Emigrantë kujdes, 3 muaj në vendet jashtë BE, asnjë ditë pune në Danimarkë, Britsani dhe Irlandë

    485
    Direktiva Evropiane 2003/109/CE (e pranuar nga Italia nga dekreti legjislativ nr. 3 i vitit 2007) u njeh një status të mirëfilltë evropian shtetasve jokomunitarë që rezultojnë ligjërisht të pranishëm në territorin e një prej vendeve të BE-së prej të paktën pesë vjetëve rresht. Por çdo vend Evropian, në pranimin e direktivës, ka përcaktuar kushtet e procedurat e veta, gjithnjë duke respektuar parimin e trajtimit të njëjtë në të gjithë territorin evropian, pavarësisht nga vendi i BE-së i rezidencës.
    Njohja e statusit evropian të gjithë qytetarëve titullarë të një lejeje qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë, e njohur ndryshe si “karta e qëndrimit” vlen në të gjitha vendet e BE-së me përjashtim të Danimarkës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës.
    Në Zvicër, Islandë, Norvegji dhe Liechenstein, shtete që nuk bëjnë pjesë në BE, edhe pse është e mundur të qarkullohet për maksimumi 90 ditë nëse dikush ka një leje qëndrimi të një vendi të BE-së, nuk aplikohet direktiva e për rrjedhojë nuk është i mundur transferimi për periudha më të gjata se tre muaj.
    Çdo shtetas jokomunitar titullar i një lejeje qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë mund të qarkullojë lirisht në Evropë edhe për periudha më të gjata se 90 ditë. Por nëse vendos të stabilizohet në një shtet anëtar të BE-së, duhet më parë të verifikojë cilat janë rregullat e brendshme, të nxjerra nga vetë ai shtet. Për t’u informuar mbi qëndrimin e mundshëm në një vend tjetër anëtar është e këshillueshme të kontaktohet zyra përkatëse për të huajt, autoritetet konsullore ose të vizitohen faqet internet institucionale të vendit ku i interesuari dëshiron të shkojë.
    Sidoqoftë, leja e qëndrimit BE, për qëndruesit afatgjatë do të zëvendësohet nga një leje qëndrimi për studime apo punë me mënyrat e përcaktuara nga Shteti evropian.
    Si funksionon në Itali?
    Në Itali është neni 9 bis i Dekretit Legjislativ 286/1998 ai që parashikon që shtetasi jokomunitar me leje qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga një shtet anëtar mund të kërkojë të qëndrojë në Itali për periudha mbi 90- ditëshe për këto arsye:
    – për të zhvilluar punë të varur ose autonome duke përmbushur kriteret e parashikuara nga ligji kombëtar;
    – për të ndjekur kurse studimi apo formimi profesional.
    Për t’u punësuar duhet të ketë një autorizim nga Sporteli Unik për Imigracionin, të ashtuquajturën “nulla-osta”. Ky autorizim duhet të kërkohet edhe nëse i interesuari dëshiron të vetëpunësohet. Por numri vjetor i autorizimeve i nënshtrohen një kufiri maksimal: Është dekreti i Flukseve që shpallet nga Qeveria Italiane që parashikon edhe numrin maksimal të lejeve të qëndrimit për punë që mund t’u lëshohen mbajtësve të lejeve të qëndrimit BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga shtete të tjera anëtare të Bashkimit Evropian.
    Por përveç këtyre rasteve, lejohet të qëndrojnë në Itali edhe ata që dëshmojnë se kanë burime ekonomike të përshtatshme për një shumë mbi 17 mijë euro në vit (dyfishi i shumës minimale të parashikuar për mospagimin e shërbimit shëndetësor) dhe një sigurim mjekësor.
    Titullari i lejes së qëndrimit BE për qëndruesit afatgjatë, pasi kryen të gjitha formalitetet dhe pasi bën procedurat e parashikuara për të ndjekur një kurs studimesh apo për të punuar, duhet të kërkojë lejen që i korrespondon motivit të qëndrimit në Itali. Për punë, pasi merr Nulla-ostën nga Sporteli Unik, ky i lëshon formularin e përpiluar që i interesuari duhet t’i nisë Kuesturës përmes një Sporteli të postave italiane. Në rastet e tjera, i huaji duhet të pajiset personalisht me kompletin e formularëve dhe t’ia nisë atë Kuesturës nga një sportel poste.
    Edhe familjari i mbajtësit të një lejeje qëndrimi BE, për qëndruesit afatgjatë të lëshuar nga një shtet tjetër anëtar mund të hyjë në Itali e të kërkojë leje qëndrimi për motive familjare. Por këtë mund ta bëjë vetëm nëse përpara transferimit bashkëjetonte me titullarin e lejes dhe nëse përmbushen kushtet e parashikuara nga neni 23 i Dekretit Legjislativ 286/1998 lidhur me bashkimet familjare (lidhja familjare, të ardhurat e strehimi i përshtatshëm). Për të kërkuar këtë lloj lejeje duhet të paraqitet në Kuesturë bashkë me familjarin mbajtës të lejes së qëndrimit BE.
    Kuestura, pasi shqyrton kërkesën, lëshon një leje qëndrimi të përkohshme, të përsëritshme, pa tërhequr ama leje-qëndrimin BE që i huaji ka, por do të informojë pikën italiane të kontaktit Drejtoria Qendrore e Imigracionit e Ministrisë së Brendshme.
    Shtetasi jokomunitar, me lëshimin e lejes së qëndrimit, e ruan statusin e qëndruesit afatgjatë në Shtetin anëtar të BE-së nga vjen deri kur vendos të marrë të njëjtin status edhe në Itali.
    Në fakt, në çastin kur mbajtësi i lejes së qëndrimit të lëshuar nga Italia përmbush kriteret për lëshimin e lejes së qëndrimit BE për qëndruesit afatgjatë (neni 9 i Dekretit Legjislativ 286/1998) ai mund të marrë edhe këtu një leje qëndrimi afatgjatë . Për këtë do të lajmërohet edhe Shteti anëtar që i kishte lëshuar leje-qëndrimin BE të mëparshëm. 
    Sigal