Emërimi i shefave të shërbimit shtron rrugën e skemës informale të tregut të barnave

    365
    Sigal

    Ndryshimet në ligjin e arsimit të lartë që po diskutohen këto ditë në Komisionin Parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik dhe që çuditërisht prek vetëm Universitetin e Mjekësisë heq konkurset për shefat e shërbimit, të cilët me këto ndryshime emërohen nga qeveria. Mesa duket, qëllimi i këtyre ndryshimeve, më shumë se çdo gjë tjetër, është krijimi i një skeme informale të tregut të barnave dhe aferave korruptive në fushën e shëndetësisë. Ky treg do të ketë shefat e shërbimeve, pasi dihet që fondi spitalor është një shifër e konsiderueshme, që i kalon 2 miliardë lekët. Ndryshimet më të fundit që po i bëhen ligjit të arsimit të lartë janë diskutuar konkretisht edhe dje në Komisionin e Edukimit. Rektori i Universitetit të Mjekësisë Ali Refatllari i cilëson pozitive këto ndryshime, të cilat sipas tij, nuk cenojnë autonominë e universitetit, pasi janë për një periudhë tranzitore. Ndërkohë që ka kërkuar të ndryshojë vetëm struktura e bordit që do të merret me zgjedhjen e të propozuarve. Ndërsa kanë kundërshtuar miratimin e ndryshimeve në këtë projektligj dekanët e fakulteteve të Mjekësisë dhe Infermierisë, respektivisht Bajram Hysa dhe Petrit Bare. Ata i kundërshtojnë këto ndryshime, pasi sipas tyre preket rëndë autonomia e universiteteve, duke cenuar në këtë mënyrë të gjitha standardet evropiane të arritura në arsimin e lartë deri më tani. Deputeti i partisë demokratike, ish ministër i arsimit Myqerem Tafaj u shpreh se këto ndryshime që po i bëhen ligjit të arsimit të lartë duhen riparë. Sipas tij nuk duhet të hiqet e drejta e votës, për të përzgjedhur shefat e shërbimeve, apo dhe drejtuesit e tjerë.

    Protesta e studentëve

    Lidhur me projektligjin e  ri të arsimit, që po diskutohen prej dy ditësh në komision parlamentar, studentët e Mjekësisë kanë protestuar para kryesisë së Kuvendit. Gjithashtu ata protestojnë, sepse nuk kanë marrë as diplomat. Studentët ngrenë 3 pyetje: “Jemi para kryesisë së Kuvendit për të protestuar dhe për të shtruar 3 pyetje: Ku janë diplomat tona? Ku është vota e studentit? Ku është autonomia”, thonë ata.  Protesta e studentëve ka zgjatur për më shumë se dy orë para dyerve të Kuvendit të Shqipërisë. Studentët kanë paralajmëruar protesta të tjera, nëse kërkesat e tyre nuk do të merren parasysh, madje tre ditë më parë ata kanë paralajmëruar edhe për grevë urie.