Elvis ÇEFA/ Reformat në drejtësi të kryhen vetëm pas analizave të thella

    357
    Sigal

    *Zëvendëskryetar i KLD-së

    Këshilli i Lartë të Drejtësisë dhe Komisioni i Ligjeve po bashkëpunojnë dhe ndajnë mendime për dy projekte të rëndësishme që janë, projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7905, datë 21.3.1995, “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”; dhe projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”. Këshilli i Lartë i Drejtësisë mbështetur në Kushtetutën e vendit dhe në ligjin nr.8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar, e vlerëson së tepërmi ftesën për dhënien e mendimit të tij për të dy projektligjet e sipërcituara. Në këtë kontekst, realizohet jo vetëm detyrimi kushtetues që KLD të jetë pjesë e konsultës së dy projektligjeve të rëndësishëm, jo vetëm se pjesë e këtyre ndryshimeve janë edhe shtesat dhe ndryshimet e kompetencave të gjykatave (gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit ku përfshihen edhe gjykata e krimeve të rënda), por edhe për shkak të konsolidimit të dialogut ndërinstitucional dhe bashkëpunimi midis Këshillit, Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm, Ministrisë së Brendshme, pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, pra edhe të Kuvendit. Konsolidimi i këtij dialogu, do të japë kontribut të fuqishëm në luftën ndaj korrupsionit që përbën sot një sfidë serioze, e cila dëmton demokracinë dhe qeverisjen e mirë, dhe pengon zhvillimin e integrimin e vendit dhe garantimin e funksionimit të shtetit të së drejtës. KLD në vijimësi të punës së tij kurdoherë ka theksuar se korrupsioni përbën një sfidë serioze, dhe ka shprehur vullnetin e palëkundur se lufta ndaj tij është emergjente. Sigurisht, beteja kundër korrupsionit ka qenë në vijimësi një detyrë e përhershme e të gjithëve. Për më tepër, në zbatim edhe të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2013, lufta kundër korrupsionit duhet të ngrihet në një fazë tjetër, që Shqipëria të gëzojë statusin e një vendi të integruar në strukturat europiane dhe euroatlantike si një shtet i së drejtës, demokratik dhe garant i lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Në kushtet kur KLD, i drejtuar nga Presidenti i Republikës, është një organ kolegjial i përbërë nga 15 anëtarë, për shkak të kohës të shkurtër në dispozicion, ka qenë e pamundur paraqitja e mendimit të KLD-së në formën e një vendimmarrje për të dy këto projektligje. Materiali i është përcjellë administrativisht çdo anëtari të KLD-së, por për shkak të kohës së pakët, mendimi është përgatitur duke përpunuar në mënyrë sintetike mendimet individuale të anëtarëve të KLD-së, si më poshtë.

    -Lidhur me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7905, datë 21.3.1995, “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”.

