Emigrantët e Greqisë largohen në Angli, Gjermani, Holandë dhe Norvegji

    2148
    Sigal

    Flet Ilirjan Dhima, Kryetar i Shoqatës “Shqipëria” në Greqi

     Problemet e emigrantëve tanë në Greqi po rriten çdo ditë. Papunësia është më kryesorja, por po kaq evidente është dhe përsëritja e lejes së qëndrimit, e cila në kushtet e papunësisë është e pamundur, pasi nuk paguhen sigurimet shoqërore. Më keq është për studentët, të cilët të papunë, nuk mund të bëjnë legalizim mbi prindërit pasi pas moshës 18-vjeç i ndalon ligji. Deri tani janë kthyer 200 mijë emigrantë, por në këto kushte mund të kthehen dhe 100 mijë të tjerë.

     Çfarë të rejash ka sjellë qeveria “Rama” në drejtim të përkujdesjes për emigrantët shqiptarë. Si janë pritur vizitat e ministrave shqiptarë në Greqi?

     Qeveria “Rama” për çdo ditë ka shtuar kujdesin ndaj emigrantëve shqiptarë në Greqi. Ka pasur disa takime të ministrave me komunitetin, por dhe pse jo gjithë përfshirës. Ndër këto vizita do të theksoja atë të ministrit të Jashtëm para disa muajsh. Ardhja e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë z. D. Bushati në Athinë u prit me interes të veçantë nga emigrantët shqiptarë në Greqi. Në takimin e tij me emigrantët, që u zhvillua në ambientet e Ambasadës së Shqipërisë në Athinë morën pjesë përfaqësues të shoqatave e të Federatës, të cilët shprehën mendime e kërkesa për hallet e shqetësimet që kanë emigrantët e familjet e tyre këtu. Ndër problemet e ngritura ishte ai i toponimeve për lindjen e fëmijëve në Greqi, sidomos në veri të Greqisë, por në fakt edhe kudo në territorin grek, pasi ende vërehej se kishte një trajtim fakultativ në pikat e kalimit kufitar. Problem tjetër ishte ai i pagesave të dokumenteve për emigrantët, si dhe vështirësia e marrjes së tyre për efekte të grumbullimit në qark të lejes së qëndrimit, e cila përbën një dramë të vërtetë. Emigrantet zënë radhë që në orën 21:00 të ditës së sotme për nesër në orën 08:00, një gjendje vërtetë e tmerrshme sidomos për gratë dhe fëmijët shqiptarë. Sot mund të themi se problemi i toponimeve është zgjidhur.  Problem tjetër është zvarritja e Kodit të Emigracionit, i cili u fut në Parlament, por ne si emigrantë nuk na ingranon, ne përsëri nuk votojmë në zgjedhjet lokale, për bashkitë. U ngrit problemi i fëmijëve tanë që nuk po lejohet të mësojnë gjuhën e nënës, gjuhën shqipe sepse mungon marrëveshja e shtetit shqiptar me atë grek. Përfaqësimi shqiptar demokratik i emigracionit është i dobët gati i papërfillshëm dhe kjo ka zbehur në maksimum. zërin e emigrantëve shqiptarë për kërkesat e tyre të ligjshme, për të drejtat elementare, si mbrojtja e gjuhës, kulturës, nënshtetësisë, mbrojtjes në punë, etj., deri te vrasja e emigrantëve të pafajshëm. Nga ana e tij ministri Bushati theksoi disa herë që emigrantët këtu duhet të jenë të mirëorganizuar e të bashkuar për të ushtruar presion ndaj qeverisë greke me qëllim qe ne të kemi mundësinë të ndërhyjmë për përkrahjen e zgjidhjen e kërkesave tuaja që vërtet janë të drejta. Individët e familjet e emigrantëve shqiptarë janë duke jetuar, mbijetuar në këtë krizë që nuk është vetëm ekonomike, por është kthyer në një jetë në presion të tmerrshëm sidomos për emigracionin shqiptar këtu në Greqi.

     Çfarë vihet re në Greqi në këto momente për ndarjen territoriale (Reforma administrative)?

      Po të dëgjoni lajmet që japin kanalet televizive vërehet se shahet në mënyrë banale nga politikanë të ndryshëm apo persona ultranacionalistë ndarja e re territoriale apo reforma administrative në Shqipëri. Më shumë se kushdo ishin përkrahësit e eksituar të Agimit të Artë .Ka pasur dhe provokime me emigrantët. Por ditët e fundit situata është e qetë.

     A ndihet e goditur, e pa vlerësuar shtresa e emigrantëve në këto ditë të krizës dhe të pushimeve të verës, ku Athina thuajse boshatiset?

    Si gjithmonë shtresa më e goditur në krizë është emigranti, por kjo që po heq emigranti shqiptar në Greqi i ka kaluar të gjitha caqet njerëzore. Fëmijët në këto kohë nuk duhet të ndjekin fare lajme, pasi këto lajme janë hapur kundër tyre, kundër punësimit, por edhe leje qëndrimeve me afat 10-vjeçar, apo qëndrimit  të përhershëm.

    Kush janë shumica e atyre pa leje qëndrimi?

