Duke jetuar në një vend me demokraci të lashtë, emigrantët tanë kryesisht në Greqi gjithmonë kanë qenë të vëmendshëm për zhvillimet në atdhe, por edhe të vetëndërgjegjësuar se si duhet administruar vota. Në vitin e mbrapshtë 1997, në zgjedhjet e parakohshme pas Qeverisë së Stabilitetit të drejtuar nga Bashkim Fino, emigrantët shqiptarë të Greqisë, kanë ardhur në mënyrë masive për të votuar. Sipas statistikave të asaj kohe, erdhën për zgjedhje mbi 80 mijë emigrantë, të cilët në pjesën dërrmuese ishin simpatizantë dhe përkrahës të së majtës, për vetë faktin e dëmit të madh që u solli Berisha kursimeve të tyre në firmat rentiere. Dhe kjo sasi votash nuk ishte e pakët duke pasur parasysh se ardhja e emigrantëve në atë periudhë pa filluar ende proceset e legalizimit ishte tepër e vështirë. Votimi i këtij viti solli dhe një vëmendje më të madhe të politikës shqiptare tek emigrantët e Greqisë. Dhe ata nuk ishin pak, por plot 850 mijë, ku 70 % ishte në moshë votuese. Por nga ana tjetër emigrantët ishin dhe një fuqi e madhe ekonomike, madje ata kishin hapur bizneset e tyre jo vetëm në Greqi, por edhe në Shqipëri. Kështu që viti 1998 dhe në vijim solli zhvillime interesante të politikës shqiptare në Greqi. E para ishte PS-ja që e kuptoi këtë rëndësi. Ajo filloi të sillte vazhdimisht përfaqësues të partisë së vet në Greqi për të ngritur organizatat dhe forumet përfaqësuese në emigracion. Kështu në vitet 1998 deri në vitin 2002, PS në Greqi organizoi dhe vuri në funksionim organizatat e saj në Athinë (qendra), por dhe në qytete më të rëndësishme si Selaniku, Janina, Patra, Kavalla, Larisa, deri në Kretë. Nuk kishte 3- mujor që anëtarë të kryesisë së PS-sëe të mos merrnin takim me të zgjedhurit në emigracion. Përpos shumë zhvillimeve u vu re se emigrantët ishin shumë të interesuar për takime të tilla dhe pse brenda gjirit kishin shumë përçarje, për shkak të divergjencave mes të zgjedhurve që shumë herë orientoheshin nga qendra. Mund të themi se, strukturat e PS-së në Greqi filluan të gjallërohen, filluan të funksionojnë sikundër strukturat e PS-së në Shqipëri. Nuk duhet lënë mënjanë se në takimet që zhvillonin krerët e PS-së të ardhura nga Tirana, me strukturat në emigracion, shpesh herë ndodhnin dhe përplasje grupesh, për pozicionet drejtuese të strukturave kryesisht në Athinë dhe në Selanik, divergjenca, të cilat vazhdojnë ende. Por pavarësisht këtyre problemeve, këto struktura zgjeroheshin dhe PS-ja e ndjente veten në Greqi sikur të ishte në strukturat e një qarku jashtë Tirane. Duke parë këtë gjendje edhe PD-ja nuk ngeli më pas. Strukturat e PS-së në Greqi filluan të gjallërohen në fund të vitit 2002. Athina ishte qendra e parë dhe Selaniku i dyti. Filloi pra rivaliteti PS-PD, edhe në emigracion. Duhej patjetër të fitohej terren. PD e ndjente veten më komode, pasi në gjirin e PS në emigracion kishin filluar çarjet. Pas fitores së zgjedhjeve të vitit 2001, PS sikur i harroi emigrantët. Përfaqësuesit e qendrës po i vizitonin më rrallë dhe pse në zgjedhjet e vitit 2001 erdhën dhe votuan mbi 100 mijë emigrantë. PD kishte nxjerrë mësime nga këto pësime në PS-në e emigracionit. Shumë drejtues të KPD drejtoheshin sa nga Athina në Selanik, Janinë apo Patër. Dhe këto lëvizje i dhanë frytet e tyre. Në zgjedhjet e vitit 2005, tashmë sikur u vu një balancim votash 50 me 50%. Kjo ishte një fitore për PD, pasi përkrahësit dhe simpatizantët e PS e panë veten të lënë mënjanë, pa takime, pa përkrahje kur vinin në Tiranë. Rama e vlerësoi shumë faktorin emigrant. Si në zgjedhjet e vitit 2009 edhe në ato të vitit 2013, ai organizoi grupet e punës me emigrantët brenda Kryesisë së PS.  Madje këtë bashkëpunim e përcolli edhe në Itali, pasi ata përbëjnë komunitetin e dytë më të madh të emigrantëve me 332 mijë vetë. Rama nuk la shtet në Evropë ku kishte emigrantë pa shkuar. Strukturat ishin gati. Por Rama në disa shtete u lidh me miqtë e tij emigrantë, të cilët pak u interesonte PS-ja, madje, as kishin votuar ndonjëherë për të, por e shikonin afrimin tek PS-ja, si një detyrim shoqëror. Por sërishmi, Greqia ishte vendi kryesor i emigrantëve që erdhën masivisht dhe votuan për PS. Madje, mund të themi se u arrit një numër rekord votuesish, mbi 110 mijë. Por 23 Qershori 2013, kaloi. Fitorja e madhe e PS-së ishte edhe fitore e emigrantëve. Por ç’ndodhi më pas? Sërishmi një harresë ndaj emigrantëve. Rama vuri në disa pozicione drejtuese si në TOB, GA, Portin e Durrësit, miq të tij emigrantë që nuk kishin punuar për PS-në, nuk kishin votuar kurrë për të. Shumë emigrantë që kishin vite që punonin në emigracion për PS-në, që kishin dhënë vota familjare apo fisnore, që kishin bërë emër si intelektualë apo si biznesmenë në Greqi, që ishin dhe janë militantë të PS, u lanë në harresë. Postet i morën miqtë e Ramës që nuk kanë asgjë të përbashkët me PS, me programin e saj, me vetë idetë e Ramës. Ata në çdo kohë mund të largohen n.q.s u rrezikohet kolltuku, pa pyetur për PS-në, as për vetë Ramën.