    Ndryshimet që propozohen, referuar materialit të përgatitur nga Këshilli i Ministrave, synojnë të përfshijnë korrupsionin ndër krimet e rënda në vendin tonë, për të cilat duhet të procedojnë organe të specializuara (prokuroria dhe gjykata për krime të rënda). Sipas projektligjit është vlerësuar se veprat penale në fushën e korrupsionit duhet të përfshihen në nenin 75/a, të Kodit të Procedurës Penale, veçanërisht për shkak se korrupsioni është i lidhur ngushtësisht me veprat penale në fushën e pastrimit të parave, krimin e organizuar, si dhe trafikimin e shfrytëzimin e prostitucionit. Ashtu siç edhe paraqitet në relacionin shoqërues, Gjykata për Krime të Rënda, e krijuar në vitin 2004 me qëllim rritjen e efikasitetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, si dhe përmirësimin e cilësisë së gjykimit të veprave penale të këtij lloji, ka ndikuar në forcimin e kapaciteteve të pushtetit gjyqësore, veçanërisht, në efikasitetin e sistemit të drejtësisë penale. Një pjesë e anëtarëve të KLD-së ngrenë shqetësimin për cenimin e efiçencës së Gjykatës së Krimeve të Rënda nëse shtohet kompetenca lëndore e saj me të gjitha veprat penale në fushën e korrupsionit, pa u shoqëruar me masa të tjera organizative dhe strukturore. Në këtë drejtim, duhet kujtuar se Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda përbëhet nga vetëm 16 gjyqtarë, dhe ushtron funksionin vetëm në Tiranë. Shtimi i kompetencës së saj lëndore me një listë relativisht të gjatë veprash penale duhet përllogaritur në mënyrë reale sepse kalon në këtë organ procedues të specializuar (prokurori dhe gjykatë për krime të rënda) edhe të gjitha rastet e procedimeve të bashkuara për shkak të kryerjes së më shumë se një vepre penale apo për shkak të kryerjes së veprës penale nga më shumë se një i pandehur (shih nenet 79-80 të K.Pr.Penale). Për pasojë, rritja masive e listës së veprave penale në kompetencë lëndore të krimeve të rënda rrezikon shpejtësinë e procedimit penal në dy aspekte. Së pari, vështirëson marrjen e provave (sidomos të dëshmitarëve) sepse veprat penale ndodhin të shtrira në të gjithë territorin e Shqipërisë, ndërsa burimet njerëzore të organit procedurës (prokuroria dhe gjykata për krime të rënda) janë të pozicionuara në Tiranë. Së dyti, meqë në shkallë të parë veprat penale do të gjykohen me 5 gjyqtarë, në raport me numrin e përgjithshëm prej 16 gjyqtarë që ushtrojnë funksionin në këtë Gjykatë, është e pritshme rritja e numrit të procedurave për përjashtimin e gjyqtarëve me arsyetimin se kanë gjykuar një çështje tjetër të lidhur me të. Kjo është një e dhënë, e cila është vënë re nga KLD në procesin e delegimit të gjyqtarëve në proceset penale. Në përmbyllje të këtij argument, jemi të mendimit se ka një rrezik potencial në zbehjen e rolit dhe rëndësisë të gjykatës për krime të rënda dhe ka gjithashtu një rrezik nga pikëpamja e eficencës së asaj gjykate. Në këtë kontekst, disa nga anëtarët e Këshillit kanë shprehur shqetësimin se tendenca e fundit për shtimin vijimësisht të listës së veprave penale në kompetencë lëndore të krimeve të rënda rrezikon t’i kthejë Gjykatat për Krime të Rënda në gjykata të zakonshme. Ky shqetësim merr shkas edhe nga shtesat në Kodin Penal dhe të Kodit të Procedurës Penale të miratuara në muajin maj të këtij viti. Për pasojë, trupës gjyqësore të krimeve të rënda iu duhet të specializohet, duke e zgjeruar vijimësisht fushën e specializimit, tashmë jo vetëm për çështje të krimit të organizuar. Ndarja e kompetencës për gjykimin e rasteve të korrupsionit me rastet e shpërdorimit të detyrës, në mendimin tonë nuk do të ndihmonte aspak në arritjen e efekteve të dëshiruara në këto propozime por do të krijonte konfuzion të panevojshëm. Ndërsa përsa i përket propozimeve për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale në harmonizimin e legjislacionit procedural me ndryshimet kushtetuese, të miratuara me ligjin nr.88/2012, datë 18.9.2012, “Për disa ndryshime në ligjin nr.8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, mendojmë se janë të domosdoshme ndryshimet e sipërpërmendura si pasojë e miratimit të ndryshimeve të fundit kushtetuese, për të qenë në koherencë të plotë me kuadrin ligjor në fuqi, por ato duhet të jenë më të qarta dhe të ofrojnë më tepër garanci për mbrojtjen e gjyqtarëve dhe jo vetëm, ndaj veprimtarisë me prapaskenë politike. KLD, madje nxit, që ndryshimet kushtetuese të mësipërcituara të reflektohen edhe në ligjin nr. 9877/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” për të zgjidhur situatën e pezullimit administrativ të gjyqtarit që i nënshtrohet procedimit penal.

    -Lidhur me projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.