    Shumica janë të rinjtë me disa universitete e me disa gjuhë të huaja, që të papunë e tani edhe pa leje qëndrimi, nuk dinë se si të veprojnë. Ata mundohen shumë herë të marrin leje qëndrimi nëpërmjet prindërve, pasi kur shkojnë në zyrat përkatëse u thonë fare thjesht nuk e fitoni.

     Me këtë papunësi si jetojnë familjet shqiptare?

    Këtu ato që punojnë, natyrisht pa siguracion janë gratë shqiptare. Janë ato që këtu punojnë me rroga për të mbajtur frymën e tyre, por sidomos të fëmijëve të tyre e familjeve.

    Si jeton tashmë komuniteti shqiptar në Greqi?

     Komuniteti, më i madh në Greqi rreth 680.000 njerëz emigrantë shqiptarë, jeton në kushte presioni të madh e të gjithanshëm, por që nuk e frikëson shtetin grek se është me përfaqësi të shkatërruar, ku mendoj se i ka vënë një dorë dhe dinakëria greke që të ndodhet në këtë gjendje, të mos interesohet për vete, për bashkimin e të drejtat e qytetarit, si qytetar që do të ingranohet në qytetërimin evropian.

    Emigrantët që punonin në ndërtim në të gjitha profesionet, ku u bënë mjeshtra, janë të detyruar të punojnë këtu të gjejnë çfarëdo pune të jetë, me një ditë pune të paguar për turp, por që thonë hajde të shkojmë t’i marrim se sa të rrimë në shqepi.

    Të vjen keq kur shikon sipërmarrës që ka një vlerë veglash rreth 100.000 euro dhe po punon për 20-euro në ditë me veglat e tij, për më tej një ditë pune rraskapitëse 12-orëshe. Përgjithësisht të gjithë emigrantët shqiptarë duan të largohen nga Greqia, shumë për në Shqipëri, por dhe në Angli, Gjermani, Holandë, Norvegji, etj..  Disa ia kanë arritur qëllimit, të tjerë përgatiten për të iku. Sikur të kishte fuqi shteti shqiptar të shkulte gjithë këta profesionistë, që ndërtuan Greqinë, t‘u hapte vende pune në Shqipëri, ose diku që ju paguhet puna, vetëm atëherë do të shikoni vërtet një fundosje të Greqisë, vetëm atëherë do kuptojë ky shtet se çfarë i ka bërë vetes me emigrantët shqiptarë. Vetëm atëherë do shikojnë se sa euro ka dhënë ky emigrant në këtë shtet, më shumë se vetë grekët.

     Gjithë kjo punë e vjedhur ndaj emigrantëve, ku do duket në të ardhmen?

     Dikur në kanalin tv “Antena” kam thënë se një ditë do kuptojë Greqia, por edhe Shqipëria se sa dëm ka bërë vjedhja e hapur e siguracioneve të punës së emigrantëve, të cilët një ditë do jenë pa pension ndërsa vetë shteti grek nga siguracionet e papaguara, ka humbur miliarda dhrahmi, apo euro nga arka e vetë.

     Dhe kjo ditë po duket tani,  pas 25-vite punë të zezë këtu për të ushqyer familjen. Por tashmë asgjë nuk mund të rregullohet, pasi korrupsioni shtetëror grek ka shpërthyer në të gjitha nivelet e shtetit e shoqërisë greke. Vetëm për dy vjet grekët formuan 600- shoqata dhe morën në mënyra të ndryshme 139.000.000 euro, të cilat po i kërkojnë… Aktualisht shoqata “Shqipëria” kërkon të kontrollohen të gjitha shoqatat, federatat dhe shteti grek të na thotë, sa euro e për çfarë programi kanë marrë shoqatat e emigrantëve shqiptarë në këtë shtet thellësisht të korruptuar. Mendoj se edhe shteti shqiptar duhej të kujdesej e të përkrahte shumë emigrantin që gjithmonë ju gjend afër Shqipërisë dhe ekonomisë se sajnë vitet e vështira 1991-2009, për të ndihmuar Shqipërinë e popullin, jo të korruptuarit e pushtetit të korruptuar.

     Sa emigrantë janë kthyer 5 vitet e fundit nga Greqia?

    Sipas statistikave të OAED grek janë larguar rreth 200 mijë emigrantë. Pjesa dërrmuese janë nga veriu i Shqipërisë. Por tashmë që kriza po vazhdon besoj se deri në fund të vitit do të kthehen dhe 100 mijë të tjerë.

     Po me gjuhën shqipe çfarë po bëhet në drejtim të fëmijëve të emigrantëve?

    Janë më shumë përpjekje individuale të emigrantëve se sa një nismë e orientuar e shtetit. Ambasada po bën disa përpjekje, por nuk ka abetare, nuk ka klasa, nuk ka shtrirje të mësimit të gjuhës kudo ku ka emigrantë shqiptarë. Pra jemi në një situatë, ku fëmijët duan të mësojnë, por nuk kanë mundësi se si.

     A po kthehen shumë emigrantë për pushime?

    Numri i emigrantëve për pushime në atdhe është reduktuar ndjeshëm. Mund të them se, pas vitit 2010, ky numër është përgjysmuar ndërsa tani mund të jetë sa një e treta e viteve të mëparshme. Kjo për arsyen e krizës, ku familjet emigrante nuk mund të paguajnë qiranë e shtëpive dhe jo më të bëjnë pushime të këndshme dhe pa stres. Tani këtu diskutohet mbijetesa.