     ….

    Asnjë deputet, asnjë anëtar i Kryesisë së PS-së, nuk është dukur më në Greqi

    Përse heshtin, mbyllin celularët dhe fshihen deputetët e PS-së.?!

    Nga Baki Gjoliku, PS, Greqi

    Emigrantët në zgjedhjet e vitit 2013, ishin dhe janë pjesa më e fuqishme e një milion votave kundër qeverisë “Berisha”. Ne ishim ata që për muaj të tërë punuam që PS-ja të vinte me çdo kusht në pushtet. Lamë punët, lamë familjet dhe bëmë një fushatë të paparë. Po sot pas 6 muaj qeverisje të PS-së, çfarë po shihet? Vërehet sikur, deputetët, anëtarët e Kryesisë së PS, janë të pa fuqishëm, kanë frikë, nuk i pyet kush, apo mbas fitores dhe marrjes së mandatit, harruan premtimet ndaj kërkesave të drejta dhe jetike të emigrantëve?! Epo e kanë një hall dhe këta deputetët tanë. Po ti shohësh, dalin në FB,shkruajnë ndonjë rresht me mendje të “Artë”, dhe vërshojnë Liket, dhe shkojnë të gëzuar në shtëpi, se nga mendja e tyre e hollë e mësimdhënëse, ka mësuar i gjithë Populli e në veçanti, socialistët qyqarë.
    Kur i pyet për të sqaruar ndonjë problem që ka të bëjë me vendime Qeverie e mbyllin me vrap FB, bëjnë sikur atje ishte fundi, nuk të sqarojnë fare.
    Po unë do i pyes publikisht: Dinë gjë kush do e bëjë apo do e ndërtojë, atë linjën që çon korrent në Kosovë, nga Shqipëria?
    Po për futjen në punë të mijërave PD-istëve, madje, edhe në vende pune drejtuese?
    Po për toponimet e fëmijëve tanë në Greqi, dinë gjë si do venë punët?
    Po për lejet e banimit, pensionet, sigurimet, shkollimin e fëmijëve në emigracion, dini gjë o deputetët tanë?
    Po për Shqipëria një Euro, dini gjë o mendjet e mençura të Kuvendit? Se për të sharë e dimë që nuk ju del njeri përpara! Po, se në krye të asambleve socialiste, kryesive e kryetarëve në PS, dega Greqi, po emërohen, me urdhër të E.Veliajt dhe një farë Qirici e kompani, eksponent të ballistëve, PD-istave, hajdutëve e banditëve të mëparshëm. Ju miqtë deputetë të mi e dini, po pse heshtni? Po, që nga 23 tetori e këtej, nuk kini ardhur asnjëherë të na takoni ne votuesit e Greqisë. Pse nuk merrni shembull nga Edi Rama, që po shëtit cep më cep Shqipërinë?! Ju shkrova, që të mos thoni se nuk na kujtoi njeri. E di se juve nuk ju bën “syri tërr” dhe kur të kini nevojë për vota, do vini të na gënjeni e mashtroni prapë. Po ju pyes: A kemi të drejtë të mendohemi ne për t’ju dhënë votat? Mu përgjigjuni me zemër në dorë, o deputetët tanë…!