    Kompetencat e Gjykatës për Krime të Rënda, arsyet dhe qëllimi për të cilën ajo është krijuar kanë të bëjnë më vepra me rrezikshmëri mjaft të lartë, si trafiku i qenieve njerëzore, aktet e terrorizmit, etj.. dhe duke bashkuar këto krime, shkeljet dhe abuzimet, pjesë të veprës penale të korrupsionit me veprat penale që gjykon aktualisht ajo gjykatë, mund të shkohet drejt zbehjes së veprimtarisë së kësaj gjykate, e cila ndoshta në këtë mënyrë humbet kuptimin për të cilin është krijuar. Pra edhe këto ndryshime të propozuara, në mendimin tonë shtojnë rrezikun e zbehjes së rolit dhe rëndësisë të gjykatës për krime të rënda dhe gjithashtu të uljes së eficencës së asaj gjykate. Ka një nonsens, sipas disa anëtarëve të Këshillit, që në emërtimin e ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” pasi korrupsioni nuk mund te quhet krim i organizuar. Një pjesë e anëtarëve të Këshillit paraqesin shqetësimin lidhur me faktin se këto ndryshime nuk sjellin parandalimin e kryerjes se korrupsionit, pasi një pjesë e mirë e subjekteve që shtohen, bëjnë ndërkohë deklarim pasurie dhe janë të kontrolluar paraprakisht për faktin nëse pasuritë e tyre janë të ligjshme. Pra qëllimin e tij, i cili konsiston në parandalimin ky ligj nuk e realizon. Pra duhet saktësuar mënyra se si ky ligj do të zgjidhë çështjen kur ndaj pasurisë së zyrtarit fillojnë të zbatohen dispozitat e këtij ligji, por ndërkohë ILDKP ka kryer kontrollin e pasurive dhe ka konkluduar se pasuritë janë të ligjshme. Duhet që ligji të zgjidhe çështjen e mbivendosjes së kompetencave midis institucioneve dhe të zgjidhë edhe konfliktin eventual. Në këtë projektligj, për mendimin tonë, duhet të parashikohen garanci të mjaftueshme për të mbrojtur zyrtarët e akuzuar në mënyrë të padrejtë për korrupsion, duke sanksionuar se barra e provës për krijimin e një pasurie në mënyrë kriminale të jetë e institucionit të prokurorisë. Kjo do të përbënte gjithashtu një garanci më tepër ndaj goditjes politike kryesisht të sistemit gjyqësor. Së fundmi, duke marrë shkas nga ky proces konsultimi i dy nismave të rëndësishme për sistemin e drejtësisë, dëshirojmë të evidentojmë dy çështje. Në mendimin tonë, tashmë ka ardhur koha që reformat ligjore që prekin organizimin dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë duhet të shoqërohen domosdoshmërish me analiza mbi cilësinë e zbatimit të ligjit dhe sa është arritur qëllimi fillestar i ligjvënësit. Për ilustrim, kryerja e analizave (në kohë, cilësi dhe sasi) të zbatimit të dy ligjeve, që tashmë po reformohen do të ofronin një bazë shumë të mirë për të shmangur çështjet e vëna në dyshim. Në këtë mënyrë sigurohet lidhja më e mirë e mundshme midis qëllimit të ligjvënësit dhe zbatimit të suksesshëm të ligjit nga sistemi i drejtësisë. Në këtë pikëpamje, dëshiroj t’ju garantoj se KLD mbetet e hapur për të ofruar kontributin e saj në këtë drejtim. Po ashtu, ne jemi të mendimit se nisma të kësaj natyre, që prezantojnë ndryshime thelbësore në funksionimin e sistemit të drejtësisë, duhet të shoqërohen me rregulla tranzitore të përshtatshme për t’i dhënë kohën e duhur organeve të drejtësisë të përshtaten me ndryshimet nëpërmjet trajnimeve efektive. Kjo mund të arrihet duke diferencuar në kohë datën e hyrjes në fuqi të ligjit me datën e regjistrimit të çështjeve në kompetencë të krimeve të rënda. Këshilli i Lartë i Drejtësisë garanton se do të jetë kurdoherë i gatshëm dhe do të bëjë gjithçka për të bashkëpunuar me të gjithë faktorët, Kuvendin, Këshillin e Ministrave, dhe të gjithë institucionet e tjera në zbatimin e ligjshmërisë dhe fitimin e betejës ndaj korrupsionit.